KED pret përgjigje nga 60 institucione për kandidatët e Gjykatës Kushtetuese

152

Kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani lajmëroi se prej majit, Kuvendit dhe Presidentit mund t’i dërgohen listat e para me kandidatë të renditur për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese, ndërkohë që priten përgjigje nga 60 institucione

Kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani paralajmëroi se prej majit Kuvendit dhe Presidentit do t’i dërgohen nga KED listat e para me kandidatë të renditur për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese.

Dvorani e bëri deklaratën gjatë një takimi të organizuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit të enjten, ku u prezantua një draft-raport mbi monitorimin e institucioneve të reja të drejtësisë dhe funksionimin e tyre.

Kreu i KED pranoi se kishte pasur vonesa dhe se kjo kishte krijuar probleme për Gjykatën Kushtetuese, situatë që ai e cilësoi “krejtësisht të pazakontë”, por tha se KED po bënte të pamundurën për të rikuperuar kohën e humbur.

Mungesa e transparencës dhe vonesat në ngritjen e organeve të reja të drejtësisë ishin objekt i diskutimeve edhe nga të ftuar të tjerë në tryezën të organizuar nga KShH, për prezantimin e draft-raportit të monitorimit të reformës në drejtësi.

Pjesë e panelit ishin po ashtu edhe Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku,  drejtuesja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami, Avokatja e Popullit Erinda Ballanca, dekani i Fakultetit të Drejtësisë Artan Hoxha, Milaim Demnushaj, nga Koalicioni “Drejtësi për të gjithë” dhe Erida Skëndaj, Drejtore Ekzekutive e KShH, e cila bëri edhe prezantimin e raportit.

Raporti i prezantuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit vinte në dukje një mori problemesh në ngritjen dhe funksionimin e organeve të reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë, përfshi ndër të tjera edhe mungesën e buxheteve dhe ambjenteve për të ushtruar funksionin. Skëndaj tha se raporti ishte paraprak dhe se një version i plotë do të publikohej pas konsultimit me institucionet që ishin monitoruar.

Dvorani dhe Llagami, si drejtues të këtyre institucioneve, pranuan pjesërisht problemet e vëna re, por po ashtu fajësuan mungesën e kapaciteteve njerëzore, mungesën e akteve të rregullimit të brendshëm dhe një sërë mangësish të tjera që sillnin vonesë dhe mungesë transparence.

Megjithatë, kreu i KED i pyetur për vlerësimin që do u bëhej kandidatëve jo-magjistratë të cilët nuk i nënshtrohen procesit të vettingut, premtoi transparencë në vendimmarrje. Dvorani tha se për çdo rast do të publikohen vendimet e arsyetuara.

Dvorani nga ana tjetër kërkoi ndihmë prej institucioneve të tjera përfshi institucionet private dhe nga media, ndërsa tha se tashmë ishin dërguar “2000 kërkesa për informacion” për kandidatët dhe se një pjesë e përgjigjeve ishin marrë tashmë, por shpjegoi se procesi i verifikimit varej edhe prej këtyre përgjigjeve dhe kohës në të cilën ato vinin.

Ai po ashtu vuri në dukje se puna e KED pengohej nga cungimi i Gjykatës së Lartë dhe mungesës së stafit ndihmës të saj.