Serbia pretendon prej vitesh se dëshiron të jetë pjesë e Europës por Serbia nuk e kupton dot se Europa nuk është vetëm treg i përbashkët dhe vetëm liberalizim vizash apo integrim ekonomik. Europa është, mbi të gjitha, një kulturë politike dhe një nga themelet e saj është pikërisht refuzimi i glorifikimit të krimeve të luftës, kështu që nuk mund të kërkosh të integrohesh në Europë ndërsa njëkohësisht i jep nderime shtetërore një njeriu që drejtësia ndërkombëtare e ka dënuar për gjenocid.
Ka momente kur një shtet nuk gjykohet nga fjalimet që mban, nga flamujt që valëvit, nga kushtetutat që citon apo nga aspiratat europiane që deklaron, por nga njerëzit të cilëve zgjedh t’u japë nderime. Vendimi i autoriteteve serbe për ta përcjellë Ratko Mlladiç me nderime të plota shtetërore dhe ushtarake është një prej atyre momenteve sepse Mlladiç nuk ishte thjesht një gjeneral apo një figurë historike për të cilën mund të ketë interpretime të ndryshme politike. Ai ishte një kriminel lufte i dënuar përfundimisht nga drejtësia ndërkombëtare për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve të luftës dhe ajo që është ironike, është se pikërisht këtij njeriu shteti serb zgjedh t’i japë nderime. Ky lloj veprimi i shtetit serb me mëndësi mesjetare nuk është më çështje funerali por është një çështje e karakterit politik dhe moral të një shteti.
Nga gjenerali te simboli i krimit
Ratko Mlladiç ishte komandant i Shtabit Kryesor të Ushtrisë së Republika Srpska gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë dhe përgjegjësia e tij nuk lidhet me një episod të vetëm pasi emri i tij është i lidhur me disa prej kapitujve më të errët të luftërave jugosllave siç janë me bombardimet ndaj civilëve, fushatat e dëbimit dhe spastrimit etnik dhe mbi të gjitha, emri i tij është i lidhur me Stebrenicën. Në korrik 1995, forcat serbe të Bosnjës nën komandën e Mlladiç morën kontrollin e Srebrenicës dhe mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë u vranë në ditët që pasuan. Gjykata ndërkombëtare e ka cilësuar atë masakër si gjenocid të pastër ndaj një popullsie civile të pambrojtur. Srebrenica në thelb nuk ka qenë kurrë një “version i historisë” dhe as një çështje interpretimi nacionalist por një fakt i vendosur nga drejtësia ndërkombëtare dhe pikërisht për këtë arsye, nderimi shtetëror i Mlladiç është kaq tronditës pasi kur një shtet i jep nderime ushtarake një njeriu të dënuar për gjenocid, ai nuk nderon thjesht një individ por krijon një mesazh politik jashtëzakonisht të rrezikshëm dhe irredentist. Në kushtet kur një njeri që dënohet nga gjykatat ndërkombëtare për gjenocid me burgim të përjetshëm, nderohet nga shteti i tij si “hero”, kemi të bëjmë me përmbysje të plotë të hierarkisë morale pasi me një të rënë të lapsit, shteti serb, kriminelin e bën hero dhe viktimat i konsideron si statistika. Nëse Mlladiç do të varrosej privatisht, si një individ, familja e tij do të kishte të drejtën të qante dhe ta varroste sipas traditës së saj por shteti është diçka tjetër, shteti nuk është familja. Shteti përfaqëson institucionet, ligjin dhe një vizion të caktuar për shoqërinë dhe kur shteti vendos të përdorë protokollin ushtarak dhe shtetëror për një të dënuar për gjenocid, ai e kalon kufirin midis dhimbjes private dhe glorifikimit publik. Ballkani ka vuajtur për shekuj nga një kulturë politike ku kombi konceptohet si pronar i tokës, historisë dhe fatit të të tjerëve dhe është pikërisht ajo mendësi që duhet të kishte vdekur bashkë me perandoritë dhe nacionalizmat agresivë të shekujve të kaluar, e kur shikon mënyrën se si një pjesë e establishmentit serb vazhdon ta trajtojë figurën e Mlladiç, lind pyetja nëse ajo mendësi ka vdekur vërtet apo jo, sepse të nderosh simbolin ushtarak të kësaj politike në vitin 2026 është një anakronizëm i frikshëm. Duket sikur një pjesë e shtetit serb sillet sikur historia nuk ka kaluar, Jugosllavia të mos jetë shpërbërë, sikur Srebrenica të mos ketë ndodhur dhe sikur Kosova, të mos jetë shtet i pavarur.

Problemi nuk është vetëm Mlladiç por është miti që ndërtohet rreth tij
Një shoqëri demokratike apo qoftë edhe një lider shtetëror i përgjegjëshëm mund të përballet me të kaluarën edhe kur ajo është e tmerrshme. Më 7 dhjetor 1970, gjatë vizitës së tij zyrtare në Varshavë, Willy Brandt, kancelari i Gjermanisë Perëndimore, shkoi te Monumenti i Heronjve të Getos së Varshavës, kushtuar atyre që u ngritën kundër nazistëve në kryengritjen e getos së vitit 1943. Pasi vendosi një kurorë, ai papritur u ul në gjunjë dhe qëndroi në heshtje për rreth gjysmë minute. Gjesti nuk ishte planifikuar paraprakisht dhe befasoi edhe njerëzit që e shoqëronin. A do ta gjejë ndonjëherë guximin ndonjë politikan serb te përulet përpara viktimave të pafajshme të makinerisë shtetërore serbe gjatë masakrave të tmershme të Milosheviç…? Kjo do të ishte pjekuri historike po strukturat shtetërore serbe me nderimet që do ti bëjne kasapit Ratko Mlladiç, duket se janë larg kësaj pjekurie dhe vazhdojnë ta mbajnë mendjen peng në “burgjet” e mendësisë mesjetare. Mlladiç vdiq por nëse shteti serb e shndërron në simbol, Mlladiçi politik mbetet gjallë e kështu një kriminel lufte mund të shndërrohet gradualisht në “hero kombëtar” dhe pikërisht kjo është arsyeja pse reagimet e viktimave dhe të vendeve të tjera të rajonit janë të kuptueshme. Në Kroaci ka pasur reagime të forta ndaj planit për nderime shtetërore, ndërsa në Bosnje ideja e një nderimi shtetëror e tij, është pritur me dhimbje dhe zemërim nga familjarët e viktimave.
Një shtet që dëshiron Europën nuk mund të glorifikojë gjenocidin
Serbia pretendon prej vitesh se dëshiron të jetë pjesë e Europës por Serbia nuk e kupton dot se Europa nuk është vetëm treg i përbashkët dhe vetëm liberalizim vizash apo integrim ekonomik. Europa është, mbi të gjitha, një kulturë politike dhe një nga themelet e saj është pikërisht refuzimi i glorifikimit të krimeve të luftës, kështu që nuk mund të kërkosh të integrohesh në Europë ndërsa njëkohësisht i jep nderime shtetërore një njeriu që drejtësia ndërkombëtare e ka dënuar për gjenocid. Serbia nuk mund të kërkojë respekt për sovranitetin e saj ndërsa glorifikon një figurë ushtarake të lidhur me projektet e dhunshme të spastrimit etnik. Perpara se Serbia të kërkojë që bota të respektojë dhimbjen e popullit serb, si filllim, nuk duhet shpërfillë dhimbjen e familjeve të Srebrenicës, Sarajevës dhe Kosovës. Ka shumë qytetarë serbë që e kanë kundërshtuar nacionalizmin, luftërat e viteve ’90 dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës por problemi në Serbi është politika shtetërore e rehabilitimit të figurave të tilla dhe politika shtetërore serbe nuk e kupton dot se një shtet që nuk përballet me krimet e veta nuk mund të ndërtojë një të ardhme të shëndetshme. Shteti Serb, Ratko Mlladiçin e vdekur, mund ta veshë me uniformë ushtarake, t’i vendosë flamuj dhe mund ta përcjellë edhe me fjalime patriotike por një funeral nuk e ndryshon historinë pasi nuk mund ta kthesh një njeri të dënuar për gjenocid në një hero thjesht duke i dhënë një ceremoni shtetërore. Në vitin 2026, kur Europa mendon për të ardhmen dhe një pjesë e establishmentit serb zgjedh të kthehet te një figurë e viteve ’90 dhe ta trajtojë atë si simbol të lavdisë kombëtare, lind një pyetje shumë e thjeshtë. Çfarë lloj shteti dëshiron të jetë Serbia? Një shtet europian që pranon përgjegjësinë për të kaluarën e tij, respekton viktimat dhe e dënon glorifikimin e kriminelëve apo një shtet që vazhdon të shohë Ballkanin përmes syve të nacionalizmit të viteve ’90, ku kufijtë, territoret dhe popujt trajtohen si pjesë të një “projekti historik” që ende nuk ka përfunduar? Mënyra se si Serbia sillet me këtë funeral tregon se nuk ajo dëshiron të jetojë në Europën e shekullit XXI por të vazhdojë të endet me fantazmat e nacionalizmit kriminal e kolonialist të shekullit XX.





















