Zija Çela: Psikoza e emigrimit masiv- mos nxitoni, pash sytë e ballit!

425
Sigal

Në këtë pisk vape afrikane, mos pyesni për shkretëtirën, as për sfinksin e atjeshëm, pasi sfinksa nuk ka nevojë të huazojmë, ata vetë i krijojmë e pastaj… Pastaj vuajmë me vite të tëra, duke pritur derisa të bien nga superpesha e vet. Ju kujtohet, besoj, njëherë pritëm 45 vjet.

Për shkak të rrezikut nga stuhia e rërës, e cila mund të përhapet rreth e qark, territore të tilla zakonisht mbahen në mbikëqyrje, duke ushtruar presion herë të kamufluar, herë të drejtpërdrejtë. Shëttt, është koha të rrini nën hijen e Palmës së Madhe dhe ta qepni gojën, ngjan se urdhërojnë.

Pra, në njëfarë kuptimi, territori futet në karantinë ose, shqip fare, lihet vetëm. E atëherë rinis debati për shpresën e humbur dhe përsëritet pyetja përse shqiptarët emigrojnë kaq masivisht, ç’është kjo psikozë?!

Ne patjetër kemi edhe shkaqe të mvetësishme, ato të markës shqiptare. Megjithatë, neuroza e humbjes së të ardhmes sot është një sëmundje e përhapur kahmos. Në këtë rënie psiqike e morale, si një rrjedhje e vazhdueshme e globit, nganjëherë duket sikur njerëzimit nuk i ka mbetur tjetër përveç solidaritetit.

Mirëpo ka teori që solidaritetin sot e konsiderojnë fjalë lëvozhgë, pra boshe. E kjo të vë në mendime. Mos, vallë, një solidaritet disi i dyshimtë, jo aq për t’u shëruar bashkë, sesa për t’u dekompozuar bashkë?! Në rrethana të tilla të iken truri, nëse mendon çfarë roli luajnë politikanët në këtë dekompozim.

Prandaj pyetja për migrimin masiv merr gjithfarë përgjigjesh gjatë debatit. Sepse është e dhimbshme kur sheh shqiptarët të ikin nga Shqipëria. Por edhe më e dhimbshme është dilema: Përse shqiptarëve po u iken nga zemra vetë Shqipëria?

“O ndaluni, pash sytë e ballit, ndaluni!”, pata dëgjuar një nënë, që në portin e Durrësit u thërriste bijëve.

Me gjasë, donte t’u thoshte se shpresa nuk ka vdekur dhe, duke qenë e natyrës shpirtërore, ajo njëkohësisht është hyjnore. Madje, me këtë rast, ia vlen të vihet re: Ka dy gjëra për të cilat asnjëherë nuk duhet nxituar, vetëvrasja dhe çatdhesimi.