Sanka Baushi: Në komunizëm ishim të varfër, por shoqëria ishte më e pastër, më e sinqertë

543
Sigal

INTERVISTA/ Flet ekonomistja dhe piktorja Sanka Baushi: Kur vinin për kontroll udhëheqësit e partisë ne kishim shumë emocion

Dhe pse kishte të dhëna për piktore, ajo studioi për ekonomi industriale. Në regjimin komunist ka punuar në disa dikastere të rëndësishme, pro asnjëherë s’e kishte harruar dashurinë e parë, pikturën. Jeta e solli që u martua në Itali, ku ajo sërishmi e kujton me nostalgji rininë në regjimin komunist. Lidhjet me atdheun i ka të rregullta, por thekson se femra në Itali ndihet më e vlerësuar dhe e respektuar. Ekspozita me 24 piktura e hapur në ambientet e Muzeut Historik, përbën për të një ditë të veçantë të jetës, pasi realizoi ëndrrën fëminore.

 Piktore, por që keni studiuar për një degë tjetër?

Studimet  i kam mbaruar për ekonominë e industrisë. Ishte një degë shumë e vështirë, por dhe e bukur. Edhe në regjimin komunist kjo degë në shkollë ishte shumë e vështirë, por që vlerësohej dhe kishte dashamirësit e saj.

 Ku e keni ushtruar këtë profesion në vitet e komunizmit?

 Unë kam punuar në shumë vende të rëndësishme në atë periudhë. Kam punuar si ekonomiste në Ministrinë e Industrisë, në Fabrikën e Miellit po këtu në Tiranë,  në Ndërmarrjen e Grumbullimit në Fushë-Krujë, si ekonomiste dhe në fund sërishmi në Fabrikën e Miellit po në Tiranë. Më vonë u largova nga Shqipëria se u martova në Itali.

  Si ka qenë niveli i mësimdhënies në UT dhe në ndërmarrjet ku ju keni punuar, a ka pasur profesionalizëm?

Në shkollë kërkesa e llogarisë ishte shumë e madhe. Pedagogët ishin shumë të përgatitur. Shumica e tyre ishin përgatitur jashtë dhe ishin shumë të talentuar. Kur shpjegonin ata ne rrinim si të habitur. Kishin një lloj perfeksioni në mënyrën e komunikimit që për mua është arti më i vështirë. Ndërsa në punë kishte një disiplinë shembullore jo vetëm në orar, por edhe në mënyrën e ideimit të punës, konceptimit të plan- masave. Në atë kohë kishte kontrolle shumë seriozë ndaj duhej t’ja bëje mirë hyzmetin punës. Kërkesa ka qenë sistematike. Kemi punuar me shumë përgjegjësi. Atë çka të kërkohej do ta realizoje patjetër.

 Keni pasur raste të takonit udhëheqës të partisë?

Eh, jo, jo. Unë kam qenë një nëpunëse dhe s’kam pasur rastin t’i takoj drejtpërdrejt. Ata vinin shpesh herë në Ministri apo në Ndërmarrjet ku kam punuar, por asnjëherë nuk kam bërë dialog apo biseda të afërta. Më kujtohet se sa herë vinin mobilizoheshin të gjithë. Kishte një ankth kur vinin ata për vizitë apo në ndonjë mbledhje. Kishin përhapur një lloj autoriteti të padiskutueshëm. Madje, të them unë kisha shumë emocion kur dëgjoja se do vinte ndonjë prej tyre në dikasteret, ku kam punuar. Mundohesha mos t’u dilja para.

 Jeni ndjerë e respektuar në punë?

Të them që jo, do gënjej. Kam bërë punën time dhe më kanë respektuar. Nuk di të bëj komente të tepërta. Flas për veten time. Unë s’jam marr as me politikë në atë kohë. Isha një ekonomiste që shikoja punën time. S’kisha qejf debatet politike.

 Kur ju ka lindur dëshira për pikturë?

Në fakt dëshira për pikturë  që në fillore vazhdoi në tetëvjeçare  dhe deri në gjimnaz,  ku fillova të punoj vetë. Pikërisht në këtë kohë mora pjesë në një konkurs, për Artet e Bukura në vitet 1972, por konkursin nuk e fitova.  S’e di pse, pasi më thanë që e kisha realizuar mirë pikturën që na dhanë.  Kështu që u detyrova të shkoj për ekonomi, pasi kisha shumë rezultate të mira në matematikë. Piktura s’më ndahej nga vetja. Më shoqëronte kudo, më rrinte në krah sa herë shikoja diçka të bukur.

 Kur filluat punë si ekonomiste industriale?

 Kam filluar punë në vitin 1977. Ishin vitet kur ekonomia shqiptare kishte njëfarë ngritjeje. Planet pesëvjeçare të PPSH-së ishin objekt pune dhe kërkesa e llogarisë ishte në maksimum.

 Po piktura u la në harresë?

Po. S’kisha kohë, por dhe shumë gjëra të tjera. S’kisha mjete pune. S’kisha vend, ku të punoja, s’kisha lidhje shumë me pikturën dhe aspekti tjetër ishte ai ekonomik.

 Kur filluat të merreni direkt me pikturë?

Në vitet e demokracisë. Në këtë kohë unë u martova në Itali dhe m’u krijuan shumë mundësi. Mund të them mundësi si në kohë, në frymëzim, por dhe në aspektin ekonomik.

 Pra tashmë erdhët në dashurinë tuaj të parë pikturën?

Po. Në Itali m’u realizuan shumë kushte. Madje, dua të them që Italia ka vende magjike siç është Venecia, Torino, Roma, Napoli, Milano, etj..

 Në shumë piktura dominojnë peizazhe nga Venecia. Përse?

Venecia mbetet qytet magjik. Është i vetmi në botë në llojin e tij. Një qytet pa asnjë makinë, apo motor. Një qytet ku mbizotërojnë gondolat dhe anijet e vogla. Një qytet i ngritur i tëri mbi ujë. Një qytet ekzemplar që koha e vlerëson çdo ditë dhe më shumë. Sa herë shkoj aty magjepsem ndaj dhe shumica e pikturave janë peizazhe nga ky qytet gjigant i papërsëritshëm.

 Kur e keni bërë pikturën e parë?

Të them të drejtën kam qenë shumë e vogël. Pra që në fillore kam bërë një portret të shokut tim të bankës. Pastaj më luteshin të gjithë shokët dhe shoqet të bëja diçka për ta. Deri në gjimnaz bëja disa portrete, më vonë i lashë të gjitha.

Kjo është ekspozita juaj e parë, si ndjeheni?

Po. Është ekspozita ime e parë dhe ndihem shumë e emocionuar. Realizova tani në pleqëri një ëndërr të vegjëlisë. Në këtë ekspozitë janë 24 piktura, shumica peizazhe dhe portrete. Me këto piktura kam punuar rreth 10 vjet. Por duhet të dini se nuk kam punuar sistematikisht.

 Në këto piktura mbizotëron grafika, lapsi, pse pikërisht kjo lloj pikture?

Pasi e ndjej veten më të sigurt në këtë lloj pikture me laps. Më duket se jam me e fortë. Më duket puna më korrekte. Sigurisht flas për veten time.

 Po punët me vaj pak vend zënë?

Po janë më pak, por vijnë të dytat pas lapsit. Teknika e vajit dhe e pastelit është një teknikë jo e lehtë, por janë objektivi im i ardhshëm. Në të ardhmen do këmbëngul më shumë në këto dy teknika, por duke mos lënë asnjëherë lapsin pas dore. Secila teknikë ka anët e veta pozitive apo negative.

 Ku ndiheni më mirë në Itali apo në Shqipëri?

Të them të drejtën nuk i ndaj këto dy vende tashmë. Më duken njëlloj. Aq më tepër që janë dy vende fqinje dhe ku unë me këto dy vende kam lidhur gjithë jetën time. Shansi im ishte që u martova në Itali dhe aty gjeta shpirtin binjak.

 Në Itali femra ndihet më e respektuar se në Shqipëri?

Po. Ndihet. Femra respektohet  shumë. Janë vetë meshkujt që e bëjnë këtë respekt. Kanë kulturë dhe e dinë se çdo të thotë femër.

 Kjo do të thotë që shoqëria shqiptarë është shoqëri maskiliste?

Eh, është disi, ka ende shenja maskiliste. Por në regjimin komunist një regjim që nuk duhet kujtuar femra me punën e saj ndihej e vlerësuar. Kush punonte respektohej.

 Cilat janë problemet e femrës shqiptare sot?

Dua të them se janë pak më ndryshe se ato të vendeve të tjera europiane. Femra në Shqipëri ka më pak hapësirë, ka më pak vlerësim, ndonjëherë shikoj se përdoret dhe dhunë.

 Çfarë vlerëson tek njeriu sidomos tek femra?

 Të bukurën. Me këtë nuk dua të them që të jesh e bukur. Aspak, por them për punën e bukur, për sjelljen e bukur, për shpirtin e bukur, për rezultatet e arritura.

 Ndiheni e realizuar tashmë?

Pas realizimit të kësaj ekspozite ndihem e realizuar. Ishte një ëndërr që unë e preka pavarësisht moshës. Tani piktura më lehtëson shumë gjëra. Kur jam në çaste mërzie unë kap penelin apo lapsin. Sa mirë ndihem. Sa magjik është peneli…

 Keni dy jetë, një në diktaturë dhe një në demokraci, bëni dallim mes dy jetësh?

Unë i kam pëlqyer të dy jetët. Në komunizëm kishim një shoqëri perfekte, marrëdhënie vëllazërore, marrëdhënie të pastra. Sa i kujtoj vitet e rinisë, sa vite të bukura ishin. Kishim më shumë sinqeritet, më shumë afrueshmëri.