Prof. Ilirjan Gjipali/ Zbulime të reja Arkeologjike në Shqipëri” (1998-2013)

1105
Sigal

Gjatë kësaj periudhe arkeologjia shqiptare ka sjellë zbulime të kulturës materiale e shpirtërore të qytetërimeve

Zbulimet arkeologjike në Shqipëri, pasqyrojnë kontributet e drejtuesve të projekteve kërkimorë për arritjet e deritanishme të punës në terren. Botimi i albumit “Zbulime të reja Arkeologjike në Shqipëri” ka për qëllim të bëjë të njohura të rejat e përftuara nga gërmimet më të rëndësishme arkeologjike të kryera gjatë 15 viteve të fundit nga Instituti Arkeologjik shumë prej të cilave janë bashkëpunime me universitete të vendeve europiane, me SHBA si dhe me QNASH. Si i tillë ai pasqyron kontributet e drejtuesve të projekteve kërkimorë për arritjet e deritanishme të punës në terren. Çdo sajt apo qendër antike, shoqërohet me një informacion të përgjithshëm, sa e lejon teksti, historinë e kërkimeve, historinë e fillimit të jetës, të ngritjes dhe rënies së tyre. Më pas shtjellohen objekti i punës kërkimore dhe rezultatet e arritura nga çdo projekt mbi bazën e axhendës së përcaktuar nga drejtuesit. Për qendrat qytetare që funksionuan si të tilla jo vetëm në një periudhë kohore, të dhënat nga kërkimet më të fundit janë prezantuar të grupuara sipas fushave që u përkasin. I gjithë informacioni shoqërohet me dokumentacion të përzgjedhur grafik e fotografik për sitet e monumentet dhe bashkë me to janë ofruar disa nga objektet më të rëndësishme të zbuluara nga gërmimet e periudhës përkatëse. Albumi pasqyron në mënyrë të koncentruar punën voluminoze kërkimore të realizuar në terren dhe kabinet.

Informacioni

Informacioni ndjek të njëjtat kritere shkencore në paraqitjen e materialit arkeologjik si në rastet e botimeve të tjera arkeologjike. Tekstet dhe shpjegimet janë dhënë të gjitha në gjuhën angleze për të bërë të mundur shfrytëzimin nga një rreth më i gjerë të interesuarish. Ka një vëllim prej 285 faqesh, me mbi 400 ilustrime. Botime të kësaj natyre për arkeologjinë janë realizuar edhe më parë në Shqipëri dhe jashtë saj në rastet e organizimit të ekspozitave arkeologjike. Por, albumi “Zbulime të reja Arkeologjike në Shqipëri” është i veçantë sepse trajton vetëm materialin e ri arkeologjik te zbuluar nga gërmimet në terren për një periudhë të shkurtër te veprimtarisë së Institutit (15 vjet). Në album bëhet një hyrje në të cilën flitet mbi arritjet në këto 65 vjet të arkeologjisë shqiptare, nga merr shkas edhe ky botim, dhe përvijohet rruga e formimit te saj si disiplinë shkencore, kontributet për shkencat albanologjike, në fushën e historisë së lashtë, kulturës kombëtare duke u përqendruar më shumë në rezultatet kërkimore të pas vitit 2000. Gjatë kësaj periudhe arkeologjia shqiptare ka sjellë zbulime të kulturës materiale e shpirtërore të qytetërimeve të shkuara (vendbanime, qytete, monumente e objekte) nëpërmjet qindra ekspeditave kërkimore në terren ose më saktë 316 të tilla në periudhën 1998-2013. Frute të kësaj veprimtarie janë koleksionet arkeologjike prej dhjetëra mijë objekte të fondit të përhershëm, disa herë më shumë objekte të fondit studimor, të cilat shtohen vit pas viti nga gjithë Shqipëria. Shumë nga qendrat arkeologjike të vizitueshme sot janë bërë të tilla falë gërmimeve sistematike prej dekadash të Institutit të Arkeologjisë jo vetëm në qendrat e mirënjohura të Apolonisë, Butrintit e Durrësit por edhe në Lezhë, Zgërdhesh, Elbasan, Bylis, Vlorë, Amantie, etj..

Tre pjesët

Albumi ndahet në tre pjesë sipas fushave kryesore të arkeologjisë: Prehistori, Antikitet dhe Antikitet i Vonë e Mesjetë. Ato zënë një hapësirë të balancuar në raport me njëra -tjetrën në përputhje me peshën reale që ato kanë në kërkimet arkeologjike në Shqipëri. Në shtjellimin e lëndës sipas fushave, në prehistori dhe Antikitet të Vonë e Mesjetë është ndjekur kriteri kronologjik ndërsa për Antikitetin është përdorur renditja alfabetike për arsye se projektet veprojnë brenda një periudhe të ngushtë kohore dhe kjo na ndihmonte njëkohësisht për plotësimin e kërkesave estetike. Secila pjesë shoqërohet nga një përshkrim mbi veprimtarinë e departamenteve për periudhën në fjalë, drejtimet e kërkimit, rezultatet e arritura, publikimet etj., Në to jepen edhe disa drejtime për vazhdimin e kërkimeve në vitet e ardhshme.

Prehistoria

Në fushën e Prehistorisë, Albumi pasqyron kërkimet në terren dhe shtrirjen e tyre edhe për periudha pak të studiuara më parë, siç ishin ato për epokën e gurit (Paleolitin e Mezolitin), të cilat zbuluan një numër të madh sajtesh me gjetje mjaft interesante që kanë ndryshuar plotësisht hartën arkeologjike për prehistorinë e thellë të Shqipërisë, duke krijuar kushte për fillimin e gërmimeve në disa sajte gjetjesh. Për periudhat e tjera të prehistorisë nga Neoliti në Hekur, zënë vend shumë projekte, ku ka një bashkëpunim të gjerë me shkencat ndihmëse si gjeo-arkeologjinë, arke-zoologjinë, arke-botanikën, palinologjinë, paleontologjinë etj., duke reflektuar kështu edhe karakterin multidisiplinar të kërkimeve arkeologjike.

Antikiteti

 Në fushën e antikitetit Albumi ka përfshirë shumicën e qyteteve antike  si: Scodra, Lissos, Dimal, Bylis, Antigone, Foinike, Hadrianopol etj., krahas kolonive në bregdetin Adriatik, si Durrësi, Apolonia dhe Oriku. Sipas tematikave kërkimore të ndryshme të projekteve sillen në këtë botim kontribute për problemet e urbanistikës, komplekset arkitekturore që lidhen me qendrën e qytetit antik, (teatro, portikë) tempujt, varrezat etj.  Ekspeditat shumëvjeçare kanë zbuluar me dhjetëra monumente të reja dhe një material arkeologjik të shumëllojshëm për ndriçimin më të mirë të historisë së tyre. Këto reflektohen si në tekstet ashtu edhe në ilustrimet e përdorura. Nuk kanë mbetur jashtë përfaqësimit edhe kërkimet nënujore të bregdetit Jon dhe Adriatik, që janë kontribute për “Hartën e Trashëgimisë Kulturore Nënujore të Shqipërisë”.

Antikiteti i Vonë

Në fushën e Antikitetit të Vonë dhe Mesjetës në Album zënë vend jo vetëm qendrat kryesore mesjetare, por edhe monumentet, fortifikimet, objektet e kultit dhe varrezat. Në të reflektohen mirë të rejat për gjurmimin e monumenteve të kultit kristian, duke eksploruar për këtë fushë brenda e jashtë qendrave qytetare e zonave rurale, duke thelluar njohjen për periudhat e ngritjes, funksionimit dhe braktisjes së tyre. Të gjitha kërkimet arkeologjike kanë  edhe kontributin e studentëve të arkeologjisë. Për këtë arsye në album ka një zë të veçantë që i kushtohet shkollës së trajnimit të tyre në Butrint, e cila funksionon prej vitit 2000 ku janë trajnuar si studentë të Universiteteve të Shqipërisë, edhe nga universitete të Europës dhe SHBA-ve.

Prezantimi

Albumi prezanton 39 projekte kërkimorë me një gjeografi shtrirjeje në të gjithë Shqipërinë, 11 në fushën e prehistorisë, 17 në fushën e antikitetit dhe 11 në antikitetin e vonë dhe mesjetë, pa përfshirë në to projektet me natyrë studimore.

 Për realizimin e këtij botimi falënderojmë të gjithë kontribuuesit, së pari drejtuesit dhe bashkëdrejtuesit e projekteve kërkimorë. Një falënderim të veçantë dëshiroj të bëj për kolegët, pedagogë të Fakultetit të Arkitekturës të Universitetit të Tiranës, Gjergj Islami (zv. Dekan) dhe Ana Pekmezi, të cilët realizuan kompozimin dhe paraqitjen e materialit në album me nivel të admirueshëm estetik. Gjithashtu, përkthyesen, arkeologen Nevila Molla, e cila e solli atë në anglisht. Organizimi dhe realizimi i përgatitjes së këtij botimi, i cili kërkoi angazhimin disa mujor për grumbullimin e materialit, redaktimin e teksteve, përzgjedhjen e ilustrimeve dhe konceptimin tërësor dhe sipas pjesëve përbërëse, u realizuan dhe janë përgjegjësi e Ilir Gjipalit, Luan Përzhitës dhe Belisa Mukës.