Ana KAÇINARI / Orkestra Simfonike e RTSH-së përkundrejt publikut

1017
Sigal

Thuajse çdo javë publikut të kryeqytetit i serviren koncerte me një nivel të lartë artistik nga Orkestra Simfonike e RTSH. Instrumentistët profesionistë, që përbëjnë këtë orkestër, garantojnë padyshim koncerte sa cilësore dhe të këndshme. Një punë e përditshme e palodhshme për tu “falur” të premten në skenë. Por, në rast se do hidhnim sytë në publikun që i qëndron përballë, do dallonim të njëjtët personazhe, disa profesorë të nderuar të Akademisë së Arteve, tek- tuk ndonjë artdashës e shumë pak artistë të rinj.  50 vjet përpjekje e punë për të arritur standardet e vendeve të zhvilluara, të kulturës perëndimore duket se nuk joshin aspak popullin shqiptar. Publiku elitë, që ndjek këto koncerte janë “veteranët” e muzikës shqiptare që kontrastojnë dukshëm me indiferencën e brezave të rinj. Duket se, nuk është e lehtë të flasim për standardet europiane kur edhe në fushën e bukur të muzikës vihet re ndjeshëm rënia e interesit për të lartësuar vlerat dhe nivelin artistik në vendin tonë. Shumë studentë të talentuar kanë preferuar të vazhdojnë  studimet jashtë duke i shërbyer më tej kështu vendeve ku i kanë punësuar, megjithatë kjo nuk e ka zbehur aspak nivelin e orkestrës së RTSH-së, e cila para pak ditësh festoi 50 vjetorin e krijimit të saj. Që prej 20 gushtit të 1962-it emra si, Mustafa Krantja dhe Simon Gjoni ishin të parët që do të drejtonin aso kohe Orkestrën Simfonike të Radios dhe Kinematografisë. Më pas dirigjentë si Ferdinand Deda, Eno Koço, Ermir Krantja pasuruan repertorin e kësaj orkestre dhe me vepra të literaturës klasike e romantike botërore duke ngritur vazhdimisht nivelin profesional artistik. Instrumentistë si Ibrahim Madhi, Xhovalin Shestani, Anita dhe Didi Tartari, Klodiana Skenderi e shumë të tjerë kanë kontribuar në konsolidimin e parimeve themelore të interpretimit. Bashkëpunimet e shpeshta të kësaj orkestre me dirigjentë të huaj ndikuan në njohjen dhe vlerësimin e instrumentistëve të talentuar, që janë edhe sot solistë dhe pedagogë pranë Akademisë së Arteve. Formacione të ndryshme instrumentale orkestrantësh kanë dhënë koncerte  brenda dhe jashtë vendit si dhe kanë fituar shumë trofe duke u integruar me nivelin e kërkesave bashkëkohore ndërkombëtare. Në rrugën e gjatë të kësaj orkestre shohim të interpretojnë me mjeshtëri artistë të shkëlqyer, të cilët kanë tashmë aktivitet në Europë, Azi e Amerike, si: Genc Tukiqi, Egland Hasa, Renato Ripo, Inva Mula, Josif Gjipali, Tedi Papavrami, Arben Skënderi e sa të tjerë. Koncerti jubilar, që përkon dhe me 100- vjetorin e Pavarësisë, përmblodhi një pjesë të veprave të rëndësishme të repertorit të kompozitorëve shqiptarë. Dirigjentë si, Jetmir Barbullushi, Eno Koço, Zhani Ciko e Oleg Arapi drejtuan me profesionalizëm koncertin e 50 vjetorit të krijimit, duke prezantuar edhe një herë vlerat interpretative të kësaj orkestre. Edhe pse me cilësi profesionale të padiskutueshme më të mirë në vend, mbetet për të propaganduar akoma më tepër punën e saj. RTSH në misionin e saj për të ndikuar, sado pak në ngritjen e nivelit artistik kulturor, vazhdon të jetë e vetme në ndryshim nga mediat në vend që servirin më tepër muzike komerciale. Koncertet e njëpasnjëshme të kësaj orkestre mbeten në arkivin e RTSH si një thesar në kulturën artistike të kombit tonë.