Koronavirusi/ Mjeku Florian Toti jep disa këshilla se si duhet të sillen personat me diabet

555
Sigal

Endokrinologu Florian Toti, jep disa këshilla se si duhet të sillen personat me diabet gjatë këtyre ditëve. Fillimisht, ai qetësoi këtë shtresë duke theksuar se “thjesht se kemi diabet, nuk do të thotë se jemi të rrezikuar” por shtoi se “këta persona duhet të ndjekin këshillat që janë dhënë për higjienën dhe për distancimin social”.

Në lidhje me ushqimet që duhet të konsumojnë diabetikët, Toti u shpreh se “Nuk ka studime që përdorimi i vitaminës C na mbron nga koronavirusi. Vitamina C na bën mirë por ka shumë perime me vitamina C, si brokoli, që këta persona mund të konsumojnë, pasi te diabetikët nuk duhen kaluar 2-3 racione në ditë me fruta. Kur konsumohen fruta, mund të alternohet portokalli me kivin, në mënyrë që sheqeri të mbahet nën kontroll”.

Toti dha edhe disa këshilla për diabetikët që janë mbyllur në shtëpi nga Covid-19. “Një nga këshillat që ne japim është aktiviteti fizik dhe dieta. Në kushtet e izolimit, duhet të përpiqemi që të lëvizim. E dyta, jetën sociale mund ta mbajnë gjallë nëpërmjet telefonit. Nuk është ky momenti për të bërë vizita te njëri-tjetri”.