Vasil S. Tole/ 9 vjet pa muzikologun Haxhi Dalipi

772
Për ta sjellë në kujtesë, prej dorës së tij, kënga popullore “Janinës ç’i panë sytë” u bë gati si një këngë kombëtare. Profesori pak kohë para se të ndërronte jetë, në 15 shtator 2006, ishte drejtori i parë i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore pas viteve ‘90. Ai lindi më 20 shkurt 1941, në Gjirokastër, në këtë qytet që sot mbrohet nga UNESCO-ja si “Pasuri kulturore e njerëzimit”. Më kujtohet viti 1997, kur na priti në Vlorë, më 28 nëntor, për të përgatitur festimet e 85-vjetorit të pavarësisë. Vlora ishte akoma në tym. Artistët e Teatrit të Operas e Baletit që vinin në Vlorë për të bërë provat e koncertit i priti profesor Haxhiu, i cili u dha zemër me praninë e tij dhe muzikantët nga e gjithë Shqipëria e Kosova u bashkuan aty. Ende kishte të shtëna në ajër, ditën dhe natën. Atë natë profesori dirigjoi orkestrën e korin e madh, dirigjoi himnin kombëtar në fillim tëkoncertit. “Ku mund të këndohet më mirë se në Vlorë Himni i Flamurit?”,- na tha atë darkë të paharruar, në Vlorën që po linte pas të shkuarën e tingujt e muzikës po e ringjallnin. Kështu ishte Haxhiu! 

E donte muzikën po aq sa edhe Vlorën

E donte muzikën po aq sa Vlorën, Gjirokastrën dhe gjithë Shqipërinë. E filloi rrugën me instrumentin e flautit në Liceun Artistik në vitin 1957 nën drejtimin e profesorit të shquar, Ramadan Sokoli. Për disa vite dha mësim në Himarë, ku u mëkua me dashurinë për isopolifoninë, të cilën e bëri pjesë të pandarë të jetës. Më tej në Institutin e Lartë të Arteve vazhdoi studimet për dirigjim e kompozicion. Krijoi ansamblin “Labëria”, Orkestrën Simfonike dhe më pas Filarmoninë, drejtoi Shkollën e Muzikës e Qendrën Kulturore të Vlorës për vite me radhë. Kush nuk njeh sa duhet vlerën e punës së tij, le të dëgjojë një çast isopolifoninë e krahinës së Vlorës. Sot isopolifonia shqiptare është “Kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit” mbrojtur nga UNESCO-ja. Është edhe profesori i nderuar aty! Ai e ngriti interpretimine grupeve isopolifonike në lartësitë artistike dhe vlerat që i do isopolifonia. E njihte si mjeshtri punën isopolifoninë. E preku atë, e shkroi dhe kumtoi vlerat e saj në aspektin shkencor dhe artistik në Shqipëri e jashtë saj. 

Mjeshtri që na mungon të gjithëve

Na mungon të gjithëve ne. U mungon studentëve të Akademisë së Arteve, kolegëve muzikantë, miqve e shokëve në Tiranë, Vlorë e gjithë Shqipërinë, në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e më tej. Në fakt shpirtërisht, profesori është afër, sepse emri i kujtohet ashtu si portreti i tij fisnik dhe personaliteti i spikatur. Ai është afër se edhe Vlora ku la amanet të prehet, e futi në radhët e qytetarëve të saj të nderit. Është afër se Labëria nuk do ta harrojë kurrë emrin e tij e do ta kujtojë gjithmonë. Është koha që Haxhi Dalipi të kujtohet dhe ne e kujtojmë sot e gjithë ditën. E kujtojmë së bashku me profesorët dhe kolegët tanë të nderuar që s`jetojnë më si: Çesk Zadeja, Tish Daija, Gjon Simoni, Feim Ibrahimi, Kujtim Laro etj. Kjo është tradita jonë dhe aty është edhe profesori i nderuar Haxhi Dalipi.
Sigal