Mimoza Çobo: Aureolë gruaje

503

Kur Krijuesi i dha frymë planetit Tokë, krijoi gruan si gjallesën më të zhvilluar në univers. Krijuesi e bëri gruan speciale, të veçantë, për t’i dhuruar njerëzimit gjithçka njerëzore e shpirtërore që mbart qenia e saj. Ndaj ekzistenca e çdo gruaje në tokë është mision i shenjtë hyjnor. E tillë ka qenë dhe është ekzistenca e grave shqiptare, të cilat kanë sakrifikuar jetën në emër të lirisë, atdheut, shoqërisë dhe familjes. Në gjurmët e tyre të vyera, hedhin hapa të sigurt, gratë dhe vajzat fierake, të cilat kanë përshkuar mugëtirën e kohërave, me guxim dhe inteligjencë. Njëra prej këtyre grave, me dhunti të veçanta drejtuese, me shpirt ambicioz e tepër energjik, që ka luajtur dhe luan një rol të rëndësishëm në mbështetjen e vlerave të gruas fierake, fuqizimin dhe shpërfaqjen e virtyteve të saj në familje, shoqëri e politikë, është dhe zonja Yllka Beci. Për të gjithë lexuesit dhe për të gjitha gratë shqiptare, znj. Yllka Beci, vjen me një rrëfim sa interesant, emocionues, aq dhe mbresëlënës, mbi rrugën e gjatë të realizimit të ëndrrave të saj, si grua intelektuale e suksesshme në karrierë, me përvojë të gjatë në fushën e arsimit dhe politikës shqiptare, si Ambasadore e paqes, si nënë martire e paepur përballë vështirësive, si bashkëshorte e denjë e besnike.

Dihet se gratë janë gjysma e qiellit. Secila prej tyre, është një yll rrezatues, që i jep dritë e bukuri universit. Gruaja yjore, në njërën dorë mbanë krijesën e dashurisë, që e ushqen me eliksirin e gjirit dhe në dorën tjetër mbanë shpatën e vetëtimës, për të mbrojtur të drejtat e mohuara”, shprehet znj. Yllka, duke vijuar më tej, se: “Jam krenare dhe e bekuar, që jam pjesë e kësaj galaktike femërore, që solli njerëzimin në tokë, amësinë e fëmijëve, dashurinë dygjinore, domosdoshmërinë e familjes dhe shumë virtyte, që i japin bukurinë dhe kuptimin jetës. Për këtë u jam mirënjohëse prindërve që më sollën në jetë, nënës sime, hyjneshës Bukurie, që skaliti në embrionin tim, bukurinë dhe brishtësinë e saj, babait tim, Izet Dashi, që më dha limfën jetësore e lëndore të shpirtit, të rritesha në lartësinë e një panje të bukur e për më tepër më dha çelësa me vlerë, për të hapur dyert e jetës, ashtu siç ua dha qindra nxënësve, që i edukoi me dashurinë për atdheun”.

Teksa flet për prindërit, melodia shushuritëse e zërit të saj, duket sikur i ngjan këngës së gjetheve, nga merr frymë gjithë qenia e saj. Shpirti guximtar e i paepur i kësaj gruaje, me rrënjë të lashta në Prizren dhe në Tepelenë, që ushqejnë pemën gjenealogjike të familjes, ka dëshmuar, se Yllka është grua intelektuale e formuar deri në përsosmëri, që tejkalon formimin e çdo burri në karrierë jo me forcën e muskujve, por me shpatën e zgjuarsisë, dyfish burrërore. Formimin në fushën e arsimit, në profilin Histori-Gjeografi, studimet në vijimësi në Master të nivelit të dytë (Master Ekzekutiv) Sociologji/Politika, Shoqëria dhe Demokratizimi, titullin e lartë “Doktoreshë e Shkencave” etj, znj. Yllka i mori gradualisht në jetë, me punë këmbëngulëse e kreative . Znj. Beci vjen me një eksperiencë të gjatë në arsim si mësimdhënëse dhe drejtuese në shkollat e arsimit parauniversitar në Fier. Aktualisht është administratore e Zyrës Vendore në rrethin e Fierit. Në lidhje me vështirësitë me të cilat përballet institucioni që Ajo drejton dhe arsimi në rrethin e Fierit, znj. Yllka shprehet se:

“Bota arsimore dhe administrimi e menaxhimi i saj sipas standardeve evropiane, më ka bërë ambicioze dhe kërkuese të rreptë ndaj vetes dhe të tjerëve, si dhe ndaj vendimeve që duhen marrë për realizimin me sukses të misionit që kam ndaj arsimit shqiptar dhe brezave. Çdo ditë e ndiej dhe kuptoj se nuk ka kohë për të humbur, prandaj i përkushtohem me mish e me shpirt misionit që më kanë besuar dhe pse vazhdimisht përballem me vështirësi e pengesa, të cilat patjetër që duhet t’i sfidoj me këmbëngulje e profesionalizëm. Sfida të tilla dhe pse vënë në provë inteligjencën time, më bëjnë më të arsyeshme e më të fortë për të gjetur ekuilibrin e duhur me vetveten dhe të tjerët. Si rrallëkush e kuptoj, se ku qëndron forca e vërtetë e një gruaje në karrierë, ndaj me ndërgjegje të plotë, vë gjithë energjitë fizike e mendore, si dhe kapacitetet e mia intelektuale, në shërbim të arsimit fierak, që sot po përballet me një problem serioz, siç është ai i mbylljes së shkollave, për shkak të lëvizjes së popullsisë drejt zonave rurale ose largimeve masive jashtë vendit. Me dhimbje mund të shprehem, se ulja e lindshmërisë, po e çon popullsinë drejt plakjes dhe shumë shkolla, veçanërisht nëpër fshatra rrezikojnë ekzistencën e tyre shumëvjeçare. Fëmijët janë një mrekulli e jetës në tokë dhe unë mendoj se kam qenë me fat, që kam dhënë kontributin tim në edukimin dhe formimin e tyre. Por zemra më trishtohet, kur i shoh të largohen nga vendlindja, kur mësojnë alfabetin e huaj pa mësuar abc-në e stërgjyshërve.”

Me trishtimin që i dallohet ndër sy ajo përcjell një mesazh të fuqishëm për të gjithë shqiptarët:

“Mos e braktisni atdheun, vatrën ku keni lerë! Kthejini sytë nga patriotët, që luftuan me pushkë e pendë, për të sjellë për ju dhe brezat, dritën e dijes e të diturisë, për të cilat tashmë kanë nevojë emergjente qelizat e trurit të ardhmërisë së kombit”.

Nga vetë natyra znj. Yllka është grua e hekurt, me imazh të brishtë femëror e shpirt të bukur human, plotë ngjyra jete. Ajo zotëron aftësinë unike të futet në shpirtin e çdo fëmije, të mbjellë aty filizin e dijes, paqes dhe lumturisë, me bukurinë e fjalës dhe lartësinë e mendimit inteligjent.

“Nëse duam t’i bëjmë të lumtur dhe t’i përgatisim si duhet fëmijët tanë për jetën, që ata të ndryshojnë botën, në radhë të parë duhet të ndryshojmë thelbin e koncepteve mbi mënyrën e ndërtimit të jetës, të demokratizimit të shoqërisë, që t’i ushqejmë me dije e kulturë të gjithanshme, të skalisim tek ata gjithçka shpirtërore e të virtytshme, që të hedhin hapa të sigurtë, për të zbuluar misteret që i japin gravitet kohës…”, shprehet znj. Yllka, duke vijuar më tej se: “Për të çelikosur themelet e civilizimit të shoqërisë, e rëndësishme dhe primare është ruajtja e vlerave të arsimit nëpër kohëra, glorifikimi i figurave të misionarëve të dijes, përcjellja e pastërtisë së gjuhës dhe traditave tek brezat, për t’i mësuar ata të ushqejnë trurin dhe shpirtin në burimin e pashtershëm të dijeve.”

Znj. Yllka është një grua, që nuk resht asnjëherë së kërkuari në njohjen e vetes, për të zbuluar armët e forta që zotëron, për të kapërcyer vështirësitë, që e pengojnë atë dhe çdo grua në rrugën drejt suksesit. Për më tepër Ajo shprehet:

Për të ecur drejt majave të suksesit dhe për të qëndruar e pathyeshme, pavarësisht dështimeve, duhet të udhëhiqesh nga optimizmi dhe qëllimi, që finalizojnë përmbushjen e misionit.“Egoizmi inteligjent e çon njeriun drejt virtyteve më të larta” ka thënë A. Kamy, ndaj mund të shprehem se egoizmi inteligjent që ka pushtuar qenien time, më shërben për të ndryshuar veten, gruan shqiptare dhe shoqërinë. Për këtë jam trajnuar jo vetëm në aspektin profesional, por dhe më gjerë në trajnimet e OSBE /ODIR-it për fuqizimin e gruas në vendimmarrje, si pjesë e rëndësishme e shoqërisë shqiptare”.

Përveçse misionare e dijes, “Ambasadore e paqes”, është misioni tjetër i çmuar i znj. Yllka. Këtë titull vlerësues, të dhënë nga Federata Universale e Paqes, Ajo, e ka merituar denjësisht për kontributin që ka dhënë për komunitetin ku jeton dhe shoqërinë shqiptare. Ashtu si çdo grua dhe znj. Yllka është një grua e ndjeshme ndaj dhimbjeve fizike e shpirtërore të grave dhe vajzave shqiptare. Ajo proteston kundër gjaksorëve të grave, këtyre burracakëve që lënë udhëkryqeve të jetës jetimë të pafajshëm.

“Gruajaka shpirt të butë si mëndafshi, për të falur njerëzit e për të dhuruar dashuri pa kushte, por dhe shpinë të fortë, për të mbajtur hallet dhe vuajtjet që i ngarkohen padrejtësisht në jetë. Ne, gratë, shprehet në vijimësi, znj Yllka, jemi ato, që japim gjithçka të bukur që kemi në shpirt dhe marrim shumë pak dhe shumë pak na kuptojnë. Është e rëndësishme të theksoj se përfaqësimi im dhe i shumë grave në politikën shqiptare është të luftojmë fortë, për të qenë jo vetëm të barabarta me burrat, por dhe për përmbushjen e qëllimit final që i kemi vënë vetes, si dhe, për t’i dhënë një mesazh të fuqishëm shoqërisë dhe burrave gjakësor që dhunojnë gratë, me forcën e muskujve, se ka ardhur koha, që gratë t’i shikojnë me sytë e mendjes dhe me madhësinë kolosale të kohërave, si kontribuese të rëndësishme të historisë njerëzore . Për t’i dhënë vlerë dhe fuqi mendimeve që përmenda pak më parë, ia vlen të risjellë në kujtesën e të gjithëve, një thënie të vyer të Margaret Thatcher, gruas më të fuqishme të Anglisë, me të cilën do doja të identifikohesha në rrugën e suksesit tim në jetë:’’Nëse kërkon vetëm fjalë, pyet një burrë, nëse kërkon vepra, pyet një femër”.

E rritur dhe e edukuar në një familje intelektuale me pikëpamje të majta, znj. Yllka, tashmë është një zë i fuqishëm femëror, që aspiron suksesin në politikë . Midis të tjerave shprehet se:

“Gratë fierake e më gjerë, janë përfaqësuar denjësisht në politikën shqiptare, duke zbutur sadopak klimën e konfliktit që mbanë peng zhvillimet demokratike në vend. Ndihem e frymëzuar dhe e motivuar nga këto gra, të cilat ashtu siç rrisin me përkushtim filizat e së ardhmes, me të njëjtin përkushtim kontribojnë dhe në gjallërimin e jetës shoqërore e politike në Shqipëri.”

Po të hedhësh këndvështrimin në historinë fierake dhe atë shqiptare, është sfidë e kohëve të fundit, që një grua është jo vetëm intelektuale e suksesshme, apo politikane e zonja, por dhe një nënë e bashkëshorte unike. Po, cila është familja e znj. Yllka, jeta familjare dhe bashkëshortore e kësaj zonje, që tashmë ka një histori suksesi? Teksa fillon të rrëfejë për familjen dhe fëmijët, sytë e saj lëshojnë shkëlqejnë, kur merr ndër duar foton e familjes, të vendosur në një kënd të tavolinës së punës, ku derdhen aureolat e orkideve të sapoçelura.

“Këtë foto e mbaj gjithmonë pranë vetes, sepse është motiv i fuqishëm për ta filluar ditën ndryshe, më krijon atmosferë të dëlirtë e më shton energjitë për të sfiduar vështirësitë. Një grua, shprehet ajo në vijimësi, mund të ngjitet në lartësi të lakmueshme jo vetëm nga femrat, por edhe nga meshkujt, madje të pushtojë majat e politikës me inteligjencë, por suksesi më i madh për të në jetë është të arrijë të hedhë themelet për të pasur një familje të shëndoshë . Sigurisht, të jesh nënë dhe bashkëshorte, për mua, ashtu si për çdo grua në karrierë, nuk është aspak e lehtë, por kur Zoti e krijoi nënën tokësore, i ngarkoi misionin e shenjtë të lindte fëmijë dhe i dha të gjitha përgjërimet për këto krijesa. Zoti më bekoi me tre fëmijë, Lusienin, Dritanin dhe me princeshën Gloria. Fëmijët e mi janë mbi çdo gjë në jetën time, janë prioriteti im, ndaj jam fizikisht e shpirtërisht pranë tyre në çdo sekondë të jetës. Dihet se familja është qeliza bazë e shoqërisë, është burimi i dashurisë e i lumturisë, ndaj përkushtimi im dhe i bashkëshortit tim, Gramozit, për ta mbajtur të shëndetshme familjen, i shërben jo vetëm ekzistencës sonë, por edhe civilizimit të shoqërisë. Dua të theksoj, se familja është fuqia dhe forca suksesit tim”.

Znj. Yllka nuk lodhet asnjëherë për t’u treguar fëmijëve, se ku gjallojnë rrënjët e origjinës familjare. E emocionuar ajo shprehet:

”Është e detyrueshme për ne, që t’u përcjellim fëmijëve gjithçka të vyer që kemi trashëguar nga etërit tanë. Paraardhësit janë ata që kanë hedhur themelin për të ndërtuar urën midis brezave, prandaj detyra ime dhe e bashkëshortit tim, është t’i edukojmë fëmijët me vlerat e origjinës. Jam e dashuruar pas udhëve të origjinës, ku më tërheq me forcën magjike, pamja panoramike e Tepelenës, bukuria dhe madhështia e Prizrenit, qytetit të lashtë pranë Lumbardhit, nën malet piktoreske të Sharrit”.

Në vijimësi të rrëfimit, e emocionuar, shprehet:

“Tepelena është shtëpia ime e dytë. Vendi, ku shpirti im frymon në harmoni me natyrën e këtij qyteti dhe mezi pres të shkoj aty, në fundjavë, për të shijuar jo vetëm bukuritë e natyrës, por dhe ushqimet tradicionale, të cilat i përgatis vetë me shumë dashuri.”

Teksa tregon për rolin e saj si amvisë dhe mënyrën tradicionale të përgatitjes së ushqimeve, një e qeshur e ëmbël e melodioze rrjedh nga buzët e saj, njëlloj si valët pasionante e të shtruara të Vjosës.

Ndoshta të duket pak e çuditshme, shprehet ajo gazmore, por më pëlqen që ushqimet tradicionale t’i pjek me saç . Më ngjall një ndjesi të veçantë aroma e petanikut, apo e tavës me mish pule dhe oriz kur përzihen me aromën e kongjinjve, që shuhen ngadalë nën saç. Qëllimi im për përgatitjen e ushqimeve tradicionale është, që të gjallëroj atmosferën familjare, të përcjell ëmbëlsinë dhe shijen që rrjedh nga duart e mia, që fëmijët të adhurojnë përjetësisht figurën e nënës dhe të njohin vlerat e saj kurative, kurse bashkëshortit t’i gëlojnë fluturat në stomak, sepse të gjithë e dimë, se dashuria fillon nga stomaku. Vaktet ushqimore janë të rëndësishme për mirëqenien e shëndetit, por kur këto vakte, familjarët i konsumojnë së bashku dhe për më tepër në një ambient si ai, që iu tregova pak më parë, janë të rëndësishëm dhe për forcimin e vlerave të familjes,”

Përfundon rrëfimin e saj znj. Yllka, ndërsa ndër sy i shpërthejnë petale drite. Për planet dhe projektet për të ardhmen, znj. Yllka, është e rezervuar për t’i bërë publike, është modeste. Ndoshta i pëlqen të veprojë sipas këshillave të filozofisë indu, megjithatë mund të shprehem, se optimizmi, vetëbesimi në energjitë intelektuale e shpirtërore, misionet që dritërojnë aureolën e emrit të saj, kanë në bërthamën e tyre ëndrra, plane dhe projekte, të cilat do t’i shërbejnë shoqërisë dhe kohës. Është e vështirë që brenda një shkrimi të tillë të shprehesh se sa madhështore është figura e kësaj gruaje, por gjithsesi u përpoqa të sillja detaje, që formësojnë aureolën e kësaj zonje, që gëzon respektin e mirënjohjen e qytetarëve fierakë e më gjerë. Në përfundim të këtij rrëfimi, dua të shprehem, se këtë grua të rrallë e shoh të ngrihet mbi lartësitë e vështrimit të syrit njerëzor, duke u radhitur në piedestalin e femrës profesioniste, nënës shembullore, gruas shenjtore, me fakte bindëse në mbrojtje të të drejtave të grave dhe civilizimit të shoqërisë shqiptare. Jeta është bukur, është stuhi, por ndonjëherë edhe tornado, por kur energjia diellore e gruas pushton shpirtin e njeriut, aureola e saj ndriçon thellësitë e mendimit njerëzor.

Dega e vajzërisë

 

Kundroj si shuhet ylli i ditës, në detin e valëzuar,
varkën e perëndimit,  me diell ngarkuar.
Sonte, yll i syrit tënd, kërkon të ndrijë, tek unë,
siç ndrijnë yjësitë, qiellin e errësuar.

 

Një degë e vajzërisë sime, tek ty ka mbetur,
zemra më thotë, nuk e ke hedhur,
si mund ta hidhje, kur gjirit lule kishte çelur,
si mund t’ia lije ëmbëlsitë pa mbledhur?!

 

Degënjoma mbiu të ushqehej, nga dëlirësia
e burimit, që rrjedh në venat e mia,
drejt teje zgjati lastarët, nga dëshira dhe uria,
të thithte vesën mjaltore që kish dashuria.

 

Por,  ti u dashurove pas saj,  kur e nanuriti era,
kur shtigjeve të tradhtisë,  më kishe humbur,
ndaj, u bëre arkeolog,  të zbuloje ndjesi të tjera,
kërkove çdo fosile, të asaj kohe të bukur.

 

E di, nuk jam më e huaj, në mendimet e tua,
se dega e vajzërisë shpirtin ta gërvisht,
s’jam më vajza, që mund të duroj tradhtitë e tua,
oh, plagët m’i shëroi koha, fatmirësisht!

 

Kundroj si shuhet yll i syrit tënd, nëpër valë,
qerpikun e mallit, kur përthyhet ngadalë,
zemrën mashkullore, kur thërrmohet në faj,
nën hijen e degës sime, kërkon të më kesh pranë!