Sabina Troshku: Sot femrat e cirkut nuk janë të paragjykuara!

537
Sigal

INTERVISTA/ Flet artistja e cirkut Sabina Troshku: Vertikalistja një profil i vështirë që do shumë precizion

 Ajo është një vertikaliste e veçantë, që ka marrë çmim të parë dhe në Paris, por kjo se ka bërë mendjemadhe, përkundrazi. Ka 10 vjet në këtë profesion dhe i duket pjesa më e rëndësishme e jetës. Nuk do ta lëvdojnë, por mendon se me pak publicitet cirku do të jetë më i frekuentuar se koncertet e këngëtareve. Në shkollë mësuesit e vlerësojnë dhe ajo e ndjen vlerësimin e tyre. Cirku sipas saj është një familje e madhe, ku askush nuk e ngacmon, por e shikojnë si një njeri të talentuar.

 Nga është prejardhja e Sabinës?

Unë jam me origjinë nga Librazhdi, por kam lindur këtu. Megjithatë mund të them, se prindërit e mi më kanë ngulitur një dashuri të madhe për origjinën. E them me plot gojën që jam nga Librazhdi.

 Kur ke filluar për herë të parë si artiste cirku?

Kam filluar për herë të parë në moshën 8-vjeçare dhe kam pasur një dashuri të madhe për cirkun. Kjo bëri që me këmbënguljen time, prindërit e mi të më çonin të provoja aftësitë e mia në cirk. Ata si besonin në fillim aftësitë e mia. Pra më shumë ishte një ëndërr, pasi kur shikoja se çfarë numrash realizonin artistët e cirkut, s’e besoja se një ditë dhe unë mund të bëja diçka të përafërt me ta. Më dukeshin hyjnorë, të paarritshëm. Por kur bëra prezantimin e parë këtu, mendova se mund të bëja diçka. Aq më tepër as që e mendoja se mund të bëhesha dikushi në cirkun e Tiranës.

 Kush  ka qenë numri i parë që ke bërë në cirk dhe ku ka qenë ai?

Numri i parë që kam realizuar ka qenë në moshën 10 vjeç. Kam bërë bambunë me Ali Jucën  dhe Fitnete Duron. Ishte një numër i vështirë, sa në fillim u tremba, por me punë dhe durim dhe me mbështetjen e të dyve artistëve të mësipërm ja arrita qëllimit.  Edhe sot kur këtë numër e shikoj në video ndihem shumë e emocionuar dhe qesh me vete për këtë realizim që më hapi dyert e bukura të cirkut. Ky ishte një numër ajri.

  Sot në çfarë profili je?

Sot jam në profilin e vertikalistes. Është një profil i vështirë që do shumë precizion dhe korrektësi. Një profil shumë, shumë i vështirë. Vertikale duhet të bësh në disa pozicione dhe në lartësi.

 Cilat janë vështirësitë e një vertikalisteje?

Vertikalisja ka forcën, ka ekuilibrin  sepse mbi të gjitha ajo është stoliste dhe bie në sy çdo gabim apo mosrealizim. Gjithçka në këtë disiplinë varet tek aftësitë, shkathtësitë, intuitën dhe kërkesat e saj. Pra është një disiplinë individualiste që mossuksesi të çon në dështim.

Pra ju bëni vertikalen mbi objekte të ndryshme?

Po. Unë bëj vertikalen në lartësi të ndryshme, në lartësi të ndryshme, në tokë, në tavolinë, me një dorë dhe në pozicione të ndryshme.

 A je rrëzuar ndonjëherë në këto vertikale në pozicione të ndryshme?

Në stërvitje jam rrëzuar disa herë, pasi kërkoj më të mirën. Por njëherë më ka ndodhur dhe në shfaqje. Ishte një gabim  objekti, i cili lëvizi dhe unë u rrëzova. Madje, e theksoj se ishte premierë e shfaqjes ku unë u vrava. Kisha dhimbje. Por publiku i hutuar më mobilizoi më shumë. Mora prapë iniciativën dhe u ngjita prapë. Pata shumë sukses herën e dytë. E harrova dhimbjen. Duartrokitjet më dhanë shumë ngrohtësi. Ata mi zvogëluan dhimbjet.

  Femrat që merren me cirk a janë të paragjykuara, d.m.th që nuk i shohin si femra serioze, korrekte?

Unë nuk i kam vënë re. Dua të them se edhe kur kam punuar me Prof. Pavlli Sallatën  në moshë të njomë, shihja një seriozitet në punë, sikundër edhe nga më të mëdhenjtë shihja një përkrahje të veçantë. Sot besoj se nuk mund të paragjykohet një artiste. Ky është një profesion siç mund të jetë një inxhiniere, një avokate, madje një profesion kolektiv që nuk mund të paragjykosh. Sot shoqëria shqiptare është e civilizuar dhe e dinë se si mund të paragjykohet një femër. Puna është punë. Konservatorizmi  sot besoj se nuk ka aq vend në shoqërinë e emancipuar shqiptare.

 Si punohet në cirk?

Është një punë në grup, ku ne të gjithë jemi si një familje. Është një punë shumë e veçantë ku ne s’mund të punojmë të veçuar dhe me inate. Nuk mund të kesh rezultate vetëm. N.q.s do të kesh rezultate në cirk, duke pasur parasysh se ke një punë disavjeçare, duhet të kesh mirësjellje dhe bashkëpunim me të gjithë.

 Çfarë shkolle vazhdoni tashmë?

Jam në vit të dytë të shkollës së mesme “Sinan Tafaj”, gjimnaz. Pra nuk e kam lënë as shkollën as cirkun. Është shumë e vështirë, por s’ka rezultate pa mund dhe djersë. Në fillim e kisha shumë të vështirë, por me kalimin e kohës u ambientova. Tani s’më bën përshtypje.

 Numrat tuaj të cirkut, a janë të nivelit europian?

Besoj se po. Unë dhe profesorët e mi shohim zhvillimet e fundit në cirk dhe mundohemi që të jemi në korrent të çdo numri të ri. Mendoj se gjithmonë sjell diçka të re që t’i afrohemi cirkut botëror.  Mendoj se cirku shqiptar ka evoluar kohët e fundit, pasi numrat tanë  janë shumë të vështirë. Me këtë ritëm mendoj se do arrijmë çdo numër të vështirë në Europë.

 Po baza materiale a është e mjaftueshme dhe e sigurt?

Të themi të vërtetën është pak e vjetëruar, por mekaniku jonë dhe drejtuesit po bëjnë të pamundurën për të në mbështetur. Deri dje s’kemi pasur një financë të mirë apo fonde pasi vareshim nga Bashkia, tani kemi status tjetër. Por çdo numër i ri do dhe bazë materiale të re. Kështu që kërkesat janë në rritje.

 Kush është vështirësia më e madhe e cirkut sot?

 Mendoj se është publiku. Pra nuk kemi pasur  spektatorë. Kjo pasi ne nuk na bëhej asnjë reklamë. Kisha dhe njerëz që i njihja dhe nuk e dinin se ku ishte cirku. Televizionet na janë larguar. Por kemi dy vjet që çdo gjë ndryshon.  Po i bëhet më shumë reklamë cirkut. Pra, n.q.s fëmija vjen njëherë në cirk, ai gjithmonë nuk i shqitet më. Sepse cirku është art i tillë që ngjit tek fëmijët. N.q.s ata ja thonë njëri-tjetrit dhe kështu vijon për më shumë.

 Shfaqja e fundit kishte numra të veçantë?

Po, kishim disa numra të rinj. Kishim dhe disa kllounata që i tërheqin fëmijët. Cirku tashmë sikur gjen vetveten.

 Diku kam dëgjuar se ju keni marrë dhe një çmim. Është e vërtetë?

Po. Së bashku me Fiqiri Lulin, kam marrë  çmim në Festivalin Mondial të Parisit, në janar 2013,  çmimi i shkollës “Fratelini”, një nga shkollat më prestigjioze në Paris, çka na jepte ne mundësinë të shkonim një vit,  në këtë shkollë me vlera. Prezantuam numrin e statujave lëvizëse që na e ka mësuar mjeshtri Pavli Sallata, një numër që ka pasur të ketë sukses në çdo shfaqje.

Mbani dietë me tërë këtë stërvitje?

Dieta ime është të mos përdor ushqime të shumta me brumëra, por përdor shumë fruta të çdo lloji. Vitaminat ne mund t’i marrim dhe me pilula p.sh vitamina C që të mos përdorim shumë brumëra.

Je penduar që ke zgjedhur këtë profesion?

Jo. Është shumë i vështirë, por asnjëherë nuk mund të them se jam penduar. Unë tashmë e dashuroj shumë këtë profesion.

 Ku ndryshon një këngëtare me një artiste cirku?

Këngëtarja ka më shumë publicitet, ka shumë spektatorë, ka shumë mundësi reklamimi, pasi ajo del në të gjitha televizionet. Ne si cirk nuk mund të interpretojmë në skenë si këngëtarja dhe reklamimi ynë është shumë i ngushtë. Ne punojmë më shumë, lodhemi më shumë dhe gazetarët rendin më shumë pas këngëtareve, pas bujës së tyre ne na lënë në hije.