25 “topçinjtë” më të spikatur

538
Sigal

Nga Pele, i cili shënoi 1281 gola në 1363 ndeshje, te Lionel Mesi mbajtësi i 23 rekordeve individuale

Lionel Mesi vazhdon të thyeje rekorde njëri pas tjetrit. Sulmuesi i Barcelonës dhe fitues i katërfishtë i “Topit të Artë” konsiderohet si një nga magjistarët modernë të futbollit. Ai ka vendosur rekordin në Europë, si lojtari që ka shënuar më shumë gola gjatë një sezoni të vetëm, 73 gola, gjatë sezonit 2011-2012. Po gjatë atij sezoni, u vendosi rekordin si lojtari që ka shënuar më shumë gola në La Liga, kampionatin spanjoll, 50 të tillë. Mesi shënoi 19 gola rresht në kampionatin spanjoll, duke u bërë lojtari i vetëm në histori që u ka shënuar të gjitha ekipeve. Në 377 ndeshje me Barcelonën, Mesi ka realizuar 311 gola, një numër i jashtëzakonshëm. Në listë e hartuar janë përfshirë të gjithë më të mëdhenjtë. Ata që shënimin e golit e kanë dhunti, që janë shndërruar në legjendë dhe heronj për klubet për të cilat kanë luajtur apo kombëtaret e vendeve të tyre. Nga Pele, i cili shënoi 1281 gola në 1363 ndeshje, te Lionel Mesi, i konsideruar sot si lojtari më i mirë në botë. Emra të tillë si Diego Maradona apo Ferenc Pushkash, Di Stefano apo Kristiano Ronaldo, i japin bukuri listës së përzgjedhur nga portali “Bleacher Report”. Nuk duhen harruar edhe emra të tillë si Hernan Krespo, Majkël Ouen, Zlatan Ibrahimoviç, Denis Bergkamp, Jozef Bican, Ali Daei, Karl Heinc Rumenige, Xhimi Haselbaink, Paulino Alkantara, etj.

1. PELE – Braziliani konsiderohet si më i madhi i më të mëdhenjve. Tri herë kampioni i botës shënoi gjatë karrierës së tij 760 gola në ndeshjet zyrtare, 541 në kampionate. Në total, Pele shënoi 1281 gola në 1363 ndeshje. Në Brazil, Pele shikohet si një hero kombëtar. Nofka e tij është “O Rei” (Mbreti).

 2. FERENC PUSHKASH – Një nga lojtarët më të mëdhenj dhe shënuesi më i mirë me ndeshjet ndërkombëtare: 84 gola në 85 ndeshje. Në total ai shënoi 558 gola në 564 ndeshje. I vetmi peng i tij, nuk fitoi dot Kupën e Botës me Hungarinë.

 3. DIEGO MARADONA – Shënimi i golave nuk ishte arma më e fortë e Maradonës, pasi argjentinasi ishte një plejmejkër, por ai shënoi gjithmonë gola të rëndësishëm. Kjo është dhe arsyeja që ai konsiderohet si një nga futbollistët më të shkëlqyer të gjitha kohërave. 34 gola në 91 ndeshje me Kombëtaren, 258 gola në 494 ndeshje me klubet.

 4. ROMARIO – Braziliani është një prej sulmuesve më të talentuar, i pajisur me dhuntinë e golit. FIFA i njeh zyrtarisht 929 gola, por vetë Romario ka publikuar një listë ku ai ka shënuar në total 1000 gola, ky u fundit me penallti dhe në moshën 41 vjeç.

  5. MISHEL PLATINI – Presidenti aktual i UEFA-s është lojtari francez më i mirë, së bashku edhe me Zinedin Zidanin. Fitoi tri herë “Topin e artë” dhe shënoi 312 gola në 580 ndeshje, disa prej tyre perla të vërteta si me Juventusin ashtu dhe me Francën.

 6. HUGO SANÇEZ – Lojtari më i mirë meksikan i të gjitha kohërave. Fitoi pesë herë titullin e golashënuesit më të mirë të Primera Divizionit, katër prej tyre rresht duke u shndërruar në një legjendë te Reali i Madridit. 427 gola në 694 ndeshje me klubet.

 7. GUNAR NORDAHL – 442 gola në 504 ndeshje e shpjegojnë më së miri se përse ai është në këtë listë të përzgjedhur. Në vitet e tij më të mira me Milanin ai u shndërrua në një legjendë. Për Milanin në vitet 1949-156 ai shënoi 210 gola në 257 ndeshje.

 8. RONALDO – Braziliani konsiderohet nga shumë ekspertë si një nga sulmuesit më të mirë të gjitha kohërave. Përpara dëmtimit të tij, ai ishte një makinë e vërtetë golash. Ai është golashënuesi më i mirë në historinë e Kupës së Botës, me 15 gola, dhe një legjendë në futboll.

 9. DI STEFANO – Një nga golashënuesit më të mirë në historinë e Realit të Madridit dhe lojtari kyç në fitimin e pesë titujve kampionë të Realit në Ligën e Kampioneve në vitet ’50. Ai dhe sot vështrohet si nga futbollistët më të mirë të gjitha kohërave dhe sigurisht një golashënues vdekjeprurës. 376 gola në 520 ndeshje për të.

 10. GERD MYLER – Gjermani është një nga sulmuesit më prodhimtarë të gjitha kohërave me ekipet kombëtare, duke shënuar 68 gola në 62 paraqitje, 364 gola në Bundesligë dhe 66 gola në 74 ndeshje të kompetcioneve evropiane të klubeve. Ai e shpenzoi karrierën e tij te Bajerni i Munihut dhe është gjithashtu golashënuesi i dytë më i mirë në historinë e Kupës së Botës.

  11. EUSEBIO – Konsiderohet si një nga futbollistët portugezë më të mirë të gjitha kohërave. Fituesi i “Topit të artë 1965”. Ai ishte golashënuesi më i mirë i Benfikës që fitoi dy kupa evropiane dhe ishte gjithashtu shënuesi më i mirë i Kupës së Botës në vitin 1966 me nëntë gola, duke e udhëhequr Portugalinë në një vend të tretë të shkëlqyer. 863 ndeshje, 809 gola për të në të gjitha kompeticionet.

 12. LIONEL MESI – Është një nga golashënuesit më vdekjeprurës të ditës së sotme. Ka shënuar 313 gola në 380 ndeshje me Barcelonën, duke dhënë edhe 118 asiste. Me Kombëtaren e Argjentinës ka shënuar 32 gola në 79 ndeshje, si dhe ka dhënë 30 asistë. Ka fituar katër herë “Topin e Artë” dhe mban 23 rekorde individuale si futbollist.

 13. ALESANDRO DEL PIERO – Sulmuesi italian është shënuesi më i mirë i të gjitha kohërave te Juventusi, duke lënë pas një emër të madh si Xhampiero Boniperti. Dy herë golashënuesi më i mirë i Ligës së Kampioneve ka shënuar në total 321 gola në 822 ndeshje, nga këto 27 gola në 97 ndeshje me ekipin e Italisë.

 14. KRISTIANO RONALDO – Portugezi është një nga golashënuesit vrasës të ditëve të sotme. Në sezonin 2007-2008 ai shënoi 42 gola për Mançester Junaitid. Me Realin e Madridit ka shënuar 197 gola në 194 ndeshje, me një mesatare të frikshme. Ronaldo ka shënuar 324 gola në 522 ndeshje me klubet dhe 38 gola në 102 ndeshje me Kombëtaren. Në total: 368 gola në 619 ndeshje.

  15. MARKO VAN BASTEN – Sulmuesi holandez ishte golashënuesi lider i  “Dream team” të Milanit. Goli i tij  legjendar në finalen e Euro 1998-s konsiderohet nga shumë si një prej golave më të mëdhenj të gjitha kohërave. 218 gola në 280 ndeshje me klubet; 24 gola në 58 ndeshje me Holandën. Është  3 herë fitues i “Topit të artë”.

  16. FERNANDO PEJROTEO – Sulmuesi i Portugalisë dhe Sportingut të Lisbonës shënoi 371 gola në 187 ndeshje, duke pasur mesataren më të mirë në histori me 2.17 gola për ndeshje.

 17. ANDRIJ SHEVÇENKO – Sulmuesi ukrainas është një legjendë të Dinamo e Kievit dhe Milani dhe është aktualisht shënuesi i tretë më i mirë në historinë kompeticioneve europiane të klubeve me 64 gola. Ai fitoi midis të tjerave “Topin e artë” të vitit 2004.

 18. RIVALDO – Braziliani e mori përsipër Barcelonën gjatë një prej periudhave më të errëta të saj në shënimin e golave dhe me aftësitë e tij ai e provoi veten si një lojtar kyç. Shënoi 5 gola në Kupën e Botës së vitit 2002, ndërkohë që dha asistet e dy golave të Ronaldos në finalen e kompeticionit.

 19. GERI LINEKER – Sulmuesi anglez ishte golashënuesi më i mirë i skuadrës me cilindo ekip që ai luajti, por dhe me Kombëtaren e Anglisë. Ai ishte shënuesi më i mirë në Kupën e Botës së vitit 1986.

 20. GABRIEL BATISTUTA – Sulmuesi argjentinas, i njohur ndryshe edhe me “Batigol”, është një nga finalizuesit më të mëdhenj të gjitha kohërave dhe ai ai terrorizoi mbrojtjet e skuadrave italiane përgjatë një dekade. 246 gola në 442 ndeshje me klubet, 66 gola në 88 ndeshje me Argjentinën.

 21. SANDOR KOSHIÇ – Sulmuesi hungarez është golashënuesi i tretë më i mirë i të gjitha kohërave, duke shënuar 75 gola, midis tyre shtatë tripleta. Në nivel klubesh, ai shënoi 295 gola në 335 ndeshje.

 22. HENRIK LARSON – Gjatë viteve të tij te Sëlltiku, Larsoni i shënonte shumë thjesht golat. Në sezonin e tij më të mirë realizoi 53 gola në 50 ndeshje. Në perëndim të karrierës së tij, ai u bashkua me Barceloën duke e ndihmuar atë të fitojë Ligën e Kampioneve.

 23. FILIPO INZAGI – Sulmuesi italian është një nga prodhimtarët për më shumë se një dekadë.  Është shënuesi i dytë më i mirë në Europë me 70 gola, pas Raulit që mban rekordin me 77 gola. Ka shënuar në total 228 gola në 623 ndeshje, 25 me Italinë.

 24. ROJ MAKAJ – Holandezi është një nga sulmuesit më prodhimtarë. E udhëhoqi Deportivon te titujt në Spanjë dhe ruajti të njëjtin ritëm te Bajerni. Është autori i golit më të shpejtë në Ligën e Kampioneve, vetëm pas 10.2 skondash në vitin 2007 dhe kundër Realit.

 25. HRISTO STOJÇKOV – Lojtari më i mirë bullgar. Udhëhoqi Bullgarinë në vendin e tretë në Kupën e Botës së vitit 1994 dhe fitoi “Topin  e artë” po në këtë vit. Një nga 125 futbollistët më të mëdhenj të botës të përfshirë në listën “Pele”.