Valltarja tropojane e karrierës Bubë Mici dhe vallja ‘’Kërce moj çikë’’

2769
Sigal

Vallja tropojane
Vallet janë bashkudhëtarë dhe pjesë përbërëse e botës shpirtërore dhe pjesë e merituar e kulturës sonë kombëtare. Vallet tropojane shquhen për dinamizëm, forcë, epizëm dhe lirizëm, për elegancën, plastikën dhe përmbajtjen ideo-emocionale që ia përcjellin spektatorit dhe telespektatorit nëpërmjet interpretimit virtuoz dhe me vlera autentike. Vallja është kërcyer tradicionalisht në Tropoje. Muzikologu prof.Ramazan Bogdani, pohonte se: “ Malësia e Gjakovës shquhet ndër viset veriore, verilindore e veriperëndimore të Shqipërisë përsa i përket vallëzimit popullor. Këtu lihen dendur si vallet e burrave ashtu dhe të grave, të cilat përgjithësisht nuk kanë shumë dallime brendapërbrenda ndarjeve të Malësisë së Gjakovës”. Vallet tropojane famën më të madhe e arritën në festivalet folklorike në Gjirokastër si dhe në festivalin ballkanik në Ohër më 1974. Vallja tropojane, si ajo e burrave dhe e grave ka bërë emër jo vetëm brenda vendit por edhe në Evropë e më gjerë. Në vitin 1957 në Festivalin e Rinisë në Moske një grup vajzash tropojane, midis tyre e talentuara Zade Zymeri u nderuan me çmimin e parë me vallen e çikave të Tropojës . E kështu në brezin e artistëve të para tropojane u radhitën rapsodia Fatime Sokoli, valltaret Zade Zymeri e Nafie Ukja, Xhevahire Gashi e Bube Mici .

Vallja e kënduar “Kërce moj çikë” dhe flutura e valles Bube Mici.
Valltarja Bube Mici lindi në Cerrnicë të Tropojës në fund vitet ‘40. Vallja popullore tropojane e rrëmbeu që në moshë të vogël dhe ishte prirja e saj. Aktiviteti i saj artistik nis qysh në moshë të vogël dhe vazhdon për 4 dekada jeta artistike. Fillimisht merr pjesë në veprimtaritë lokale në grupet artistike të rrethit të Tropojës, ndërsa në vitin 1967 Buba është pjesëmarrëse si valltare pjesëmarrëse në festivalin folklorik në Lezhë. Më 1968 në konkurrimin e grupeve folklorike të ndërmarrjeve te rrethit të Tropojës Bube Mici u paraqit denjësisht si valltare dhe krijuese e valles së kënduar “Kërce moj çikë’’ me tekst dhe muzikë të Abdullah Ukes dhe e kënduar nga Mjeshtrja e Madhe Fatime Sokoli. Kjo valle e kënduar u zgjodh si numër për në festivalin folklorik të Gjirokastrës dhe mori vlerësimin si ‘’Perla e festivalit”. Me motivet e kësaj valleje të interpretuar nga Bube Mici koreografi i njohur Panajot Kanaçi krijoi një nga vallet më të suksesshme të Ansamblit Shtetëror të këngëve e valleve popullore me titull “Festë të madhe ka sot Shqipëria” e cila korri sukses në Dizhon te Francës duke marrë “Gjerdanin e Arte”.

Valltarja Bubë Mici, në rrugëtimin e gjatë me vallen.
Vazhdon karriera e valltares virtuoze Bubë Mici me ansamblin folklorik “Valbona” e më pas “Dardania” të Tropojës e kudo nëpër Atdhe. Më 1969 merr pjesë në festivalin folklorik kombëtar të klasës punëtore në Vlorë, ndërsa në vitin 1973 në Festivalin Folklorik Kombëtar në Gjirokastër, nderohet nga Kuvendi Popullor me urdhrin “Naim Frashëri” për interpretimin e valles folklorike tropojane. Në vitin 1974 në Festivalin Folklorik Ballkanik në Ohër, ansambli folklorik i Tropojës u caktua si përfaqësues për Shqipërinë, në përbërje te ansamblit tonë si valltare më përvojë mori pjesë edhe Bubë Mici në vallen “Dasma Malësore”, në këtë konkurrim ansambli “Valbona” zuri vendin e parë. E nga suksesi në sukses në 1978 pjesëmarrëse në festivalin folklorik kombëtar në Gjirokastër, më 1981 në festivalin folklorik kombëtar të klasës punëtore në Durrës e Tiranë si valltare soliste, më 1983 pjesëmarrëse në festivalin folklorik kombëtar në Gjirokastër. Nga festivali në festival, nga koncerti në koncert, valltarja Bubë Mici në fillim të viteve 90 është organizatore e ansamblit “Lulet e Bjeshkës”, me nxënës së shkollës së mesme e të rinj të Cerrnicës. Tashmë Buba është e impenjuar që vallen e bukur tropojane të ua linte brezit të ri, që ajo të mbetet gjithnjë e dashur dhe e pëlqyer. Me këtë grup ka krijuar mjaft valle dhe ka dhënë mjaft koncerte në Shqipëri e Kosovë, për festat e nëntorit, ceremoni dhe përkujtimore në Kosovë dhe Shqipëri, të tilla si koncerti në përkujtimoren e dëshmorit të tri luftërave në Kosovë, Maqedoni e Preshevë, Tahir Sinani, në përkujtimoren e dëshmorëve të UÇK-së në Kosovë, në 2005 në koncertin ‘’Nata e Nikaj-Merturit’’ dhe në konkurrimin në Gjakovë me grupet folklorike nga e gjithë Kosova në Rahovec e Anadrin, në të cilin Bubë Mici mori pjesë me ansamblin e përgatitur prej saj “Lulet e Bjeshkës”, të Cerrnicës Tropoje i cili u nderua me “Mirënjohje:, ndërsa valltares bubë Mici i jepet diploma me “Çmimin e Karrierës”.

Në këtë aktivitet ajo paraqiti vallet e krijuara vetë
1. “Bashkohen shqiponjat”
2. “Vallja e Bytyçit”
3. “Valle burrash”
4. “Mbledhja e gështenjave”
5. “Valle brezash”
Cilësimet për valltaren Bubë Mici kanë qenë të tilla si:
“Perla e Festivaleve”, “Princesha e valles tropojane”, “Flutura tropojane”, “Buba, koka e shqiponjës, valltarët krahët e saj”…
Duke mos iu ndarë jetesë kulturore artistike, Bubë Mici sot është anëtare e Shoqatës Letrare-Kulturore “Xheladin Gosturani” Tropoje, e cila është mjaft aktive duke iu përcjell brezave artin e popullit, e bindur se vallja tropojane ka qenë krenari e artit popullor shqiptar.