Shpirtëra të butë e njerëzorë le të hyjnë në shtëpitë tuaja!

Me festën e Halloween është e lidhur legjenda e famshme e irlandezit Xhek, një zanatçiu dinak, koprac e pijanec, që një natë takoi djallin. Nga që ishte i dehur, shpirti i tij për pak sa ra në duart e djallit, por me zgjuarësi e dinakëri i kërkoi djallit që para se të shkonte në Ferr, djalli të transformohej në monedhë, që ai të blinte në pijetore një birrë dhe të pinte për të fundit herë. Djalli duke mos patur arsye për mos ta pranuar kërkesën e Xhekut u kthye në monedhë. Zanatçiu me shpejtësi e futi djallin në trastën e tij ngjitur me një kryq argjenti, kështu që djalli nuk mund të ritransformohej. Tashmë djalli që të lirohej i premtoi Xhekut, që për dhjetë vjetët e ardhshme nuk do t’ia merrte shpirtin e do ta linte të qetë, dhe ai e liroi.
Kaluan dhjetë vjetë e djalli e takoi përsëri Xhekun, i cili kësaj here iu lut djallit që para se të shkonte në Ferr t’i jepte një mollë nga pema aty pranë. Kur djalli trulehtë hipi në pemë, Xheku gdhendi me shpejtësi kryqin në trungun e pemës e kështu ai nuk mund të zbriste dot nga dega ku kishte qëndruar. Vetëm pas një zënie e diskutimi të gjatë arritën në një (pakt)marrëveshje. Djalli që të zbriste nga pema duhet të çfuqizonte dënimin e përjetshëm në Ferr për Xhekun. E kështu u bë.
Gjatë jetës Xheku vazhdoi të dehej pa pushim e bëri aq shumë mëkate, sa kur vdiq e nuk e pranuan në Parajsë, u paraqit në Ferr duke shpresuar që ta pranonin, po djalli që i kujtoi paktin e përzuri. Kështu Xhekut i mbeti dënimi që të endej si një shpirt i sfilitur (i munduar).
Duke qenë se ishte shumë ftohtë e errësirë, djalli i hodhi një kongjill të ndezur e Xheku e vuri brënda një rrepe* që e kishte me vete.
Nga ai çast, Xheku filloi të endet sa andej-këndej në kërkim të një vendi ku mund të pushojë.
*Rrepa u zëvendësua me kungullin. E Xheku paraqitet nga një kungull i ndriçuar ku është gdhendur një fytyrë.
Ky kungull i gdhëndur me një fytyrë njeriu të ashpër e zjarr nga brënda, vihet jashtë nëpër ballkone apo portat e shtëpive për të trembur shpirtrat e këqinj, që është qëllimi, esenca e kësaj feste nga më të vjetrat.
Këto radhë të dashur miq, i mbyllim me urimin që dëgjohet e shkruhet kudo:
Shpirtëra të butë e njerëzorë le të hyjnë në shtëpitë tuaja!

Shkroi e adaptoi në shqip:
Iskra Thoma

Sigal