Ndërtimi i rrugës Shëmri- Kolëgegaj me pjesëmarrjen e nxënësve, dhe si fshati me 5 shtëpi u kthye në qytetin e Bajram Currit

1050
  • FYELLIN NË XHEP PËR NDERTIMIN E RRUGËS AUTOMOBILISTIKE SHËMRI-KOLGEGAJ
  • Në Vaspas mbyten 11 vetë në trapin mbi lumin Drin
  • -Në kapanonet e fjetjes batanijet e vjetra ishin që nga koha e Revolucionit Rus
  • Kolgecaj, fshati vetëm me pesë shtëpi, tani qyteti i Bajram Currit
  • Kanaçja me ndryshk që nga koha e Luftës së Parë Botërore kur austriakët pushtuan Shqipërinë.
Sigal

Prolog:

Rruga automobilistike Shemri-Kolgecaj, që u ndërtua ne vitin 1951-1952, mes tre rretheve, Kukës, Has dhe Tropojë me gjatësi 70 km është një nga veprat kryesore dhe mjaft e rëndësishme pas asaj Kukës-Peshkopi. Kjo rrugë është ndërtuar në një terren shumë të vështirë mes luginave, kreshtave, honeve, shpateve , maleve dhe kurrizit të tyre.  Pastaj mbi urën e madhe në Vaspas ku dy Drinat me ujë të rrëmbyer kanë pjesën e këtyre viseve dhe më vonë edhe me Hidrocentralin e Fierzës , nga më të mëdhenjtë në Shqipëri.  Për rrugën Shëmri-Kolgecaj pak është shkruar në manualet e urbanistikës, por edhe në gjeografinë e Shqipërisë që mësojnë nxënësit e shkollave. Si pjesëmarrës që i kam hedhur disa lopata në trasenë në zonën verilindore të vendit nga të parat pas çlirimit, në atë zonë të vendit, po hedh disa kujtime, të cilat i kam përjetuar vetë.

Ka qenë fundi i shtatorit të viti 1951. Kishim dalë në stane në bjeshkët e Kroit të Bardhë si zakonisht me të gjithë familjen. Unë isha 15 vjeç, më i vogli i tre vëllezërve. Unë ruaja qingjat, pasi delet i ruante Tahiri, kushëriri im.

Ne fshat kërkohej që në ndërtimin e rrugës Shemri-Kolgecaj pa tjetër duhej te shkonin edhe disa te rinj të fshatit Buzmadhe.

Kryemadhi një emër befasues.

 

Duke ecur pasi kalojmë Kolshin e Kalimashin, futemi në zonën e Kryemadhit. Bile Azemi që ishte më shakaxhiu i thotë Kaziut se ky fshat si e ka emrin dhe ai ja pret shkurt, Kryemadh, se edhe banorët e tij e kanë kokën e madhe. Afër Drinit takuam disa malsorë duke punuar arat. Ata ishin si gjithë të tjerët dhe Kryemadhi i Malziut kishte histori të veçantë se nga i rridhte emri i tij.

 

Në Vaspas mbyten 11 vetë në trapin mbi lumin Drin

 

Në Vaspas, për të dalë matanë duhet të kalohej me trap, e pronari i tij që nga fisi Kumanova i ardhur nga Gjakova. Trapi ishte si një trinë e madhe, afro sa gati katër sofra prej druri. I lidhur me kabllo hekuri të trashë dhe i vendosur në shpat të malit. Dy vozitës  me lopatë druri komandonin trapin sa në një anë të Drinit në anën tjetër duke mbajtur mbi të njerëz, makina, kafshë e çfarëdo që do të kalonte andej.

Nuk e mbaj mend se para se të kalonim ne, apo pas këtij rasti, njëherë nga vërshimi i Drinit dhe dallgët e tij, trapi ishte këputur plotësisht dhe ishin mbytur 11 persona, të gjithë punëtorë të rrugës dhe në mesin e tyre edhe një djalosh nga Vila, Osman Hasa. Për këtë tragjedi është bërë edhe një këngë, por ka disa vite, si shumë të tjera për ata që kanë dhënë jetën në veprat e ndërtimit të Shqipërisë, janë zhdukur edhe këngët e tyre.

 

 

– Qafa e Luzhës një përmendore në Tropojë.

 

Pasi ngopemi rnirë e mire, tashmë do te kalojme Qafën e Luzhës. Arrijmë në majën e saj ku Pë        ërballë kemi luginën e Tropojës, që shtrihet në thellësi të horizontit duke prekur deri edhe majën e Alpeve, e nga e djathta jonë edhe malin me shumë ngjyra të Shkëlzenit. Tani rruga jonë mes arave të gjata mbi Luzhë, është në zbritje dhe disi më e lehtë. Diku edhe pushojmë, madje ku edhe shakatë janë të shumta. Me Kazi,un tregohemi shumë të kujdesshëm, pasi ishte edhe nga Ujmishti, që i kanë pronë të tyre anektodat, fjalët me dy kuptime, e sarkazmat.

 

– Një muaj mes punëtorëve në Rragam dhe kapanoni me 100 vetë.

 

Në Rragam arrijmë posa ishin kthyer punëtorët nga puna. Gazermat ishin vendosur aty lart afër pyllit rrjesht njera tjetrës. Gjithçka na bënte përshtypje. Këtu për një muaj do të ishte “shtëpia e kolibja” jonë. Na tregojnë zyrën e drejtorit. Nuk mundëm ta takojmë pasi ai kishte mbledhjen e shtabit, ku do të jepeshin rezultatet e ditës. Kur gjithçka mbaroi nga ai takim, gjejmë rastin dhe të katër jemi pranë titullarit të sektorit. Na priti ngrohtësisht dhe veç të tjerave na pyeti edhe nga ishim, për udhëtimin e lodhjen. Unë kërkova që të bënim pjesë në brigadën e Kukësit, që kishte ardhur para tre ditëve. Kështu ramë dakord. Po atë mbrëmje u pajisëm me nga një batanije, e sendet e tjera për fjetje. Gjithashtu drejtori mesa dukej ishte nga jugu, me gjuhën letrare thirri edhe përgjegjësin e brigadës së Kukësit ku tashmë u vumë nën komandën e tij.

 Batanijet e vjetra që nga koha e Revolucionit Rus.

 

U sistemuam në kapanon mes gjithë atyre punëtorëve.Vetëm për batanijet vumë firmë, ndërsa për jastekun dhe dyshekun prej kashte aty i gjetëm e po aty i lamë kur u larguam nga aksioni. Unë e Kaziu flenim veç e veç, ndërsa Azemi dhe Shefqeti së bashku. Batanijet ishin shumë të vjetra sa kishin humbur edhe ngjyrën, ndoshta u ishin rrëmbyer gjermanëve, ose kishin ardhur nga Rusia, pas Revolucionit të Tetorit. Për t’i larë ato, s’kishim mundësi, por çdo mëngjes posa zgjoheshim nga gjumi, i merrnim dhe i shkundnim, biles aq shumë saqë qenë edhe holluar. Brigada jonë ishte vendosur në një zonë të veçantë në një kapanon, por punëtorët ishin pranë njëri tjetrit sipas krahinave nga vinin ato. Pastrimin e bujtinës e bënin vetë punëtorët sipas brigadave, duke hapur dritaret, pastruar mbeturinat, e sistemuar gjithçka, që ndodhej brenda. Natën bujtina jonë asnjëherë s’kishte qetësi, dikush kollitej, dikush fliste jerm e dikush dilte jashtë.

Sidoqofte pas asaj pune të lodhëshme gjatë ditës, me plasë edhe bomba atomike punëtorët nuk dëgjonin gjë dhe kështu e kalonin natën me forca të reja për të nisë të nesërmen betejën me gurët, dheun e drurët.

 

Karroca vegla më “moderne” asokohe në aksion.

 

Nuk morëm vegla me vete, pasi skuadra ku bënin pjesë ne kishte qoftë lopata, kazma si dhe dy karroca, të cilat ishin veglat më “moderne” asokohe. Ne ishim malësorë dhe s’kishte nevojë me na mësuar se si të punonim, pasi lopatat e kazmën, pse jo edhe karrocën e dorës dinim t’i përdornim siç ishte më mirë. Skuadra jonë ku edhe u inkuadruam përbëhej prej 12 veta, pasi shtabi i brigadës me ardhjen tonë bëri edhe disa ndryshime. Atë ditë u morëm me heqjen e gurëve, diku me krahë, e diku me karrocë e lopata, që ishin vetëm për lëvizjen dhe hedhjen e dheut. Karrocat “trupin” e kishin prej druri dhe vetëm rrotat prej hekuri. Ujin na e sillte për të pirë një djalë i vogël ku edhe ai ishte pjesë e brigadës sonë. Ndonjëherë vinte edhe ndonjë fshatar, por që e paguente sektori. Me kalin e tij mbi samar mbante dy bidona dhe shpërndante ujë.

 

 

Fyelli im që dëgjohej deri në luginën e Dragobisë si një “personazh” i veçantë.

Fyellin ma kishte blerë baba në Prizren para viteve 1948, biles dy copë, njërin të vogël e tjetrin pak më të gjatë. Këtë të voglin ose më saktë të shkurtrin, e qaja, qoftë në meloditë e këngëve, por edhe të valleve të të gjitha krahinave. Në Buzëmadhe në ato vite ku dëgjonin një melodi, thonin “është fyelli i Zylfisë”. Nëna ime, rahmet paste, në krahun e majtë të kaparanes, që ma kishte qëndisë Rrahman Lleshi, prej Lusnës, me gjylpanë me ato duart e arta, më qepi një cohë të vogël ku dhe vendosja gjithnjë fyellin, por atë të shkurtin. E mora veglën time muzikore edhe në aksionin e rinisë. Kur isha bari në stan, edhe në mes të natës po të më dilte gjumi, merrja fyellin dhe jehona e tij dëgjohej larg, shumë larg sidomos kur yjet pushtonin qiellin. Biles kur jemi nisë për në aksion nga fshati ynë Buzëmadhe, Azemi më pyeti: “Ti a e ke marrë fyellin me vete”?. I rashë edhe disa herë gjatë rrugës, bile poshtë Kamit të Tropojës gjetëm edhe disa barinj me bagëtitë e tyre. Se nga erdhën nuk e di, por edhe ata u habitën me fyellin tim e meloditë që përcillja. Duke shkuar në punë, po ditën e parë, Shefqeti m’u lut që t’i bija fyellit. E nxora nga kaparania, laga pak gishtat dhe mora një valle të Tropojës. Kolona e brigadës u ndal, biles disa punëtorë vrapuan nga brigadat e tjera dhe erdhën aty pranë dhe në fund më duartrokitën dhe më përgëzuan. Gjatë punës asnjëherë nuk i bija fyellit, por kishte ndonjë rast, pak edhe për të krijuar një atmosferë entuziazmi dhe mobilizimi, ndaj edhe i bija. Azemi dhe Shefqeti “vëllezërit” e mij do t’i quaja. Merrnin ndonjë valle, pastaj Azemi hiqte qesen (kapuçin) dhe e vinte në dorë si shami. Tani fyelli I Zylfi Tolës u bë pjesë e jetës së punëtorëve. Në kohën e lirë vinin dhe më luteshin që të merrja një valle, një këngë apo një melodi. Nuk ua prishja qejfin, por në ndonjë rast kur lodheshim shumë, edhe do të më falnin. Gjatë kohës në aksion, sidomos të shtunave pasdite dhe të dielave, me ato forca artistike që kishte sektori, pasi kishte punëtorë që i binin çiftelisë, këndonin, ndonjë pjesë humoristike, jepeshin programe, që mund t’i quaj për kohën e vendin ku ishim edhe artistike. Por fyelli im e niste i pari programin, por edhe e mbyllte.

 

-Çikat e Tropojës të bukura si zanë mali.

 

Një muaj në aksion, ku dikush mund të thotë, jetë e vështirë, e lodhëshme dhe e mbyllur. Unë që kam qenë vetë atje, them se ato ditë kanë qenë të mrekullueshme dhe me shumë mbresa, kujtime dhe ngjarje. Mbaronim punë e ktheheshim në sektor. Sipas krahinave grumbulloheshim, bënin mundje, lojra popullore, tregonim ngjarje nga jeta, ishim të rinj dhe gjaku dhe shpirti na zienin, e sidomos për vajzat, që herë pas here, jo vetëm ato që i kishim lënë në vendlindjet tona, por edhe për çikat e Tropojës si zana mali, që i kishim këtu pranë, në arat me misër, grurë, pse jo edhe baresha me tufën e deleve.

 

– Gështenjat që vidhnim në Markaj dhe policia.

 

E diela pritej me shumë gëzim, se ishim të lirë. Secili në punën dhe hesapin e vet. Kishte raste që ndonjë shok punonte edhe në fshat për prerjen e korrjen e misrit tek vendasit. Ata u dhuronin koçana misri që ne i pjeknim pastaj edhe mollë e djathë e prodhime të tokës e parcelave të tyre, qoftë të Rragamit, Luzhës e Llugajve. Kishte raste që shkonim në masivin e gështenjave mbi Kolgecaj, në Markaj e mbushnim strajcat dhe i kishim ushqim për të gjithë javën. Te ura e Valbonës, kur u bë problem “vjedhja”, marrja e gështenjave, shteti vuri një postëbllok, që nuk na linte të udhëtonim andej nga gështenjat, por ne shkonim nga fshati Sopot, Cernicë, Margegaj, e drejtë e në pyjet e gështenjave.

15-Kolgecaj, fshati vetëm me pesë shtëpi, tani qyteti i Bajram Currit.

 

Ato vite, pra janë vitet 1951, Kolgecaj, që e kam shkelë dhe parë me sytë e mi, pati vetem pesë shtëpi edhe ato përdhese, një dyqan e asgjë tjetër. Në atë dyqan ku kam hyrë edhe vetë brenda, kishte nja dy stola, një tavolinë tepër të thjeshtë, pastaj gjera të tjera, që shërbenin për rrethinat, por edhe për ne punëtorët. Siç na thoshte vetë shitësi se të gjitha materalet para 1948 i merrnin në Gjakovë, Prizren e Pejë. Po tani Tito na çon vetëm kaçakë dhe diversantë me rrëzue pushtetin e Enver Hoxhës. Sa shumë ndryshime, epokë pas epoke. Janë 70 vite, 1951-2021.Në Kolgecaj me ato pesë shtëpi të vogla është ndërtuar qyteti i Alpeve, por edhe alpin, që mban emrin e birit të lavdishëm të Malësisë Gjakovës, Bajram Curri. Dhe sot po t’i pyesish malësorët e këtyre anëve me krenari të përgjigjen,”Jam nga Bajram Curri”. E gjithë të tjerët për Kolgecajn, për Bajram Currin e Tropojën e rrethinat e saj, le t’ja lemë historisë për t’i pasqyruar në faqet e saj për brezat që do të vijnë. Pra Tropoja është një planet në vetvete. Ne punuam një muaj për t’i dhënë Tropojës të asaj kohe rrugën e  makinës. Unë tash kam përcjellë në jetën time mbi tetë dekada e pak më shumë. Kam marrë pjesë edhe në disa aksione të tjera lokale dhe kombëtare, por atë të rrugës së gjatë Shëmri-Kolgecaj, e kam më shumë në shpirt e zemër, ndoshta pse isha shumë i ri, i rritur në male e pa jetë kolektive, pa shokë majtas e djathtas, pa komandë e shumë e shumë të tjera që të gjitha varg e lidhur si zinxhirë mes tyre, por të arta dhe të mrekullueshme. Ruaj për atë kohë edhe gjërat dhe ngjarjet më të vogla, duke përfshirë edhe rastin kur Kaziu kishte bërë llafe me një moshatar nga Nikaj Mërturi për hiçgjë, duke u shtyrë e përfunduar të dera e mencës. Nuk e lashë me kaq. I takova të dy “trimat”, u fola ashpër, më shumë shokun tim Kaziun. Shtërngimi i duarve dhe rrokja për qafe ishte gjithçka. Jeta e njeriut them se nuk matet me gjatësinë e tij, por me ngjarjet, ndodhitë, hallet, peripecitë, dramat qofshin këto të gëzuara, apo edhe të hidhura.

Pas dhjetë ditësh në Rragam, pra në aksion më ra zgjebja, siç i themi ne këndej nga Luma. Kjo sëmundje vërtetë nuk është aq shumë shqetësuese, por kruarja e trupit vazhdimisht është shumë e besdisëshme. Më  thanë se vetëm në Tropojën e Vjetër që ishte në ato vite qendra e gjithë këtyre viseve, ndodhet një infermier. Dhe ashtu vendosa të shkoj, mora leje dhe u nisa vetëm andej për në Tropojë. Ato vite ende nuk kishte hyrë traktori dhe rruspat për të sheshuar pyjet dhe malet. Gjatë rrugës gjeta masive të tëra me arra. I mblidhja vetëm ato që ishin hapur dhe përveçse hëngra sa munda, mora edhe të tjera në strajcën time që kisha me vete.

 

 

17- Kanaçja me ndryshk që nga koha e Luftës së Parë Botërore kur austriakët pushtuan Shqipërinë.

 

Kanaçja ishte aq e vjetër, saqë gjithkund ishte e mbuluar nga ndryshku, ndoshta kishte mbetur nga italianët prej Luftës së Dytë Botërore, pasi ata edhe në Tropojë kishin qëndruar asokohe. Apo mund të ishte edhe e ushtarëve austro-hungarezë kur patën pushtuar Shqipërinë në vitin 1918.

 

18- Lyerja me gurë kali dhe trupi që më digjej flakë.

 

Futem tek banjoja, zhvishem dhe filloj të lyhem në të gjithë trupin. Në fillim nuk e ndjeva, nuk pata zjarmi apo djegie, por ilaçi dalëngadalë po jepte efektin e vet dhe  filloi të rrisë ashpërsinë dhe intensitetin e djegies, derisa m’u duk se trupi po më digjej flakë. Më digjte aq shumë, saqë edhe fillova të urinoj pa komandë. Ç’të bëja? Tani gjithçka kishte marrë fund. Lyerja mbaroi. Vazhdon të më djegë i gjithë trupi dhe mes tyre edhe dhimbje. Kërkova ujë për të larë trupin, por nuk gjeta.

 

Vajza sanitare dhe plaçka  që më hodhi pas derës.

 

U vesha me shumë vështirësi dhe dola në koridor. Nuk e gjeta infermierin, por një vajzë, as e re, por as edhe e vjetër dhe kur më pa në atë gjendje më pyeti: “A patë dhimbje dhe zagushi”. Unë me kokën ulur iu përgjigja: “Edhe pesë plumba me më pas ra në trup, kaq dhimbje e tmerr nuk do të kisha pasë.

Ende pa u ndarë me sanitaren, ajo iku nga banjoja, ndërsa unë për udhëtimin tim nga kisha ardhur. Nga larg ma bëri me dorë duke më thanë që kisha harruar diçka aty kur isha lyer me gurë kali, por pa ia zënë emrin se çfarë ishte. Kthehem me vrap dhe pas dere gjej grumbull benevrekët e mija (donet) që i kisha harruar dhe ajo i kishte shtyrë diku andej pas dere me këmbë. I mora dhe i futa në strajcë pa ja hedhur sytë sanitares, i mbështolla ashtu mirë e keq dhe pa e përshëndetur atë, ngaqë më erdhi turp për plaçkën e harruar, u nisa drejt sektorit.

 

EPILOG:

 

Kanë kaluar rreth 70 vite të vështira me shumë lodhje e sakrifica. Mes veprave të mëdha, pse jo mbetet edhe rruga Shëmri-Kolgecaj, e cila është si një gjerdan i artë në këto vise, gati nga më të bukurat e vendit tonë të dashur, Shqipërisë. E ndjej veten edhe krenar, por edhe shumë të lumtur, që së bashku me sa e sa djem e burra të tjerë, kemi derdhur pak djersë e dhënë kontributin tonë në këtë vepër, e mes tyre duke hedhur edhe disa kujtime ashtu siç i kam përjetuar me gjithë shpirt e zemër, aq sa të sakta edhe reale.

 

Zylfi Tola