Kastriot BIMO/ Bektash Cakrani atdhetar dhe luftëtar i lirisë

1281
Sigal

Personazh/ Luftëtari që hapi shkollën e parë shqipe në Cakran dhe u bë armik i betuar i Osmanëve

Bektash Cakrani lindi në fshatin Cakran të Mallakastrës më 1871 dhe ishte i fundit nga të katër djemtë e Kahreman bej Cakranit, i cili gjatë gjithë jetës bëri ç’është e mundur që bijtë e tij të shkolloheshin e të pajiseshin me dije e kulturë. Për këtë ai i kishte kërkuar Mustafa Pashë Vlorës një mësues austriak, Heinz Krakeff të mësonte, sidomos Bektashit, gjuhët e huaja si frëngjisht e gjermanisht, i cili ishte i prirur për zotërimin e gjuhëve të huaja. Por të parat ishin ndjenjat e atdhedashurisë, që ndonëse me një pozitë shoqërore dhe ekonomike të jashtëzakonshme, mbeti armik i betuar i Perandorisë Osmane breza të tërë, përfshi këtu dhe të atin Veiz Cakranin, udhëheqës dhe luftëtar i kryengritjes kundër reformave të Tanzimatit, së bashku me Rrapo Hekalin.

Qysh në fëmijëri Bektashi kishte mësuar persisht dhe vetëm 15 vjeç, i ishte përveshur punës për të përkthyer vargjet e Saadiut e të Shiraziut, përmbledhur në një antologji e botuar në Kajro. Pas shkollës Ruzhdie që kreu në Berat, kreu dhe shkollën “Sulltanie” të Stambollit dhe Institutin Tregtar, ku  më pas vijoi Fakultetin e Drejtësisë. Mbaroi shkollën e lartë “Sulltanie” dhe Fakultetin e Drejtësisë. Është mjaft i ditur dhe i kuptuar. Fliste shkëlqyeshëm frëngjishten, turqishten, persishten dhe disi më pak greqishten e gjermanishten. Me përfundimin e studimeve u emërua në administratën osmane në Manastir, Janinë, e Berat. Ideja se shqiptarët, si populli më i lashtë në Ballkan, duhet të kenë gjuhën e kulturën e tyre, njohjen zyrtare të saj si dhe përdorimin e saj në administratë dhe shkolla e veçanërisht këtë shtytje të madhe lëvizjes kulturore e arsimore, ja dha qysh më 1878 Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Kjo bëri qysh atëherë që i vëllai Hajredin Cakrani më 1882 të takohet ne Stamboll me Kryetarin e Shoqërisë se Stambollit Sami Frashërin dhe anëtarë të tjerë si Jani Vreto, Koto Hoxhi, Pandeli Sotirin etj., ku bisedon për gjendjen e Shqipërisë, autonominë e saj, etj., por që ky komb të radhitej përkrah vendeve të tjera, duhej zhvillimi i gjuhës e kulturës. Aty Sami Frashëri i ka dhuruar abetaren e parë shqipe, si dhe shumë libra të tjerë shqip. Klubi “Labëria”, ku dhe vëllai i Hajredinit, Bektashi, ishte anëtar i Komitetit Drejtues (sepse Hajredini ishte ushtarak në garnizonin e Beratit) vendosi sipas porosisë së Bektashit të ngrinte në të njëjtin vit me aprovimin në Kongresin e Manastirit të alfabetit latin, si gjuhë e shkruar, edhe shkollën shqipe në Cakran. Qysh më parë, kur në Vlorë, ku shtrin aktivitetin e tij atdhetar regjimi i Sulltan Abdylhamitit, në reformat e tij skllavëruese, si ajo e shërbimit ushtarak, të cilin djemtë e Vlorës e të mbarë Shqipërisë e kryenin në skajim e Perandorisë, në Jemen, Vlora si gjithmonë e revoltuar protestoi dhe për ketë gjë mes mijëra e mijëra banorëve një dërgatë me atdhetarë, shkuan në telegrafinë për t’i telegrafuar Stambollit protestën e memorandumin e radhës. Në këtë çast disa oficerë turq ushtronin presion duke mos i lënë përfaqësuesit të telegrafonin dhe dihet që në krye gjendej Bektash Cakrani që u konfliktua duke i nxjerrë me shqelma jashtë oficerët turq nga telegrafana,- shkruan gazeta “Dielli” e Bostonit. Duke shfrytëzuar këtu dhe shpalljen e Kushtetutës nga Turqit e Rinj, ku në qytete të Shqipërisë si Berat, Gjirokastër, Vlorë etj., nisën të ngrihen shkollat shqipe, më 1908 Bektash Cakrani dhe i vëllai Hajredini, kërkuan ndihmën e atdhetarit të shquar në këtë fushë Babë Dudë Karbunara dhe Shoqërisë “Bashkimi” për çeljen e shkollës së parë shqipe në Cakran. Për të gjitha përgatitjet u kujdes vetë Bektash Cakrani që mori prej Kristo Karbunarës, librat e fletoret dhe pjesën tjetër e siguroi Hajredin Cakrani me mundësitë e lëvizjeve që i jepte pjesëmarrja në administratë si ushtarak. Në Kongresin e Manastirit të dy vëllezërit u parashtruan patriotëve të tjerë shqiptarë kërkesën për ngritjen dhe pajisjen me mësues të shkollës së parë shqipe në Cakran e në gjithë Mallakastrën (po të kihet parasysh se ne fillim te shek.XX Cakrani ishte sa qyteti i Fierit, pa llogaritur territoret e çifligjet). Te shumtë ishin atdhetarët nga të gjithë krahinat si: Vlora, Gjirokastra, Fieri Berati, Mallakastra, Elbasani, Skrapari etj., që bujtnin atë javë në Hanin e tyre e në shtëpinë e Bektashit në Cakran për këtë ngjarje të madhe, ndërsa Korça e kishte dërguar qysh më parë mësuesin e nderuar, ish-sekretarin e Don Aladro Kastriotit, Viskë Babatasi. Pas fjalëve përshëndetëse të Bektash Cakranit vijuan përshëndetjet e të pranishmëve dhe në mbyllje e mori fjalën Hajredin bej Cakran: “Të nderuar zotërinj e miq të shoqatave!… Ne sot ndjejmë gëzim e kënaqësi qe po hapim faltoren e dijes. Ne sot pagëzojmë abetaren shqipe të alfabetit thjesht latin, i aprovuar në Kongresin e Manastirit. Por këtu familja jonë e ka sjellë abetaren e parë të Stambollit, qysh në vitin 1883 dhe po këtu janë lexuar në alfabetin shqip librat e botuar në Bukuresht e Stamboll si “Abetarja e Veqilharxhit”, “Abetarja e Sami Frashërit”, “Bagëti e bujqësia”, “Lulet e verësë” e vjershërimet e tjera të Naim Beut…”. “Në shkollën shqipe të Cakranit, shkruante gazeta e kohes “Liria”, –  përveç nxënësve të rregullt edhe mësonjësit e fshatrave po nxënë shqip!”. Më vonë me rritjen e numrit të nxënësve e mësuesve dhe meqë Vaskë Babatasi shkoi në zonën e Ersekës për ngritjen e shkollave shqipe, Bektashi Cakrani dhe i vëllai Hajredini kërkuan në Vlorë patriotëve të këtushëm, që drejtimin e shkollës ta merrte një tjetër korçar, mësuesi i nderuar i ardhur nga shoqëria Vatra e Bostonit, Thanas Floqi, ku programi u ndryshua duke i dhënë përparësi gjuhës shqipe e duke hequr gjuhët greke, frënge e sidomos turke, që kishte sasinë e orëve të shqipes, duke dalë kështu “jashtë kontrollit”. Në vjeshtë të vitit 1911 gazeta “Dielli” e Bostonit shkruante në një korrespondencë nga Cakrani; “..na erdhi neve këtu leja për shkollën e Cakranit, e cila është një shkollë e vjetër, mbase nga më të vjetrat në Toskëri dhe e cila gjer më sot është përmbajtur pa lejen zyrtare të guvernës”. Me gjithë urdhrin e Portës së Lartë për ta mbyllur, ajo vazhdoi të funksiononte deri në vitin 1912.

Pavarësisht se shpallja e Kushtetutës (Hyrjetit) në korrik 1908 në Vlorë, Berat e Mallakastër u prit me gëzim, xhonturqit në të vërtetë zhgënjyen shqiptarët. Në fillim të shtatorit 1908, Bektash Cakrani, Faslli Patozi, Mustafa Gorishova etj., takohen në Vlorë me Ismail Qemalin dhe një muaj më vonë po me këshillën e Ismail Qemalit u themelua klubi atdhetar “Labëria” i Vlorës, në të cilin bënin pjesë Bektashi dhe vëllai më i madh Hajredini. Sipas konsullit austro-hungarez në Vlorë Kraus në relacionet e tij të nëntorit 1908, thuhet: “..Bektash Cakrani është ndër më të flaktët mëmëdhetarë të Klubit Labëria”. Me iniciativën e vëllezërve Cakrani u krijua në Cakran një degë e këtij klubi. Në letrën që Ismail Qemali u dërgon anëtarëve të klubit “Labëria” shkruan midis të tjerash: “..pushteti i Abdyl Hamitit u ka sjellë mjaft të këqija popujve të robëruar”. Arrestimet, burgosjet, reprezaljet ushtruan trysni mbi anëtarët e këtij klubi, ndërsa konsulli Kraus vazhdon të shkruaj më 4 qershor 1909: “..ndër të arrestuarit shënohen 13 vetë… xhandarmëria xhonturke ka nxjerrë shpallje për arrestimin e Bektash Cakranit, Hamza Isait, Hajri Kreshpës, Osmën Haxhiut, Xhemil bej Vlorës etj., të cilët gjenden të fshehur në vend”. Mbas një Odiseje peripecish në Korfuz më pas në Leçe të Italisë, anëtarët e tjerë të klubit atdhetar “Labëria” u kthyen në vjeshtën e dytë të në vendlindjet e tyre dhe u pritën më gëzim të madh”.  Në klub erdhi një ftesë nga Dervish Hima për “tre përfaqësonjës” për në Kongresin e dytë të Manastirit. Përfaqësuesit e Vlorës e të Mallakastrës Bektash Cakrani, Jani Minga, Ibrahim Abdullahu, e Abaz Mezini mbrojtën me zjarr çështjen e shkollës e arsimit shqip dhe Bektashi mbajti qëndrimin më të ashpër ndaj përfaqësuesve të shoqërisë “Bashkim e Përparim”, të xhonturqve, të cilët ishin bërë pengesë, si dhe në takimet e fshehta me Dervish Himën e Hysni Currin “..u kuvendua për organizimin e kryengritjes së armatosur kundër pushtuesve xhonturq”.

Nga vitet 1910-1912 nëpër gjithë kronikat e kohës shpalosen si emrat e dy vëllezërve Cakrani, ashtu dhe veprimtaria e dendur atdhetare e luftarake për liri e pavarësi, si ajo mbështetjes së Kryengritjeve te Veriut. Si pjesëmarrësit më aktivë të klubit patriotik “Labëria” në përplasjen me përfaqësuesit xhonturq të shoqërisë “Bashkim e Përparim” dhe trysnisë për të pranuar programin e tyre në dëm të lëvizjes kombëtare e atdhetare, Bektash Cakrani më të qartë se kurrë për fatin e Atdheut, u bind në nevojën e një kryengritjeje. Bektash Cakrani merr pjesë së bashku me Mihal Gramenon, Baki Gjebrenë (Gjirokastra), Hilë Mosi, Bedri Pejani së bashku me Dervish Himën në një takim në zyrën e tij të gazetës “Shqiptari” ku duhet medoemos të inicionin një kryengritje në Toskëri. Takimin me deputetët e parlamentit osman Hasan Prishtina dhe Nexhip Draga e mori përsipër Bektash Cakrani dhe Dervish Hima, ku u bisedua që Kryengritja e Toskërisë duhet të shpërthejë njëherësh me atë të Gegërisë, që është gati. Kështu u nisëm në Shqipëri unë, Baki Gjebrea dhe Bektash Cakrani, shkruan Mihal Grameno. Së bashku me krerët e tjerë gjirokastritë e mallakastriotë si Namik bej Delvinën, të cilët erdhën në Cakran, të thirrur që më parë nga Paria e Kazasë së Vlorës për nënshkrimin e një memorandumi. Duke filluar nga ai i Sinjës me 1911, ku Bektash Cakrani ishte një nga organizatoret e këtij kuvendi, për të vazhduar më pas me kuvendet e tjera në jug dhe duhet thënë se këto përmbanin të njëjtat kërkesa me ato të malësorëve të veriut. Nuk vonoi dhe ekspedita ndëshkimore me trupat osmane u shfaqën në pazarin e Cakranit, ku të gjithë cakranjotët kishin rrëmbyer armët e zënë pozicione, nën komandën e Bektash Cakranit.

Pas katër orësh betejë të ashpër oficeri turk (yzbashi) duke parë rrezikun e rrethimit nga kryengritësit dhe vonesën e ndihmës, kërkoi armëpushim, por dhe i trembur, sugjeroi të prisnin të vinte një komision nga pleqësia e Beratit për shqyrtimin e kërkesave të kryengritësve, të cilët duhet thënë se luftonin duke kënduar këngën e njohur patriotike të shkruar dhe kompozuar nga patrioti e mësuesi Thanas Floqi, pjesëmarrës në këtë betejë: “O trima luftëtarë, O bij të Skënderbeut”, me vargjet e vërteta “O djem rrëmbeni pushkët, ja vdekje, ja liri” e jo si e kishin shtrembëruar përçarësit e Shevqet Turgut Pashës ne veri, “O djem rrëmbeni hutat, me shkue më Mal të Zi”.

Gazeta “Liri e Shqipërisë”, dt. 09.09.1911, në Sofje shkruante: “Të bijtë e Kahreman bej Cakranit në Mallakastër, pa marrë parasysh prishjen e pasurisë së tyre, që arrin në disa mijëra lira turke në vit, nxorën maleve një çetë për të luftuar kundra turkut…” dhe përfundon me fjalët; “Habitej njeriu duke vështruar shqiptarët të luftojnë me aq trimëri si në kohërat e Skënderbeut…”, ndërsa Revista “La Nazione Albanese” e datës 30.11.1911 që botohej në Romë, jepte një tablo përshkrimi të hollësishme të kryengritjes, të cilën gazeta “Dielli” e Bostonit e përshkruante “..si një betejë, ku luftuan me trimëri jo vetëm cakranjotët, por edhe komandantë të tjerë çeta luftëtarësh të Toskërisë”, si dhe studimi historik i shkruar nga historian Petraq Pepo me titullin “Një ndeshje me turqit në Mallakastër”. Në kulmin e saj Bektash Cakrani i shkruan mikut të tij e shokut të armëve Hamza Isait, rrugës për në Trieste të negocionte me agjentin tregtar Ulise Bizio për blerjen e 1500 mauzerëve për kryengritjen. Kryengritja përfshiu gjithë Jugun dhe përveç çetës së Mallakastrës e të Cakranit, në Kurvelesh e Gjirokastër me Idriz Gurin e Shuko Dalipin, tashmë të koordinuara tashmë nga Komiteti Kryengritës që vepronte ne Jug nën drejtimin e Pandeli Cales, Fazlli Toptanit, Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqit, etj.. Kryengritja e Mallakastres inspiroi dhe malësorët kryengritës të Shkodrës e Kosovës në përkrahje të Memorandumit të kuq të Gërçës dhe siç dihet premtimet e Portës së Lartë, nuk u mbajtën.

Në këtë klimë ngjarjesh e kushtesh historike rreziku i ri nga vendet fqinjë si Mali i Zi, Greqia e Serbia ishte imediat. Bektash Cakrani shkon në Vlorë, ku së bashku me Ahmet Durmishin, Ibrahim Abdullahun, Qazim Kokoshin etj., hynë në lidhje me Ismail Qemalin e morën prej tij këshillën: “të drejtat tona duhet t’i fitojmë me një kryengritje më të madhe në pranverën tjetër!” Në prill-maj 1912 Nga Stambolli në ditët e para të shkurtit 1912 erdhi në Vlorë deputeti i Parlamentit turk, Azis pashë Vrioni, ku me porosi të Ismail Qemalit u takua me krerët e parësisë të Vlorës, Mallakastrës e Skraparit, të cilëve iu kërkua me shkrim që Ismail Qemali të ishte deputet përfaqësues i këtyre krahinave në Parlamentin turk. Vëllezërit Cakrani e sidomos Bektashi gjatë kësaj fushate elektorale e përkrahën energjikisht kandidaturën e tij, gjë që shihet qarte në përplasjet dhe debatet me komitetin xhonturk të Vlorës e Beratit si dhe lidhjet me Xhemil bej Vlorën, Hamza Isain, Ibrahim Abdullahun, etj., si mbështetës e të afërm të Ismail Qemalit.

Në prill 1912, vetë Ismail Qemali mbërriti në Vlorë, së bashku me Luigj Gurakuqin, ku u takua me krerët e Vlorës dhe të Mallakastrës, ne krye të të cilëve ishin pjesë si gjithmonë Bektash e Hajredin Cakrani, për organizimin e kryengritjes së përgjithshme të vitit 1912. Në mbledhjen e Qishbardhës ku ata “shkuan së bashku me 360 shpirt” anëtarët e përfaqësisë së Kryengritjeve të Jugut, hynë në Vlorë për t’u lidhur me telegraf me Stambollin e për t’i transmetuar kërkesat e tyre, ku ndër më themelorja ishte ajo e shpalljes së autonomisë së Shqipërisë. Ndërkohë koha ecte me shpejtësi. Ideja e autonomisë kish rënë me humbjen e Luftës Ballkanike nga turqit dhe hyrjen e ngutshme të ushtrive të vendeve sllave e greke në territoret shqiptare. Ismail Qemali e Luigj Gurakuqi që ndodheshin në Trieste mbanin lidhje me krerët e Vlorës, Korçës, Mallakastrës etj., të cilët i porosiste: “Të mbani armët ngrehur deri në fitimin e të drejtave shqiptare!”

Ngjarjet zhvilloheshin me shpejtësi dhe me iniciativën e vëllezërve Cakrani, krerët e kryengritjes së Vlorës, Mallakastres, Beratit, Skraparit e Korçës thirrën në Fier një kuvend në fillim të muajit gusht 1912, me pjesëmarrjen e vetë Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit, ku përfaqësues për bisedimet shqiptaro-turke të Prishtinës, me propozim mes të tjerëve dhe të vëllezërve Bektash e Hajredin Cakrani, Kuvendi i Fierit zgjodhi Hasan Prishtinën përfaqësues të kryengritësve të jugut. “Në mbledhjen e Fierit, Alem Mehmeti e Sali Hallko i sugjeruan Ismail Beut të bujtnin në Cakran. Kjo ndodhi më 13 gusht 1912  dhe ishin Bektashi me vëllanë e tij, Hajredin Cakrani ata që organizuan këtë takim historik me Ismail Qemalin e Luigj Gurakuqin. “Në praninë tonë, në një odë te madhe me 28 burra, u kuvendua për fatin e vatanit” thotë në kujtimet e tij pjesëmarrës. Aty Bektash Beu, Hajredin Beu, Ali Rrapua, Faslli Patozi i bënë disa pyetje Ismail Qemalit ku merrnin pjesë dhe Kamber Belishova, Rushit Gorishova. etj vazhdon ai. Të drejtat e Shqiptarëve jo vetëm nuk iu dhanë, por pushtuesit omanë shtuan reprezaljet e arrestimet në shumë krahina të vendit. Në fillim të tetorit 1912, klubi atdhetar “Labëria” i Vlorës thirri në një takim  po në Vlorë, Bektash e Hajredin Cakranin, Faslli Patozin, Ismail Klosin, Abaz Mezinin, Jani Mingën, Ymer Radhimën, Xhemil bej Vlorën, etj., ku ishte dhe i pranishëm djali i Ismail Qemalit, Et’hem bej Vlora, prej Stambollit, ku u bisedua gjatë për Luftën e Parë Ballkanike dhe rrezikun imediat të copëtimit të trojeve shqiptare nga shovinistët fqinjë. Në kushtet e reja që po shfaqeshin, detyrën primare që Klubi atdhetar “Labëria” i Vlorës i vuri vetes, ishte mobilizimi i luftëtarëve për mbrojtjen e Janinës e viseve jugore nga ushtria e andartët grekë. Koha nuk priste. Deri në fillim të nëntorit 1912 Bektash  e Hajredin Cakrani grumbulluan mjaft vullnetarë në zonën e Mallakastrës për mbrojtjen e Janinës e Jugut. Në këtë kohë Bektash Cakrani, i cili kishte zhvilluar një takim me Murat bej Toptanin dhe me të dërguarin e Kosovës Nexhip Draga, të cilët “ishin fjalosur me Ismail Qemalin e Luigj Gurakuqin nëpërmjet kabullit telegrafik, që së shpejti në Shqipëri do të organizohej një Kuvend Kombëtar për shpëtimin e Shqipërisë”. Pikërisht më 2 nëntor 1912 Bektashi kishte diskutuar me ta sidomos për mendimin e Kont Berholdit në Ëienë, që sipas Luigj Gurakuqit, kishte shpresa të mëdha për mbështetjen e çështjes shqiptare. Momenti i shumëpritur historik po afrohej.

Në Vlorë u ngrit me këtë rast Komisioni Përgatitor Kombëtar, me Xhemil bej Vlorën, Qazim Kokoshin, Hasan Sharrën, Ibrahim Abdullahun, Bektash Cakranin etj. në të cilin ky i fundit merr njoftimin se “krerët shqiptarë do të mblidheshin shumë shpejt, për fatin e vatanit të tyre”, e ku më pas Ismail Qemali do të dërgonte në Vlorë telegramin historik: “Mbledhja e përfaqësuesve në Durrës e në Vlorë është shumë e nevojshme. I thirrni të gjithë deri sa të vij unë. Mbani qetësinë dhe ruani bashkimin. Çështja jonë politike u sigurua…”. Çasti i madh historik ishte fare afër. Siç dihet, pas takimeve me koloninë shqiptare te Bukureshtit dhe disa  përpjekjeve në disa kanceleri europiane, Ismail Qemali e Luigj Gurakuqi mbërrijnë në Trieste dhe që andej Luigj Gurakuqi, duke parë se ngjarjet po rrokulliseshin me shpejtësi i dërgon telegram Komisionit  Përgatitor të Kuvendit, e pikërisht Bektash Cakranit që të merreshin masa për pritjen në Durrës se sipas gjasave për shkak se ushtritë serbo-malazeze po depërtonin me shpejtësi në thellësi të Shqipërisë, Kuvendi do të mbahej në një vend të sigurt, që ishte padyshim, Vlora. Mbërritja e Ismail Qemalit e Luigj Gurakuqit  në Durrës dhe vendosja e tyre në hotel “Kostndinopoja” ishte siguruar qysh më parë. Më 21 nëntor 1912, nga Durrësi Luigj Gurakuqi dërgon këtë telegram në Vlorë:  “Et’hem Beut (i biri i Ismail Qemalit) dhe Bektash Cakranit (që prej kohësh ndodhej në Vlorë dhe ndiqte ngjarjet që andej) ose Qazim Kokoshit në Vlorë; Me urdhër të Ismail Qemal Beut ju bëhet me dije, se pas dy orësh duhet të ndodheni në zyrën telegrafike! Luigj Gurakuqi”. Sipas dëshmive të bashkëkohësve në orën tetë të mbrëmjes, Ismail Qemali bisedoi vetëm me Xhemil bej Vlorën, ( i nipi dhe njohës i përkryer i çdo gjëje e situate në qytet) dhe Bektash Cakranin (njeriu më i besuar në gjithë konspiracionin e këtij momenti historik, që do të mbulonte momentin më delikat, udhëtimin për në Vlorë), në një bisedë të gjatë, në të cilën ata morën udhëzime e këshilla për situatën në Durrës dhe përgatitjen e Kuvendit të Vlorës. Menjëherë Bektash Cakrani i dërgon Azis pashë Vrionit në Berat telegramin; “Shkëlqesisë së tij Azis Vrioni dhe shokëve të ndershëm, Berat. E ardhmja e Shqipërisë u sigurua. Shkëlqesia e tij Ismail Qemal Beu me shokët e tij të ndershëm janë nisur prej Budapesti drejt e këtu, që të gjenden në Mbledhjen e Përgjithshme Kombëtare, e cila do të bëhet në Vlorë dhe kanë lajmëruar telegrafisht se nesër mbërrijnë në Durrës. Në telegramin që erdhi porosit që të dërgohen atje karroca ose kuaj për të hipur, prej Beratit. Ne që këtej filluam të dërgojmë kuaj. Mirëpo nga shkaku që Vjosa ka ardhur shumë e nuk ka vah, karrocat e kuajt, që pa fjalë nesër mbrëma duhen të gjenden në Durrës, shihet nevoja të dërgohen nga Berati. Prandaj lutemi të gjithë, kini mirësinë t’i gjeni aty dhe t’i dërgoni e të na lajmëroni sa më shpejt…Bektash Cakrani”. Azis Vrioni ngarkoi me të shpejtë Qemal Karaosmanin, mjaft i besuar për të, me gjithë mjetet e mundshme e të domosdoshme për shoqërimin e Ismail Qemalit e delegacionit në rrugën për në Vlorë me njerëz të armatosur.

Nga ana tjetër ai me ngut i dërgon të vëllait Hajredinit, komandant i batalionit mustafëz të Fierit, lajmin se ushtria osmane mund t’i bënte pritë Ismail Qemalit me shokë dhe duhet kaluar bregut të detit e Kënetës së Karavastasë, nga ky i fundit kishte çifligjet, për të mos ndodhur katastrofa. Dhe ashtu u bë, Hajredini i del atyre në Shkumbin me njerëz, kuaj e buaj dhe kalojnë natën në shtëpitë e tij në Pëtoshaj (fare pranë Libofshës). Të gjithë shqiptarët janë njohur me atë udhëtim epik tej mase të vështirë, të devijuar nga rruga kryesore për shkak të sigurisë së Ismail Qemalit e të gjithë delegacionit, ku sipas një urdhri, trupat e ushtrisë turke duhet ta arrestonin patjetër atë. Të nesërmen ai e shoqëron me batalionin e tij deri në Vlorë Ismail Qemalin për të ngritur flamurin, ku vetë Hajredin Cakrani është firmëtar.

Shpallja e Pavarësisë dhe ngritja e flamurit në Vlorë bënë realitet ëndrrën e tyre e të gjithë brezave të të gjithë shqiptarëve dhe lanë mbresa të thella tek vëllezërit Cakrani. Vëllai më i madh, Hajredin Cakrani, delegat i vetëm i Fierit dhe firmëtar i Deklaratës të Pavarësisë, u zgjodh anëtar i Pleqësisë së këtij Kuvendi dhe në Qeverinë e Vlorës, këshilltar pranë Ministrit të Luftës Mehmet pashë Drralla, i cili e emëron direkt komandant të trupave qeveritare në Skrapar kundër ushtrisë greke që po ngutej të pushtonte trojet shqiptare dhe të bënte terror mbi popullin e pafajshëm. Bektash Cakrani, meqenëse do të ndihmonte direkt shtetin e ri financiarisht, dhe për këtë besimi të madh që kishte Ismail Qemali dhe Qeveria e Vlorës, e emëruan Drejtor të Thesarit. Natyrisht ky nuk është kurrë epilogu i këtyre patriotëve e atdhetarëve të mëdhenj. Duke zbatuar urdhëratë e Qeverisë së Vlorës, Bektash Cakrani në krye të 150 luftëtarëve të Mallakastrës shkoi në Qafën e Llogorasë, në ndihmë të Beqir Velos e Alem Mehmetit për t’i prerë vërshimin ushtrisë greke, që kishte zbarkuar e po përparonte në zonat e Bregut të Detit. “Bektash Cakrani, Musa Hamiti etj., në janar të 1913-ës në krye të 350 luftëtarëve Mallakastriotë, u gjendën në frontin e luftimeve, në jug duke bashkërenduar veprimet luftarake me zv.ministrin e luftës Xhelal Koprencka”,- i shkruan Qeverisë së Vlorës Azis pashë Vrioni.

Figura e Bektash Cakranit si dhe vëllait të tij Hajredin Cakrani shfaqen fuqishëm në ngjarjet e mëpasme si Qeveria e Princ Vidit, e sidomos me 1914, ku si oficerë të qeverisë së tij, në luftimet me kryengritësit fshatarë të Shqipërisë së Mesme  në Myzeqe, Berat, Mallakastër etj. Ai ka debatuar me parinë e Vlorës për të mos e lënë qytetin e flamurit të dorëzohej pa luftë. Dhe vërtet, më 1 shtator 1914, forcat e Haxhi Qamilit dhe Mustafa Ndroqit rrëzuan flamurin shqiptar dhe ngritën atë turk, pa harruar të digjnin gjithë pazarin e njohur të Cakranit dhe shkollën me gjithë fëmijë brenda. Për vetë Bektash Cakranin ata shpallën një dënim me vdekje kudo që të ishte.Edhe pas rënies së kësaj kryengritje famëkeqe, atë pushtet që mori Esat pashë Toptani, ishte përsëri I njëjtë me atë gjakatar të kryengritjes fshatare. Ai nxori një urdhër arresti për Bektash Cakranin, të cilin ja tregoi vetë shefi i policisë së Vlorës Shero Emini, në portin e Vlorës, kur Bektash Cakrani po ikte në Itali. Në vitin 1918 në Vienë takon Ismail Qemalin dhe me të bisedojnë për situatat e reja dhe fatin e vatanit si gjithmonë në udhëkryq. Pas Luftës së Parë Botërore ai shfaqet në Kongresin të Lushnjes,si një nga organizatorët kryesorë të tij i cili me përgjegjësi të plotë propozoi edhe Qeverinë me Kryeministër Sulejmen Delvina, dhe ku ai u zgjodh Senator duke përfaqësuar krahinën e Mallakastres.

 Në Luftën e Vlorës, ai në krye të luftëtarëve mallakastriotë merr pjese si organizator i forcave të Mallakastrës dhe furnizimeve me drithë, sepse qenia e tij senator, komplikonte deri në një skandal të paparashikueshëm qeverinë shqiptare në këtë rast. Mes shumë betejave duhet përmendur sidomos ajo e grabitjes dhe pastaj hedhjes në erë të depove të më të mëdha të ushtrisë italiane në Panaja, të ndihmuar nga oficeri Italian arbëresh, Xhovani Valenca. Së bashku me patriot të tjerë vlonjatë ata bënë të mundur këtë aksion të përmasave të tilla sa ushtria italiane u ndodh në grackë. Asnjëherë shpirti i tij liridashës nuk rreshti së vepruari e luftuari për atdheun. Sa rebel e i papërkulur, aq dhe mendimtar e veprimtar, Bektash Cakrani shfaqet një kundërshtar i rreptë i vetë mbretit Zog, dhe në debatet me të i thotë; (unë propozova Qeverinë në Lushnje dhe ty për ministër të brendshëm, sepse fatet e Atdheut ishin në udhëkryq, por ti qenke një egoist ballkanas..), dhe si iniciator i Lëvizjes së Fierit me pikëpamje republikane arrestohet dhe planifikohet për dënim me vdekje, por ndikimi i jashtëzakonshëm i popullaritetit të tij, e detyrojë mbretin ta dënojë vetëm me burgim. Qëndrimi i tij atdhetar gjithmonë ka bërë fjalë për një shqiptar e njeri me të vërtetë i madh

Në Luftën e Dytë Botërore, falë influencës së padiskutueshme në trevën e Mallakastrës dhe idesë së tij për bashkim në luftë kundër pushtuesit fashist, bëhet iniciator i çetave të para të luftëtarëve për liri, duke angazhuar dhe djemtë, nipëri  dhe të afërmit. Si gjithmonë në luftë dhe po si simbol i bashkimit zgjidhet njëzëri për popullaritetin e tij e më gjerë, Kryetari i Këshillit Krahinor Antifashist për gjithë krahinën e Mallakastrës, në Poçem në korrik 1943. Duke parë që lufta devijoi nga idetë e mëdha atdhetare e liridashëse, në një luftë vëllavrasëse, me gjithë thirrjet e vazhdueshme që u bëri ai të dy krahëve ndërluftues, e duke parë se personaliteti i tij nuk mund të dilte mbi mosbindjen e tyre, detyrohet të japë dorëheqjen nga ky këshill. Pushtuesit italianë duke parë tek Bektash Cakrani një figurë që paraqiste kurdoherë me popullaritetin e tij, rrezik të madh për ta, e arrestojnë dhe e internojnë në burgjet e Italisë, ku pas kapitullimit të saj, ai kthehet në Shqipëri në moshë të thyer, i sëmurë e i lodhur. Në nëntor të vitit 1944, ai si “gjithmonë” arrestohet, por këtë radhë dënohet me vdekje në gjyqet speciale të viteve 1945. Ai mbyll jetën e tij me fjalët: “..motoja ime e jetës ka qenë: mbi pasurinë e familjen, Atdheu; çdo gjë për Atdhe dhe Atdheu mbi të gjitha!”. Ata që bëjnë historinë, faktori kohë i radhit në piedestalin e lavdisë, emri i tyre gdhendet aty përgjithmonë, ndërsa atyre që e lexojnë historinë, s’u mbetet gjë tjetër, veç të krenohen me emrin e tyre, që s’është gjë tjetër veçse sinonim i lirisë…