Bankat njoftojnë klientët: Aplikoni për shtyrje kredie, do të njoftoheni për vendimin e bankës

84

Pas një urdhri të firmosur nga Kryeministri Edi Rama dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, bankat kanë filluar të njoftojnë klientët e tyre për procedurat që duhet të ndjekin për shtyjen e pagesës së kësteve të kredive.

Në njoftimet e tyre thuhet se duhet bërë kërkesë dhe më pas është banka ajo që e merr vendimin, nëse pranon të shtyhet pagimi i kësteve.

Për të bërë kërkesën nuk është e nevojshme që të paraqitesh në bankë, pasi mund të kontaktosh me email, me sms, apo me shkresë zyrtare, duke paraqitur arsyet e mossshlyerjes dhe më pas banka do të kthejë përgjigje brenda 3 ditësh për vendimmarrjen e saj.

Sipas njoftimit të disa bankave:

Çdo klient i cili pretendon që në situatën COVID-19 nuk ka aftësi pagimi dhe kërkon të shtyjë pagimin e kësteve duhet që:

1- Në mënyrë elektronike apo shkresë zyrtare të dorëzojë kërkesën për shtyrje kësti duke e shoqëruar me arsyet e mospagimit të kësteve.

2- Kërkesa duhet të dergohet në një nga mënyrat si më poshtë:

  1. a) Elektronikisht me email
  2. b) Ose me SMS
  3. c) Ose me shkresë zyrtare pranë degës ku kanë marrëdhënie.

Më pas banka thotë se do të shqyrtojë çdo kërkesë të ardhur nga klientët dhe pas një analize do të marrë vendimin e saj brenda 3 ditë pune. Përgjigjja më pas do t’iu komunikohet klientëve në formë zyrtare.

Banka në njoftimin e saj thotë se nuk do të ketë nevojë për amendime apo shtojca kontratash dhe se do të zerojë penalitetet për vonesat gjatë periudhës së përcaktuar për të gjithë klientët e portofolit të kredisë, ndërkohë që interesat dhe principali do të vazhdojnë të gjenerohen normalisht.

Kryeministri Edi Rama dhe Guvernatori Gent Sejko firmosën dy ditë më parë urdhrin për shtyrjen e afatit të pagimit të kësteve të kredisë për bizneset dhe individët deri në datën 31.05.2020 për të gjithë ata kredimarrës, të cilët janë përballur me vështirësi në këtë periudhë si pasojë e COVID-19.

Sipas urdhrit, kredimarrësit duhet të komunikojnë me kredidhënësit (banka, institucione financiare jobanka apo me shoqëritë e kursim-kredive) duke u argumentuar këtyre të fundit arsyet mbi nevojat e tyre për shtyrje të pagimit të kësteve. Institucionet e kreditimit do të bëjnë procesimin e çdo kërkese të paraqitur pranë tyre brenda 3 ditëve nga data e marrjes së kërkesës.

Bankierët pohojnë se bankat ishin vënë në lëvizje duke kontaktuar klientet e tyre pas Vendimit të marrë nga Banka e Shqipërisë pak ditë më parë për të krijuar kushtet e flexibilitetin në marrëdhëniet e tyre me klientët.

Një pjesë e mirë e bankave, po promovojnë fort shërbimet online dhe kontaktet në distancë edhe për këtë komunikim, në mënyrë qe te evitohen kontakte fizike dhe ekspozim të stafit ndaj rrezikut të Coronavirusit!