Juli Noci:Dita më e vështirë festivali i vitit 1988

732
Sigal

Flet këngëtarja dhe aktorja Juli Noci: Si më zëvendësuan me Liliana Kondakçiun

Kur takohesh me ‘të ndihesh sikur ke vite që e njeh. Është tepër e afrueshme, tepër e komunikueshme. E qeshur, dinamike, e ëmbël, lozonjare, e shkathët, por shumë inteligjente, ky është togfjalëshi për përshkrimin e portretit të këngëtares dhe aktores Juli Ndoci. Kur flet të shikon në sy me shumë vëmendje dhe asnjëherë kur i thua diçka të bukur se harron fjalën e magjishme “faleminderës”.  Shtatmesatare, por elegante  ajo gjithmonë është në kërkim të diçkaje të re në jetë. Ka talent, por më shumë ka durim. Sipas saj, talenti brenda vetes gjeti shtratin e ngrohtë familjar (mbështetjen e padiskutueshme të vëllait Frederikut dhe motrës Ritës), që zëri i saj melodioz të merrte vendin që i takon në skenat shqiptare dhe jashtë saj. Zotëron artin e të biseduarit bukur, ku buzëqeshja nuk i ikën kurrë nga fytyra dhe duket se nga portreti i saj njerëzor buron vetëm gaz, hare, mirësi, dashuri njerëzore. Nuk të paragjykon edhe për pyetjet provokative sikundër të çarmatos me sinqeritetin dhe inteligjencën e dialogut. Të qënit shqiptare e nxjerr gjithmonë pah, sikur ky emër jo kaq i dashur për shumë bashkëmbës (mendimi im, në lidhje me shumë emigrant), ti japë fuqinë dhe ëmbëlsinë e zërit, vizionin e qartë drejt së ardhmes, qartësinë e mendimit dhe çelësin e ëndrrave të jetës. Vajzat e saj i shikon si dhuratat më të bukura të Zotit, që i ndriçojnë rrugën e skenës dhe i mbushin kraharorin me ndjenjën e mëmësisë. Poliglote, por që gjuhën shqipe tashmë e flet me stilin letrar duke e lënë mes miqsh dhe të afërmve të familjes dialektin e veçantë shkodran. Është e dashuruar me natyrën dhe udhëtimet i japin frymëzim duke mos lënë asnjë peizazh t’i shpëtojë aparatit të saj fotografik që në raste të tilla është miku i dytë më i ngushtë. Sipas saj, suksesi në jetë nuk vjen vetëm nëpërmjet fatit, por punës dhe dhuntive individuale të njeriut. E dashuruar me librin, ajo nuk kursen nga të ardhurat e saj që bibliotekën në Gjermani ta pasurojë me sa më shumë libra të autorëve shqiptarë.

Në Tiranë

 Sigurisht, sa herë vjen në Shqipëri, hapin e parë e merr drejt Shkodrës tek  të afërmit, por më shumë qëndron në Tiranë, për dy arsye. E para se në Tiranë ka vëllanë që e do sa ajo e di dhe e dyta pasi në Tiranë ftohet shpesh herë për aktivitete të ndryshme. Kur ecën rrugëve të kryeqytetit ajo merr njëherazi shumë përshëndetje. Pra ende s’është harruar në Tiranën që i dha famë dhe që e ka pritur gjithmonë ngrohtë sikur të ishte vajza e saj. E shpenguar, kurrsesi nuk përton të kthejë përgjigje dhe të përshëndetje pacaka se ka një mal me punë kur shkel në vijat e kryeqytetit. Dhe pse ka vite ikur, Tiranën mundohet ta njohë dhe pse ndryshimet në kryeqytet janë të përditshme. Kënaqet me këto ndryshime, por njëherazi i vjen keq kur nuk sheh ndërtesa që janë fiksuar në memorien e saj.  E thotë me bindje se Tirana është për të qyteti që të hap dyert e jetës.

Lidhjet me Frederikun 

Jo vetëm se është vëllai i vetëm, por për shumë arsye të tjera Rriku mbetet për ‘të dhe Ritën më shumë se vëlla. Ai i ka rritur dhe i ka drejtuar në shumë rrugë të jetës. Ishte ai që u dha dorën dhe u mësoi rrugën e bukur të këngës dhe të aktrimit. Për ‘të Riku është një model. Por një model i veçantë që s’mund të kopjohet, por të imponohet.  Edhe kur është larg edhe afër ajo ndjek çdo aktivitet, çdo emision, çdo botim të Rikut. “Ndjehem akoma më shumë krenare për Rikun pas botimit të dy librave”. Pra risija në formimin e përgjithshëm të vëllait i ka dhënë asaj më shumë dashuri, respekt, krenari. Çdo sukses i Rikut është dhe sukses i saj. Dhe pse gjithsecili nga ata ka marrë një drejtim tjetër në jetë, dikur Frederiku në Amerikë (sot në Tiranë) dhe ajo në Europë, mënyrat e ndryshme të komunikimit  i kanë bërë aq të afërt, sa duket se jetojnë në një qytet. Si fëmijë të edukuar me punë edhe në periudhën që u larguan nga atdheu, u detyruan që me punë të palodhur të integroheshim në një jetë të re. Por është ajo nostalgjia dhe bashkëpunimi i tyre si familje për këngën që herë pas here i ngacmon të jenë bashkë në Shqipëri. Ajo  çdo sukses të Rikut e ndjen si sukses të vetin, pasi për të vëllai është trungu i shtëpisë në lidhje me ecjen përpara në jetë.

Kur filloi të këndojë

Ka qenë shumë e vogël. Nuk e përcakton saktë moshën. “Mund ta mbaj mend Frederiku dhe Rita, ata mund të japin përgjigje”. Mund të ketë qenë 3 vjeç kur këndonte nëpër shtëpi. Ndoshta ishte një tendencë duke parë vëllanë dhe motrën këngëtare. Kur ishte tre vjeç nuk e kishte idenë se duke patur motrën dhe vëllain këngëtar duhej të bëhej dhe vetë ajo e tillë. Por të qënit këngëtar vëllai dhe motra  kanë luajtur një rol të madh, pasi kënga ishte brenda qenies së saj. Ajo ishte çdo moment me të, në çdo lëvizje brenda në shtëpi, kur lahej, kur lozte me moshatarët, kur dëgjonte radion, apo shëtiste me prindërit. Por duhet thënë me plot gojën se ishte me fat. Përveç dashurisë dhe dhuntisë për këngën, ajo e kishte të parapërgatitur rrugën e këngës dhe e kishte shumë më të lehtë, sepse kishte një vëlla dhe një motër që ja kishin shtruar rrugën dhe pengesat i kishte më të lehta se ata në fillimet e tyre. Në skenë për herë të parë ka kënduar kur morën çmimin e parë në ‘99-n me këngën “Toka e diellit”. Pastaj vazhduan në të gjithë Shqipërinë turne dhe këndonim të tre bashkë. Prej atij viti,  për një vit e gjysmë kanë kënduar në të gjithë Shqipërinë në një turne të veçantë. Gjeografia e lëvizjes përmbante Vlorën, Tiranën, Lushnjën, Fierin, Korçën, Durrësin, Sarandën, Elbasanin etj., ku bënin nga dy javë turne dhe merrnin edhe pagën ekstra.

 Grup- Albumi “Goja Mars”

Për të mbetet një album i arrirë. Një album që i ka marrë shumë kohë. Një album, të cilit i ka dhënë gjithçka nga vetja. -Albumi nuk ka titull por grupi është “Goja mars”. Pra albumi ka marrë emrin e grupit. Mos vallë është një emërtim mistik?! Jo!

Kjo e ka kuptimin në dy fjalë në shqip goja dhe Mars që është muaji që ajo ka lindur.

Ç’lidhje ka kjo frazë?! Për të kjo frazë ka shumë kuptime. Në mars ka lindur dhe pjesë e saj është dhe goja që këndon e flet. “Me gojën komunikoj, këndoj lidhem me njerëzit” shprehet ajo. Ndërsa Marsi është një nga muajt më interesant të vitit. Jo vetëm kaq por Marsi është planeti i zjarrit. Planeti më interesant që të ndez, që të zgjon interes. Të mbështjell rreth vetes plot enigma. Goja -Mars janë një duet i planetit. Janë fjala ime, kënga ime nëpërmjet gojës, që merr udhë në daljen në dritë në muajin Mars.

Albumi ka vetëm 5 këngë. Nëpërmjet këngëve ka edhe kolazh me zhurma nga Shqipëria. “Kur erdha në verë dëgjoja shumë zhurma si ato të makinave, detit, njerëzve që më jepnin bekimin e Zotit, gjinkalla, këngë etj” Të gjitha këto i ka bërë si kolazh nëpërmjet këngëve duke menduar që nëpërmjet 30 sekondave mund të bëj një shëtitje të shkurtër nëpër Shqipëri. Nëpërmjet këtij kolazhi e gjithë zhurma, deti, dallgët, frenimi makinave, bisedat, këngët në rrugë, fërshëllima e erës, zërat e fëmijëve, janë brenda me atmosferën e gjallë të jetës. Në çdo këngë kam nga një strofë apo një refren shqip. Kënga e parë është anglisht, dy këngë janë shqip. Këngët janë të ndërthurura kur këndohet anglisht përpara, mbrapa vjen shqip dhe e kundërta. Mesazhi kryesor i albumit është që e gjithë bota është një popull. Në këtë CD ajo ka kënduar shqip, anglisht, italisht. Në një këngë ka mbledhur të gjithë fjalët që ka lënë Perandoria Osmane në Shqipëri gjatë sundimit të sajë 500 vjeçar. Kënga titullohet “Hamalli”. “Mund të them një pjesë të saj që është Hammali, hanha, mahall, hanhall….Çfarë më nxiti që ta bëja këtë këngë? Atje ku jetoj dhe punoj në radio, prezantoj muzikë nga e gjithë bota një herë në muaj 3 orë. Ajo është një radio lokale dhe quhet “ Radio Tonkula”. Në këtë radio Juli drejton një emision në gjuhën gjermane por prezanton muzikë nga e gjithë bota. Konkretisht transmeton  4-5 këngë nga Shqipëria çdo herë. Por duhet të përfshijë edhe të gjithë vendet e tjera të botës. “Në një moment më vjen në redaksi një CD e një grupi turk që quhet “ baba Sula”. Kjo më pëlqeu se më kujtonte komshiun që kemi pasur ne në shtëpi, ku e quanin Sulë dhe ne e thërritnim baba Sula”. Kjo këngë turke bën fjalë për një vajzë turke që këndonte këngë me inicialet e shkurtuara të fjalëve. Dhe kështu i lindi ideja, ku perandoritë e huaja janë përpjekur ta shkatërrojnë këtë vend, si kulturën, gjuhën dhe megjithatë populli ka mbijetuar. Dhe kështu vendosi të bëjë një këngë me të gjitha fjalët turke. Kopertinën dhe fotografitë e albumit i ka bërë vetë në Dhërmi (bregdeti Jon). Atë ditë kishte pak erë dhe një nga çadrat e plazhistëve fluturoi në det. Ai që ruante çadrat i la të gjitha, portofolin dhe gjëra të tjera dhe u hodh në det për të shpëtuar çadrën. 

Dy ditë të ndryshme

 Ajo i kujton sikur t’i kenë ndodhur sot. I kujton dhe nxjerr mësime. Dita më e vështirë?! Ka qenë festivali i vitit 1988. Në festivalin e Pranverës kishte ardhur në Tiranë se, do të këndonte këngën “Mall” me poezi të Ismail Kadaresë. Bëri një muaj prova dhe tri ditë para festivalit ju hoq kënga pasi i thanë se këtë këngë do ta këndonte Liljana Kondakçi, me pretekstin se ishte shumë e re të këndonte këngë për dashurinë. Pastaj kur erdhi në festivalin e Dhjetorit ku do të këndonim këngën të tre bashkë, një ditë përpara provës gjenerale i thonë se do të hiqesh ti nga kënga, sepse e prish këngën zëri yt. Rita shkoi atje ku bëheshin provat gjenerale. Aty ishte dhe një ministër nga qeveria, i cili përcaktonte se a do të këndohej kënga apo jo. Rita u takua me atë dhe i tha se a mund ta dëgjosh edhe një herë këngën në versionin tre?! Kishte një tronditje shumë të madhe psikologjike sepse e gjithë shkolla e kishte marrë vesh dhe ishte një ditë përpara festivalit kur ajo ishte vetëm 18 vjeç. Kur e dëgjoi këngën treshe ai tha se është shumë e bukur kënga dhe do të këndohet treshe .Kush ka qenë dita më e bukur në skenë?Ka qenë në vitin 2009 kur ishte në Gjermani dhe vuri në skenë një teatër, një vepër të një autori polak. Realizuan një vepër të tij në një teatër në Gjermani, ku ishin tre këngëtare njëra izraelite, një kanadeze dhe ajo shqiptare. Ishin robote, të trija në makinë dhe shkencëtari (ja) ishte  bija e saj  Dorela që luajti rolin kryesor në këtë teatër.

Dorela ka qenë 7 vjeçe dhe ka luajtur rolin kryesor, dhe u prit shumë mirë nga kritika e qytetit, dhe përzgjidhja e detyrës së saj si shkencëtare. Subjekti përmbante një shkencëtare që ka arritur të bëjë një makinë. Njëkohësisht ajo ishte e zonja të bënte poezinë më të bukur të botës. Dorela përfaqëson njerëzimin në atë vepër që është jo i përkryer, gjithnjë me gabime me pafajësinë e një fëmije. Kur një makinë ecën dhe ajo nuk ka më fuqi ta ndali makinën, kur kjo makinë shkatërron të gjithë zhvillimin njerëzor. Ky ka qenë momenti më i bukur kur ajo me vajzën e saj përkuleshim përpara spektatorëve dhe duartrokiteshin të dyja.

Emigrimi

Ndodhi kur s’e priste. Për momentin ishte diçka shumë spontane. Në atë kohë ende nuk i kishte mbushur  20 vjeçe. Ngaqë kishte shumë liri artistike  i dukej vetja sikur e kishte vetë jetën në dorë. Kur mbaroi maturën donte të studionte në Akademinë e Arteve, por nuk donte për aktore, meqë ishte Frederiku edhe Rita.. Në ‘90-tën, u hap dega e Kulturës dhe meqë kishte dëshirë të bëhej kritike arti vendosi të konkurrojë atje. Mori pjesë në konkurs dhe ishte shumë e befasuar kur nuk i doli shkolla. Të jurisë i thanë se çfarë don ti këtu, këtu konkurrojnë ato që janë me mesatare të ulët, t’i mund të bësh diçka tjetër. Në 1990, kur nuk kishin filluar akoma lëvizjet Demokratike ajo doli në festival me Frederikun dhe këndoi këngën “Hapni dritaret”. Gjysmë ore më vonë kjo këngë do të dilte në televizion dhe në atë moment e hoqën këngën e tyre nga transmetimi. Drejtuesit kishin frikë se mos ndodhte përsëri si në Festivalin e 11-të dhe prandaj e hoqën. Kur je fëmijë nuk e kupton mirë ndikimin e politikës në art, por kur je e rritur e bën mirë lidhjen. Ky moment ishte pika delikate e vendimit të saj. Dhe kështu vendosi të iki jashtë shtetit se edhe të drejtën e studimit nuk ja dhanë. Kështu iku larg në Gjermani, ku fillimi qe shumë i vështirë sepse nuk njihte gjuhën. Kur dëgjonte gjermanisht në fillim i dukej e gjithë fjalia si një fjalë. Nuk ishte e sigurt se do të arrinte ta zotëronte. Frederiku në Itali i thoshte hajde këtu se do të këndojmë bashkë. Pas një viti krijoi shoqëri që e ndihmuan dhe vendosi që do të rrinte. Shkoi në shkollë të mësonte gjermanishten dhe të kompozonte. Atje në universitet e kërkoi një grup për të kënduar. Kështu filloi të bëjë muzikë. Fillimi si fillimi. Rrymave të mirëfillta muzikore nuk ja kishte idenë fare. Ende nuk i njihte mirë se kush ishte atëherë Majkëll Xhekson, Tina Tërner, apo Madona. Shokët i jepnin gjithmonë muzikë me xhaz dhe rrymat e tjera muzikore dhe ajo i vuri detyrë vetes që të këndonte. Pas një viti e prishi grupin dhe filloi të bënte muzikë tjetër “muzikë eksperimentale”. Kjo ishte në fillim të vitit 2000. Ishin edhe dy artistë të tjerë që bënim muzikë nga çdo lloj gjëje që tingëllonte. Nuk kishin instrumente fare, por kishin shishe qelqi, shishe plastike, karrige, bënim zhurmë dhe kështu formohej ritmi i këngës dhe ajo këndonte. Patën shumë sukses sepse filluan të këndonin nëpër festa, kongrese etj.. Shkuan në Amsterdam në një festival të literaturës. Ishte në Londër, ku një artist kishte një ekspozitë. Kjo ditë ishte një fat për të sepse i ngacmoi krijimtarinë.

Malli për atdhe

-Në fillim kur shkoi në Gjermani kishte një mall i tmerrshëm, të pakrahasueshëm për të ardhur në Shqipëri. Tashmë ai moment ka kaluar. Malli dhe pse s’është i njëjtë sërishmi është mall. Vjen me shumë dëshirë, por nganjëherë mërzitet për shumë gjëra të vogla. “Nuk është se unë u bëra atje kështu siç jam, por shoh se njerëzit kanë humbur shumë vlera njerëzore. Nuk ekziston më respekti i sinqertë ndaj njëri- tjetrit. Pse njerëzit janë kaq indiferentë, pse nuk ndihmojnë ?!. Kjo më bën të palumtur këtu në Shqipëri. Më merr malli shumë për njerëzit, spektatorin që më duket shumë i uritur për art të mirëfilltë”. Në momente mërzie për mallin atdhetar lexon shumë. Është e uritur për lexim,  sepse ka vepra botërore të papara, që çdo libër është një dritare e vogël për të. Ajo mund të jetë një shkollë e lartë indirekte edhe pa paguar. Leximi i zgjeron fantazinë edhe për të shkruar vetë. Kur vjen në Shqipëri blen shumë libra. Edhe tek panairi i librit shqip në Frankfurt shkon rregullisht, por mërzitet kur Shqipëria paraqitet me një stendë të thjeshtë. Atje blen libra, të cilat i transmeton në radio, si librat e Ismail Kadare, Fatos Kongolit që kanë shumë vepra të përkthyera në Gjermanisht, po shumë vepra të tjera nuk janë. Ka shumë mendime sikur këta libra ti përkthej dhe ti lexojnë njerëzit në Gjermani.

Megjithatë nga ana shpirtërore është shumë e pasur. Por në qoftë se do të ishte edhe nga ana materiale do të jepte shumë këtu në Shqipëri sepse njerëzit kanë nevojë. Është një kënaqësi e madhe kur jep, sepse jep edhe një lloj gëzimi, krenarie. Në Shqipëri ka nevojë me dhënë shumë për fëmijët nëpër kopshtet, shkolla etj.

E veçanta e Shkodrës dhe kënga

Me qytetin e kulturës e lidhin shumë kujtime. Rrugën e shkollës kur shkonte në gjimnaz 10 veta së bashku. Dhe kur niseshin ajo e kishte shtëpinë më larg dhe i binte derës dhe i mblidhte të gjithë. Kur është kthyer nga Gjermania për herë të parë ka ecur në atë rrugë dhe ka qarë. Kur erdhi për herë të parë me vajzën në Shqipëri donte t’i tregoja se ku është rritur mami, dhe shkuan atje tek dera e Shtëpisë së Pionierit. Atje kishte katër drynj të mbyllur nga jashtë dhe i tha vajzës:  “Më fal se nuk mundem me të tregu se ku është rritur mama”. Dhe pastaj bëri një fotografi nga vrima e çelësit dhe e zmadhoi. Këto kujtime i mbush me këngë. Juli është dhe këngëtare, autore tekstesh dhe aktore, por kënga për të është magji. Është hyjnore. Pa muzikë ajo nuk mund të jetoj. Edhe kur është vetëm, edhe kur shëtit në pyll ajo këndon. Aktrimi është një element tjetër arti. Artin nuk e ndan dot nga njëra – tjetra mund të jetë pikturë, muzikë, aktrim, i mbledh bashkë dhe i provon. Shkodra i dha ëmbëlsinë dhe bukurinë e zërit, e mbushi me ëndrra për artin dhe punën. Ajo ja zbukuroi rrugën e vështirë të jetës dhe Juli ja shpërbleu me suksese dhe  arritje.