Akademik Artan Fuga: Intelektuali në litar

201

Ka disa të “mençur” – maskarenj të lindur, mashtrues qysh në vezë, që thonë: Aman mo aman, plotësojua këto tetë pika studentëve, që të na lënë rehat se përndryshe na prishet rehatia jonë! Dorëzo ca lekë të shpëtojmë të tjerat që i vjelim qetësisht në kohë paqeje! Ata që deri sot na rrëfenin se sa i mirë është kuadri ligjor për arsimin e lartë! Dhe si shpërblim kanë marrë tituj shkencorë në kundërshtim me ligjin. Për t’i rrasur brenda, për mashtrim në bashkëpunim! Plotësojua mo! Jo për të riparuar gjendjen, por që të na lënë rehat!

Ka të tjerë që shkojnë drejt kinezërirave të revolucionit kulturor kinez, se kinezëve të sotëm u marrin të keqen ata, sipas të cilëve: Drejtimin e universiteteve duhet ta marrin studentët!!!

Ka pallaveshë të tjerë që thonë: Hiqu mo tarifat dhe të kenë një universitet të varfër, se, në fund të fundit, universiteti është për t’u krijuar idenë se kanë diplomë, jo për t’u dhënë dije!

Idiotë të tjerë që nënkuptojnë, që në universitet është studenti që duhet të mësojë pedagogun por jo pedagogu studentin! Maskarenj të ndryshëm barazojnë disa pedagogë qelbësira dhe të korruptuar me të gjithë pedagogët dhe mësuesit duke harruar se, po qe se analizojmë mirë pedagogu i ndershëm është edhe më i varfër sesa studenti!

Dhe nuk bëjnë zë! Por deri kur?

Ka ca politikanë dembelë që në vend të ulin bythën dhe të përpunojnë modele alternative për arsimin, vetëm bërtasin deklarata idiote dhe vdesin ta manipulojnë lëvizjen për të marrë vota politike.

Plot shejtan-budallenj që e trajtojnë çështjen vetëm se studentët janë të varfër, por nuk shohin se kryesorja është: Se sa shoqëria kërkon cilësi në formimin shkencor të rinisë dhe çfarë vendi i jep të diplomuarit në tregun e punës. Ca kolltukofagë bëjnë sikur nuk kuptojnë që universitetet publike janë vendosur në një gjendje që, jo vetëm autonomi nuk kanë, por edhe qeverisen si burgje pikërisht, sepse ligji i ka lënë si subjekte të çmendura skizofrenike, as kështu, as ashtu, as autonome, as të shtetëzuara.

Profesori i universitetit është përdhosur,  dhunuar,  varfëruar,  turpëruar,  fyer,  nënshtruar,  izoluar, alienuar,  keqpërdorur,  degraduar,  infantilizuar,  pikërisht sepse ligji e kërkon të tillë dhe unë jam gati ta provoj këtë.

Horra të korruptuar dhe të paaftë si pedagogë bërtasin: Studentët kanë të drejtë! – a thua se janë ata që studentët presin t’ua thonë! Dhe nuk mendojnë se nuk plotësojnë asnjë kriter cilësie për të qenë pedagogë, dhe në auditore tregojnë folklor dhe dije të dala boje!: Parazitë vemje!

Leshko që çfarë thonë sot nuk thonë nesër dhe nuk bëjnë veçse llomotisin budallëqe tavolinash. Karrieristë që mëtojnë të kapin ndonjë kolltuk duke ja bërë sy sa qeverisë sa partive opozitare në funksion të gjendjes të rruga Muhamet Gjollesha!

O vdeksha!

Profesorin universitar e kanë shkelur me këmbë! Sepse shoqëria nuk e do intelektualin,  politika nuk e do intelektualin,  cmira e masave nuk e do intelektualin,  injoranca nuk e do intelektualin,  burokracia nuk e intelektualin,  pijaneci në birrarinë përballë nuk e do intelektualin!

Intelektuali i fyen të gjithë këta edhe sikur të jetë më i edukuari në botë, më modesti, më i heshturi.

I fyen, sepse ekziston!

Intelektualët në litar!

Gjendja e shoqërisë në kohë protestash prodhon dhe nxjerr në dritë llava të tëra çmendurish, budallallëqesh, shejtanllëqesh, poshtërsish, hipokrizish. Det, llavë, përmbytje! Mjerë qytetari, mjerë studenti, mjerë prindi, mjerë kombi, mjerë Shqipëria!