Kozma GJINI/ Kongresi i Lushnjës dhe themelet e shtetit

907
Sigal

Kongresi i Lushnjës (21-31 janar 1920) është ngjarja më e rëndësishme e kombit, pas asaj të Shpalljes së Pavarësisë (28 nëntor 1912). Jo më kot historiografia do të nxirrte konkluzionin: “…Është pak të thuhet se Kongresi i Lushnjës rikonfirmoi Pavarësinë e Shqipërisë. Kongresi i Lushnjës edhe e rishpalli Pavarësinë e Shqipërisë”. Madhështia qëndron në faktin se ky kongres hodhi themelet e shtetit demokratik shqiptar. Burrat e mençur të këtij vendi, të ndjeshëm ndaj kërcënimit e copëtimit të trojeve tona nga fuqitë e mëdha, guxuan të merrnin përgjegjësinë për organizimin e rezistencës popullore, për t’i thënë ndal synimeve ekspansioniste për kolonizimin e vendit. Qeveria e Durrësit u tregua e paaftë për mbrojtjen e çështjes shqiptare. Thirrja e një kuvendi ishte domosdoshmëri. Përfaqësues nga të gjitha trevat e Shqipërisë, intelektualë të shquar, të dalluar në ngjarjet historike gjatë kryengritjeve dhe në Shpalljen e Pavarësisë, vendosën që Kongresi të mbahej në Lushnje sepse: Lushnja ishte në kërthizë e urë lidhëse mes Gegërisë e Toskërisë.

Lushnja kishte patriotë të spikatur që i dolën garant mbrojtjes së interesave të kombit. Të tillë ishin, Sheh Ibrahim Karbunara; Llazar Bozo, pjesëmarrës në kryengritjen e 1909-12 kundër forcave turke, ai që kishte shoqëruar e siguruar jetën e Ismail Qemalit në rrugëtimin për në Vlorë; Nebi Sefa, (nënshkrues i pavarësisë), i cili kishte ndërmjetësuar e negociuar me trimëri që Ismail Qemali të ndryshonte rrugëkalimin për në Vlorë. Nebi Sefa ishte njeri besnik dhe i lidhur në farefisni me Qemal Karaosmanin (nënshkrues i Pavarësisë, këshilltar i kryeministrit Ismail Qemali); se Vokopolët (të cilët e kthyen në fjetore shtëpinë për delegatët) dhe Ferit Vokopola (firmëtar i Kuvendit të Vlorës), ishin të njohur e të dëgjuar për ekonominë dhe bëmat e tyre në shkallë vendi. “Në dhjetor të vitit 1919 në Teqenë e Ibrahim Karbunarës u zhvilluan disa mbledhje paraprake në sheshim të situatës, ku u theksua nevoja e zhvillimit të një kuvendi kombëtar. “Rol të rëndësishëm për mbajtjen e kuvendit ka patur edhe Eshref Frashëri, i cili atë kohë punonte në Lushnje”, ka lënë në kujtimet e tij anëtari i komisionit organizativ të kongresit, Bajram Haxhiu. Konkluzioni i bisedës së Abdi Ypit (në shtëpinë e tij në Durrës) me Eshref Frashërin, për ta zhvilluar kuvendin në Lushnje, gjeti mbështetje te Ibrahim Karbunara. Lajmi i dërguar në mbarë vendin se më 21 janar 1920 do të niste punimet Kuvendi i Madh, u kundërshtua nga Qeveria e Durrësit. Të infiltruar prej qeverisë së Durrësit organizuan edhe vrasjen pas krahëve të nismëtarit të Kongresit Abdyl Ypi, më 15 janar 1020. Anëtarët e komisionit nismëtar të Kongresit: B. Nuri, F. Vokopola, I. Karbunara, T. Sinani, E. Vokopola, Ll.Bozo, M. Vokopola, Q.Mullaj, Z.Mullaj, J. Bozo, E. Frashëri, N. Sefa, J. Sefa, B. Haxhiu, A. Papa, Q. Arapi, T. Libohova, K.Jenisheri, F. Papajani, R. Hoxha, M. Luarasi, H. Xheka, A. Hazizi, A. Kurti, S. Pojani, R. Shazivari, H. Islami, A. Nepravishta…, ishin burra të gojës e të pushkës, me autoritet e që ju duhej të merrnin përsipër ndarjen e përgjegjësive për kalimin pa problem të delegatëve përmes katundarive të nënprefekturës. Edhe pse nuk kishin ardhur të gjithë delegatët e disa prefekturave, Kongresi i filloi punimet në datën 21 janar ora 10:00. Situata e brendshme, ringritja dhe organizimi i shtetit mbi baza ligjore, masat për mbrojtjen nga synimet shovene dhe administrimi i vendit ishin preokupacioni i mbledhjes. Në dokumentin origjinal “Rilindja e Shtetit Shqiptar”, datë 26 shkurt 1920 thuhej: “Delegatët e arritur u mblodhën në sallën e mbledhjes në shtëpinë e zotit Kaso Fuga, ku mbasi u bë një lutje për të ndershmit nga Sheh Ibrahim Karbunara, zoti Ferid Vokopola, në emër të komisionit të Lushnjës mbajti një ligjëratë për mirëseardhjen e delegatëve”. Në seancën e parë u mbajtën fjalime të zjarrta, por për shkak se një pjesë e delegatëve lajmërohej se ishin në rrugëtim e sipër, punimet u ndërprenë për t’u rihapur pas një jave. Më 28 janar ora 14:00 rifilluan punimet dhe vijuan normalisht deri më 31 janar. Kongresi zgjodhi Kryesinë të përbërë nga Aqif Pashë Elbasani (kryetar) dhe Imzot Luigj Bumçi, Abdi Toptani e dr. Mihal Turtulli. Kongresi mori vendime të rëndësishme për fatet e kombit. Vizioni perëndimor i qeverisjes demokratike bëri që Kongresi të votonte dokumentin më të rëndësishëm: “Bazat e Kanunores”. Kanunorja, (Statuti), përbënin aktin e parë kushtetues, bazën ligjore të themeleve të shtetit; zgjodhi Qeverinë me Sulejman Delvinën në krye, Këshillin  e Lartë të përbërë nga 4 vetë që do të luante rolin e kryetarit të shtetit; Këshillin Kombëtar të përbërë nga 37 vetë e që do të luante rolin e parlamentit. Kongresit të Lushnjës i atribuohet edhe caktimi i Tiranës si kryeqytet i Shqipërisë. Kongresi i Lushnjës u shpreh për pavarësinë e plotë të Shqipërisë dhe hodhi poshtë planet e Konferencës së Parisit.

Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjes

Sulejman bej Delvina k/ministër; Hoxha Kadriu, ministër i Drejtësisë; Ahmet bej Zogu, ministër i Brendshëm; Sotir Peci, ministër i Arsimit; Ndoc Çoba, ministër i Financave; Mehmet Konica, ministër i Jashtëm; Ali Riza Kolonja, ministër i Luftës. Në përfundim të punimeve, Ahmet Zogu u dërgoi një qarkore gjithë prefekturave të vendit për njohjen dhe punimet e Kongresit e vendimet përkatëse. Kongresi i Lushnjës u dha shpresë e besim shqiptarëve. Shqipëria e Jugut u ngrit me armë kundër Italisë. Tërheqja e Italisë që nga Vlora ishte rezultat i bërjes së shtetit, i cili po i tregonte botës se ishte formuar dhe po funksiononte. Produkt i këtij bashkimi (Kongresi), ishte mrekullia shqiptare e vitit 1920, e shprehur me rifitimin e pavarësisë, ruajtjen e tërësisë territoriale, rimëkëmbjen dhe ndërtimin e shtetit demokratik e më pas do të çonte në pranimin në Lidhjen e Kombeve (dhjetor 1920). Fuqitë e Mëdha hoqën dorë nga synimet për copëtimin e Shqipërisë. Në këtë kohë, pas një muaji, Shqipërisë iu gjend një mik siç ishte Amerika. Besim Nuri, Kryebashkiaku i Lushnjës, i dërgoi një letër presidentit të SHBA-së, Vvillson, ku bënte të qartë rrezikimin e Shqipërisë prej fuqive shoviniste dhe shpresën e ndihmës nga Amerika. Letra mban datën 17 mars 1920. Ja letra pa ndërhyrje: Shkëlqesisë së Tij Vvillson, kryetar t’Amerikës i Shteteve të bashkuem Vvashington. Shqiptarët që kanë mbështetun tanë shpresat e gjallnisë mbi shtyllën apostole të parimevet fisnike të Sh.S’Uaj,sot iu luten të të pranoni falenderjet e paraqituna përkundrejt  zanit të nalt e mëshirmadh që jeni tye kryer për shpëtimin e atdheut tyne. I nalti kryetar, shpëtoni nji popull që asht m’i Vjetri në Ballkan e që ka drejtu vështrimet e shpëtimit t’Ekselenca Juaj dhe mo i lini me dedhë gjakun  e me vdek përpara  lakmimevet  imperialiste  të fqinjëvet  veç sigurimin e kufijvet 1913-s, ju lutem me fuqinë e shpirtit  mos pëlqeni as pak krasitje të pa arsyeshme si mbi Kosovë e Çamëri, mbi kufitë natyrale ethnografike të sh.S’uej nuk munde me kjen të ndara nga Mëma e tyre Shqipni. Ju lutemi në emër të popullit pranoni nderimet tona krejt besnike. Kryetari i Katundarisë së Lushnjës. Lushnjë, më 17.3.1920”

Për festimin e 94 -vjetorit të Kongresit

Nënkryetari i Bashkisë z. Gentian Nushi informon se, me rastin e ditës së 94-vjetorit të Kongresit do të organizohen disa veprimtari përkujtimore e kulturore-artistike. Do të ketë vizita në shtëpinë muze “Kongresi i Lushnjës”, si dhe një  koncert recital nga  artistët vendas dhe QKF. Risi për këtë vit, shprehet ai, do të jetë përurimi i një memoriali në hollin e kinoteatrit me portretet e personaliteteve të  Lushnjës që kanë kontribute të spikatura në “Kongresin e Lushnjës” dhe për zhvillimin e artit e të kulturës në Myzeqe. Qytetarët dhe miqtë (ku nuk do të mungojnë edhe të ftuarit nga qendra e pinjollët e Kongresit) paraditen e datës 21 janar do të ndjekin montazhin muziko-letrar dhe fjalimet e rastit me tematikë mbi rëndësinë historike të Kongresit Kombëtar të Lushnjës, i cili hodhi themelet e shtetit demokratik shqiptar.