Myftiu i Korçës, Haxhi Qazim Muçi: “Sfidoj drejtuesit e Bashkisë: Ejani në xhaminë e Korçës, do të celebrojmë ngritjen e Flamuri

665
Sigal

Teuta Opari: Nuk kam informacion, a duhet të hyjë flamuri në xhami; pyesni historianët! Prej 24 vitesh kryebashkiakët përjashtojnë xhaminë nga  dita e flamurit,

Për më shumë se 20 vjet, kryebashkiakët e Korçës, të cilët rastësisht ose jo kanë qëlluar që të gjithë ortodoksë, e kanë përjashtuar xhaminë e Korçës nga celebrimi i ngritjes së flamurit. Edhe për këtë vit, ashtu si gjithnjë, në programin e Bashkisë së Korçës nuk është programuar që celebrimi i Flamurit Kombëtar të kryhet edhe në xhami. Këtë privilegj e gëzon vetëm kisha ortodokse në Korçë. Gjatë kësaj ceremonie aty janë të pranishëm drejtuesit e Bashkisë, të Prefekturës, të Këshillit të Qarkut, deputetë, drejtues institucionesh dhe të tjerë, por askush prej tyre nuk pyet: Pse xhamia e Korçës lihet jashtë të drejtës së saj legjitime për celebrimin e flamurit? Megjithatë, tashmë pas 24 vitesh demokraci, Myftiu i Korçës, Haxhi Qazim Muçi ka vendosur të sfidojë drejtuesit e Bashkisë së këtij qyteti, por edhe të Prefekturës, të Këshillit të Qarkut, deputetët, liderët e partive politike etj, duke iu drejtuar ftesën: “Ejani në xhaminë e themeluesit të Korçës, Iljaz bej Mirahori, sepse do të kryejmë celebrimin e ngritjes së Flamurit Kombëtar!” Kjo sfidë u bë e njohur posaçërisht për gazetën “Telegraf” nga vetë myftiu i Korçës, Haxhi Qazim Muçi. Çfarë do të ndodhë, mbetet të shihet ditën e 28-Nëntorit, ditën e madhe të ngritjes së  Flamurit, ku që të gjithë flasin më fjalë të mëdha e patriotizëm të kulluar. Ndoshta atë ditë do të mësohet përfundimisht cilat kanë qenë arsyet e vërteta, që kryebashkiakët e Korçës përjashtuan për më shumë se 20 vjet Xhaminë e këtij qyteti  nga ceremonia e Flamurit

Arsyet?

Aktualisht, cilat kanë qenë arsyet që kryebashkiakët e Korçës kanë parapëlqyer të organizojnë aktivitete të tilla vetëm në kishë dhe jo në xhami, sigurisht që nuk mund t’i dimë. Për ne gjithçka është absurde. Është mëse e nevojshme që vetë kryetari i Bashkisë, Sotiraq Filo, madje edhe ish-kryebashkiakët, (ku bën pjesë edhe Niko Peleshi, zëvendëskryeministri i sotëm), të shpjegojnë qëndrimin e tyre arbitrar që kanë mbajtur ndaj Xhamisë së qytetit të Korçës që nga vitet ’90 e deri më sot. Mos vallë  kryebashkiakët e pasviteve ’90 kanë menduar se flamuri shqiptar është vetëm i ortodoksëve? Mos vallë ka ndodhur kështu për shkak të injorancës së tyre? Mos vallë po synohet një përçarje mes myslimanëve dhe ortodoksëve? Mbi të gjitha, pse nuk është menduar më shumë për bashkimin dhe vëllazërimin, por është bërë e kundërta? Për të gjitha këto pyetje, nuk kemi asnjë përgjigje. U takon organeve kompetente të hetojnë dhe të vendosin para ligjit personat, që me dashje ose jo, po thellojnë dasitë mes komuniteteve fetare, përfshi këtu edhe të shpërblyerin me postin e zëvendëskryeministrit z. Niko Peleshin.

Koordinatorja e qendrës kulturore, flet për programin

Teuta Opari, koordinatorja e aktiviteteve artistike, pranë qendrës kulturore, “Vangjush Mio”, e cila është dhe hartuesja e protokollit zyrtar të Bashkisë për programin e 28- Nëntorit, ngritjes së flamurit, nuk ishte në gjendje të na jepte asnjë sqarim, pse celebrimi i flamurit nuk ishte parashikuar nga Bashkia që të kryhej edhe në Xhami. Lavdari na shpjegoi që ceremonia e 28-Nëntorit do të fillojë në orën 09.00, ku gjatë kësaj kohe, 09-09:30, banda e qytetit do të ekzekutojë marshe të ndryshme. Kurse ceremonia do të fillojë në orën 10:00, ku do të jenë të pranishëm përfaqësuesit e Bashkisë, të Prefekturës, të Këshillit të Qarkut, përfaqësues të partive politike, deputetë, përfaqësues të komuniteteve fetare etj. Do të jenë të pranishëm gjithashtu dhe konsulli grek në Korçë dhe ai rumun, si dhe shumë të tjerë. Gjithashtu Teuta Lavdari na bëri të ditur se flamuri do të ngrihet në orën 10:00 dhe do të këndohet himni. Fjala përshëndetëse do të mbahet nga kryetari i Bashkisë, Sotiraq Filo. Në orën 10.30, tha Lavdari, do të bëhet në Kishë celebrimi i Flamurit.

Teuta Lavdari nuk di të përgjigjet

Por kur zonjën Teuta Lavdari e pyetëm pse kjo ceremoni nuk ishte parashikuar të kryhej edhe në Xhami, ajo nuk dinte si të përgjigjej: “Nuk kam asnjë informacion nëse duhet të futet flamuri edhe në xhami”,- ishte përgjigjja e saj. (Përgjigjja ishte më shumë se skandaloze, përse nuk duhet të hyjë flamuri në xhami?!) Pastaj, pas këtij shpjegimi absurd, ajo u përpoq të na shpjegonte se Korça e paskësh pasur si traditë që celebrimin ta kryente në Kishë, madje jo vetëm kaq, ajo na sqaroi se kështu kishte ndodhur edhe përgjatë viteve të demokracisë, duke shtuar se celebrimi i flamurit nuk ishte bërë ndonjëherë në Xhami. Pas këtij shpjegimi, nga zonja Lavdari nuk mundëm të merrnim dot ndonjë informacion më shumë: “Nuk kam ndonjë informacion më tepër, na u përgjigj ajo, shkoni në Bashki për t’u informuar më shumë. Unë nuk di t’u them gjë tjetër mbi këtë çështje. Bëni mirë të pyesni historianët”,- na këshilloi ajo. Sigurisht, ne kishim gjetur edhe faktet që na tregojnë qartë se celebrimi i flamurit në qytetin e Korçës, si traditë, fillimisht kryhej në Xhami dhe pas kësaj edhe në Kishë. E vumë në dijeni zonjën Lavdari edhe për këtë fakt historik, por ajo, me sa kuptuam, nuk mund ta shtonte në program celebrimin në Xhami pa lejen e drejtuesve të Bashkisë. Ishin ata që vendosnin, ashtu siç kishin vendosur për 20 e ca vite me radhë. Dhe megjithatë organet e hetimit qëndrojnë të heshtura sikur të mos ketë ndodhur asgjë.

Sfida e myftiut 

Ndërsa përgjigjja e myftiut ishte mjaft e qartë: “Për 20 e ca vjet më radhë,- na tha Haxhi Qazim Muçi,- ne nuk kemi mundur të kryejmë celebrimin e ngritjes së flamurit kombëtar, pasi nga drejtuesit e Bashkisë nuk programohet kjo gjë. Për ta kuptuar më drejtë,- na sqaroi ai,- celebrimi i flamurit nuk është thjesht një aktivitet fetar, që xhamia mund ta organizojë me besimtarët e saj. Edhe kështu mund ta bënim, askush nuk do të na pengonte, por celebrimi i ngritjes së flamurit është një aktivitet edhe institucional. Që ne të realizojmë celebrimin e flamurit, së pari, duhet me doemos, që kjo gjë të parashikohet edhe nga drejtuesit e Bashkisë, ndryshe nuk do të kishte rëndësinë e duhur. Kemi pritur vit pas viti që kjo të ndodhte, por asnjëherë nuk u bë e mundur. Ndaj këtë vit kemi vendosur të sfidojmë drejtuesit e Bashkisë,  të Prefekturës, të Këshillit të Qarkut, deputetë e të tjerë të vijnë në Xhami pasi ne aty do të kryejmë celebrimin e Flamurit Kombëtar. Jam i sigurt që do të vijnë. Kjo ka qenë tradita e vërtetë e Korçës”.

 

Tradita, ja programi i vitit 1920

Programi i vitit 1920 (të cilin po e marrim si shembull) na tregon qartë që në atë kohë, lutjet bëheshin fillimisht në Xhaminë e Korçës dhe pastaj në kishën “Shën Gjergji”. Më konkretisht po sjellim një nga kronikat e kohës, Ja çfarë thuhet në programin e hartuar nga prefektura:

1. Më 27/11/20 më darkë (pasnesër, të shtunë mbrëmanet), të gjitha zyrat qeveritare do të ndriçohen me kandila e do të zbukurohen me llampa etj.

Më ora 07.00, mbrëmanet, Banda do të lozë marshe para zyrave qeveritare dhe do të shëtisë në shumë rrugë

Më ora 08.00, mbrëmanet, do të lëshohen qorrëfishekë në breg të “Shën Thanasit”

2. Më 28/11/20 , të gjitha zyrat do të jenë në pushim.

3. Më 28/11/20 , ora 09.00, pasdreke, do të bëhet lutje ne xhami, dhe në ora 09.30 do të bëhet lutje ne kishën e “Shën Gjergjit”…” (“Gazeta e Korçës”, e diel 28 nëntor 1920) Pra nga sa shihet lutjet për flamurin fillimisht bëheshin në xhami e më pas në kishën e “Shën Gjergjit”, por sot kryebashkiakët e Korçës e paskan harruar këtë traditë.

 

Program i vitit 1930

Ndërsa në programin e 28 nëntorit të vitit 1930, gjejmë një fakt tjetër. Lutjet në Xhami dhe në kishën e “Shën Gjergjit”, kryhen në të njëjtën kohë, ndoshta për të ruajtur paritetin e të dy komuniteteve. Ja programi i këtij viti:

1) Më ora 7.30, paradreke, banda e bashkisë do të dalë nëpër rrugët e qytetit duke luajtur marshe kombëtare dhe si të mbarojë do të qëndrojë përpara Prefekturës

2) Më ora 09.00, të gjithë kryezyrtarët, komandantët e Ushtrisë dhe Gjindarmërisë dhe i Paraushtarakëve, nëpunësat e oficerët e mveshun me uniformën e madhe do të mblidhen në Prefekturë.

3) Më ora 09.15, do të bëhen lutje në kishën e “Shën Gjergjit” dhe në Xhaminë e Madhe në një kohë. Ndër këto ceremoni përveç popullit do të marrin pjesë edhe autoritetet. Në vazhdim të lutjeve do të zbrazen 21 topa. (“Gazeta e Korçës”, e premte, 28 nëntor 1930)

Vini re: lutjet do të kryhen në të njëjtën kohë si në Xhaminë e Madhe ashtu edhe në kishën e “Shën Gjergjit”. Pyetja është një dhe e vetme: A duhet që dikush të mbajë përgjegjesi ligjore për mënjanimin e Xhamisë nga celebrimi i flamurit, duke krijuar kështu një hendek të madh mes dy komuniteteve?

Festa e flamurit, 28 nëntor 1920, për herë të parë në Korçë

Celebrimi i flamurit nis nga Xhamia e Madhe, festohet deri në mëngjes

 “Që të premte, më 26 nëntor, zunë të zbukurohen gjithë zyrat qeveritare si dhe gjithë qyteti me flamurë. Të shtunë mbrëmanet, 27 nëntor, më ora 7, Banda Kombëtare “Vatra” vajti në gjithë zyrat qeveritare dhe luajti disa marshe të zgjedhura, dhe pastaj shëtiti në disa rrugë të qytetit duke u pasuar (shoqëruar) prej një shumice të madhe prej popullit. Kur kishte dalë Banda dhe po lozte para zyrave qeveritare, zunë dhe këmbanat të buçasin: si të mbarojë Banda më ora 10 së luaturi, populli ndenji akoma duke festuar gjer në mëngjes. Të dielën, 28 nëntor, më ora 9 në mëngjes, u bë në Xhami lutje ku u ndodhën gjithë zyrtarët dhe një shumicë e madhe prej populli sa nuk i nxinte Xhamia. Me të mbaruar lutja, dhe posa doli gjindja nga Xhamia, anëtarët të shoqërisë artistike të Korçës, të cilët prisnin jashtë, zunë t’i vënë kujtdo nga një kordele me ngjyrat kombëtare, të cilët jepnin nga një ndihmë për shoqërinë”

 

Pas lutjeve në Xhami

“Që nga Xhamia të gjithë vajtën në Kishën e “Shën Gjergjit”, ku u bë lutje. Në kishë u mblodhën në lutje edhe konsullit e Italisë me të Serbisë. Si u mbarua lutja edhe në kishë pas programit të ditës, vajtën dhe bënë vizita në Prefekturë ku jashtë po luante Banda disa copëra (pjesë) të zgjedhura. Që nga Prefektura populli dhe zyrtarët tufa-tufa vinin bënin vizita në Katundari (Bashki), në Federatën “Varta” dhe në komandën e Ushtrisë”.

 

Pas darke

“Pas darke, më ora 3, u bë në bulevardin të “Shejt Gjergjit” përpara Prefekturës, paradë, ku mori pjesë Ushtria me Xhandarmërinë, me Bandën në krye, Federata “Vatra”, Shoqëria e grave, Shoqëria artistike dhe gjithë shkollat. Jashtë Prefekturës ndodheshin zëvendësprefekti me Këshillën, Kryekatundari (Kryebashkiaku) me këshillën, Senatorët e Korçës, bashkë me Z. Peci, Kumandari i Ushtrisë, përfaqësonjësit e Dhespotit e të Myftiut, Konsujt e Italisë, Serbisë dhe gjithë zyrtarët e tjerë bashkë me një shumicë të madhe prej populli. Si shkoi Ushtria me Xhandarmërinë duke pasur në krye flamurin dhe Bandën, dhe pas anëtarët e Federatës “Vatra”, e cila kishte zbukuruar për atë ditë një karrocë me ngjyrat kombëtare dhe kishte vendosur brenda nga një njeri me uniformat kombëtare që tregonte kush Toskërinë, kush Gegërinë, kush Çamërinë e  kush Kosovën, Shoqëria artistike dhe nxënësit e shkollave vajtën gjer në krye të bulevardit , u kthyen prapë dhe qëndroi përpara Prefekturës Banda me Ushtrinë, Shoqërinë duke zënë viset e caktuara”

 

Himni i Flamurit

“Atëherë Banda  luajti Himnin e Flamurit dhe ushtria mbajti armët “Për nder armë”. (Më tej, përshkrimi i festës flet për fjalimet që u mbajt në ballkonin e Prefekturës, ndërsa më tej vijon: “Pasi mbaruan fjalimet dhe ra edhe disa herë Banda dhe këndoi kori Himnin  e Flamurit e disa këngë të tjera, u mbarua parada. Zyrtarët, duke u përndarë dhe Ushtria më Bandën, Shoqëritë e nxënësit të shkollave shkuan nga Katundaria (Bashkia), ku z. Koço Grameno mbajti një fjalë. Që këtejmi Ushtria me Bandën dhe shoqëritë u përndanë dhe nxënësit e shkollave vajtën në zyrat e Federatës “Vatra”, ku ndanë ëmbëlsira dhe ku mbajtën fjalën z. Koço Grameno. Kësilloj mori fund ky festim i bukur që u kremtua për të parën herë në Korçë

(“Gazeta e Korçës”, e mërkurë, 1 dhjetor 1920)

Shënim: nëntitujt në këtë përshkrim janë vendosur nga ana jonë.

 

Programi i paradës së 28- Nëntorit

1. Më 27]11] 20, më darkë, (pasnesër), të shtunë mbrëmanet, të gjitha zyrat qeveritare do të ndriçohen me kandila e do të zbukurohen me llampa etj. Më ora 7 mbrëmanet, Banda do të lozë nga një marsh përpara zyrave qeveritare dhe do të shëtinë (shëtisin)  shumë rrugë.

2. Më 28]11] 20 të gjithë zyrat do të jenë pushim.

3. Më 28]11] 20, ora 9 para darkës, do të bëhet lutje në Xhami dhe më ora 9.30 do të bëhet lutje në Kishën e “Shën Gjergjit”

4. Ora më 10 para darkës do të bëhet pritje zyrtare në Prefekturë dhe në këtë pritje, më parë kanë me u prit trupi i katundarive (bashkive), bashkë me parësinë e vendit, mbasandaj zyrtarët etj, gjithë më këtë orë, kanë me u prit vizitat e Konsullozëve (Konsujve). Në këtë kohë Banda do të lozë përpara Prefekturës marshe të zgjedhura.

5. Më ora 11 para darkës, do të bëhet pritja zyrtare në Katundari (Bashki) ku do të ndahen të ëmbla dhe do të lozë Banda

6. Ora më 3 pas darke do të bëhet parade ushtarake në bulevardin të “Shenjt Gjergjit”, përpara Prefekturës. Parada ushtarake do të organizohet në udhën e “Majorit Holtz” përpara Komandës të Ushtrisë më ora 2.30 pas darke

Kjo paradë do të bëhet kështu:

1. Përpara do të jetë Flamuri Kombëtar

2. Banda Kombëtare

3. Oficerët me Gjindarmërinë

4. Oficerët me Ushtrinë

Parada do të niset nga vendi i organizimit më ora 3; do të shkojë rrugës së “Postës”, duke kthyer nga Kazinoja, do të vazhdojë në bulevardin e “Shënjt Gjergjit” dhe duke shkuar përpara Prefekturës do të salutojë zyrtarët që ndodhen jashtë dhe pasi të vejë në krye të bulevardit do të kthehet prapë dhe do të vijë përpara Prefekturës ku do të qëndrojë.

Prefekti me këshillën, Kryekumandari me Këshillën, Komandanti i Ushtrisë me oficerët, Kryetarët e zyrave dhe Kryetarët e tjerë do të ndodhen jashtë Prefekturës. Në ballkonin e Prefekturës  do të mbahet fjal’ e ditës…

Mbas fjalës  do t’i jepet urdhër Ushtrisë, “Armët për nder!” dhe Banda do të lozë Himnin e Flamurit. Pastaj, parada duke shkuar para Katundarisë (Bashkisë) do të shpërndahet.

Korçë më 26 Nëntor 1920

Nga Prefektura

(Gazeta e Korçës, e diel, 28 nëntor 1920)

Vepror Hasani