Grupet e Tatim – Taksave ndëshkojnë kioskat në periferi

521
Aksioni i nisur me bujë nga qeveria për “të ndaluar informalitetin në biznes dhe evazionin fiskal”, duket se ka nisur dhe po vazhdon me goditje dhe ndëshkime klienteliste. Grupet e Tatim-Taksave dhe Task-Forcës kanë zbarkuar në Elbasan, të mbështetura edhe nga policia dhe aksionin e tyre e kanë nisur nga kioskat që shesin hurma tek ura e Bradasheshit dhe e kanë vazhduar me kioskat që shesin cigare, fara luledielli, apo vaj makinash me bidona 1.5 litra, kurse në dy ditët e fundit, ata kanë “goditur” ashpër edhe 2-3 pika karburantesh. Ngjitur me pikat e karburanteve, në një lagjet periferike të Elbasanit, ndodhen edhe markete, pika të shitjes së ushqimeve, apo edhe bulmetrave, cigareve dhe bukës, ku shërbehet madje edhe pa kuponin tatimor. Pavarësisht denoncimeve dhe telefonatave nga qytetarët, grupet e ndëshkimit, kontrollet dhe goditjet e tyre i kanë kanalizuar drejt klientelizmit, drejt atyre që janë pa përkrahje, pa mbështetje politike dhe drejt atyre që nuk japin para nën dorë. Qytetarët ankohen se, edhe kur shkojnë pijnë kafe, nuk e marrin kuponin tatimor, edhe kur shkojnë blejnë bukën, djathin, gjalpin, vezët, frutat dhe perimet, nuk marrin kuponin tatimor. Por gjithë ky informacion ka vajtur prej ditësh dhe vazhdon të shkojë edhe tek dega e Tatim-Taksave, Policia e Elbasanit (129) dhe Task-Forca, të cilat deri sot nuk mësohet se kanë ndëshkuar asnjë prej tyre. I vetmi që u ndëshkua ashpër 2-3 ditë më parë, ishte një pronar rrobaqepësie me nja 12 punëtore në periferi të Elbasanit, i cili para 2 muajsh kishte refuzuar t’u jepte nga një kostum dhe 2-3 këmisha inspektorëve tatimorë, që i kishin zënë derën qysh herët në mëngjes dhe i kërkonin dosjen e faturat e shlyerjeve për tre muajt e fundit. Një skenë e turpshme nga uniformat e shtetit, një skandal që ripërsëritet çdo ditë uniformat blu duke ndëshkuar ata që gdhihen dhe ngrysen në punën e tyre dhe që duke paguar deri në qindarkën e fundit taksat dhe tatimet, nuk pranojnë të japin bakshishe apo kostume dhe kollare. Aksioni i “zhdukjes së informalitetit” ka nisur dhe po vazhdon me dështime të turpshme në Elbasan. Në qytetin me mbi 40 mijë të papunë, në qytetin që mbahet me shitjet e bananeve, cigareve dhe farave luledielli, në qytetin që mbahet me ata që kanë gjetur “strehë” si të punësuar tek kompania “Kurum” duke iu përgjysmuar jeta nga kushtet mesjetare, Task-Forca ka gjetur “shkak” dhe kurajo të vazhdojë aksionet e saj klienteliste për të goditur biznesin informal. Grupet e shtetit nuk guxojnë të shkelin tek bizneset e mëdha, tek ata që shesin dhe prodhojnë mallra me shumicë, mallra me lëndën e parë të porositësit nga Italia, Gjermania, Greqia, e deri nga Egjypti, pasi prej tyre kanë frikë, pasi ata janë nën mbrojtjen e politikanit, ministrit, deputetit etj. Në Elbasan janë mbi 1900 biznese të vogla që kanë ulur qepenat, kanë larguar tezgat e tyre nga rrugicat, trotuaret, dhe janë mbyllur në shtëpi derisa të mbarojë “aksioni” i shtetit. Të paprekshmit nuk ulin as qepena, madje nuk i qasin as tek dera e jashtme uniformat e shtetit, por bisedat dhe ujdirat me ata i bëjnë tek vendet e preferuara, duke ngrënë dhe duke pirë verë të kuqe 10 vjeçare. Në fund të ditës, nga aksioni raportohet se “në Elbasan shumica e bizneseve punojnë konformë ligjit, kemi goditur qindra biznese të vogla të cilat punonin pa kuponin tatimor”. Ato qindra biznese janë shitës ambulatorë, që prej disa ditësh nuk po gjejnë vrimë të futen, nga frika e uniformave të shtetit, duke fshehur ato 5-6 steka me cigare dhe ndonjë arkë me banane që po u kalbet, dhe duke lënë pa bukën e gojës fëmijët e tyre. Ky është morali i aksionit të shtetit, morali uniformave blu, kur të dobëtit shtypen dhe të fortët përkëdhelen, kur të dobëtit dridhen dhe lënë familjen pa bukën e gojës dhe të fortët krekosen dhe dorovitin grupet e ndëshkimit që vetëm të tillë nuk janë. Aksioni më i fundit ndëshkimor ka tmerruar vetëm të pafuqishmit, ata që punojnë me borxhe dhe të zhytur në kredi bankare, por nuk ka tutur kapadaitë milionerë, që pasuritë i vunë me tenderat e fituara me ndërhyrje politikanësh dhe që sot e kësaj dite vazhdojnë të sfidojnë ligjet dhe zbatuesit e ligjeve që rrallë guxojnë t’u trokasin në derë. 
Sigal