Takim brezash

2434
Sigal

Nga Bashkim SULÇE

Oborri i universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës javën e kaluar përjetoi popullimin e rrallëndodhur të një elite të kualifikuar mësuesish. Ata vinin nga rrethe të ndryshme të vendit, për të festuar gëzueshëm takimin e përmallshëm të ish-pedagogjikasve të “Jani Mingës”.Ish-nxënësit e shkollës së mesme Pedagogjike e organizuan këtë takim mbresëlënës pas mbi 62 vjetësh. Kishin ardhur mësues që ishin diplomuar në vitin 1960, e deri tek ata të vitit 1968. Kishim fatin dhe kënaqësinë që këtë përvjetor të takimit me gjithë ish-nxënësit, ta publikonim dhe lajmëronim në shtyp, falë bujarisë së drejtorit të gazetës “Telegraf”, z. Ëngjell Musai, të cilin e falënderojmë. Takimi u mbajt në datën 12/10/2018 në mjediset e shkollës, sot universiteti “Ismail Qemali”. Klasa e parë e ish-pedagogjikes “Jani Minga” u çel në mjediset e gjimnazit “Ali Demi” në tetor të vitit 1956 dhe mësuesit jepnin lëndë në gjimnaz dhe në pedagogjike. Konviktin e kishim në “Ujin e Ftohtë”. Nxënësit e ardhur nga Vlora, Fieri etj, shkonin e vinin në këmbë nga konvikti deri në shkollë e anasjelltas. Më 1957 erdhën nxënës edhe nga Lushnja dhe shkolla u bë me drejtori më vete. Më 5 tetor 1957 , asaj iu vu emri shkolla e mesme Pedagogjike “Jani Minga”. Nëse janë bërë edhe më parë takime, ky i sivjetmi ishte më madhështori, sepse bëhej me të gjithë brezat e nxënësve, ishte më i plotë, sepse mblodhi të gjithë ata që mësuan në bankat e shkollës gjatë 10 viteve të funksionimit të pedagogjikes. Në orët e para të paradrekës së të premtes së kaluar, oborri i shkollës priti miq të moshuar, të thinjur apo pa flokë, të rrudhur apo me kapelë në kokë, por me kujtime dhe mendje të freskët që kishin ardhur për t’u çmallur si bashkënxënës të atyre viteve. Çmallen dhe sytë u mbushen me lot gëzimi. Mikpritësit e universitetit i sistemuan në një sallë në katin e parë për të kujtuar jetën e tyre shkollore si nxënës të “Jani Mingës”.

Ata u ulën sipas viteve që kishin mbaruar shkollën. Kureshtje, buzëqeshje dhe kënaqësi..U deshën shumë minuta që të vendosej qetësia. Në sallë ndodheshin afër 100 vetë. Nga 37 maturantët e klasës së 4-b, ndodheshin: Leonora Kano, Meshtone Hodaj, (Merkaj), Gomi Mezini, Bejo Shanaj, Fuat Ibrahimaj, Todi Gjata dhe Bashkim Sulçe i cili në duar mbante polifoton e maturës. Fjalën e hapjes e mbajti mësuesi i dalluar dhe organizatori i takimit z. Fuat Kokulli, matura e dytë e vitit 1957. Ai falënderoi pjesëmarrësit e ardhur nga Durrësi, Lushnja, Vlora, Fieri etj. Ata befasohen me ndryshimet që shohin te njëri-tjetri dhe pyesin për emrin, klasën vitin e mbarimit të shkollës, familjet, fëmijët e nipër e mbesa, sepse tashmë janë bërë gjyshër. Më pas mësuesi pensionist nga Lushnja Isuf Liço lexoi emrat shokëve që kanë ndërruar jetë: Stefo Neranci, Thanas Maj, Zoi Ndreko, Ilia Toska, Myrie Kollundra, Thoma Binjaku, Themie Çuko (Nushi), Savete Prençe (Toshkallari), Hysni Hoxha, Agim Kalaja, Muharrem Dulla, Xhevahir Xhindi, Timo Daflla, Klorko Dhima, Ilia Koço, Kilo Mone, Nazmi Zeneli, Adil Rama, Andromaqi Shishko, Irakli Kote, Novruz Skënderaj, Bani Pete, Et’hem Saliaj etj. Në shenjë nderimi dhe respekti për ta u mbajt një minutë heshtje. Siç theksoi në fjalimin e tij ish-nxënësi dhe profesori Rahmi Memushaj, “…ishin kushtet e rritjes së shpejtë të popullsisë së pasçlirimit të vendit që u pa e arsyeshme hapja e kësaj shkolle për arsimimin e fëmijëve të zonës së jugut: Myzeqe, Labëri, Mallakastër, Vlorë, Tepelenë. Shkolla e mesme pedagogjike ka nxjerrë mbi 1080 mësues të cilët u shpërndanë në rrethet Fier, Lushnjë, Vlorë,Tepelenë, Sarandë etj. Roli që këta mësues kanë luajtur në arsim ka qenë shumë i çmuar.

Ata jo vetëm përmbushën nevojat urgjente për fuqi mësimore, por shumë shpejt ngritën nivelin e përgatitjes dhe përkushtimin ndaj punës. Disa prej tyre u emëruan drejtorë shkollash që në vitet e para të punës dhe punuan me seriozitetin më të madh duke marrë me vete respektin e prindërve dhe të nxënësve që mësuan. Shkolla pedagogjike nxori edukatorë me nivel të lartë shkencor e pedagogjik, sepse kishte mësues të pasionuar pas profesionit dhe me shkallë të lartë kualifikimi si p.sh., Elmaz Aliaj, Telemak Xhaxho, Zeko Braho, Kastriot Misja, Kristo Dhima, Pelivan Minga, Koço Baldadori, Marika Bezhani etj., të diplomuar jashtë vendit dhe në ish-Bashkimin Sovjetik (dy të fundit në Itali). Kujtohet me këtë rast ekspozita e parë e luleve e hapur nën kujdesin e profesoreshë Marika Bezhani kërkuese ndaj vetes dhe që rrezatonte qytetari. Por edhe pjesa tjetër e mësuesve të diplomuar brenda vendit shquheshin për nivel të lartë përgatitjeje, sepse universiteti i Tiranës atëherë më shumë se gjysmën e pedagogëve i kishte të diplomuar në Perëndim e në Lindje. Bubulina Arapi, Epaminonda Papakroni, Astrit Isaraj, Vangjel Pici, Kristaq Suli etj., nuk binin më poshtë nga kolegët e arsimuar jashtë. Dhe në krye të tyre ishte drejtori Harilla Kuculi, mësues i dashur dhe prindi ynë i dytë që gjente kohë të na pyeste për familjet tona, të na këshillonte e të na ndihmonte. Punën e tij e vijoi profesor Elmaz Aliaj edhe ai një mësues i urtë e i dashur. Për formimin tonë si mësues të ciklit të ulët me rëndësi ishin ato lëndë që quheshin “djathtësi”: fizkultura, muzika e vizatimi. Këto lëndë na i jepnin mësues profesionistë të këtyre fushave si: Ilo Toska, që ishte basketbollist dhe shumicën e orëve të edukimit fizik na e bënte në këndin sportiv “Ali Demi”; Fejzie Fisheku e cila ishte gjithashtu sportiste; Vasil Taloja që na jepte vizatim, ishte piktor apo Avni Gunbardhi që ishte muzikant. Prej këtyre mësuesve ne morëm dije po edhe modelin e edukatorit korrekt që e imituam gjatë punë sonë në arsim. “Jemi krenar për mësuesit tanë, për shokët tanë që kontribuan në fusha të ndryshme duke arritur të mirën më të mundshme, shkallën më të lartë të kualifikimit,- tha në diskutimin e tij ish-nxënësi i maturës së dytë 1960-1961, tha z. Sulçe Çela i maturës së dytë, viti 1957. Falënderojmë shokët tanë që kurrë s’u shkëputën nga ne. Përshëndesim lartësitë që kanë prekur bashkënxënësit si: Akademik Xhevahir Spahiu, Prof. dr. Rahmi Memushaj, Prof dr. Enver Muhametaj, prof. dr. Dionis Cakalli, prof dr. Agron Duro, prof dr. Kozma Buzi, Prof dr. Nimet Balili; “Artistët e Popullit” Birçe Hasko, (Gjongjini), “Artisti merituar” Anastas Kristofori; “Mësuesit e merituar” Djana Balla, Thoma Binjaku, mjeshtër sporti, Gani Mezini etj., Vilhelme Vronari, shkrimtare me mbi 40 botime dhe disa çmime kombëtare e ndërkombëtare. Gjendet mes tyre edhe ish-mësuesi i dalluar i rrethit të Fierit, Selami Morina, i cili është shpallur “Qytetar nderi i Fierit”.Më tej Agim Ruka do të kujtonte nëpërmjet disa vargjeve humoristike jetën dhe bëmat e shokëve dhe të mësuesve të tyre: Na ka lezet mosha/ Se shkoi e iku, se s’vjen më rinia/Të qeshim, të çmallemi, të bëjmë shaka/Se bashkë me jetën rri dhe dashuria..”Të gjithë ata u janë mirënjohës mësuesve të tyre që sakrifikuan gjithçka për t’i mësuar dhe edukuar duke i bërë mësues të denjë për vendin. Mirënjohja e parë ndaj drejtorit Harilla Kuculi, ish-normalisti i shkëlqyer i Elbasanit, drejtor dhe mësues i mësuesve. Mirënjohje Xhevdet Kofinës, profesorit të pajisur me arsim të lartë perëndimor që ua futi në kokë matematikën nxënësve. Mirënjohje mësueses Marika Bezhani me një kulturë perëndimore që solli për herë të parë në Vlorë ekspozitën e luleve të gjithë Evropës. Profesori i vullnetshëm Kristo Dhima, Koço Baldatori, i mësuar dhe edukuar në universitetet italiane e franceze. Falënderojmë prof Elmaz Alia që me dijet e tij të thellë të fituara në universitetin në ish-Bashkimin Sovjetik na mësoi si të jepnim mësim. Mësues me vlera të larta që kishin mbaruar jashtë shtetit mbeten për ne: Zeko Braho, Rakip Konkurti, Milto Shuka etj. Por me nivel të lartë ishin edhe të përgatiturit në shkollat tona të larta si; profesori kompetent i rusishtes Kristaq Suli, Vangjel Pici, Bubulina Arapi (Mici), Telemak Xhaxho, Kastriot Misja, Nonda Papakroni. Përshëndeti edhe ish-rektori i universitetit të Vlorës z.Spiro Çaushaj, në pension, ish nxënësi i shkollës “Artisti i Popullit” z. Birçe Hasko tha: “Jam i lumtur sot që ndodhemi së bashku sot këtu pas 60 vitesh. Falënderoj organizatorët e takimit. Ju dua të gjithëve. Ne kemi punuar me përkushtim, pa sot jemi këta që jemi”. Pas takimit drekuam në një lokal ku vloi kënga e vallja. Nga mësueset ishin të pranishme: Shire Caka (Kasapi), Dylfidane Hila (Aliko) dhe Merushe Smaci, (Malaj). Duhen përgëzuar për organizimin e aktivitetit: z.Isuf Lico në Lushnjë, Shire Caka (Kasapi) e cila ka marrë shumë shokë e shoqe në gjithë vendin në telefon edhe në Amerikë, Greqi, Itali etj,apo Stavri Prifti në Fier, Pali Janji i palodhur si dhe organizatorët Sulçe Çela dhe Fuat Kokulli. Përulemi para punës e veprës së mësuesve tanë të paharruar: Zeko Braho, Safet Kofina, Avdi Hanxhari, Avni Gunbardhi, Ilo Toska, Fejzie Fisheku, Merxhane Bylyshi, Vasil Talo, Skënder Tena, Rushit Ismaili, Sotir Veizi, Koço Dardha, Ollga Kashta, Pelivan Minga, Barjam Hajrullai, Maro Pasha, Besnik Deromema etj. S’na mbetet veçse të bashkohemi të gjithë me urimin: Mirënjohje për ju që ikët, për ju që jetoni dhe gjithë bashkënxënësit aktualë! Urojmë të keni shëndet e begati në familjet tuaja! Të jemi krenar që jemi pasardhës të mësuesit të madh, Jani Minga!