Adem Gjura, nacionalisti që u dënuar tri herë me vdekje nga fashistët, regjimi komunist i Tiranës dhe Beogradi

500
Sigal

U dënua tri herë me vdekje dhe një herë më burgim të përjetshëm

Adem Gjurra, nacionalisti që u përball me fashistët, gjermanët, regjimin komunist të Tiranës dhe Beogradit

Jeta e antikomunistit nga Reçi i Dibrës. Rezistenca ndaj Italisë fashiste në vitin 1939, rob lufte i gjermanëve në Kretë, ku u dënua tri herë me vdekje dhe një herë më burgim të përjetshëm dhe si mundi të fitonte lirinë; përballja me regjimin komunist të Tiranës si i desantuari i Komitetit “Shqipëria e Lirë”, por që nuk ra në duart e tyre, edhe pse misioni ishte tradhtuar, si dhe vuajtjet në burgjet e Jugosllavisë deri në largimin në SHBA

Mina HYSA
Adem Gjurra lindi në vitin 1912 në Reç të Dibrës. Ishte i biri i Hysen (Shaban) Gjurrës e Zahide Vladit. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, të mesmen e mbaroi me korrespondencë rreth vitit 1931 në Peshkopi. Shkollën e nënoficerëve (të ushtrisë) e mbaroi në vitin 1932, por për arsye të mungesës së buxhetit shtetëror s’pati vend për aspirantët e rinj për t’u veshur ushtarakë. Në janar të vitit 1933, Adem Gjurra u regjistrua në shkollën e nënoficerëve të Xhandarmërisë Mbretërore me rekomandim nga oficeri Zyber Lita. Pas disa muajsh shkolle në Durrës, më shumë se 30 studentë me rezultatet më të mira u dërguan me detyrë në Shkodër për ruajtjen e rendit dhe qetësisë. Aty vazhduan me mësime; teori e praktikë prej 18 muajsh, me shërbim dhe nën komandën e Xhaklin Martinit, drejtor. U diplomua me sukses: i shtati në klasë prej më shumë se 100 të diplomuarve. Fitoi të drejtën e nënoficerit të xhandarmërisë, por shteti sërish nuk kishte buxhet për rroga të gradave të reja. I bënë thirrje që të pranonte gradimin edhe rrogën si xhandar, por me detyrë të nënoficerit. Shumica refuzuan, kurse Adem Gjurra dhe rreth 30 të tjerë pranuan për të qenë në shërbim të shtetit. U dërguan nëpër rrethe të postëkomandave në të gjitha anët e Shqipërisë. Shërbeu në Malësinë e Shkodrës, Dibër, Lumë, Gjirokastër, Labëri, Dukagjin etj. Gradimet erdhën me radhë deri tek grada me e lartë, “Toger”. Postet që ka mbajtur Adem Gjurra ishin: inspektor arkive në postrreth, inspektor arkiva postëkomanda, zv.post komandë, postëkomandant, post e rrethkomandant dhe komandant zone.


Roli i Adem Gjurrës në pushtimin e Italisë në vitin 1939

Në vitin 1939, kur Italia sulmoi Shqipërinë, Adem Gjurra e marshall Isuf Jashari me 40 xhandarë e rreth 200 civilë nga Luma e Dibra u nisën për në Tiranë. Arritën në Krujë natën dhe u takuan me kapiten Shukri Baftjarin dhe nën komandën e tij u nisën për në luftë. Pas pak orësh arritën në kala të Prezës, ku u takuan me major Çaush Bashën dhe kontingjentin e Akademisë së Burrelit.

Morën lajmin e keq se Mbreti u detyrua të linte vendin. Oficerë të lartë dhanë urdhra të Mbretit që të mos krijoheshin lëvizje pa marrë fjalë prej tij, se do të sigurohej ndihma ushtarake e materiale për kombin nga jashtë. Porosia ishte të organizoheshin fshehtas e të përgatitnin popullin për luftë sa të lajmëronte Mbreti. Adem Gjurra u kthye në vendlindje edhe thirri krerët e fiseve Reç, Dardhë, Lurë, Arraz, Arrën etj. dhe u konsultuan për veprimtari të mëtejshme. Ademi u takua me Muharrem Bajraktarin e me Cen Elezin e më vonë me kapiten ushtrie Qazim Lushën. Pas bisedës mes tyre, Ademi vazhdoi me krijimin e një rrjeti rezistence, pjesët e së cilës ishin shumë thellë e sekrete, por gjithmonë me marrëveshje me personat kryesorë të lartpërmendur. Siguruan ndihma e strehime, bukë, pak armë, morën informacion për aksionet e italianëve. Pritnin lajmin për ndihmë nga jashtë dhe rikthimin e Mbretit, por ai nuk erdhi. Ademi filloi një përgatitje. Meqë nuk mundi të duronte më gjendjen, filloi një propagandë se kishte çuar fjalë Mbreti të fillonin të dilnin në Greqi për të marrë ndihma për luftë. Ka pasur shpresë se do të gjenin ndihmë nga aleatët, nëse e kalonin kufirin.


Ikja në Greqi, dënimi 3 herë me vdekje dhe 1 herë burg përjetë

Në nëntor të vitit 1940, Adem Gjurra u nis me 40 shokë, oficerë, nënoficerë, xhandarë e të tjerë nga vendi i takimit, Korça. E gjetën kufirin në “zjarr”. U përplasën me forcat italiane e ca shqiptarë dhe pas një lufte të fortë e thyen frontin dhe u bashkuan me ushtrinë greke e disa aleatë. Grekët i trajtuan në fillim si heronj edhe u dhanë ushqim e veshmbathje. Pas dy ditësh u erdhi një grup nga Athina dhe i morën duke u thënë se do t’u siguronin kushte më të mira dhe të duhurat për rikthimin në Shqipëri. Ky rezultoi një mashtrim, pasi disa orë më vonë grekët i arrestuan dhe i dërguan në kamp si robër lufte në Kretë. Ata u tradhtuan. Në fund të qershorit të vitit 1941, gjermanët e pushtuan Kretën. Grekët ikën edhe e lanë Ademin dhe shokët në duart e gjermanëve. Ata, sa panë se kush ishin, se e morën në dorë dokumentacionin e kampit, i dërguan në Itali për gjyq ushtarak. Italia i dërgoi në Shqipëri. Në gjyq dolën me dënime tri herë me vdekje e një herë burg përjetë. Ata ishin Adem Gjura, Mustafa Imeri (Pukë), Idris Sadiki (Tropojë), Cerim Verediki (Korçë), Gaço Sotiri (Korçë), si udhëheqës të lëvizjes. I torturuan në burg, duke u përgatitur për t’i pushkatuar; çdo ditë i linin në këmbë tek porta e oborrit të pushkatimit duke pritur “radhën” e në mbrëmje i çonin prapë në birucë. Avokati shqiptar mendoi dhe sugjeroi të merrnin një avokat italian (një mik të rinisë së tij me lidhje të forta tek ushtarakët), por do t’u kushtonte shumë. Familjet e të burgosurve, mes tyre dhe Adem Gjurra, shitën tokë, pasuri dhe plotësuan vlerën rreth 1200 lira ari. U paguan oficerët e Lartë të Gjykatës dhe të burgosurit shpëtuan jetën, por me humbje të të drejtave civile.


Kthimi në Reç, lufta për lirinë e Shqipërisë dhe refuzimi i ofertës komuniste

 

Pasi i shpëtoi pushkatimit dhe burgimit përjetë, Adem Gjurra u kthye në vendlindje i sëmurë. Kur u përmirësua, doli në mal. Luftoi kundër forcave gjermane në shumë beteja dhe sipas librit të shkruar për Cen Elezin, Ademi u dallua si luftëtar i zoti. Sipas Ademit, në luftë forcat komuniste iknin nëpër fshatra për të rritur vlerat e veta, duke bërë propagandë; i merrnin përsipër meritat, edhe nëse nuk ishin në front. Për këtë arsye Ademi i largoi disa, që i ishin bashkuar grupit të tij. Ademi mori pjesë në shumë mbledhje të të arratisurve edhe në mbledhjen e Mukjes e dërguan si përfaqësues i grupeve të arratisurve të Dibrës e të Lumës. Në shtator të vitit 1944, forcat komuniste filluan një operacion të fortë në Lumë e në Dibër. Vdiqën shumë nacionalistë të mirë. Ademi pasi pa se kauza nacionaliste humbi, i shpërndau shokët edhe shkoi në shtëpi të vendoste çfarë do të bënte më tej. Rreth fundvitit i erdhi urdhri nga Tirana për të qenë pjesë e administratës së qeverisë së re. Dy oficerë e dy civilë erdhën me disa shokë në Reç dhe i dorëzuan urdhrin të paraqitej në Shkodër brenda 10 ditësh të merrte postin inspektor i Arsimit për Shqipërinë e Veriut. Ademi e dinte se çfarë njerëzish ishin ata dhe u tha se nuk pranonte, pasi ishte i lodhur nga lufta, arratisja, burgu dhe vuajtjet e shumta si dhe babai i kishte vdekur e i duhej të kujdesej për familjen. Kaluan ditët edhe ai nuk shkoi. Çuan disa komunistë të rrethit të Dibrës ta merrnin, por Ademi i largoi. I morën kushërinjtë e xhaxhallarët në hetuesi, por Adem Gjurra i liroi, se dheu e njihte edhe kishin respekt, po edhe mjaft frikë në atë kohë.


Ademi nis sulmin ndaj komunistëve në 1945-ën dhe vuajtjet e familjes

Pas refuzimeve të njëpasnjëshme të Adem Gjurrës, iu lutën sërish duke i çuar njerëz nga Tirana duke i thënë në formë kërcënimi: “Je me ne apo kundra nesh?” Edhe në këtë rast Ademi gjeti si justifikim shëndetin dhe u kërkoi tre muaj afat të shihte punët se si i kishte. Këtë kohë Ademi e donte të përgatitej për një luftë të vërtetë. Në 1945-ën erdhi te Ademi për strehim Muharrem Bajraktari me një grup përafërsisht 50 veta, i përbërë nga të arratisurit nga Veriu, por edhe disa nga Kosova. Ademi ka pasur një mbështetje të fortë në vendlindje si dhe në zonën e tij. I strehoi dhe u siguroi bukë, veshmbathje e armë. Por një grup aq i madh nuk kaloi pa ra në sy, nga ata që ishin me qeverinë. Pasi i përcolli të strehuarit e Muharrem Bajraktarit, Ademi doli në mal me disa shokë dhe kushëririn e vet, Shaban Gjurrën. Komunistët e mbushën Reçin me ushtri e polici, ku pati edhe përplasje me armë, si beteja e Koziakut, por Adem Gjurrën nuk e kapën. Pas disa javësh luftë i rrethuan familjen dhe shtëpinë e dogjën, pasurinë ia konfiskuan, i prenë një shumicë të madhe bagëtish edhe i lanë të mos i prekte kush për ta treguar si shembull. Familjet e Ademit dhe Shabanit i çuan në internim në Berat. Atje vdiq djali i Ademit, Skënderi e dy vajza të vogla të Shabanit. Dy fëmijë të tjerë vdiqën më vonë te shtëpia (pasi u liruan nga kampi). Gjatë atyre viteve në mal, Adem Gjurra asnjëherë nuk ka marrë as bukë, as strehim me forcë. Ai është larguar, edhe nëse zoti i shtëpisë e mirëpriste, nëse shihte varfëri të tepërt ose rrezik të tepërt për atë shtëpi. Kjo shpjegon se askush nuk i shiti, nuk i tradhtoi as në vitin 1950, as më përpara.


Aktiviteti në arrati dhe arratisja në Greqi


Gjatë qëndrimit në mal, Ademi Gjurra ka marrë pjesë në të gjitha mbledhjet e të arratisurve: Thark (maj 1945), Bresht të Oroshit (fund i qershorit – 18 korrik), Lurë, ku ka përfaqësuar shumë grupe, si për shembull: të Mehdi Ndreut, Qazim Lushës, si edhe të Reçit e të Dali Meçit, Sali Shehut dhe shumë grupe të tjera të vogla e të mëdha. Në mbledhje ishin shumë grupe nga gjithë Shqipëria, por një numër i madh ishin kundërshtarë politikë me Ahmet Zogun, por Ademi u foli për mbretërinë. I bënë oferta të shumta të kalonte me parti të tjera, por ai mbeti besnik i idealit të vet. Në fund të korrikut të vitit 1946, Ademi Gjurra mori kërkesë nga Muharrem Bajraktari të bashkoheshin për të kaluar kufirin për Greqi, sepse shokët nuk niseshin pa Ademin. U takuan në Kolosian te Lera e Sorrave më 18 gusht dhe u nisën me datë 25 gusht. U bënë 56 vetë nga krahina të ndryshme të Shqipërisë dhe nga Kosova. Rreth datës 5 shtator, gabimisht ranë në Maqedoni. Plasi lufta, e cila zgjati dy ditë e net. U ndanë dhe u bashkuan natën e parë. Vendosin dhe provojnë për të kaluar natën e dytë pa zhurmë dhe pasi ecën deri diku, panë se vendi ishte plot me ushtri të armatosur. Sërish plasi lufta, u ndanë dy grupe për dy drejtime, me shpresën se do të shiheshin matanë kufirit. Ato dy ditë u vranë 27 shokë. Nebi Seda nga Arrni, Lum e Haxhi Agaj nga Puka nga grupi i Ademit. Përfundimisht kaluan në Greqi me shumë humbje në shokë dhe plot dhimbje. Me disa shokë që u ndanë atë natë, u takuan më vonë në një kamp. U dorëzuan edhe u dërguan nëpër kampe rajonale, ku vuanin shumë edhe për bukë. Në kampin e Haxhi Qiriakos kaluan pak më mirë. Ademi me shokët: Myftar Spahija, Hysen Salku, Sejdi Bajo, Hysen Terpeza, Fiqiri Dina organizuan Lëvizjen Monarkiste në Greqi.



Kush është Adem Gjurra

Adem Gjurra ka lindur në Reç të Dibrës më 13 mars 1912 dhe vdiq më 6 janar 1985. Ishte pjesëtar i një familjeje atdhetare, e cila kishte luftuar për çlirimin e Shqipërisë që nga koha e Turqisë. Ishte i biri i Hysen Shaban Gjurrës, i dalluar për trimëri. Në Shqipëri ka qenë i martuar me Xhevahire Markun me të cilën pati gjashtë fëmijë dhe vetëm dy i jetuan, Ismail Gjurra dhe Sali Gjurra. Ndërsa jashtë Shqipërisë u martua me Milica Risiçin, me të cilën ka një vajzë, Afërdita Gjurrën. Fatkeqësisht, vdiq në vitin 1985 në SHBA dhe nuk e pa më Atdheun e dashur ose familjen që la në Shqipëri. Në varrimin edhe në pamje erdhën rreth 4000 shqiptarë dhe të huaj.