Frank SHKRELI/ Forcat amerikane zbresin në Poloni

508
Sigal

Në një përgjigje që deri më sot duket si më serioze ndaj agresionit rus në Ukrainë dhe ndaj presioneve të vazhdueshme të Rusisë kundër Ukrainës, Shtetet e Bashkuara dhe aleanca e NATO-s, në një përpjekje që duket se është më shumë se vetëm diçka simbolike, kanë filluar të dërgojnë anije, aeroplanë luftues dhe forca ushtarake drejtë Europës Lindore. Shtetet e Bashkuara njoftuan se të mërkurën arritën në Poloni dhe në tre vendet baltike, Estoni, Letoni dhe Lituani forca amerikane, me qëllim stërvitjesh të përbashkëta midis forcave aleate.   Sipas zëdhënësit të Pentagonit, Admiralit John Kirby, kjo masë që u mor si përfundim i agresionit rus në Ukrainë, është njëkohësisht edhe një ”shprehje konkrete”, sipas tij, e angazhimit amerikan për paqen dhe sigurinë  në Europë. I pyetur nga gazetarët, nëse këto masa kishin lidhje me Rusinë, zëdhënësi i Pentagonit tha se: “Në qoftë se ka një mesazh për Moskën, ky është pikërisht mesazhi se: Ne i marrim seriozisht obligimet tona ndaj Europës”.

NATO ka njoftuar se ndër masat që po merren janë intensifikimi i misioneve ajrore mbi rajonin e Baltikut, dërgimi i anijeve të tjera ushtarake në zonën e Baltikut dhe në pjesën lindore të Mesdheut dhe të rajoneve të tjera, sipas nevojës dhe rrethanave.  Në lidhje me këto zhvillime, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Rasmussen u tha gazetarëve javën që shkoi se, përveç këtyre masave, që u  propozuan nga Gjenerali i Forcave Ajrore Amerikane, Philip Breedlove dhe që u miratuan nga Këshilli i NATO-s, se në atë rajon do të dërgohen edhe personel ushtarak nga vendet aleate për të avancuar gatishmërinë, si dhe për trajnim dhe manovra me forcat ushtarake aleate.  Z. Rasmussen tha se, vendimet e NATO-s që u morën kohët e fundit, “kanë të bëjnë me mbrojtjen, me shkurajimin e sulmeve të mëtejshme dhe janë masa për uljen e tensioneve”, si të tilla shtoi ai, “ato janë në përputhje të plotë me angazhimet ndërkombëtare”, duke theksuar se, “do të pasojnë edhe masa të tjera, në qoftë se ndjehet e nevojshme, gjatë javëve dhe muajve të ardhshëm”. Ai nënvizoi gjithashtu se, NATO do të planifikojë marrjen e masave afatgjatë në atë rajon,- siç tha ai, -“në mbështetje të mbrojtjes së përbashkët”.

Këto masa ushtarake të njoftuara nga Shtetet e Bashkuara dhe nga aleanca e NATO-s, sipas zyrtarëve, do të jenë në fuqi deri në fund të vitit dhe se do të vendoset më vonë se cilat nga këto masa duhet të vazhdojnë dhe për sa kohë.

Gjatë 20-vjetëve të fundit prania ushtarake amerikane në Europë ka qenë në rënie e sipër, por kriza në Ukrainë ka bërë që të rivlerësohet prania e forcave ushtarake të Shteteve të Bashkuara në kontinentin europian, si dhe  të rishikohet buxheti amerikan i mbrojtjes, i cili gjithashtu, ka qenë në rënie vitet e fundit.  Por megjithëse, disa anëtarë të njohur të Kongresit Amerikan, përfshirë senatorin republikan John Mcain dhe disa ekspertë ushtarakë i kanë bërë thirrje që Ukrainës t’i jepen ndihma ushtarake, deri tani as Shtetet e Bashkuara dhe as NATO, nuk kanë njoftuar ndonjë plan për t’i dhënë Ukrainës ndihma të drejtë për drejta ushtarake.  Deri më tani, Shtetet e Bashkuara i kanë dërguar Ukrainës ndihma jo ushtarake, për të cilat ish-Gjenerali Wesley Clark, i cili ka drejtuar luftën kundër Serbisë për çlirimin e Kosovës, ka thënë se dërgimi i këtyre ndihmave Ukrainës, përballet me probleme serioze të cilat duhet të korrigjohen menjëherë, ndërsa shprehu bindjen e tij në një raport të botuar në New York Times se, në të ardhmen Ukraina do të ketë nevojë për ndihma ushtarake, ndonëse Uashingtoni zyrtar vazhdon të jetë i mendimit se nuk ka zgjidhje ushtarake për  krizën në Ukrainë.

Zëdhënësi i Pentagonit  admiral John Kirby tha për gazetarët se, manovrat në Poloni dhe në tre shtetet baltike janë të para në atë rajon, duke shtuar se: “Agresioni i Rusisë në Ukrainë ka shtuar vendosmërinë tonë për të forcuar planet dhe aftësitë tona mbrojtësi dhe ka forcuar bindjen tonë për të demonstruar vazhdimësinë e angazhimit tonë ndajë mbrojtjes së përbashkët të aleatëve tonë të NATO-s në Europën Qendrore dhe Lindore”.

Masat ushtarake amerikane u njoftuan ndërsa zv/presidenti amerikan Joe Biden vizitoi Kievin.  Gjatë asaj vizite udhëheqësi amerikan i bëri thirrje Rusisë që të zbatojë marrëveshjen ndërkombëtare që u arrit javën e kaluar në Gjenevë, për ndryshe. “Moska do të përballet me sanksione të tjera ekonomike nga Perëndimi”,-tha ai. Zv/presidenti amerikan u kërkoi edhe udhëheqësve të Ukrainës që të zbatojnë parimet demokratike duke respektuar ndryshimet kulturore të qytetarëve të saj,  njëherazi duke i siguruar ata se, “në këtë rrugë ju nuk jeni vetëm”.  “Ka ardhur koha”, tha z. Biden që, “Rusia  të pushojë së foluri e të fillojë së vepruari- të fillojnë të veprojnë për zbatimin e angazhimeve që morën” në Gjenevë,- tha ai.  Ndërkaq, Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se edhe Sekretari i Shtetit John Kerry, në një bisedë telefonike me homologun e tij rus, Sergei Lavrov, i shprehi atij, “shqetësimin e thellë të Shteteve të Bashkuara për mungesën e marrjes së masave pozitive nga ana e Rusisë me qëllim për të ulur tensionet në Ukrainë dhe në rajon”.

Putini ka kohë dhe nuk ngutet për të arritur objektivat e veta. “Një hap para, dy hapa mbrapa”. Kështu ka thënë Lenini.  Edhe Perëndimi duhet të ketë durimin e nevojshëm dhe të jetë i gatshëm dhe i vullnetshëm për të mos e lejuar atë të realizojë objektivat e tija nacionaliste, në kurriz të popujve të tjerë.