TELEVIZIONI PUBLIK “FLE”

553
Sigal

 

Vladimir Lulaj

Nënkryetar i partisë ZGJIDHJA

Prej vitesh televizioni publik i Sovranit të Popullit Shqiptar “fle gjumë”, përton t’i bëjë oponencë konstruktive pushteteve të përkohshëm politikë, që vazhdimisht sillen në mënyrë destruktive dhe nuk përfaqësojnë interesat themelore të Shtetit Juridik. Katër pushtetet kryesore të shoqërisë sonë civile, siç janë pushtetet e pavarur shtetërore legjislative, ekzekutive, gjyqësor dhe mediatik, prej kohësh ndihen të “droguar” dhe të varur nga pushteti  “i korrupsionit të parave të pista”  Z. Thoma Gëllçi, Drejtori i Përgjithshëm i Radiotelevizionit, nuk ka qenë në gjendje të krijojë televizionin e “hapur” publik, që lypset të mbrojë  interesat themelore të shoqërisë civile shqiptare, duke u bërë “zëri i popullit”, që nuk ka akses për t’u dëgjuar në të gjitha drejtimet. Vihet re se prej 30 vitesh Televizioni Publik, që investohet nga taksapaguesit shqiptarë, nuk është në gjendje të konceptojë se është i pavarur nga pushtetet e përkohshëm politike dhe mjet propagande dhe vokacioni në dobi të interesit të shtetit të munguar juridik në Shqipëri. I vetmi Televizion  Publik  Kombëtar, që nuk është komercial, por i garantuar financiarisht nga taksapaguesit, duhet të ketë si platformë propagandën në interes të çështjeve kombëtare dhe lëvrimin e mbrojtjen permanente të interesave të Sovranit Popull.  U “çanë” altoparlantët e medieve vizive private kombëtare, rajonale dhe lokale duke folur për “coronavirusin” gjashtë muaj rresht, ose mbi 190 ditë e natë, duke i futur frikën, kaosin, tmerrin dhe panikun popullit shqiptar dhe asnjëherë nuk u dëgjua oponenca vizive e televizionit publik shqiptar, që mbetet “ulok” dhe i “intubuar” nga pikëpamja e konkurencës mediatike dhe më konformisti, ose servili ndaj pushteteve politike, që janë mësuar të jenë jo llogaridhënës dhe jo transparentë;  sepse pushteti i katërt mediatik publik i Sovranit Popull,  preferon të jetë servil dhe lake ndaj pushteteve të deleguar elektorale, që janë “nomenklaturë” e vullnetit politik të shoqërisë civile. Lind pyetja: pse “dridhet” pushteti i pavarur mediatik televiziv publik nga kryeministri i përkohshëm politik, nomenklaturë e pushtetit elektoral të Partisë Socialiste, ose hesht përballë zhvillimit të ngjarjeve të rëndësishme, siç është diskutimi  “gjithpërfshirës” për reformën elektorale?! Si vallë trumbetohet marrëveshja e re politike e 5 qershorit, e ngjajshme me marrëveshjen destruktive të 9 qershorit 1997 dhe 21 prill 2008, ku ngrihet lart “kulti” i partive shtet dhe Televizioni Publik Kombëtar i Shqipërisë është dakort me vazhdimësinë e shtetit politik dhe nuk transmeton rubrika dhe opinione për domosdoshmërinë e ndërtimit të Shtetit Juridik, për ndarjen e partive nga shteti ligjor, si dhe nevojën “uluritëse” për të zgjedhur Sovrani Popull drejtpërdrejt Deputetët e Popullit, sipas sistemit elektoral mirëfilli mazhoritar me zona një emërore, për të zgjedhur 100 deputetë të Popullit; i kombinuar ky sistem me modulin proporcional kombëtar, për të zgjedhur aneksin e deputetëve partiake me 40 mandate politike. Drejtori i Përgjithshëm i Televizionit Publik duhet të miratojë politika transmetimi që përcjellin opinionin racional të shoqërisë civile dhe të mos lejojë “mbylljen” e zërave kritike ndaj keq-qeverisjeve politike; sepse i rëndësishëm nuk është pushteti i përkohshëm politik, por shteti juridik, që sundohet nga Sovrani Popull. Partia Zgjidhja mendon se është detyrë permanente e Televizionit Publik Shqiptar, që t’i bëjë të ditur Sovranit Popull çfarë asetesh të vërteta politike posedon dhe përmbajtjen e alternativave të tyre, duke organizuar “konkursin”, ose arenën e “boks politikës”, ku Sovrani Popull sheh si “ndeshen” idetë shtetformuese dhe llogaridhënëse të subjekteve të alternativave politike; për të qenë në gjendje të zgjedhë jo “të keqen më të vogël”, siç ka bërë për 30 -vite rresht, por shërbëtoren e vet besnike më të mirë.