Ahmetaj: Investimet e huaja në vendin tonë ndikojnë në rritjen ekonomike

114
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave ku prezantoi ligjin “Për investimet strategjike”, deklaroi se në këtë fazë të rritjes ekonomike një element i rëndësishëm janë rritja e investimeve të huaja dhe vendase. Sipas ministrit Ahmetaj, sektorët kryesorë ku do të zbatohet ligji “Për investimet strategjike” janë sektori minerar, transporti, turizmi dhe bujqësia. Ligji do të rrisë investimet dhe punësimin në zona të ndryshme të vendit. Ky ligj sjell lehtësi proceduriale për investitorët dhe garanci juridike për shpronësimet e tokave. 
“Ligji është një format i cili tenton të bëjë shumë lehtësime, por mbi të gjitha synon afrimin për herë të parë të një modeli të bashkëpunimit të paracaktuar të shtetit dhe investitorëve privatë dhe e dyta, përshpejton procesin administrativ të aplikimit dhe të zbatimit të investimeve strategjike në Shqipëri. Ka afërisht 17 definicione bazë të cilat do të ndihmojnë investitorët dhe do të detyrojnë administratën që të jetë shumë e shpejtë në përgjigjet ndaj investitorëve, të jetë asistuese ndaj investitorëve vendas apo të huaj. Kriteret e përcaktimit të investimeve strategjike si investime me interes publik do t’i referohen vlerës së investimit dhe në draft ligj përcaktohet se për sektorë të ndryshëm ka vlera të ndryshme, qoftë për të investimin e asistuar, qoftë për atë strategjik; është koha e realizimit të investimit; produktiviteti dhe vlera e shtuar e investimit; hapja e vendeve të reja të punës; prioriteti ekonomik sektorial; zhvillimi ekonomik rajonal dhe lokal; zhvillimi apo përmirësimi i kushteve apo standardeve për prodhimin e mallrave apo ofrimin e shërbimeve; ofrimi i teknologjive të reja për të rritur konkurrueshmërinë dhe efektivitetin e investimit; rritja e nivelit të përgjithshëm të sigurisë dhe cilësisë së jetës së qytetarëve; patjetër mbrojtja e mjedisit dhe konsumatorit. 
Në ligj janë rreshtuar edhe sektorët që në këndvështrimin e këtij ligji konceptohen sektorë strategjikë . Sektori energjetik dhe minerar sigurisht që është i pari; sektori transport dhe infrastrukturë, komunikime elektronike dhe trajtimi i mbetjeve urbane është një sektor tjetër; sektori i turizmit, strukturat turistike; bujqësia; zonat e lira ekonomike ose zonat ekonomike dhe zonat me përparësi zhvillimi. Në të njëjtën kohë, përsa i përket përqasjes me administratën, janë caktuar dhe definuar procedura shumë të qarta dhe afate të definuar, shumë të qartë kohorë, të përgjigjeve, të përgatitjes së dokumentacionit, të marrjes së lejeve dhe të përgjigjes përfundimtare për investimin strategjik. Vitet e fundit investimet e huaja kanë njohur shifra relativisht më të mëdha se sa ka pasur 5 apo 10 vite më përpara. Është arritur gati në 1 miliardë dollarë krahasimisht 2013 me 2014, por unë besoj që megjithëse kjo shifër në referencë është e kënaqshme, është e pamjaftueshme për të garantuar një zhvillim të qëndrueshëm dhe cilësor të ekonomisë shqiptare, në mënyrë që të përkthehej rritja ekonomike në benefite të drejtpërdrejta për qytetarët. Draft ligji për investimet strategjike është pjesë e asaj pakete promovuese për investimet që ne kemi paraqitur. Jemi konsultuar edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë përsa i përket këtij ligji”, u shpreh Ahmetaj.