Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) do t’i paguajë, (i ka paguar?!) çdo ditë 60.000 dollarë qira shoqërisë amerikane “Excelerate Energy” për dy TEC-et lundruese dhe 30.000 dollarë në ditë shoqërisë italiane “Renco” për mirëmbajtjen dhe shërbimin e furnizimit të energjisë elektrike të gjeneruar nga dy TEC-et.

Tetë muaj pas skadimit të kontratës së lidhur midis shoqërisë amerikane (prill 2022-prill 2024) “Excelerate Energy” për prodhimin e energjisë elektrike dhe asaj italiane “Renco” për mirëmbajtjen e shërbimet ndaj dy TEC-eve lundrues, këto ditë dhjetori oxhaqet e ndryshkura të TEC-ve, kanë filluat të nxjerrin një tym të hollë. Me shumë gjasa ata janë duke u testuar me naftë të kualitetit të lartë dhe jo me naftë të rëndë si e ka kontrata fillestare. Kur Tigri 1 dhe Tigri 2 mbërritën në Shqipëri nga Bangladeshi i largët, më 9 shtator 2022, Ministrja e plotfuqishme, zonja Balluku, me vetbesim absolut dhe plot krenari deklaroi:
“Janë marrë me qera për shkak të nevojave emergjente, që ka Shqipëria, për të dalë nga kriza energjitike. Ka qenë diçka që së bashku me ambasadoren Kim, kam punuar shumë për t’i pasur këto TEC-e lundruese…Nëse nuk do të kishim pasur ndihmën e Departamentit Amerikan të Energjisë, nuk do t’i kishim marrë dot kurrë”. Vështirë të besohet se ka ndërhyrë Departamenti Amerikan i Energjisë për ca “hekurishte” që u nevojitën 60 (gjashtëdhjetë) muaj të nxirrnin tym nga oxhaqet dhe kontrata ka gjashtë muaj që ka skaduar. Ka shumë gjasa të ketë ndërhyrë ndonjë më i madh se Mecgonigali andej nga DPA-ja, (zëra të besueshëm thonë vetë Sekretari Amerikan i Shtetit, zoti Blinken) përndryshe ambasadorja Kim nuk kishte pse shqetësohej të futej në ato tunele pocaqi të tigrave, për të shoqëruar yllin plot shkëlqim, të KM-së, Ballukun, në atë vizitë të kobshme.
Ditën që vizitoi tigrat gjithë ndryshk të Bangladeshit, së bashku me ambasadoren amerikane Kim, Balluku, deklaroi: ”… Ato do të jenë shpëtimi i Shqipërisë për krizën energjitike madje mund të shesim energji prej tyre. Ato do të fillojnë nga puna brenda dhjetorit 2022…” Tani jemi nga mesi i dhjetorit 2024 dhe tigrat kanë filluar të tymosin. Sa për të shitur energji këto janë pazaret e Ballukut, që bën rrush, kumbulla, pjeshkë e dardha, paratë e fukarenjve, me dijeninë e Ramës.
Përfundim
- Kontrata ka gjashtë muaj që ka skaduar dhe firmat kontraktuese “Excelerate Energy” dhe “Renco” në bazë të kontratave standard duhet të penalizohen, sepse Shqipëria nuk ka më emergjencë, ose në rastin më të mirë të largohen nga Shqipëria. Kjo nuk ka ndodhur.
- Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) do t’i paguajë, (i ka paguar?!) çdo ditë 60.000 dollarë qira shoqërisë amerikane “Excelerate Energy” për dy TEC-et lundruese dhe 30.000 dollarë në ditë shoqërisë italiane “Renco” për mirëmbajtjen dhe shërbimin e furnizimit të energjisë elektrike të gjeneruar nga dy TEC-et. Si është e vërteta se Balluku, që bënte zogun këngëtar me zonjën Kim, tashmë bën shurdhin dhe memecin?
- Supozojmë se tigrat po prodhojnë energji. Sot, çmimi mesatar për një megavat orë energji elektrike në bursë është rreth 50 ose 70 euro/mgë, ndërsa kostua e prodhimit të energjisë nga TEC-et lundruese në kontratë është 190 euro/mgë. Nga prurjet e mëdha të reshjeve KESH-i shet me 50 ose 70 euro/mgë dhe blen ( nëse tigrat kanë filluar të shesin energji) me 190 euro/mgë nga tigrat!? Absurd apo vjedhje ditën me diell?
Vetëm në një shtet rrumpallë, ku ligjet injorohen, ku qeveria nuk jep llogari dhe fsheh veprimet e saj, ku paratë e një shteti të varfër, të leckosur, ku njerëzit ende bëjnë llogari bukën e gojës, shkojnë për hajdutët e qeverisë, dhe “Mecgonigallët” e pangopur, ndodhin gjëra të tilla. Në këmbim disa horra këtanë e matanë oqeanit, ndihmojnë e mbajnë në këmbë rregjimin autocrat të Rama-Ballukut. Derisa populli të flejë gjumë, të bëjë hara-kiri, të mos protestojë e të këndojë këngës e skllavit, Shqipëria, me thellë do të zhytet në llumin e korrupsionit e të varfërisë.





















