Ish-ushtaraku i Lartë, Gani Elezi: Turp, ndalimi i kremtimit të përvjetorëve të njësive të ushtrisë Nacional-Çlirimtare

317

Dosier/ Flet Gani Elezi, ish-ushtarak i lartë:    Cilido që paguante një sasi lekësh mund të mos shkonte në ushtri

– Shkatërrimi i ushtrisë, në mënyrë  të pa deklaruar, ka qenë synimi i forcave politike që erdhën në pushtet pas vitit 1992

-U abuzua me moton “mbrojtja e vendit ishte përgjegjësi dhe detyrim moral për çdo qytetar

-Këshilltari i lartë ushtarak amerikan pranë Ministrisë së Mbrojtjes, në vitet 1995-1997, Charles Lane thotë se : Qeveria kishte vendosur për t`a shkatërruar gjithçka të mëparshme, pavarësisht në se ishte e vlefshme apo jo

-Turp, ndalimi dhe kremtimi i përvjetorëve të krijimit të njësive të ushtrisë Nacional Çlirimtare

– U bënë të zakonshme rastet kur ushtari  regjistrohej në repart, por atje paraqitej vetëm në fund të afatit të shërbimit

Albert Z. ZHOLI

 

 

            Por fatkeqësisht nuk ndodhi kështu?

Ushtria jonë jo vetëm nuk u forcua dhe nuk u modernizua siç deklarohej, përkundrazi, gjatë viteve të “postdiktaturës”,  erdhi vazhdimisht duke u dobësuar, në të gjithë komponentët e saj, deri sa ndodhi ajo që neve kurrë nuk na kishte shkuar në mendje, shkatërrimi i plotë i saj.

Ky proces shkatërrimi nuk është  rezultat vetëm i ngjarjeve të pranverës së vitit 1997. Këto ngjarje qenë akti i fundit i tragjedisë. Shkatërrimi ushtrisë sonë lidhet me një sërë veprimesh të ndërmarra,edhe me qëllim, përgjatë viteve 90-të. Shkatërrimi i ushtrisë, në mënyrë  të pa deklaruar, ka qenë synimi i forcave politike që erdhën në pushtet pas vitit 1992. Këtë të vërtetë të hidhur e venë në dukje edhe përfaqësues të ushtrive të huaja, të atashuar pranë qeverisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes shqiptare. Ndër ta, këshilltari i lartë ushtarak amerikan pranë Ministrisë së Mbrojtjes, në vitet 1995-1997, Charles Lane thotë se ’’Ushtria Shqiptare është e prirur dhe e hapur ndaj ndryshimeve. Por problem kryesor ishte se qeveria kishte vendosur për t`a shkatërruar gjithçka të mëparshme, pavarësisht në se ishte e vlefshme apo jo’’.(Eqrem Osmani,’’Zbuluesi, syri i pagjumë i mëmëdheut’’, fq.186).

Mendon se kishte sulm politik mbi ushtrinë?

           

Ky ka qenë momenti i parë nga i cili ka marrë rrugë shkatërrimi i ushtrisë sonë. Në fillim të viteve 90-të, forcat e reja politike që erdhën në pushtet,duke vlerësuar gabim situatat politiko-ushtarake në rajon e në nivel global, ndryshuan plotësisht konceptin strategjik dhe politikën e mbrojtjes së shtetit shqiptar. Në vija të përgjithshme u promovua  koncepti se tashmë rreziku i luftës në rajon e veçanërisht kundër vendit tonë nuk ekzistonte më. Dhe në se do të paraqitej ndonjë rrezik ne do t`a përballonim atë në kuadër të veprimit të strukturave ushtarake ndërkombëtare, veçanërisht në kuadër të NATO-s. Ndryshimi i konceptit për mbrojtjen u pasua me   veprime që në fakt shumë shpejt çuan në dobësimin e kapaciteteve morale dhe ushtarake, deri në shkatërrimin e plotë të ushtrisë.

Që në fillim,në kuadrin e luftës kundër përvojës së viteve të socializmit, ushtria  u konsiderua  si një instrument dhune në dorë të PPSH dhe të udhëheqjes saj. Duke e konsideruar të tillë ushtrinë, ajo filloi të  shihej dhe të goditej si një e keqe e madhe, dhe më shumë si një barrë e panevojshme për popullin shqiptar. Nisur nga disa detyra që  mori përsipër,sidomos aksionet në ruajtje të rendit,të qetësisë publike dhe objekteve të rëndësishme politike,sociale, ekonomike dhe ushtarake, ushtria u akuzua si forcë e errët në dorë të udhëheqjes së PPSH. U stisën edhe veprime, si demonstrimet e shkollave ushtarake në mbrojtje të veprës e të  monumenteve të Enver Hoxhës, vetëm e vetëm për ta paraqitur ushtrinë si një mjet presioni kundër zhvillimeve demokratike në Shqipëri. Në të njëjtën kohë u godit baza morale, fondamenti mbi të cilin ishte ndërtuar koncepti ynë mbi mbrojtjen, sipas të cilit “mbrojtja e vendit ishte përgjegjësi dhe detyrim moral për çdo qytetar”. Në çdo miting të partive opozitare,në radio, në televizion, në shtypin e shkruar dhe në forma nga më të ndryshmet, propagandohej se… çfarë që është bërë  në fushën e mbrojtjes nga PPSH ka qenë e panevojshme, ka qenë një shfaqje e megallomanisë së saj dhe, se në konkluzion të fundit, ka qenë një barrë e rëndë, e kotë, për ekonominë, për popullin dhe  shtetin shqiptar. Në kronikat televizive qytetarët filluan të “flisnin” me neveri për ushtrinë, për stërvitjen ushtarake, për zboret, për provat e gatishmërisë, për fortifikimin ,etj. Ata me “kompetence” deklaronin edhe pavërtetësinë e një rreziku ushtarak ndaj vendit tonë. Çdo ditë televizioni paraqiste njerëz, me varre dhe me vegla të tjera, që shkatërronin objekte të fortifikimit, vetëm e vetëm për të marrë një sasi të papërfillshme hekuri ose për të liruar një sipërfaqe të vogël toke, për interesa private. Kjo propagandë  kundër misionit, kontributeve dhe domosdoshmërisë së ushtrisë pati  efekte shumë të mëdha te një pjesë e popullsisë,sidomos te një pjesë e të rinjve shqiptarë. Për ushtrinë,për kuadrot e saj u krijua një situatë e rëndë,situatë që u përkeqësua me urdhrin e ministrisë së mbrojtjes për të hequr nga uniforma simbolet dhe yllin e kuq pesë cepësh. Kudo,në rrugë, në autobusë, në lokale oficerët e ushtrisë mund të gjendeshin përballë shpotive dhe ofendimeve të rënda kolektive,por fare të pamerituara. Fatkeqësisht në situata të tilla pati edhe kundërveprime ekstreme. Në garnizonin e Beratit një oficer qëlloi me pistoletë dhe la të vrarë një  të ri, i cili me shokët kish vënë bastin se “do t\ia hiqte kapelën nga koka  këtij oficeri”. Krim, fatkeqësi që, në asnjë rrethanë, nuk kishte arsye dhe nuk duhej të ndodhte.

-Pse?

 

Për të diskretituar më tej ushtrinë propagandistët anti-ushtri u morën edhe me sistemin tonë të fortifikimit, duke formuluar cilësorin, Shqipëria vend  i “bunkerizuar”  .Me idenë për të demaskuar “çmendurinë” fortifikuese  u arrit deri atje sa të dekonspiroheshin objekte të karakterit tepër sekret, siç ishin VK dhe PD e organeve qendrore të shtetit dhe të ushtrisë, deri edhe vendstrehimi i Komandës së Përgjithshme për kohë lufte si dhe objekte të tjera shumë të rëndësishme të ushtrisë, objekte që në vende të zhvilluara, në Europë apo më gjerë, nuk të lenë t`u afrohesh dhe jo më t`i dekonspirosh, siç u bë tek ne. Një emision, i ashtuquajtur “Fokus” i Robert Papës nuk la objekt të sistemit tonë të komandimit e të drejtimit, deri ato të organeve të larta të shtetit, pa dekonspiruar. E gjithë kjo propagandë synonte të krijonte tek njerëzit e thjeshtë, tek qytetarët bindjen se ”çështja e mbrojtjes ka qenë vetëm një alibi e PPSH dhe e Enver Hoxhës, për të garantuar jetëgjatësinë e pushtetit të tyre dhe se vendit tonë nuk i kanosej asnjë rrezik ushtarak”

Po në këtë linje, me këtë skenar dhe me këto synime u godit edhe përmbajtja e karakteri i luftës sonë çlirimtare dhe i UNÇL, e cila ishte pararendësja e ushtrisë sonë dhe e misionit të saj, në mbrojtje të atdheut. Lufta nacionalçlirimtare u quajt “luftë civile”, ”luftë vëllavrasëse”, madje, në shumë raste, edhe një “luftë e panevojshme” me qenë se, sipas kësaj propagande, “forcat gjermane ishin vetëm në një operacion kalimi dhe jo pushtimi ndaj Shqipërisë”,duke ngarkuar me përgjegjësi për këtë PKSH,Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, si krahun e saj të armatosur. Duke goditur ushtrinë çlirimtare, veprën e saj të lavdishme, çlirimin e vendit, historikun e saj dhe të njësive partizane, goditej në të njëjtën kohë edhe  ushtria jonë popullore, që ishte, në realitet, vazhduesja dhe bartësja e vlerave më të mira të ushtrisë çlirimtare, të ushtrisë partizane. Pra po goditej  krenaria e vazhdimësisë dhe e ekzistencës së saj. U ndalua kremtimi i përvjetorëve të krijimit të njësive të ushtrisë Nacional Çlirimtare, që lidheshin edhe me krijimin dhe aktivitetin e njësive ushtarake, të armëve e shërbimeve të ushtrisë popullore. Vetëm për të hequr yllin e kuq dhe simbole të tjera “komuniste” nga uniforma e ushtrisë u zbatuan masa që cenuan rëndë paraqitjen e jashtme të ushtarakëve dhe dinjitetin e tyre e të ushtrisë, duke i bërë ata objekt të humorit, pa ose të qëllimshëm, të opinionit publik. ‘’Ushtria humbi shumë nga dinjiteti i saj se i`a morën armët dhe simbolet,dy nga elementët kryesorë që përbëjnë nderin e saj’’,-  (Halil Katana.Ringritja e Ushtrisë Shqiptare’’, fq.19)

Veç sa theksova më lart, në lidhje me aspektin politik të problemit, me fillimin e proceseve demokratike u cenua edhe baza ligjore mbi të cilën ishte mbështetur detyrimi i qytetarëve në interes të mbrojtjes së vendit. Kështu u tolerua dhe nuk u muar asnjë masë për një pjesë të madhe të ushtarëve të shërbimit të detyrueshëm, të cilët u larguan nga ushtria, dezertuan nga radhët e saj, dhe shkuan në vendbanimet e tyre apo edhe jashtë vendit,duke nxjerrë plotësisht jashtë gatishmërie repartet e gatishmërisë së përhershme luftarake,ndër to repartet e gatshme të AT, të AKA, të tankeve, deri edhe batalionet artmitraliere në vijën e parë të brezave të mbrojtjes. Këto kontingjente jo vetëm nuk u vunë para përgjegjësisë për dezertim nga ushtria por edhe kur ktheheshin në reparte i`u njihej  si shërbim ushtarak edhe periudha e largimit. Gjithashtu pa snjë arsye dhe në kundërshtim me ligjin e shërbimit ushtarak u ndërprenë stërvitjet me efektivat rezervistë të ushtrisë ,me efektivat e strukturave të tjera si FVVP, RSHA,MCR, etj, duke ligjëruar plotësisht propagandën anti zbor dhe idenë  se çështja e mbrojtjes ka qenë vetëm një alibi e udhëheqjes së PPSH dhe është nga më të parëndësishmet.

-Kush ishte goditja më e madhe që i dha politika aps vitit 1992 shërbimit ushtarak?

 

Si për t`i dhënë  goditjen  e fundit seriozitetit dhe domosdoshmërisë së shërbimit ushtarak Ministria e Mbrojtjes, brenda një kohe shumë të shkurtër  ndryshoi afatin e shërbimit të detyrueshëm nga 24, në 18  dhe në 12 muaj. Madje krahas me këto ndryshime aplikoi edhe alternativën  e  pagesës së shërbimit ushtarak, çka do të thoshte se cilido që paguante një sasi lekësh mund të mos shkonte në ushtri. Një praktikë e tillë jo vetëm që e komprometonte më tepër çështjen e shërbimit  të detyrueshëm ushtarak por hapi edhe një aferë të re, atë të pagesës nën dorë të kuadrove të sektorit të organizimit dhe të kuadrove të tjerë përgjegjës, në njësi e reparte ushtarake. U bënë të zakonshme rastet kur ushtari  regjistrohej në repart, por atje paraqitej vetëm në fund të afatit të shërbimit, për të marrë librezën e shërbimit ushtarak, madje edhe me karakteristikën  për kryerjen me “rezultate shumë të mira” të detyrës ushtarake. E gjithë kjo përvojë e gabuar rezultojë në venitjen, deri në neglizhimin e plotë, të ndjenjës së përgjegjësisë qytetare për mbrojtjen e vendit, rrjedhimisht edhe ndaj detyrimeve për shërbimin ushtarak dhe për përgatitjen ushtarake, të përcaktuar edhe në ligjin themelor, në Kushtetutën e Shqipërisë.

Në këtë rrugë, hap pas hapi,ushtria u gjend para vështirësive të mëdha, në shumë drejtime, sidomos në fushën e kompletimit dhe të përgatitjes së saj luftarake. Në se, edhe në situatë të zakonshme, jo më në situate të acaruara politike dhe ushtarake, repartet dhe njësitë e ushtrisë sonë kompletoheshin në masën 70,80 %, pas vitit 1991 asnjëherë ky kompletim nuk arriti  as në masën 20%, përqindje që nuk garantonte futjen e tyre në veprime luftarake, në se situata do t`a kërkonte një gjë të tillë.

KEQPËRDORIMI I REFORMËS  NË USHTRI

           

Reforma e ndërmarrë në ushtri, pas vitit 1991, veçanërisht keqpërdorimi i saj për qëllime politike e përfitimi është momenti i dytë që ka ndikuar, me së shumti, në procesin e shkatërrimit të ushtrisë,në të gjitha drejtimet. Përkundër deklarimeve  se reforma do të forconte dhe do të modernizonte ushtrinë tonë  rezultoi që ajo nxiti më tej procesin e dëmtimit dhe të shkatërrimit të saj.

Ishte e domosdoshme që reforma, që u aplikua në ushtri,të bazohej në kritere shkencore,pra të realizohej mbi bazën e një programi, që do të garantonte në të njëjtën kohë ndryshimet e domosdoshme në fushën e organizimit, të përgatitjes dhe të paisjes së ushtrisë, por edhe mbajtjen në gjendje gatishmërie luftarake të të gjithë elementeve të mbrojtjes dhe, mbi të gjitha, të forcave të armatosura.

Si rregull një proçedurë e tillë duhej të kalonte në tre faza kryesore: në ripërcaktimin e parimeve kryesore të politikës së shtetit shqiptar në fushën e mbrojtjes dhe të objektivave kryesore të kësaj politike; në përcaktimin e  kapaciteteve të domosdoshme njerëzore, materiale e teknike për përmbushjen e këtyre objektivave; në kryerjen e riorganizimit të strukturës së forcave të armatosura, në bazë të kapaciteteve njerëzore e materiale të domosdoshme në situatën e re politike dhe ushtarake. Pastaj,në bazë të këtyre ndryshimeve përcaktoheshin dhe perfeksionoheshin edhe masat e përgatitjes, të   komandimit dhe të drejtimit të ushtrisë,gjë që do të kërkonte domosdo edhe ripunimin e Artit Ushtarak,apo të doktrinës së Mbrojtjes,siç u bë zakon të artikulohej pas vitit 1991. Një skemë e tillë mund të realizohej, në të njëjtën kohë, duke ruajtur nivelin e aftësive ushtarake të ushtrisë dhe gjendjen e gatishmërisë luftarake të njesive dhe të reparteve të saj. Vetem kështu reforma ushtarake do t`a ruante të pacenuar dhe do t`a ngrinte më lart efektivitetin e sistemit tonë të përgatitjes dhe të gatishmërise luftarake. Kështu vepron çdo shtet e çdo shtatmadhori e  përgjegjëshme  për fatet e vendit të tyre.

Përkundër kësaj metode, reforma në ushtrinë tonë u realizua jashtë këtyre kërkesave, larg së qeni shkencore. Ajo u përvijua dhe u realizua plotësisht mbi baza politike, partiake, në interes të marrjes dhe të konsolidimit të pushtetit politik dhe ekonomik të një grupi,a të një partie politike.

Ju më keni thëmë se reforma që u krye në ushtri u keqpërdor në dy plane, cilat ishin?.

 

Në planin politik ajo u përdor për të kompromentuar,për të diskredituar, politikën ushtarake të PPSH,konceptet mbi të cilët organizohej mbrojtja e vendit tonë si dhe për të larguar nga radhët e ushtrisë kuadrot,që në atë kohë u etiketuan si  të nomeklaturës së lartë, të “nomeklatures së kuqe”  të cilët, për forcat që erdhën në pushtet, ishin të padëshirueshëm si dhe për të denigruar vlerat, përvojën dhe historinë e ushtrisë sonë.

Në të gjitha masat që reklamoheshin në kuadër të reformës ushtarake ishte e dukëshme përpjekja për të diskredituar politikën që kishte ndjekur shteti shqiptar në fushën e mbrojtjes, parimet, normat dhe konceptet mbi të cilët mbështetej Arti ynë Ushtarak për të organizuar dhe përgatitur ushtrinë dhe popullin për këtë qëllim. Në këtë kohë dhe në kuadrin e kësaj reforma u formuluan përfundime që e përmbysnin plotësisht mendimin dhe vlerësimin që kishte populli për problemin e ushtrisë dhe të mbrojtjes. U formulua dhe u propagandua përfundimi se Shqipëria nuk ka qenë ndonjëherë e rrezikuar nga agresorë të jashtëm. Kështu që, e gjithë puna e bërë në këtë drejtim ka qenë një shfaqje e megallomanisë së udhëheqjes së lartë të shtetit dhe të PPSH për të ruajtur sa më gjatë pushtetin e tyre. U formulua, dhe u propagandua, gjithashtu, përfundimi se, edhe në se do të kishte ndonjë agresion ushtarak ndaj vendit tonë, ne nuk do të ishim në gjendje të mbroheshim me forcat tona. Kjo gjë, sipas përpiluesve të politikës së re të mbrojtjes, mund të bëhej vetëm në kuadër të aleancave ushtarake ndërkombëtare, të aleateve të fuqishëm rajonal apo global. Në analiza e diskurse të çështjeve ushtarake flitej vetëm për integrimin e forcave tona të armatosura në struktura ushtarake ndërkombëtare, në NATO dhe në organizma të tjera rajonale, deklarohej pjesëmarrja e “suksesshme” e reparteve të ushtrisë sonë në operacione paqeruajtëse në vende të ndryshme, duke evidentuar konceptin që, tash e tutje, mbrojtja e vendit do të realizohej në kuadër të bashkëpunimit e të bashkëveprimit me faktorë të jashtëm ushtarakë. Vetvetiu kjo politikë të çonte në konkluzionin që të gjitha shpenzimet e bëra për këtë qëllim, deri në fillim të viteve 90-të, kanë qenë të panevojshme dhe në dëm të gjendjes ekonomike të popullit tonë. Në këtë mënyrë, kërkesa “mbrojtja e atdheut është detyrë mbi të gjithë detyrat” konsiderohej vetëm  si parullë  propagandistike e PPSH.

 

 

Nesër do të lexoni:

– Partitë e reja opozitare, që erdhën në pushtet me zgjedhjet e 22 marsit të vitit 1992, i konsideronin si pengesë në vënien e ushtrisë nën kontrollin e tyre

-Si u lanë rrugëve dhe me poste ordinere ajka e oficerëvë të përgatitur që ishin krenaria e ushtrisë

-Në drejtimet kryesore në  MM dhe Shtabin e Përgjithshëm zbarkuan kuadro që para viteve 90-të kishin demonstruar paaftësi dhe mungesë përgjegjësie

-Si u u shpik VKM nr.225, dt.29.05.1992, prejt të cilës u larguan nga radhët e ushtrisë kuadrot më të aftë

-Zëvëndësmimi i armatimit një oficeri italian ju duk absurd, ai tha: Armët që keni vrasin njëlloj si tonat dhe ju nuk keni këllqe që të merrni të reja

 

-Si filloi tregtia e armëve të bëhej e hapur, në sytë e opinionit të vendit dhe të atij ndërkombëtar

– Ushtria ishte futur në një proces të pandalshëm degradimi edhe në planin material

– Deklarata bombë e Safet Zhulalit:…dosja e ngjarjeve të mars, prillit 1997 është një dosje e zezë që nuk do të hapet ndonjëherë..