Hatixhe Lushi: Zadeja, Zoraqi e Daija kanë dhënë vlerësime maksimale për zërin tim

1062
Një këngëtare nga Librazhdi, që sot cilësohet si Pagarusha shqiptare. Aktualisht punon si këngëtare në Ansamblin e Këngëve dhe të Valleve, aty ku janë gjithë xhevahiret e këngës popullore shqiptare. Në këtë ansambël këndohen këngët popullore të të gjitha trevave, këndohen këngët polifonike, baladat
Cilat këngë janë më të pëlqyera në repertorin tuaj?
Këngët më të pëlqyera janë baladat, sepse qysh e vogël nëna ime mi ka treguar si tekst baladat por edhe mi ka kënduar ato. Unë jam rritur me baladat.
Kjo lidhet me vendlindjen?
Sigurisht. Në Librazhd rrjedh Shkumbini me magjinë e vet, gryka e tij sikur sjell erën e baladave të lashtësisë. Në ato zona ka tregime të shumta, ngjarje që përcjellin në balada historinë.
Kur ka filluar dëshira apo, kur është koha kur ju keni filluar të këndoni ?
Kam qenë e vogël fare. Kënga e parë që kam kënduar është kënga “Në një anë në një lëndinë”. Kjo këngë më shoqëroi në disa aktivitete të ndryshme të shkollës 8-vjeçare në Librazhd. Në atë kohë bëheshin shumë aktivitete dhe konkurse mes shkollave.
Po mbas mbarimit të shkollës 8-vjeçare, si vazhdoi shkollimi ?
Menjëherë shkova dhe konkurrova në shkollën e mesme të Muzikës në Elbasan. Elbasani historikisht ka qenë ndër qytet kryesore shqiptare të këngës, muzikës. 
Me cilën këngë u paraqite në Shkollën e Muzikës në Elbasan?
U paraqita me këngën “o moj bukuroshe”. Këtë këngë e ka kënduar e madhja Nexhmije Pagarusha dhe pa pasur shumë impakt tek juria pasi është një këngë e vështirë. Aty mësova këngët e bukura të Isuf Myzyrit një këngëtar brilant. Për katër vite me radhë në qytetin e Elbasanit kam kënduar dhe kam gërmuar të gjej dhe mësoj këngët perla të këngëtarëve të saj brilantë. Mësuesja ime ka qenë Eleonora. Ajo kujdesej për mua si për fëmijën e saj. Kujdesej për veshjen, mësimet, ushqimin, zërin. Një grua e rrallë, një edukatore e arrirë. Ajo donte të paraqitesha denjësisht në të gjitha aktivitetet, duke më dhënë dhe rrobat e saj. Në Elbasanin e bukur, mësova katër vjet për kanto (mexosoprano).
Pas mbarimit të shkollë së mesme, ku shkuat?
Atë kohë ishte që pas shkollës së mesme bëje një vit stazh. Mua më caktuan në Shtëpinë e Kulturës Librazhd. Në atë kohë aktivitete ishin të pafundme. Organizmi ishte i përsosur pavarësisht ideologjizmave të aktiviteteve. Ne atëherë punonim natë e ditë të përgatiteshim për Festivalin e Gjirokastrës. Koha ishte e pamjaftueshëm se do shkelje çdo fshat të Librazhdit.
Kë do veçosh nga bashkëpunëtorët e asaj kohe?
Në atë kohë në Librazhdi kishte ardhur Gazmend Mullai, i cili sa kishte mbaruar studimet e larta dhe që na dhanë ndihmë të madhe
Kë aktivitet do veçosh në Librazhd?
Në atë kohë në Librazhd ishte dhe një shoqja ime që kishte mbaruar shkollën e Lartë të Kulturës. Rakipe Karaj. Ne menduam që të dyja që ato çfarë kishim mësuar në shkolla ti bënim realitet me anë të një koncerti të veçantë me dy zëra. Ne për herë të parë kemi kënduar pjesë nga Opera Mrika. Pra ishte hera e parë që në qytet të vogël këndohej pjesë operistike. Ne kemi bërë aktivitete të tilla që kishin shumë profesionalizëm brenda.
Të flasim pak për Festivalet e Gjirokastrës…Kur daton pjesëmarrja juaj në këtë Festival kaq mbresëlënës?
Në fillim kam marrë pjesë në Festivalin e Gjirokastrës në vitin1968 si valltare. E doja shumë dhe vallen që e vogël. Isha vetëm 10-vjeçe dhe kemi kërcyer një valle treshe të Hotolishtit. Pastaj më vonë, duke qenë se kam qenë pjesëtare e rregullt e të gjitha Festivaleve kam kënduar këngë të ndryshme
Nga të gjitha këngët që ke kënduar në Festivalet e Gjirokastrës, cila ka fituar çmim?
Kënga më e pëlqyer ka qenë balada: “Brahim Keta”, këtë baladë ma zgjodhi Sadri Halili, koreograf i Shtëpisë së Kulturës Librazhd. Pas kësaj kënge në Gjirokastër shkoja me balada të reja njëra më e bukur se tjetra. Kjo baladë ishte kënduar në një fshat të Librazhdit, këtë e këndonte një 90-vjeçar. Kjo këngë u laurua në Festival.
Po pas kësaj balade, cila këngë është veçuar në Festivalet e Gjirokastrës?
– Më vonë kam kënduar një baladë për “Tre vëllezërit”, për baladën e “Murimit”. Kjo ishte sipas folklorit të Librazhdit, jo si ajo e kalasë së Rozafës. Këto këngë i këndoja në mënyrë origjinale, siç i dëgjoja. Pra aty qëndronte e veçanta e tyre dhe jo tek tjetërsimi. Baladat janë dhimbje, dhimbje e madhe madje. Ndonjë drejtues i lartë në atë kohë në Librazhd thoshte, çfarë e ka këtë zë si burrë Tixhja, pa ditur rëndësinë dhe veçantinë e baladës.

Cilët nga personalitetet e muzikës kanë dhënë vlerësime maksimale për ju?
– Janë tre personalitete të padiskutueshme të muzikës që kanë vlerësuar zërin tim dhe ata janë, Çesk Zadeja, Nikolla Zoraqi, Tish Daija

– Po në Institutin e Lartë të Arteve me çfarë pjese ke konkurruar? Kush ishte në juri?
Me Arien “Karmen”, pasi unë isha këngëtare operistike. Pastaj këndova arien tjetër Euridiçe që plotësonin njëra-tjetrën. Në juri ishte I madhi Ramiz Kovaçi. Pa zë atëherë nuk fitoje me miqësi. Unë isha mezosopranë. Atë kohë ishte me mua dhe Kozma Dushi,
Kush ishin pedagogët e tu?
Ishin Gjoni Athanas, personalitet si dhe të gjithë pedagogët e tjerë ishin emra të mëdhenj.
Kush ishin shokët e shoqet e tua atë kohë?
Ishin Marjana Leka soprano, Kozma Dushi etj. Marjana Leka mësonte me Edit Mihalin, Kozma Dushi me Gjoni Athanas.
Ku shkuat pas përfundimit të Institutit?
Unë që në shkollë isha e dashuruar, fejuar, celebruar, ahh!. Pra thuajse e martuar me shokun tim të jetës, që ishte piktor. Prof Ramiz Kovaçi më thoshte mos e bëj celebrimin në Librazhd, pasi duhet të rrish këtu në Tiranë që të ecësh, që të arrish atë që ka zëri yt. Por unë e kisha bërë celebrimin para emërimit. Sërishmi në Librazhd bëra të njëjtën punë.

Po ndonjë konkurs a patët në këtë kohë?
Në vitin 1988 u bë një konkurs për rolin e “Karmenit”. Unë fitoj në këtë konkurs. Kryetar komisioni ishte Nikolla Zoraqi. Më kërkuan në TOB, por partia në Librazhd nuk na la, pasi thoshte mua më ikin dy artistë njëri piktor, tjetra këngëtare dhe organizatore. U stepa. Por përsëri mora forca Në këtë kohë na vjen Naim Gjoshi një kompozitor i shquar i këngës popullore. Ai më futi në rrugën e këngës popullore. Në vitin 1997 mora vendimin të vij në Tiranë, tashmë jo në muzikën operistike por në atë popullore, pra në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore. U futa në Ansamblin e Shtetit, ku u njoha nga afër me kompozitorin Edmond Zhulali, ku në studion e tij bëra një përpunim të të gjitha këngëve që kisha kënduar me Naim Gjoshën.

Në cilin aktivitet ke bërë surprizë?
Në Koncertin me rastin e 100-vjetorit në Vlorë ku këndova këngën “Loti” e cila u prit si asnjëherë. Por unë kam marrë pjesë me “Unionin e Kombit Shqiptar” në shumë aktivitete në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni kudo ku ka shqiptar. Nuk mohoj ndihmën e valltarit të talentuar Azgan Haklaj, kryetar i Unionit. Në 12 vjet me Ansamblin bëra një recital me këngë popullore, kryesisht baladat.

Keni për zemër shumë, këngët e Pagarushës, është e vërtetë?
Po, këngët e saj i shkojnë shumë vokalit tim. Në Ansambël kam gjetur veten, pasi aty këndoj këngë të të gjitha trevave që i përshtaten vokalit tim.

Sa këngë keni në repertorin tuaj?
Mund të jenë mbi 100 këngë. Por nga të gjitha veçoj këngët e albumit “Loti” që e realizova me Edmond Zhulalin.
Kënga më e vështirë?
Kur erdha në Ansambël doja të realizoja këngën “Baresha”. Kjo këngë është kafshatë e madhe. Bashkëshorti i saj, e ka shkruar atë këngë enkas për zërin e saj. Për realizimin e kësaj kënge bashkëpunova me Klodjan Qafokun, duke ja përshtatur këngën zërit tim, pra, jo duke imituar Pagarushën. Këtë këngë do ta vë në skenë me Ansamblin e këngëve. Pagarushën e ka kënduar Zeliha Sina dhe Pagarusha është e kënaqur, e ka kënduar Manjola Nallbani, Aurela Gaçe, por unë do sjell një Bareshë të tipit Hatixhe.

Njiheni me Pagarushën?
Posi jo. E kam mike të shpirtit, por edhe shkoj vazhdimisht e takoj. Edhe ajo vjen tek unë. Ajo më thotë pse nuk këndon “Rexhën”, pra çohu Rexhë, çohu djalo…Këtë do ta këndoj në një mbrëmje gala në fund të vitit.
Sigal