Enver CAKAJ/ A është Safet Hatellari në koritë?

550
Sigal

Sa kishte nisur dimri, kur në familjen Hatellari u lind një djalë. Ishte luftë e bënte ftohtë, ishte varfëri dhe kohë e frikshme. Korita e ngjeshur pas malit të Ramies, ishte më afër dimrit edhe në verë. Atij dimri ata ia kishin gjetur anën dhe e prapsnin me zjarr, por çfarë t’i bënin atij dimrit tjetër që u sillte uri e trazira. Në shtëpinë e Hatellarëve hynin e dilnin shumë njerëz. Ai djalë i vogël me emrin Safet Hatellari, sillej nëpër këmbët e tyre, por edhe çuditej. Ç’ishin e përse vinin aq shumë ata njerëz të armatosur? Nëna e tij, Hajrekua, së cilës ai nuk i ndahej, edhe pse ishte shtatzënë, nuk pushonte një minutë. Djemtë e luftës sypafjetur e të uritur donin shërbim, po edhe ajo ishte sypafjetur, sepse përgjonte në dritaren e shtëpisë kur të vinin ata djem të luftës në fshehuri e të merrnin bukë për vete e për shokët. Por ajo nuk ishte përballë plumbave si ata djem dhe nuk i rëndej shërbimi që u bënte. Ajo kurrë nuk mendoi se një ditë do të mburrej për atë shërbim që i bënte luftës. Ishte apo s’ishte partizane, nuk e kishte llogaritur. Skraparasit kanë traditën e mikpritjes dhe ajo mendonte se nuk bënte ndonjë gjë të veçantë. Sidoqoftë peshën e kishte të rëndë. Safeti u qep pas Mehmetit e Ismetit, se ata e rritën. E ndjente dhe nevojën e babait, por ajo që kishte ndodhur nuk korrigjohej më. Dhe ai djalë i sevdallisur pas atyre armëve që shikonte mbi supet e partizanëve, erdhi gjithmonë duke i simpatizuar. Kishte qejf të kishte dhe ai një pushkë në krah, por ai trup i imët nuk e mbante dot. Safeti po rritej, por vinte shumë i imët e nuk ta mbushte mendjen se mbante mbi shpinë 14-vjeç. U bashkua me shokët dhe propagandonin programin e luftës. Në pranverën e vitit 1944, shtatë djem nga Korita, mes të cilëve dhe Safeti, kërkuan të armatoseshin e të zinin pozicionet e tyre nëpër formacionet partizane. Por lufta kishte shumë pozicione dhe, meqë Safeti ishte i pakët në trup, i caktuan një pozicion tjetër, punën me rininë në zonat e lira. Po të ngrije rininë në luftë, quheshe më shumë se partizan. Nuk kishte uniformë partizani dhe yll në ballë, por së brendshmi kishte një yll e një uniformë që e bënte partizan. Ismeti, që ishte kryeplak i fshatit, e mbante pranë dhe e përdorte për angaritë e të gjithë fshatrave, ku shpinin e merrnin informacionet e luftës. Safeti kishte një çantë të vogël që i kishte lezet kur e hidhte në qafë dhe, tok me informacionet, mbante edhe një copë bukë, se s’dihej kur do të kthehej në shtëpi. Edhe pse i vogël, ai u bë njeri i kërkuar nga pushtuesit, por më shumë nga ballistët, që ishin udhërrëfyesit e spiunët e tyre. Një ditë, Safeti ishte në shtëpi. Në fshat kishin hyrë gjermanët. Në atë fshat aq të vogël çdo lëvizje, sado e vogël të ishte, binte në sy dhe jeta e tij u rrezikua. Poshtë shtëpisë së tij ishin ca shkurre dhe Ismeti i tha të zbriste mes tyre sa t’u largohej pushtuesve. Gjermanët hynë në shtëpinë e tij, ku gjetën disa yje e broshura. E kuptuan se çfarë familje ishte kjo dhe në shtëpinë e Ismetit qëlluan me armë. Ismeti dinte pak italisht dhe u mor vesh me ta. Ata u larguan, po shtëpia nuk mbeti kurrë bosh. Hynin e dilnin partizanët si në shtëpinë e tyre. Safeti dukej si një çunak, por madhështinë e kishte brenda kullës së shpirtit. Kapitulli i luftës u mbyll, por kishte nisur një luftë tjetër pa plumba, që edhe të vriste. Rindërtimi i vendit ishte një luftë më e vështirë. Njerëzit donin strehë e bukë, buka donte mjete të lëvizte shtresat e tokës. Safeti, që u mor tërë  jetën me rininë dhe mbeti i ri,doli vullnetar i pari. Në vitin 1946 ai shkoi në hekurudhën Durrës-Peqin. Si të ishte bir i aksioneve, Safeti i kaloi kufijtë e vendit. Në vitin 1947 ai, si internacionalist, mori pjesë në ndërtimin e hekurudhës Sama-Sarajevës në Bosnje të ish-Jugosllavisë. Ishte vapë e tmerrshme në të tre muajt që qëndroi atje, por pasioni dhe vullneti i tij rinor ia shuante vapën dhe ngricat. Ai ishte komandant i brigadës vullnetare që vinte nga Skrapari midis vendeve të Demokracisë Popullore. Ishin 300 të rinj që jepnin kontributin e tyre në ato  vise përtej kufijve. Pas kthimit që andej, ai nuk ndenji më, por shkoi sërish vullnetar në rrugën Kukës-Peshkopi. Nuk është pak ta quaje atë njeriu i aksioneve. Të mos harrojmë se ishin vite të vështira, kur në shtëpitë skraparasve mungonte buka, që ishte jastëk i fjalës. Dhe ai djalë aq i vogël në trup shkonte e punonte vullnetarisht në aksionet që nuk mbaronin kurrë. Jo vetëm nuk kundërshtoi, por organizonte edhe shokët e tij të rinisë për të mbushur brigadat vullnetare si dikur të rinjtë partizanë që mbushnin formacionet partizane. Rinia e kishte nisur luftën, ajo e sosi me lavdi. Ajo i nisi aksionet e rindërtimit,ajo i sosi dhe i gëzoi.

Nëpër aksione, gjithmonë mes rinisë, Safeti fitoi përvojë, për të cilën Atdheu kishte nevojë, sepse shkollat sa kishin nisur. Ai u vetëshkollua nëpërmjet aksioneve dhe studimeve sistematike. Kjo ra në sy të strukturave drejtuese dhe e caktojnë instruktor rinie në Komitetin e Rinisë Lushnje. Lushnja kishte nevojë për kuadro si Safeti, që dinte ta ngrinte rininë në aksione. Atje ishte buka,që rinia do ta nxirrte nga shtresat e thella të tokës. Do të quhej hambar apo harar i bukës Myzeqeja, ishte në dorën e rinisë. Po rinia e kishte dhënë provën qëkur i priste plumbat në dorë. Safeti nuk e kishte shkollën të plotë, kishte bërë një shkollë të mesme ekonomike në Berat dhe e marrin ushtar në Gardën e republikës në Tiranë. Kartela e tij ishte mbushur vetëm me vlerësime pozitive e garanci politike dhe komanda e vuri në sekretarinë sekrete të repartit. Edhe aty mori vlerësime të tjera pozitive, prandaj e pranuan anëtar partie. Tani ai djalë vullnetmadh kishte peshë tjetër në shoqëri dhe në punë. Pas lirimit nuk iu nda rinisë, por këtë radhë në Komitetin e Rinisë Skrapar. Ai ishte bërë pjesë e rinisë dhe kudo që vinte ngrinte organizatat në aksione e veprimtari kulturore e sportive. Por në Lushnje kishte lënë gjurmë të mira dhe e transferojnë atje me detyrën e sekretarit të dytë të Komitetit Rinisë rrethit. Ekonomia e vendit po ndryshonte dhe kishte nevojë për kuadro të specializuar që të ecte me ritme të shpejta. Safeti qëndroi në linjën e tij dhe pranon të shkojë në ish-Bashkimin Sovjetik në Shkollën e Komsomolit. Atje u pajis me njohuri të tjera drejtimi dhe, me t’u kthyer, emërohet sekretar i parë i Komitetit Rinisë në Lushnje. Strukturat e Partisë diktuan se Safeti mund të përballonte edhe detyra më të larta, prandaj e dërgojnë në shkollën e lartë të Partisë. Këtu ai ndahet nga puna me rininë, por jo nga rinia dhe emërohet sekretar i Komitetit Partisë për propagandën në Skrapar. Ai kishte disa cilësi  që nuk i kishin të tjerët. Problemet e shtëpisë i linte në shtëpi, problemet e punës i linte në punë dhe problemet e shoqërisë i linte në shoqëri. Edhe pse në detyrën e re kishte shumë punë, rregullin për të shoqëruar fëmijët në shëtitje e veprimtari kulturore e sportive nuk e prishi kurrë. Ai kishte marrë diçka nga nënë Hajrekua, që gjatë luftës përballoi atë shërbim të shkëlqyer ndaj djemve të luftës, por kishte dhe mbështetjen e bashkëshortes, Fatmirës, që e ndihmoi në të gjithë veprimtarinë e tij. Kanë ikur shumë vite qëkur Safeti është larguar nga Korita dhe nga jeta, por njerëzit e dashur të tij vazhdojnë të pyesin: “A është Safet Hatellari në Koritë?”Përse pyesin kur e dinë që nuk jeton më? Ai ka lënë atje një pjesë të veprimtarisë së tij, por më shumë ka lënë shtëpinë, që në ballinën e saj është vendosur një dekoratë, ku kalimtarët vazhdojnë ta lexojnë dhe do ta lexojnë: “Kjo shtëpi është bazë e rëndësishme e Luftës nacionalçlirimtare”. Aty është Safeti e aty do të mbetet në jetë të jetëve, sepse kudo që vajti nuk e harroi kurrë fshatin e tij, Koritën.