Zyhdi Dervishi/ Hierarkia e “të bardhëve” dhe “kleçka” në biografi

1007
Sidomos gjatë periudhës së regjimit socialist totalitar, hierarkia ishte e dyzuar, veçanërisht në arsimin e lartë, universitar dhe në veprimtarinë kërkimore–shkencore. Hierarkia zyrtare përcaktohej kryesisht nga përkushtimi ideopolitik ndaj regjimit. Pjesa më e madhe e një hierarkie të tillë përbëhej përgjithësisht nga kuadrot administrativë dhe ideologjikë të strukturave drejtuese të shkollave të larta dhe të instituteve kërkimore–shkencore. Kjo pjesë e hierarkisë ishte mjaft e dukshme, pasi, siç thuhej me ironi në ato vite, “sfilitej në vendimmarrje dogmatike dhe duke qëndruar nëpër presidiume”. Ky segment kallp i hierarkisë përpiqej të përfitonte meritat e hierarkisë që krijohej në kudhrën e vështirë të kërkimit, përpiqej të eklipsonte hierarkinë e vërtetë, në të cilën statuset më autoritare i zinin më së shumti të diplomuarit para Luftës së Dytë Botërore. Nën zë këta quheshin “intelektualë të bardhë”, mjaft prej të cilëve nga strukturat përkatëse të regjimit socialist totalitar etiketoheshin zyrtarisht si “njerëz me kleçka biografie”, si “njerëz me biografi të keqe”, si “rezervuari i ideologjisë borgjeze dhe distributori (përhapësi – Z. D.) i koncepteve të huaja në të gjitha fushat” (Shih: Hoxha, E., 1972:40) e jetës e të veprimtarive në shoqërinë shqiptare socialiste. Në radhët e Partisë së Punës së Shqipërisë pikëpamjet e praktikat kundërintelektualiste i kanë përkrahur me zell të veçantë sidomos trockistët si Koçi Xoxe etj.
Përgjatë dy dhjetëvjeçarëve
Sidomos përgjatë dy dhjetëvjeçarëve të parë pas Luftës së Dytë Botërore specialistët shqiptarë të diplomuar kryesisht në universitetet perëndimore gjatë viteve 1920 dhe 1930 kanë luajtur rol shumë të rëndësishëm, vendimtar për funksionimin e shkollave të larta dhe të institucioneve kërkimore, për zhvillimin e mendimit shkencor. Ata përbënin shumicën e pedagogëve dhe të studiuesve me shkallën më të lartë të kualifikimit, me grada e tituj shkencorë. Në raportin analitik për kuadrot në sektorin e arsimit përgjatë vitin akademik 1960-1961, të nënshkruar nga ministri në detyrë, ndër të tjera, theksohet se nga 82 kuadro të Universitetit të Tiranës, që kanë marrë grada e tituj shkencorë, 49 (ose afro 60 për qind – Z. D.) janë kuadro të vjetër (AQSH, F. 1011, viti 1960, D. 99, f. 8). Strukturat zyrtare përkatëse të regjimit socialist totalitar etiketonin disi me përçmim politik si “kuadro të vjetër” të diplomuarit para Luftës së Dytë Botërore, ndonëse një pjesë e tyre në fillim të viteve 1960 ishin të rinj, nën 50 vjeç. Por, pavarësisht nga etiketime të tilla, “kuadrot e vjetër” ishin autoritetet më të rëndësishëm të mësimdhënies dhe të fushave kryesore të kërkimit shkencor. Këtë rol e luajtën edhe për shumë vite më vonë.
“Kleçka” në biografi
Veçanërisht gjatë viteve 1946-1960 u trajtuan si me “kleçka” në biografi edhe një pjesë e intelektualëve, të cilët në bazë të ligjeve dhe akteve nënligjore në fuqi nuk duheshin trajtuar si të tillë. Këta kanë qenë më fatkeqët. Atyre iu grabitën veprat dhe, për t’ua mbyllur gojën, i internuan, i burgosën ose edhe i ekzekutuan. Vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore, veçanërisht në fusha të historisë, të letërsisë, të folklorit etj., u botuan ose u referuan studime mjaft cilësore, me informacione të bollshme dhe argumentime shkencore të thella, të cilët firmoseshin nga autorë të rinj, të lidhur ngushtë me regjimin komunist. Unë kam shfletuar një pjesë të konsiderueshme të kësaj literature, e cila kurrsesi nuk mund të shkruhej nga autorë të rinj me fare pak ose pa përvojë krijuese, siç ishin asokohe emrat që firmosnin autorësinë e saj. 
Hartimi i e veprës “Fjalor rusisht-shqip”
Për të konkretizuar këtë ide mjafton të përmendim një fakt. Sipas dokumenteve të Institutit të Shkencave në vitet 1949-1954 u angazhuan tre studiues mjaft të kualifikuar, në moshë të pjekurisë shkencore (mbi 50 vjeç) për hartimin e veprës “Fjalor rusisht-shqip” me 25 000 fjalë: Skënder Luarasi, Pashko Geci dhe Sejfulla Maleshova (Ndoja, L., 2013:107-108). Që në faqen e parë të parathënies së këtij fjalori theksohet: “Ky fjalor, i pari fjalor rusisht-shqip, është përpiluar nga Seksioni i Gjuhës dhe Letërsisë i Institutit të Shkencave të Republikës Popullore të Shqipërisë dhe botohet nga Shtëpia Botonjëse Shtetërore e Fjalorëve të Huaj dhe Nacionalë në Moskë… Auktorët (autorët – Z. D.) janë përpjekur, me sa ka qenë e mundur, të paraqesin gjuhën e sotme letrare ruse…” (Fjalor rusisht-shqip, 1954:5). Por autorëve që kanë kryer punën kryesore nuk u është shënuar emri në këtë fjalor ngaqë kanë pasur të ashtuquajturat “kleçka” ose “njolla” në biografinë politike. Në këtë fjalor shënohet me shkronja kapitale vetëm emri e mbiemri i redaktorit, i cili ndërkohë që hartohej kjo vepër, vazhdonte studimet universitare për gjuhësi në ish-Bashkimin Sovjetik, por që ishte mjaft i parapëlqyer prej strukturave përkatëse të regjimit socialist totalitar në Shqipëri. 
Tjetërsimi i pronës intelektuale
Kësisoj, tjetërsimi në shumë aspekte i pronës intelektuale të studiuesve të persekutuar nga regjimi socialist totalitar, përvetësimi i saj nga institucionet ose drejtpërdrejt nga studiuesit më të rinj me “partishmëri proletare”, nuk mund të mos ndikonte në tjetërsimin e piramidës së hierarkisë në fusha të kërkimeve shkencore: të persekutuarit, që përkthenin tekste mjaft të ndërlikuara, që zgjidhnin detyra të vështira në fushë të kërkimeve, detyroheshin të qëndronin mënjanë skemës së hierarkisë. Ata jetonin në vendet e vuajtjes së dënimit me heqje lirie, me internim ose të izoluar me komplotin e heshtjes në shtëpinë e tyre. Ndërkohë punonjësit shkencorë, besnikë ndaj ideologjisë së partisë në pushtet, duke shfrytëzuar tërësisht ose pjesërisht përkthime e studime të autorëve të persekutuar, përparonin më shpejt në shkallët e hierarkisë shkencore.
Nga shqyrtimi i disa rasteve të tilla rezultuan se sa më i rëndësishëm studimi, aq më i rëndë ka qenë persekutimi i autorit të tij, kur ai nuk ishte i parapëlqyer i regjimit socialist totalitar ose nuk kishte mundësi të mbronte veten, punën e tij sepse nuk kishte miq ndër drejtuesit kryesorë të strukturave partiake e shtetërore të kohës. Në mjaft raste fakti që një shkencëtar i shquar kishte studiuar në një universitet perëndimor para Luftës së Dytë Botërore konsiderohej i mjaftueshëm për ta shpallur atë agjent të vendit ku kishte studiuar.
Pas shpërbërjes
Pas shpërbërjes së regjimit socialist totalitar, pjesa ideologjike e hierarkisë në shkollat e larta dhe në institucionet kërkimore–shkencore u shkërmoq si duna të ngritura me rërë dhe mbeti vetëm hierarkia e ndërtuar nga pedagogët dhe shkencëtarët e vërtetë, të cilët përbënin, thelbin e qëndrueshëm të hierarkisë reale. Tashmë janë harruar të tërë emrat e “komisarëve” të hierarkisë ideopolitike, ndërkohë që janë rivlerësuar në dritën e plotë emrat që formojnë pjesën shkencore të hierarkisë reale si Eqerem Çabej, Selman Riza, Aleks Buda, Mentor Përmeti, Mahir Domi, Petrit Radovicka, Shaban Demiraj etj. Vlen të theksohet se edhe gjatë periudhës së regjimit socialist–totalitar u krijua një plejadë studiuesish mjaft të aftë, të kualifikuar, me kontribute të rëndësishme në disa fusha, kryesisht në shkencat gjuhësore, teknike, agrozoteknike etj. Vlerat që ato kanë krijuar përgjithësisht i kanë mbijetuar kohës. 
Sigal