Nazif  DUKA/ Dëshmorët e fshatit tim, Vranisht

940
Sigal

Vranishti i Vlorës është në qendër e në zemër te Labërisë. Fshat i madh e me histori. Fshati i atdhetarëve, i trimave dhe i kapedanëve, që kanë bërë histori në të gjithë kohërat, por në veçanti në luftë lavdi madhe LANÇ, ku nga Vranishti morën pjesë me armë, rreshtat partizane 245 vetë. 75 në Brigadën V “Heroine e popullit”, 25 në Brigadën XII dhe te tjerët në të gjitha brigadat partizane e në ato territoriale. Në këtë luftë vigane, ranë për të mos vdekur kurrë 72 dëshmorë, 78 të tjerë janë martirë e viktima. Mbetën jetimë 82 fëmijë. Vranishti u bë shkrumb e hi. Gjermano-ballistët bënë masakrën më të egër në popull me “Operacionin e dimrit” 1943-1944, duke vrarë e djegur në zjarr njerëz, shtëpi e pasuri. Vranishti masivisht u vra me plumb, u dogj me zjarr, por nuk u nënshtrua. Ai nuk pranoi të shkonte me ballistët dhe nuk lejoi të krijohej çetë balliste. Ndaloi dhe asgjësoi pararojën e ushtrisë gjermane. Ai qëndroi si malet e tij, Çika e Bogonica, dhe sot është krenar e ballë ndritur me bijtë e tij, që luftuan e dhanë jetën dhe me emrin martir i Luftës së II-të Botërore, që i ka dhënë komiteti antifashist botëror. Jam krenar që jam biri i këtij fshati dhe partizan i Brigadës V, “Heroinë e popullit”, me komandant kryetrimin e Labërisë, legjendarin Shefqet Peçi, e komisar viganin Hysni Kapo, “Besniku”. Vranishti i dashur është laureuar edhe nga Evropa për këngë e valle. Banorët e tij, në fshat e kudo që ndodhen, jo vetëm në festa, dasma e gëzime, por edhe në kohën e lirë i kanë në mendje dhe i këndojnë këngët e dëshmorëve siç janë:

“O ju dëshmorët e mjerë (me vlerë)

Ju që ratë në betejë

do t’u kujtojmë përherë

ju na çliruat Atëdhen

Dy vëllezër në një derë

Hysen Çinua me Xhevden

Lazja me Shaban Seferë

Hamiti, Asqëria me Azemë

Bitrajt, lumë gjaku derdh

Dhe ne Lënga u be gjëma

U vranë njerëzit, në shtëpi brenda

Shtatë Shakohoxhajt përtej

Ata dhe me thike u therë

dhe shumë e shumë të tjerë”

Disa me zjarr i kanë djegë…

Ju viktima që u mashtruan

Në xhami ju grumbulluan

Dhe si kafshë u ngarkuan

Në Brataj ju pushkatuan…

O sa dëshirë kam,  që në këtë 70 vjetor të çlirimit të shkruaj e të flas për luftën e LANÇ, për shokët e mi, që i kam parë në beteja, në sulmet partizane mbi pushtuesit gjermano-ballistë, nga Bramyshnja e në Vishegrad. Ishin zgalem në furtunë, që godisnin si rrufe mbi pushtues e tradhtar. O sa shumë janë heronj e heroina, që nuk kursyen as gjakun e as jetën e tyre, për lirinë, për çlirimin e popullit e të atdheut, të robëruar nga pushtuesit e bashkëpunëtorët vendas. Ata dhanë jetën e nuk morën asnjë shpërblim, veç një pllakë varri. Sa keq që, edhe atë u’ a thyejnë vandalët. Ndaj, në këtë 70 vjetor-jubilar, familja, shoqëria dhe shteti duhet t’ i kujtojnë e nderojnë ata si gjithë popujt e botës. Ata bënë histori. Ata janë nderi e lavdia e kombit shqiptar. Njerëzit, rinia dhe brezat duhet ta mësojnë historinë e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare dhe heroizmin partizan.

, Veteran

Ish partizani Brigadës V , “Heroinë e popullit”

Vlorë , më 21.11.2014