Dua armë e municion
Do ndez fshatin flakë e tym,
Sepse lopa e komshiut,
Hyri mbrëmë në kopshtin tim!
Dua armë e municion
Erdhi ora t’i bëj gropën,
Do ta vras komshiun tim
Do t’ia lë jetime lopën!
Dua armë e municion,
Këtë herë do kaloj masën
Do vras një njeriun tim,
Sepse nuk më ftoi në dasëm.
Dua armë e municion,
“Jo”, të mos më thoni kurrë
Do të vras një vajzë të njohur,
Se s’më do mua për burrë!
Dua armë e municion,
Do të bëhem supergango
Do ta zhduk një shokun tim,
Se më mundi në bilardo
Dua armë e municion,
Se kam forcë e kam inat
Do qëlloj një jabanxhi
Se më pa dje me inat!
Dua armë e municion,
Burrëria ime rroftë!
Gruas do t’i këput plumbin,
Se më solli gjellë të ftohtë!
Dua armë e municion,
Jo, mor, jo nuk duroj dot,
Do ta vras plakun matuf,
Që s’më hapi rrugën sot!
Dua armë e municion,
Se jam trim i madh me fletë,
Do ta vras dhe fatorinon,
Se guxoi më preu biletë.
Dua armë e municion,
Se për mua s’ka rrugë tjetër,
Bam dhe mbi vëllain tim,
Që ka shtyrë gardhin një metër!
Dua armë e municon,
Kam vendosur të shporr krushkën,
Dje më preu ujin në kopësht,
Ndërsa sot më trembi mushkën!
Dua armë e municion,
Do rri gati në llogore,
Në mos më dhënçi kallash,
Do gjej mjete rrethanore!
Dua armë e municion,
Gjithë sa thashë do t’iu bëj varrin,
Në mos më dhënçi kallash,
Do marr sëpatën e sqeparin…!