Përpjekjet për zëvendësimin e Himnit Kombëtar Shqiptar

2418
Sigal

Himni shqiptar në mediat e kohës, konkurset për vendosjen e një himni të ri, kryekënga e kombit shqiptar në vitet e mbretërisë dhe komunizmit, si poetët e shquar Migjeni, Poradeci dhe Kuteli i dolën në mbrojtje këngës së flamurit

Historia e plotë e Himnit shqiptar nga lindja deri sot

Në kuadrin e 106-vjetorit të Ditës së Pavarësisë, 28 Nëntorit e cila emërtohet nga të gjithë shqiptarët pa diskutim si Dita e Flamurit, natyrshëm redaksia e gazetës  “Telegraf” sjell për lexuesit historinë e plotë të Himnit shqiptar nga lindja e tij deri më sot. Një histori që mbart në vetvete mrekullinë dhe pushtetin e artit apo siç do ta quante Konica i madh “The sweet power of music”( Pushteti i ëmbël të muzikës), Kryekëngë që në momente kyçe ka ngritur peshë zemrat e shqiptarëve kudo që ata ndodheshin brenda kufijve shtetërorë, në trojet e tyre amtare në Ballkan apo në Diasporë. Me tingujt dhe fjalët e zjarrta të këtij himni, kësaj Kryekënge, ngritur mbi tekstin e Asdrenit “Betimi mbi flamur” janë shoqëruar çaste tepër të rëndësishme për fatet e Kombit, e shtetit amë dhe mbarë etnisë shqiptare.

Himni ishte 10 vjeç, më 1922 kur vihet në provë për herë të parë. Shteti, me qendër në Tiranë, ka nisur jetën e vet normale. Ministria e Arsimit, e urdhëruar nga Këshilli i Ministrave, me vendimin Nr. 523, organizon një konkurs për një himn të ri kombëtar. 2 korrik 1922. Konkursi i shpallur nga Ministria e Arsimit jep 1000 franga ari për fituesin e tekstit dhe 3000 franga për muzikën. Komisioni gjykues është me emra të mëdhenj: Fan Noli, Gjergj Fishta, Mehdi Frashëri, Luigj Gurakuqi e Mit’hat Frashëri. Më 5 dhjetor komisioni vendos: “Si u kënduen me vërejtje të gjitha hartimet, dhjetë prej tyre u skartuen mbasi nuk i përgjigjeshin qëllimit të konkursit. Dy vjershat e tjetra, ndonëse kanë një vlerë poetike, prapë nuk u gjetën se bajnë për Himn Kombëtar. Me gjithë këtë, Komisia porosit Ministrinë e Arsimit që këto dy vjersha, e para e Z. Ernest Koliqi dhe e dyta e Z. Kristo Floqi, të botohen ndë nji rivistë shqipe për inkurajim t’auktorëve të tyne
Dy asambletë Konstituente, më 1925 për Republikën dhe 1928 për mbretërinë, përcaktuan formën e shtetit dhe simbolet e shenjat kryesore indentifikuese, por ligjet themeltare nuk e përmendin Himnin Kombëtar. Nëpër kabinete mund të provoheshin konkurset. Populli jashtë tyre e kish mbaruar konkurrimin dhe e kish bërë pjesë të zemrës. Një tjetër zemër e madhe shqiptare, këtë herë djali i Himarës, bilbili i bregut, Neço Muko Marjoti, e incizon përsëri Himnin tonë në fund të viteve 20, pranë shtëpisë së famshme “Pathe” (Pate) në Francë. Pa ndonjë porosi a përkrahje shtetërore, pasi incizon një grusht këngësh labe ku shkëlqen një këngë legjendare si “Vajzë e valëve”, ai fut midis tyre edhe Kryekëngën tonë. Himnin e Flamurit. Ai që e këndon është një zë i bukur bregdeti, Koço Çakalli. Disku mban numrin 44001. Këtë radhë nderi i takonte Himarës, kësaj qendre patriotike të Labërisë që nuk jeton dot pa këngën.

Më 1937 me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë,  Mbretëria e merr më seriozisht përpjekjen për një himn të ri. Ndër tre pikat kryesore të programit festiv, e treta është krijimi i një Himni të ri. Poeti Gjergj Fishta është ndër më këmbëngulësit. Komisioni i ngritur, më datë 5 mars 1937 përbëhet nga Zj. Parashqevi Kyrias, Mati Logoreci, Kol Rodhe, Teki Selenica, Sotir Papakristo, Karl Gurakuqi, Zoi Xoxa, Lasgush Poradeci, Qemal Butka dhe Odhise Paskali. Juria që do të gjykojë ka emra të mëdhenj si; Mit’hat Frashëri, Kostandin Cipo dhe në krye të saj qëndron i madhi At Gjergj Fishta.
Së pari, guxoi të shfaqte mendimin haptazi revista “Përpjekja shqiptare”, e cila në numrin 7 të vitit 1937 f. 24. nxori këtë shënim: “Duhet të pohohet se lidhja e Himnit të Flamurit me një çmim tingëllues të hollash është një frymëzim i pafat. Nuk na e merr mendja se do të gjendet sot një poet shqiptar që të pranojë të shpërblehet me franga ari për një vepër të tij që do të caktohet si Himni i Flamurit. Por parashikimi i saj nuk ndodh. Në konkursin për tekst vërshojnë plot 76 pjesëmarrës. Komisioni i zënë ngushtë zgjedh vetëm dy dhe ia paraqit jurisë e cila shpall fitues poetin Beqir Çela, me pseudonimin Osoja i Ri: Ja disa nga fjalët e Himnit të Ri:
“O Flamur, yll i lirisë,/ Valëvit me plot shkëlqim; /E prej qiellit t`Shqipërisë;/Të dëgjohet në amëshim”.
Por për poezinë fituese, vetë Gjergj Fishta shprehet më vonë: “Asht ma e mira prej atyne që janë paraqitë, por jo e tillë sa me meritue me u quejtë Hymn
Tani mbetej vetëm konkursi për muzikën. Edhe ai zhvillohet. Në konkurs marrin pjesë tre kompozitorë shqiptarë Luigj Filaj, Kristo Kono, Pjetër Dungu dhe kompozitori i njohur Italian Xhovani Gaeto, i njohur me pseudonimin artistik E.A. Mario. Në shtypin e kohës, ashtu siç pritej kishte muaj të tërë që kishte plasur debati i madh. Për vetë rëndësinë e ngjarjes gazetarë, intelektualë të shquar, poetë të mëdhenj si Lasgushi, Migjeni dhe Kuteli nuk heshtën. Gjithandej ndihet hapur apo midis rreshtave një frymë indinjate. Nuk po zgjatemi me prapaskenat dhe me dallaveret e këtij konkursi, për të cilat nuk heshti as shtypi i asokohshëm- shkruan Studiuesi Prof. Ramadan Sokoli. Në të vërtetë për muaj me radhë ngjarja ishte përcjellë me shqetësim dhe herë – herë me nervozizëm. Me të drejtë redaksitë e disa revistave të lënduara në sedrën kombëtare, u acaruan dhe shpërthyen me një sërë artikujsh interesantë nga kjo pikëpamje.

Ndër të parat reagon revista “Leka”, në prill 1937. Në një shkrim të vetin thuhet se “ Shkronjësi i këtyre radhëve, qysh para dy vjetëve, asht deklarue kundra ndërrimit të Himnit, për arsye se Himni i Asdrenit, ndonëse me një melodi të huej, asht ai që i çoi peshë zemrat shqiptare dhe i bindi me derdh gjak.”

Gazeta “Korça”, më 12 gushti 1937 shkruante se… “Është gabim ndërrimi i Himnit të Flamurit me një tjetër të ri, i cili disi i mirë qoftë kurrë nuk mund të ngjallë atë entuziazëm të flaktë patriotik të të parit.
Më 19 gusht gazeta “Korça vijon: “Komisioni për kremtimin e 28 Nëntorit po bën një padrejtësi të madhe ndaj kompozitorëve tanë. Marrim vesh me hidhërim se melodia, muzika, do t’i besohet një të huaji. A nuk është turp që iu japim një shuplakë kaq të fortë kompozitorëve tanë? Dhe ata të gjorët se meritojnë, se me gjithë shpërfilljet dhe dekurajimet prapëseprapë janë munduar të përhapin muzikën ndër ne, t’i japin vendit tonë një faktor qytetërimi”. Po kjo gazetë, në numrin e 23 gushtit bëhet më e ashpër : “Himni ynë i vjetër i flamurit duhet të mbetet si kujtim historik dhe si simbol i luftërave për liri. Asnjë himn tjetër nuk mund ta zërë vendin e tij, duke hyrë në shpirtin e popullit, si ka hyrë marshi “Rreth flamurit”… Dhe do të jetë gabim i madh që kjo këngë e bukur patriotike, e cila që prej 30 vjetësh po entuziazmon zemrat e shqiptarëve të zëvendësohet zyrtarisht me një himn të ri”.

Më 21 gusht 1937 e merr fjalën “Java”: “Një herë bëhet himni. Prandaj ne jemi të mendimit të mos e ndryshojmë se historia nuk ndryshohet. Sikur të mos mjaftonin gazetat, befas Mit’hat Frashëri, njëri nga tre anëtarët e jurisë dhe një emër i shquar i patriotizmës shqiptare, bëri dorëheqje me një letër të hapur të datës 26.07.1937
Ajo që e shpërfytyroi përpjekjen qe devijimi komik i qëllimit. Ishin nisur për të zëvendësuar muzikën e rumunit Porumbesku dhe Himnin e ri e kish fituar për çudinë e të gjithëve, por edhe siç parashikohej, një kompozitor Italian, kompozitori italian Xhovani Gaeto, autor këngësh shumë të përhapura asokohe nëpër Itali. Ekzekutimi u bë në sallën e Bashkisë, në 15 tetor 1937, në prani të komisionit të katër himneve. Shtypi përcjell ngjarjen kështu: “Kori i vajzave të institutit “Nana Mbretëreshë”, nën udhëheqjen e sopranos e dirigjentes korçare Gjeorgjia Filçe, të përgatitura me kohë nga maestro Capanino i teatrit lirik “San Carlo” të Napolit, kënduan Himnin e ri të Flamurit. Nuk është rastësi që në shpurën ceremoniale ka zyrtarë të lartë italian, si ministri Jakomoni dhe konsulli Valerio Valeriani, konkursin e fitoi ky i fundit, një i huaj.”
Një faksimile e himnit të zgjedhur u botua asokohe në gazetën “Drita” dhe në revistën “Java” Nr. 28 të vitit 1937, ku pranë firmës së kompozitorit si për ironi është shënuar qartë edhe data e vitit fashist (E.A. Mario, Tirana 11-octobre, 1937. XV
“Gazeta e Korçës”, pa e fshehur pezmin e saj shkroi: “Siç duket Himni i Flamurit u pranua nga qeveria dhe pritet të dalë urdhri përkatës për t’i detyruar shqiptarët ta pranojnë himnin kombëtar. Himni i vjetër që simbolizonte vetëamëshimin për lirinë e atdheut quhet i papërshtatshëm! U bë mirë ose jo, do të gjykojë historia.”
Dy javë më vonë më 1 shtatori të atij viti gazeta “Korça” botoi një artikull të gjatë prej 5 shtyllash nën titullin: “Si varroset një himn që këndohej me një burrëri në kohërat e robërisë dhe të gjakut e vendin e tij e zë një tjetër i thurur në kohë paqeje”.  Sikur të mos mjaftonte ky dështim, një vit më vonë Ministria e Punëve të Brendshme Mbretnore ngarkon legatën Mbretnore për të gjetur përsëri një kompozitor Italian. Legata i drejtohet Federatës fashiste italiane dhe ajo rekomandon Profesor Zandonai.  Më në fund Këshilli i Ministrave, më 6 nëntor 1937, me vendimin Nr. 1244, vendosi: “që për kremtimet e 25-vjetorit, si Hymn Zyrtar të luhet ai që asht sot në veprim dhe hymnet e kompozuem e që u përmendën sipër, të lozin pa gatur nji karakter zyrtar…”
Sekretari i Përgjithshëm, Izedin Beshiri.
Kushtetuta e Mbretërisë Shqiptare e vendosur gjatë pushtimit Italian, firmosur më 3 qershor 1939 prej Viktor Emaniuelit dhe Kryeministrit shqiptar Shefqet Vërlaci në Romë, shprehet vetëm për flamurin dhe gjuhën.

Mbrojtja, Himnit i vjen edhe prej tre nga penave më të ndritura të letërsisë shqiptare. I pari Migjeni gjen rrugën e tij elegante me një poezi. Ai është larg kabineteve zyrtare. Është thjesht një mësues province, po pasi e ka kënduar së bashku me vocrrakët e tij në Pukë, e ka kuptuar qartësisht autorësinë e këngës. Millosh Gjergj Nikolla nuk e titullon ashtu rastësisht poezinë e tij “Kanga që s’kuptohet”, kushtuar Himnit të Flamurit. Vërtet nuk e kuptonin? Atëherë ai u përgjigjet me vargun e famshëm: “U vodh kënga nga zemra e kombit”

Migjeni

E ndjeu këtë me antenat e tij vigane të poetit të madh duke iu drejtuar kësaj muzike:
“Këngë a vaj? Çë je? Thuejma zemër kombi !”

Lasgush Poradeci

Princi tjetër i mendjeve brilante të Shqipërisë, me të njëjtën siguri e vetëdije do të shtonte: “Që nga titulli “Betimi mbi Flamur” që i ka vënë Himnit, Asdreni, është një koncept dhe një akt e fakt enikërisht shqiptar”

Mitrush Kuteli

Nuk e fsheh fare qëndrimin e tij ndërsa thotë: “Sa djem e sa dëshmorë ka frymëzuar Himni i Flamurit. Populli dhe bijtë e tij nuk pyesnin që ku vinte kënga. Ata ishin të drejtuar prej fjalëve ideal, liri e flamur dhe nuk kërkonin “origjinalet” me qiri si kërkojnë epigonët e kësaj dite. Kësilloj u lind e kësilloj u përhap “Himni i Flamurit”.

Të tre burrat e mëdhenj i kishin dalë në krah si komitë të mendjes Himnit tonë Kombëtar. Dhe ai kishte fituar betejën e dytë, pa e ditur se 9 vjet më vonë do ta prisnin tinëzisht në një pusi të tretë, komunistët më 1946. Në të vërtetë muzika e Porumbeskut nuk ka qenë kurrë Himni Kombëtar i Rumanisë. Ndryshe nga  ç’shprehen disa nga studiuesit shqiptarë, ai ka qenë himni i një partie politike, i Partisë socialdemokrate në vitin 1910. Më vonë ky Himn u përshtat si Himn politik për ca kohë nga Partia Komuniste Rumune, duke bashkëjetuar krahas himnit kombëtar rumun. Ngatërresa vjen prej një tjetër krijimi muzikor të Porumbeskut, Trei Kulori, ose tre ngjyrat, që ka shërbyer si një nga gjashtë himnet që ka Përdorur Rumania në kohë të ndryshme. Po ç’ndodh me himnet e kombeve të tjerë? A janë të gjithë ata të lindur në vendet e tyre? Në përgjithësi, gjeneza dhe përhapja e tyre lidhet me ndonjë ngjarje historike të shënuar për jetën e kombit, por krahas himneve origjinale të kompozuara qëllimisht në rrethana të përcaktuara nuk mungojnë himnet e përqafuar më vonë, të huazuar nga vende të ndryshme.  Himni zyrtar i Spanjës, i cili u zëvendësua pas vitit 1931, ka qenë kompozuar nga një autor anonim gjerman, Himnin e SHBA e ka kompozuar një autor anglez. Himnin e Bolivisë, e kompozoi më 1845 italiani Vincenti. Dikur Egjipti pati përshtatur si himn një marsh instrumental të kompozuar më 1871. Himnit kombëtar hungarez, i cili dikur zëvendësoi marshin e Rakocit, pas një konkursi të shpallur më 1842 u fitua nga kompozimi i Franc Erkilit. Disa himne kundruar nga pikëpamja e hijeshisë së tyre nuk paraqesin vlera të mëdha artistike, madje mund të mos kenë shumë vlera as si krijimtari origjinale. I tillë është rasti i himnit polak kompozuar nga Kuprinski, duke shkëmbyer një nga ariet e operës frënge “Le secret” të Solie. (Himni i Republikës së Turqisë i ka tekstin poetik të një personaliteti shqiptar Memet Akif, shënim i redaksisë së gazetës “Telegraf)

 

Himnit kombëtar portugez kompozuar më 1822 nga Don Pedro shtjellohet porsi ariet e vjetra italiane ku për më tepër dallohet një frazë e tërë (Viva, viva, viva e Rey) krejt e njëjtë me atë të himnit kombëtar grek. 7 vjet më vonë qeveria e re komuniste nxiton të bëjë të njëjtën gjë, një Himn të ri. Por ndryshe nga koha e Mbretërisë, nuk ka nevojë fare për debate në shtyp, për vendime dhe dekrete. Është krejt e kotë të kërkosh dokumente nëpër arshiva. Partia porosit që të bëhet një Himn i ri dhe ai është gati për festën e Republikës më 11 janar 1946 me tekst të Skënder Luarasit dhe muzikë të Kristo Konos dhe titullohet «Himni i Shqipërisë së Re » Por nuk ligjërohet dhe Republika e re vijon me himnin e pagëzuar në Vlorë. Himni i ri pati disa interpretime nga kori i ushtrisë, por u fashit shpejt para të vjetrit. Asdreni me djemtë e Bukureshtit dhe Ismail Qemalin dalin ngadhënjyes edhe një herë tjetër. Çuditërisht, në Kushtetutën e re të Republikës Popullore të Shqipërisë e konstituar më 14 mars 1946 shprehet për flamurin, stemën, kryeqytetin, por jo për Himnin.  Më 1959 në kuadrin e incizimit të dy botimeve me këngë patriotike dhe partizane botohet edhe Himni i Flamurit.

Pas çlirimit Himni ynë kombëtar për shkaqe të teknologjisë dhe të përhapjes së arsimit ka një shtrirje edhe më të gjerë. Qindra e mijëra fëmijë e mësojnë përmendësh në bankat e tyre shkollore. Me dhjetëra banda muzikore gati në të gjitha qytetet e Shqipërisë e luajnë mijëra herë në të gjitha festat. Incizimet janë të shumta. Radio e Televizioni i hapin apo i mbyllin emisionet me të. Në skena të mëdha e këndojnë këngëtarë me zë të artë si Mentor Xhemali… Duket sikur ai e ka fituar njëherë e mirë betejën e vet. Por nuk është aspak kështu. Mekanizmi i shtetit nuk lëviz përpara me emocione kombëtare. Qeverive u duhet historia e tyre dhe ajo duhet të jetë sipas për ta një histori e lavdishme, që fillon me ta. Në fillim të viteve ’70, Këshilli i Ministrave i urdhëruar nga Partia, aktivizon Ministrinë e Arsim-Kulturës dhe Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Konkursi është serioz dhe hijerëndë. Shteti mbledh ajkën e krijuesve shqiptarë të kohës, poetët dhe kompozitorët më të mirë të vendit. Shteti kërkon që në himnin e ri të Republikës të jenë brenda edhe punëtorët, edhe fshatarët, edhe Partia. Duket sikur Asdrenit të largët i ka ardhur më në fund ora e mbrapme nga harresa dhe pleqëria. Po ai nuk mposhtet. Pas një interesimi të gjatë dhe dhjetëra kompozimesh, duket sikur po vjen një Himn i ri. Si variante përfundimtare mbeten dy këngë të mëdha, plot dritë dhe gjerësi, një version i Çesk Zadesë dhe tjetri i Nikolla Zoraqit me poezinë titulluar “E re u ngrit kjo toka jonë” të Fatos Arapit. Kënga tjetër e mrekullueshme “Për ty Atdhe“ e Pjetër Gacit tundon shumëkënd për ta kthyer në Himn Kombëtar. Po në çastin e fundit të gjithë tërhiqen përpara fjalëve të thjeshta të poetit që tani prehet në atdheun e tij. Nuk ka asnjë dekret, ka vetëm një heshtje deri lart tek vetë Enver Hoxha që e ka iniciuar. Patriarku i Partisë tërhiqet për herë të dytë pa bërë asnjë koment. Në vetminë e tij të frikshme, me sa duket i ka bërë llogaritë gjatë e gjatë dhe ato nuk i dalin mirë me Himnin, edhe pse duket sikur ka gjithçka në dorën e tij tej e mbanë Shqipërisë. Si për ironi të historisë së shtetit shqiptar edhe në Kushtetutën e re të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë e konstituar, më 28 dhjetor 1976, ku shprehet për flamurin, stemën dhe kryeqytetin, për Himnin nuk ka asnjë fjalë. Kanë kaluar 58 vjet nga lindja e tij, këndohet nga çdo shqiptar, por në aktet zyrtare është ende jetim… Fati e do që ai të mbijetojë prej fuqisë më madhore të çdo kombi, shpirtit të popullit të tij. Lasgush Poradeci këmbëngul se, edhe pse pa dekret, ai u pagëzua më 28 Nëntor të vitit 1912 në Vlorë. 70 vjet me radhë qeveri të ndryshme u përpoqën ta ndryshonin këngën që poeti e kish quajtur zemër kombi. Teknologjitë e reja të shekullit arritën ta zëvendësojnë zemrën e njeriut, t’i vënë valvula plastike, bateri, mikroçipe dhe çudi të tjera elektronike. Po zemra e një kombi nuk është si zemra e një njeriu. Ndoshta të gjitha qeveritë së bashku këtë kuptuan në çastin e fundit dhe i tërhoqën duart mbrapa nga dekretet e tyre mendjemëdha. Në orën e fundit patën gjithmonë një thërrime mençurie të kujtoheshin se e pamundura nuk mund të bëhej. Me Himnin në gojë kishin vdekur mijëra burra. Mbi çdo notë të tij kishin dhënë shpirt dëshmorët qysh prej fillimit të këtij shekulli. Himni ishte sipër mbi dhé, po ishte edhe poshtë në varre i incizuar në mijëra koka e në mijëra zgavra të hapura prej plumbave. Himni ishte i regjistruar në grykat e lumenjve, në gropa djepesh e në fletoret e shkollarëve, në kurora lisash e në shtjellat e qiejve. Me cilin dekret mund t’í fshije që prej këndej nga një skrivani zyre?! A do të ishte vallë dakord Plaku i Vlorës?! Me cilin referendum do t’ia merrnin firmën djemve të Bukureshtit, Faik Konicës, që e quante avazi kombëtar, Shote Galicës, Mitat Frashërit, Isa Boletinit, Çerçiz Topullit, Margarita Tutulanit, Mursine Kokalarit, Vilson Blloshmit, Neço Mukës në Himarë, Fan Nolit në Boston, Aleksandër Moisiut në Lugano, Adem Jasharit në Drenicë, Nënë Terezës në Kalkutë dhe Migjenit që ende i mrekulluar e pyet Himnin që nga varri: Këngë a vaj. Çë je? Thujma zemër kombi?!

Më 13. 11. 1992 me ligjin Nr. 7637 Himni Kombëtar rikonfirmohet si Himni i Flamurit me ligjin “Për Flamurin, Himnin kombëtar, stemën, festën kombëtare dhe kryeqytetin e Republikës. Për herë të parë në dokumentet themeltare te shtetit himni merr mandatin e vet si simbol kombëtar në Kushtetutën e Republikës së Shqipëria miratuar me referendum më 21 tetor 1998 në nenin 14, pika 4 ku shkruhet “Himni Kombëtar është Rreth Flamurit të përbashkuar. I janë dashur plot 90 vjet që të zërë i sigurt vend në një Kushtetutë shqiptare.

Në vitin 1995 Protokolli i shteti gjerman kërkon incizimin e Himnit tonë për vizitën e Presidentit gjerman në Shqipëri. Pasi e dëgjojnë nëpunësit gjermanë bëjnë një kërkesë bujare. A keni një kompozitor të shquar që të vijë këtu e të ribëjë një orkestrim mjeshtëror dhe ne ta ri-incizojmë me një nga orkestrat tona më të mira, siç është ajo e Bambergut. Kompozitori ynë i madh, mjeshtri Çesk Zadeja shkon me nxitim dhe i bën një orkestrim të shkëlqyer brenda një nate të madhe. Orkestra famoze luan një ekzekutim të mrekullueshëm dhe sot e kësaj dite ky është versioni më i mirë i tij që luhet në ngjarjet kombëtare. Si për një rastësi të fatit rrethi teknik mbyllet aty ku filloi, notat e tij të para kishin lindur aty dhe po aty një gjeni i frymës së muzikës shqiptare e mbyll kurorëzimin.
Në qindra e qindra botime shkollore dhe letrare Himni është po ai në përmbajtje. Pas vitit 1976 strofa e famshme që fillon me vargun: “Se zoti vet e tha me gojë…, mënjanohet nga tekstet shkollore, për shkak të shtetit të parë ateist në botë.