Faturat e shfrenuara të PPP-ve, kostot sa dyfishi i referencave të Bankës Botërore

163

Banka Botërore rishikoi këtë vit me rritje kostot e ndërtimit të një kilometri rrugë në vendin tonë, duke e çmuar me 6 milionë euro një kilometër autostradë të kategorisë A dhe 1 milion euro një kilometër rrugë sekondare interurbane të kategorisë C. Qeveria e kontraktoi rrugën Milot-Balldren, të kategorisë A, nëpërmjet koncesionit PPP me 14.2 milionë euro për kilometër, ose 132% më shumë se standardi i kostove të Bankës së këtij viti. Vlera e plotë e kontratës së Rrugës së Arbrit është ende e fshehtë, ndërkohë që qeveria i ka negociuar fitimet dhe interesat për koncesionet pasi janë shpallur fituesit, duke cenuar garën në themel. Ja të gjitha diferencat e kontratave të koncesioneve në raport me kostot reale

Blerina Hoxha

Në kulmin e angazhimit të qeverisë shqiptare për të ndërtuar nëpërmjet kontratave me Partneritet Publik-Privat (PPP) disa akse kombëtare rrugore, vjen një studim i Bankës Botërore që analizon kostot e reja të ndërtimit të rrugëve në vend me të dhënat e vitit 2018.

Një kilometër autostradë i kategorisë A, e ngjashme me Rrugën e Kombit dhe rrugën Tiranë – Elbasan, kushton 6 milionë euro, sipas një hulumtimi të publikuar së fundmi nga Banka, që analizon shpenzimet që duhet të përballojë Shqipëria për mirëmbajtjen e rrugëve nga fatkeqësitë natyrore.
Më tej, një kilometër rrugë interurbane e kategorisë “B” kushton 4 milionë euro, 1 kilometër rrugë interurbane e kategorisë “C” kushton 1 milion euro, 1 kilometër rrugë kryesore urbane e kategorisë “D” kushton 1,2 milionë euro, 1 kilometër rrugë sekondare urbane e kategorisë “E” kushton 1 milion euro dhe 1 km rrugë lokale e kategorisë “F” kushton 800 mijë euro. Banka Botërore i ka rishikuar më rritje kostot e ndërtimit të rrugëve në Shqipëri kryesisht nga rritja e çmimeve të naftës, kostove të punës dhe lëndëve të para.

Kostot e reja për kilometër variojnë nga 800 mijë deri në 6 milionë euro. Këto vlera janë shumë më të ulëta se kontratat e qeverisë për ndërtimin e rrugëve, si me fonde buxhetore ashtu edhe me kontratat e Partneritetit Publik Privat. Gjatë vitit 2018 janë ndërtuar 4.2 kilometër autostradë e kategorisë A2 me 5.3 miliardë lekë, të cilat ishin fonde të brendshme. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Infrastrukturës, kosto për kilometër përllogaritet në 1.27 miliardë lekë, ose më shumë se 10 milionë euro për kilometër. Qeveria shqiptare ka harxhuar vitin e kaluar për ndërtimin e një kilometri autostradë 4 milionë euro, ose 40% më shumë se kostot e reja të Bankës Botërore. Por shpenzimet katastrofike po vijnë nga kontratat me Partneritet Publik – Privat, të cilat që nga fillimi deri në angazhimin e punimeve kanë kaluar me mungesë të plotë transparencë dhe ende vlerat mbahen të fshehta.

Kontrata ndërmjet kompanisë A.N.K dhe Ministrisë së Financave, për ndërtimin e autostradës Milot-Balldren, me gjatësi 17,6 kilometra e kategorisë A megjithe TVSH është rreyth 250 mln euro. Kostoja për kilometër përllogaritet me 14.2 milionë euro, ose 2.3 herë më e lartë se kostot që përllogariti Banka Botërore së fundmi.

Ekonomisti i njohur, Sherefedin Shehu, argumenton se nga paketa 1 miliard euro, realisht do të investohet shumë pak. Një kredi 13-vjeçare, me 12%, interes që paguhet me 13 këste të barabarta vjetore, kushton 2.2 herë më shumë se vlera e kredisë që merret sot. “Ndryshe mund të thuhet: për çdo para që biznesi do të investojë ‘veresie’ sot, do të marrë mbrapsht 2.2 lekë ose më shumë se dyfish. Pra fatura e projekteve të ndërtuara ‘veresie’ nga biznesi është dy herë më e madhe se sa kostoja e tyre”, – tha Shehu.

Arsyeja kryesore që dha qeveria për projektet e Partneritetit Publik-Privat lidhej me faktin që buxheti i shtetit, nuk ka fonde të mjaftueshme për të ndërtuar këto vepra madhore, ndaj kompanitë do të ndërtonin me fondet e veta apo nëpërmjet kredive bankare dhe shteti do t’u paguante me këste dhe interesa (pagesa e parë bëhej kur të kishin mbaruar të paktën 25% e punimeve)./Monitor