Engjëll Musai: Personazhet që shkatërruan drejtësinë shqiptare, të korruptuar dhe pa integritet moral

225
Sigal

Engjëll Musai,
Drejtor i gazetës ‘Telegraf’

 

“Shqipëria do të bëhet vetëm atëhere kur shqiptarët të mos e vjedhin njëri-tjetrin! Kur Drejtesia të bëjë drejtësi etj, etj. Uaaa!…do të më thoni ju, po këto dihen! Vërtet dihen, por nuk zbatohen. Nga e thëna në e bëra, ndan një mal i tërë – thotë populli. E vërteta është gjithmonë e thjeshtë, e kuptueshme por, fatkeqësisht, pak e zbatueshme. Para se të merremi me “armiqtë e jashtëm”, le ta fillojmë nga vetja jonë, nga “armiqtë e brendshëm”! Verifikojini të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët, që kanë kaluar Vettingun, për udhëtimet jashtë vendit, ku kanë shkuar dhe me kë kanë udhëtuar. Po vetë anëtarët e Vettingut (KPK dhe KPA), përse nuk kaluan në Vetting, por u zgjodhën nga vota e politikanëve më të korruptuar, që ka pasur parlamenti shqiptar 2013-2017, ku gjysma e tyre sot janë në dyert e drejtësisë…?!

01

Milionat e SHBA dhe BE, për Reformën në Drejtësi dhe rritja e korrupsionit dhe krimit

Shije e hidhur është ta dëgjosh nga ata që deri tani i kishin dhënë besimin publikut në gjykim. Por ja që zhgënjyen dhe këta të KPA. Një pjesë e gjyqtarëve, që kanë kaluar, janë ikonat e korrupsionit në Shqipëri, por i kanë bërë shërbime politikës majtas dhe djathtas dhe oligarkëve të këtij vendi. Nga Antikiteti grek na vjen një mesazh udhërrëfyes; në Tempullin e Delfit ka një mbishkrim:  “Njeri, njih vetveten!”. Po kush ta njoh ? Ata që janë emëruar me dokumenta të falsifikuara dhe jashtë kritereve në organet e Vettingut , me bekimin e vetë politikës…? Ata u emëruan pikërisht në shkelje të ligjit më qëllimin final që të ishin të shantazhueshëm dhe përdorshëm, si nga politika, ashtu edhe nga ngrohtësia e ndonjë prej anëtarëve të ONM-së, të cilët figurojnë në kaseta me qasje të mungesës së integritetit moral. A nuk është e rëndë për Reformën në Drejtësi dhe Vettingun, që një mësuese e Marksizëm -Leninizmit, me përvojë të mëvonshme si edukatore kopshti, emërohet të bëjë Vettingun e gjyqtarëve në Komisionin e Apelimit?! Të mos harrojmë që Mimoza Pano (Tasi ) është me mesatare 5.9 dhe jo 8.5 sa e kërkon ligji dhe me juridik natën apo me korespondencë, kur ishte edukatore kopshti! Kjo është reforma? Apo një ish Prokurore e Përgjithshe si Ina Rama, që gjatë kohës, që ishte në drejtim, raportet e DASH, DEA, BE, Antimafjes italiane, Shqipëria ishte në listën e zezë dhe detyroi ndërkombëtarët të ndërhynin për një reformë në drejtësi. Por ndërkombëtarët e instaluar në Tiranë, në bashkpunim me qeverinë e Rilindjes, për interesat e ekipit Sorosian, “ i varën mëlçitë ujkut në qafë”, duke na emëruar në krye të reformës në drejtësi pikërisht ish-prokuroren Ina Rama. Kjo është një marrëzi. Por më e keqja ka të bëjë me faktin që institucioni i ONM në Shqipëri, i vetmi dhe unikal, edhe pse ka rol thjesht këshillues, del në deklarata, kundër gjykatës së Strasburgut dhe vendimeve të saj! Keqardhje nga vijmë, fatkeqësi ku po shkojmë! O zotërinj të ONM ? A keni pak cip në faqe, apo u janë nxirë të dyja faqet dhe nuk ju bën më përshtypje. Shqiptarët në lidhje me qëndrimet e qeverisë dhe ndërkombëtarëve për kapjen e drejtësisë kanë një shprehje të urtë ku thonë se “ kur bëhet shkopi me mendere nga të dyja anët, nuk ke ku e kap”!. Ndaj edhe ndërkombëtarët e BE dhe SHBA-ve, edhe pse e dinë që Reforma në Drejtësi ka dështuar, duan të justifikojnë këtë dështim institucional, por edhe të mbi 200 milion euro të shpenzuara nga taksapaguesit amerikan dhe europian. Për këtë mjafton të lexohen vendimet e Gjykatës së Strasburgut dhe reagimi i qytetarëve shqiptar dhe avokatëve.

227 mln euro për Reformën në Drejtësi ‘i merr lumi’, korrupsioni në shkallë alarmante.

9 milion dollarë në prill 2017 nga projekti i USAID-it “Drejtësi për të Gjithë”.

42 milionë euro nga Marrëveshja IPA , 2018

42 milionë euro u investuan  në vitin 2019

57 milionë euro të tjera për  “Reforma në Drejtësi” u dhanë deri në 2025

63 milionë euro fonde, parashikohet të përfitojë Shqipëria nga programi IPA III, për periudhën 2021-2024

Për vitet 2023-2024, rreth 4 mln euro do të jetë fondi i mbështetjes financiare për programin antikorrupsion; 10 mln euro për luftën kundër krimit të organizuar dhe përmirësimit të qytetarëve;

 

02

Aspirata e shqiptarëve në Reformën në Drejtësi

Ndaj që prej fillimit të saj Gazeta ‘Telegraf’ e ka konsideruar dhe i ka kushtuar vëmëndje të veçantë Reformës në Drejtësi, nga e cila do të varej më konkretisht edhe Procesi i Rivlerësimit të atyre që do të realizojnë Drejtësinë në Shqipëri. Pra bëhet fjalë për anëtarët e KPK, KPA, dhe institucioneve të tjera si KLGJ, KLP, ILD, Gjykata Kushtetuese, e Lartë dhe në fund jo për nga rëndësia, por nga radha edhe vetë gjyqtarët dhe prokurorët e dalë nga Vettingu. Dhe jo rastësisht Drejtësia, ishte dhe mbetet  një nga pikat kyçe të integrimit të Shqipërisë në familjen e madhe evropiane. Janë pikërisht 5 kriteret bazë që BE i vendosi vendit tonë dhe pa u plotësuar këto kushte, në mënyrë të padiskutueshme nuk mund të funksionojë sistemi i pastër i drejtësisë. Kushti numër 1 i integrimit është Reforma në Drejtësi, Ref. Administrative, lufta kundër krimit, korrupsionit, të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut, liria e medias, së përndjekurve, minoriteteve etj. Pikërisht këto kushte mund të realizohen kur kemi një drejtësi të pastër dhe të paanshme duke krijuar besimin tek intelektualët, qytetarët dhe opinioni euro-atlantik se:- E vërteta, liria dhe virtyti po zënë vend në administratën dhe jetën publike të një vendi, që aspiron BE-në. Pikërisht Reforma në Drejtësi duhet të ishte si lajtmotivi i Reformave të tjera në jetën ekonomike, sociale, shkencore, administrative etj, që do të sillte edhe zhvillimin dhe emancipimin e shoqërisë.

Po si po ecën Reforma në Drejtësi?

Kjo reformë që duhet të ishte e pavarur, u kap që në fillim nga politika, e cila futi në këto institucione si “Kalë Troje” disa figura pa personalitet e pa identitet, duke zhvlerësuar gjithë investimin që BE dhe SHBA kanë bërë nga taksapaguesit e tyre për të sjellë drejtësinë e munguar në Shqipëri. Gazeta “Telegraf” ka hetuar duke treguar me fakte se edhe brenda radhëve të ONM (Komisioni Ndërkombëtar i Monitorimit) janë futur “kontrabandë” elemente tejet të dyshimta në rolin e ekspertëve, por edhe ndihmësve të tyre, me lidhje të forta me zyrtarë të përfolur për korrupsion dhe mbështetës të krimit, apo të lidhur me  kompanitë e studiot  avokatore, pjesë e grupit klientelist ku kanë qenë të punësuar e të importuar prej tyre nga këto zyra direkt në institucionet e Vettingut. Pikërisht këta ekspertë të përfolur për integritetin e tyre moral në zyrat e institucioneve, madje edhe me foto, janë të lidhur edhe me disa anëtarë të trupës gjykuese të Vettingut, duke “minuar” këtë proces aq shumë të dëshiruar nga qytetarët dhe opinioni evropian dhe amerikan.

 

03
ONM ngre shqetësime ndaj draftit të KLP për rikthimin në detyrë të Besnik Canit

Bordi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM që po monitoron procesin e Vettingut të magjistratëve në Shqipëri, reagoi të shtunën më 1 prill 2023 me një opinion ndaj projekt-aktit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP për rikthimin në detyrë të prokurorit Besnik Cani, duke ngritur shqetësime se veprime të tilla bien drejtëpërdrejt ndesh me vendimet përfundimtare të Vettingut dhe do të përcillnin pasiguri ligjore. “Bordi i ONM-së ka mësuar me shqetësim nga burime publike se Këshilli i Lartë i Prokurorisë po merr në konsideratë një projekt-vendim, i cili do të kishte si efekt rikthimin e z. Besnik Cani në radhët e prokurorisë”,- vëren ONM dhe shpreh opinionin “se një vendim i tillë do të përcillte pasiguri ligjore dhe do të binte në kundërshtim me vendimin përfundimtar të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit”. ONM thekson se ky vendim i Kolegjit është ende në fuqi. Në vijim, ONM sjell në vëmendje vendimin e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, GJEND, në çështjen “Besnik Cani kundër Shqipërisë”, ku konstatohet se forma më e përshtatshme e trajtimit në lidhje me shkeljen e të drejtës së Canit do të ishte rihapja e procedimeve gjyqësore, në rast se ai vetë do të kërkonte këtë rihapje. ONM vëren se GJEND-ja e refuzoi shprehimisht kërkesën e Canit për rikthimin e tij të menjëhershëm në pozicionin e mëparshëm, duke marrë parasysh edhe natyrën e shkeljes që u gjet në lidhje me procedurën e Vettingut të kryer ndaj tij. “Në këtë drejtim, ONM-ja thekson se të gjitha vendimet përfundimtare të Vettingut mbeten në fuqi derisa çështja të rihapet dhe të shqyrtohet nga gjykata kompetente me kërkesë të palës së interesuar,”- citohet në deklaratë. ONM kërkon që të gjitha institucionet shtetërore dhe autoritetet gjyqësore të respektojnë pavarësinë dhe juridiksionin ekskluziv të organeve të Vettingut të magjistratëve, që garantohen nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë si dhe u kërkon atyre që të mos ndërmarrin veprime, që bien drejtpërdrejt ndesh me këto vendime. Kryetari i KLP-së, Alfred Balla ishte i paarritshëm deri në publikimin e këtij shkrimi për t’u pyetur për koment lidhur me këtë opinion të ONM-së. Ish-prokurori Besnik Cani u shkarkua nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit më 27 shkurt 2020, ndërsa ishte anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. KPA rrëzoi vendimin e shkallës së parë të Vettingut me argumentin se Cani kishte cënuar besimin e publikut te drejtësia, si dhe kishte bërë deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë. Pas kallëzimeve dhe ankimeve ndaj dy anëtarëve të trupës, Luan Daci dhe Ardian Hajdari, Cani e ankimoi vendimin në Gjykatën e Strasburgut. Më 4 tetor 2022, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut gjeti shkelje të nenit 6.1 të Konventës për të Drejtat e Njeriut sa i përket “të drejtës së një gjykate të krijuar me ligj” në Vettingun e ish-prokurorit Besnik Cani kundër Shqipërisë. Sipas Strasburgut, zgjedhja e Luan Dacit nga Kuvendi i Shqipërisë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit ishte bërë pa kryer verifikimet e duhura prej autoriteteve dhe se Daci nuk duhej të kualifikohej për të qenë anëtar i KPA. Por Gjykata e Strasburgut i rrëzoi kërkesat e tjera të Canit, përfshi atë për t’u rikthyer në detyrë dhe kërkimin për një dëmshpërblim financiar. Vendimi i Strasburgut sugjeron si zgjidhje rihapjen e dosjes së rivlerësimit dhe gjykimin nga një trupë e krijuar sipas ligjit.

04

Një Prokuror i shkarkuar nga Vettingu përmes një procesi të parregull ligjor, sipas Strasburgut

Bledi J. Dervishaj – Konstitucionalist

 

Një vendim i formës së prerë i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për shkarkimin nga detyra është ende në fuqi; Një organ iniciator si KLP-ja, që kërkon të rivendosë në vend padrejtësinë, por pa komptenca të drejtpërdrejta për ta realizuar atë; Mungesë të dispozitave ligjore e kushtetuese për të rihapur procesin Vetting dhe rishikimin e vendimit të shkarkimit; Dispozita jo të qarta ligjore për riparimin e të metave të konstatuara; KPA kam përshtypjen se shpreson që këtë ta zgjidhë Gjykata Kushtetuese; Kjo e fundit e di fort mirë se është në pamundësi. ONM ka variantin e saj, vetëm sugjeron, por deri aty e ka fuqinë; E gjithë kjo situatë absurde, si në Kushtetutë dhe në Ligjin e Vettingut mungon vetëm një fjali. Kjo çështje ka 6 muaj që zien dhe Kuvendi, hiç, asnjë lëvizje. Për zgjatjen e mandatit të organeve, që shkarkojnë me Vetting, u mblodhën dhe votuan ndryshimet kushtetuese, duke mos lejuar që kjo kompetencë t’i kalonte KLP dhe KLGJ-së, ndërsa për të realizuar rishikimin e një procesi të padrejtë Vettingu, ende Jo. Kaq është, e gjitha!

Pezullimi i prokurorëve Gashi e Gina. ‘Strasburgu’ godet sërish Vettingun

Gjykata e Strasburgut ka gjetur sërish shkelje në procedurat ligjore, që po ndiqen me gjyqtarët dhe prokurorët në kuadër të procesit të rivlerësimit. Këtë të martë, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka konstatuar shkelje të nenit 8 të Konventës, që lidhet me “jetën familjare dhe imazhin” në procedurat e ndjekura për pezullimin nga detyra të ish-prokurores së Prokurorisë së Përgjithshme, Rovena Gashi dhe bashkëshortit të saj, prokurorit të Tiranës, Dritan Gina. Në konkluzion, Strasburgu vendosi të pranojë ankimin e aplikantëve dhe të gjejë shkelje të nenit 8 të Konventës, duke vendosur shpërblimin e paditësve për shkelje të nenit 8 të Konventës, ndërkohë që nuk mori në shqyrtim problematika të tjera, që lidhen drejtpërdrejtë me procesin e Vettingut, pasi ato janë në shqyrtim në një aplikim tjetër në Strasburg nga bashkëshortët Rovena Gashi dhe Dritan Gina. Një mori të dhënash konfidenciale, të siguruara gjatë hetimit administrative të zhvilluar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) u publikuan në një portal periferik, në administrim të një ish-deputeti të maxhorancës socialiste. Këto të dhëna u shfrytëzuan nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme në atë kohë, Arta Marku, për të urdhëruar nisjen e procedimit penal ndaj bashkëshortëve prokurorë, Gashi dhe Gina. Në bazë të këtij vendimi, Arta Marku, e cila kishte një konflikt të hapur me Gashin, e cila mbante pozicionin e drejtueses së Sektorit të Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme urdhëroi pezullimin nga detyra të tyre, nën justifikimin e shkeljes së rëndë disiplinore. Prokurorët u pezulluan nga detyra në fillim të vitit 2018, me një urdhër të paligjshëm të ish-Prokurores së Përgjithshme, Arta Marku.

Prokurorët e ankimuan vendimin në Gjykatën Administrative të Apelit. Gjithashtu prokurorët Gashi dhe Gina iu drejtuan Gjykatës së Strasburgut. Por, pavarësisht këtij vendimi të Gjykatës, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku, nuk firmosi rikthimin në detyrë të Ginës. Vendimi për rikthimin në detyrë të tij u nënshkrua vetëm kur në krye të Prokurorisë së Përgjithshme u emërua Olsian Çela. Dy bashkëshortët prokurorë kërkuan nga Gjykata e Strasburgut të konstatohej shkelja e nenit 8 të Konventës, “jeta familjare”, nëpërmjet ndërprerjes së menjëhershme dhe të pajustifikuar të marrëdhënieve të punës, si edhe dëm moral e prishje të imazhit të subjekteve. Këto argumenta u gjetën të drejta nga Gjykata e Strasburgut, e cila vendosi ditën e sotme (4 prill 2023), pranimin e ankimit dhe konstatimin e shkeljes së nenit 8 të Konventës (“Jeta familjare”). Ndërkohë, dy prokurorët, Gashi dhe Gina, kanë dorëzuar një tjetër aplikim në Gjykatën e Strasburgut, ku kanë renditur një seri shkeljesh të rënda proceduriale të kryera nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit, gjatë procesit të rivlerësimit të tyre. Ky aplikim vijon të jetë në shqyrtim në Gjykatën e Strasburgut.