Arben Shira: Peizazhi dhe natyra e qetë dominonte në këtë ekspozitë

3735
Sigal

INTERVISTA/ Flet piktori Arben Shira: Këtë ekspozitë ja dedikoj qytetarëve artdashës të Tiranës

Mendoi të sjellë një ekspozitë të dytë në Tiranë, me një cikël me akuarele,( nga Fazana  dhe rrethinat e saj, ku unë banoj) dhe një cikël me natyra te qeta që të dyja  së bashku, si akuareli dhe natyra të qeta janë, një cikël i veçantë në krijimtarinë e tij, e cila ka dhe  drejtime të tjera, por ky cikël i përket periudhës së  parë të pikturës së tij shumë profesionale. Ka zgjedhur pikturat më pikante, që kishte dëshirë ti bënte publike në artdashësit e Tiranës, për të parë   se ku është me pikturën në këtë drejtim kaq specifik. Cikli i akuareleve është një cikël, që e ka filluar në vitin 1997, deri në vitin 2001,  po kështu dhe natyrat e qeta. Të dyja këto lloj pikturash, janë bërë mbi karton, ku cikli natyra të qeta është bërë me bojëra vaji. Këto piktura janë të dimensioneve të vogla.

Si ka filluar ky cikël?

Ka qenë një moment që unë pikturoja nga mëngjesi deri në darkë, duke kërkuar një rrugë të re si artist. Mbas shumë kohësh që punova ishte një moment reflektimi dhe i thashë vetes që do të pikturoj me realizëm, siç e përfytyroj dhe si është brenda meje diçka. Pra ç’të sheh syri ta bën dora, siç thotë populli shqiptar. I vura  detyrë vetes që ta realizoja këtë dëshirë, këtë ëndërr dhe realizova rreth 100 akuarele me peizazhe ndërsa cikli me natyra të qeta kap rreth 80 piktura. Më vonë i ndërpreva, sepse ishte një punë e veçantë, pasi është bërë në kohën e konsolidimit tim dhe të gjetjes së rrugës drejt realizmit dhe realizimit tim si piktor. Atë çka i kisha vënë vetes si detyrë e realizova me ato stilizimet e mia, ku tashmë publiku i njeh sidomos në ekspozitën e parë. Natyrat e qeta zakonisht i kam pas punuar në darkë, (kur ndjehesha i ngopur me peizazhe paradite pasdite), tek natyrat e qeta sikur dhe vetë ndjehesha më i qetë. Ajo darka, pas një ritmi tjetër në rrugët e qytetit, sikur më ofronte më ngrohtësi me sendet që më rrethonin dhe çdo send në tavolinë, apo në dhomë e kam trajtuar si natyrë të tillë.. Kompozimet në mbrëmjet e veta, bënin që të përpiqesha që të gjeja atë shpirtin, ndjeshmërinë time, ndaj mund të them se kam qenë shumë “xheloz”, për këtë cikël. Duke qenë një cikël i veçantë në krijimtarinë time, unë i kam ruajtur, dhe është  hera e parë që i ekspozoj dhe pse shumë artdashës italianë, më kanë thënë që në ekspozita aty, t’i bëj prezentë këto piktura.  Kam marrë disa herë iniciativën me këtë këmbëngulje të miqve italianë që t’i ekspozoj aty, por ajo xhelozia që thashë ma ka kthyer këtë iniciativë dhe vendosa përfundimisht që t’i prezantoj për herë të parë në Shqipëri. Pra atë çka kam ndjerë se është më e bukur, kam menduar që ta ekspozoj vetëm këtu, në vendin tim, që shijen e parë të ekspozitës së veçantë ta shijoj këtu mes qytetarëve të kryeqytetit tim. Dhe ja tani, këto dy lloj pikturash janë prezent në Muzeun Kombëtar, ku vizituesit janë të shumtë.

Ku qëndron ndryshimi mes natyrës së qetë dhe peizazhit, pasi lexuesi nuk di t’i ndajë këto dy gjini?

 Në pikturë ka disa gjini, mund të them në katër gjini, peizazh, natyrë të qetë, kompozim dhe portret. Personalisht i kam lëvruar të katër gjinitë e pikturës, por unë kam një raport të veçantë me natyrën, pasi jam lindur  dhe rritur në fshat dhe kjo ka bërë që unë ta dua natyrën. Spektakli më i bukur, shfaqja më e bukur për mua është natyra. Të shohësh  natyrën, të vërtetën është fantastike. Gjithë krijimtaria ime, edhe vetë peizazhet e stilizuara që kam, janë bërë gjithmonë nga natyra, paçka se ndonjëherë  vijnë të risjella ndryshe. Peizazhi, është ajo fusha, kodra, mali, me ngjyrat e jetës, që mua më ngacmojnë deri në detaj që më frymëzojnë aq mrekullisht dhe ku shpirti im e gjen kënaqësinë në hedhjen në letër, apo në beze, pra në pikturë.

Natyra e qetë

Mund të them se ka afërsi shumë me peizazhin, por ka dhe ndryshimin. Njeriu ka gjithmonë një raport me objektin, ku rreth teje mund të kesh një tavolinë, një lugë, një pjatë, një lule, një karrige, një piano, një kitarë, një pjatancë, një shishe verë. Pra, ka shumë gjëra që të rrethojnë në ambientin familjar dhe njeriu ka një raport specifik me këtë ambient,  me këto sende. Me thënë të drejtën të gjitha  këto natyra të qeta janë pjesë e këtyre sendeve pjesë e jetës, të cilat vendosin raporte krejt të natyrshme mes tyre në jetën tonë, në ambientin tonë familjar, por dhe më gjerë.