FLET IKONA E VETERANËVE TË LANÇ, RUSTEM PEÇI

351

Rustem Peçi: Krenar, në 60-vjetorin e krijimit të Organizatës së Veteranëve dhe në 75-vjetorin e Çlirimit të atdheut

2019, viti i betejave për mbrojtjen e idealeve dhe historisë së LANÇ. Riatdhesimi i eshtrave të Midhat Frashërit, tradhti kombëtare e Kryeministrit. Ja për kë do të votojnë veteranët, në zgjedhjet vendore

Intervista e Kryetarit të Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar, Rustem Peçi, dhënë kryeredaktorit të gazetës “Kushtrim brezash”, Gjikë Kurtiqi

Shoku Rustem, Organizata e Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar mbylli një vit nga më ta pasurit me veprimtari të shumta në përkujtim të ngjarjeve e datave historike të LANÇ, por edhe me shumë replika e debate me pinjollët e kolaboracionistëve ballisto-zogistë, baballarët e të cilëve bashkëpunuan me pushtuesit fashiste e nazistë, kryen krime ndaj popullit dhe tani, pas ndryshimit të sistemit politiko-shoqëror po përpiqen të deformojnë të vërtetat e epokës më të lavdishme të historisë së popullit tonë, për të bërë të zezën të bardhë dhe të bardhën të zezë, të nxjerrin atdhetarë tradhtarët dhe luftëtarët e asaj epoke, heronjtë dhe dëshmorët që derdhën gjakun e tyre të kulluar për të çliruar Shqipërinë dhe për të siguruar pavarësinë e vërtetë të saj, t’i paraqitin si kundërshtarë të nacionalizmit shqiptar. Dhe jo vetëm me pinjollët e kolaboracionistëve dhe pseudo-historianët e paguar prej tyre, por edhe me pushtetarë të sotëm që kanë shkarë plotësisht në pozitat e tyre. Si do ta cilësonit vitin 2018?

Viti që lamë pas, ishte vit me ngjarje e data të shumta historike, të cilat u përkujtuan me solemnitet dhe masa të mira organizative nga të gjitha hallkat e drejtimit të Organizatës së Veteranëve të LANÇ në rrethe, me pjesëmarrje të gjerë të veteranëve, pasardhësve, familjeve të dëshmorëve e invalidëve të LANÇ, të familjeve të shokëve e shoqeve të ndarë nga jeta, nxënës të shkollave. Të gjitha aktivitetet janë zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me organizatat dhe shoqatat simotra e me përfaqësues të pushtetit vendor në rrethet përkatës. Në veprimtaritë e zhvilluara për përkujtimin e të gjitha ngjarjeve e datave historike të çetave, batalioneve, brigadave partizane, 11 Janarit, 5 Majit, 24 Majit, 10 Korrikut 75-vjetorit të formimit të SHP të UNÇSH, 16 Shtatorit, 17 Nëntorit, 28-29 Nëntorit etj. Ka spikatur uniteti, kompaktësia, dashuria e respekti midis pjesëmarrësve për LANÇ dhe historinë e saj që përbën epopenë më të lavdishme të luftërave të popullit shqiptar, e cila solli çlirimin përfundimtar nga pushtuesit e huaj nazifashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre tradhtarë të popullit e të atdheut.

Me krenari të ligjshme u festua 60-vjetori i formimit të Organizatës së Veteranëve të LANÇ, besnike e patundur e misionit të saj për mbrojtjen, propagandimin dhe transmetimin në breza të idealeve të LANÇ dhe të historisë së saj të lavdishme do të ruaj të paprekur Luftën dhe fitoret e popullit tonë të shkruar me gjakun e 28 mijë dëshmorëve të LANÇ, do t’i përgjigjemi flakë për flakë revanshit neofashist që zhvillohet kundër LANÇ, nga pinjollët e kolaboracionistëve dhe përkrahësit e tyre nga çdo krah që dalin, duke falsifikuar historinë e vërtetë, shpifin kundër fitimtarëve, partizanëve antifashistë, që janë e do të mbeten në jetë të jetëve në kurorën e lavdisë së Atdheut.
Viti 2018 do të mbahet mend si viti kur Qeveria Shqiptare e drejtuar nga Edi Rama tentoi që pas të ashtuquajturve “bunkarte” e “shtëpi me gjethe”, të ngrinte në Tepelenë një kamp famëkeq nazist si ai i shfarosjes të Aushviçit, por nuk mund ta çonte në fund aventurën nga qëndresa kundër e masës popullore. Por për turp të historisë në prag të festave të Nëntorit, Edi Rama rehabilitoi ish-kreun e Balli Kombëtar, krye kolaboracionistin, bashkëpunëtorin më të zellshëm të nazifashistëve, armikun më të egër të Luftës Antifashiste, Mit’hat Frashëri, me ceremoni zyrtare nga qeveria socialiste. Ai që braktisi Ismail Qemalin, që vrau luftëtarë të lirisë dhe popull të pafajshëm e shkatërroi qytete e fshatra. Si i tillë Mit’hat Frashëri nuk meritonte nderimet dhe ceremoninë qeveritare që iu bënë.
Pra, përpjekja për rehabilitimin e krye kolaboracionistit, bashkëpunëtorit dhe shërbëtorit të pushtuesve nazifashistë Mit’hat Frashëri, i cili iu kundërvu LANÇ të popullit shqiptar që ishte inkuadruar në Frontin Antifashist Nacionalçlirimtar është një akt i pa precedent, me synime të errëta, për të goditur e mohuar epopenë e lavdishme të LANÇ, për të falsifikuar e përmbysur të vërtetat historike, për të mohuar gjakun e dëshmorëve dhe sakrificat e popullit shqiptar për çlirimin e vendit dhe kontributin që dha në fitoren botërore kundër nazifashizmit. Synimet dhe veprimet e Edi Ramës, duke keqpërdorur postin e kryeministrit e të kryetarit të PS, realisht përbën një akt të tradhtisë kombëtare dhe një rrezik për vendin. Veteranët e LANÇ, invalidët, familjet e dëshmorëve të LANÇ, pasardhësit, familjet baza të LANÇ dhe shoqatat atdhetare e patriotike që përbëjnë pjesën më militante të PS, nuk mund të jenë pjesë e “Rilindjes” së Edi Ramës që paska pasur, siç duhet prapavijë tjetër, ndryshe çka mendonin e prisnin shumica e socialistëve.

Organizata e Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar, ka dënuar me forcë veprimet arbitrare, antikombëtare e antihistorike dhe duke paralajmëruar rreziqet që vinë nga rehabilitimi i kolaboracionistëve, do të ecë me krenari në rrugën e saj, duke forcuar unitetin dhe bashkëpunimin me organizatat e familjeve të dëshmorëve të LANÇ, me shoqatat e ushtarakëve në lirim dhe shoqatat e tjera atdhetare e kulturore, dhe së bashku me to, do të luftojmë me të gjitha forcat për të mbrojtur LANÇ dhe vlerat e saj historike e bindur se kështu kryen detyrën e shenjtë të mbrojtjes së interesave kombëtare dhe të Atdheut. Gjithçka që po ndodh është përgjegjësi dhe detyrim i strukturave të PS për të vlerësuar rëndësinë dhe seriozitetin e ngjarjeve aktuale, duke mbajtur qëndrimet e duhura ndaj shpërdoruesve të pushtetit dhe të programit të miratuar e të paraqitur në elektorat. Një pushtet që shkel të drejtat themelore të qytetarëve të vet, nuk mund të jetë social, human e ligjor.

Mbrojtja dhe propagandimi i vlerave të LANÇ do të jetë në qendër të vëmendjes dhe detyrë parësore e Organizatës së Veteranëve të LANÇ. Nga viti në vit ne kremtojmë përvjetorët e ngjarjeve historike të LANÇ, pra vitet ikin LANÇ largohet në kohë, shumica e protagonistëve të saj janë larguar nga jeta, ndërsa plagët janë të hapura, memoria e popullit ruan të freskëta plagët e betejave dhe kujtimet për bijtë e bijat e rëna, sakrificat, mundimet dhe vuajtjet e panumërta në atë Luftë legjendare për liri nuk harrohen kurrë. Plagët dhembin në ndërgjegjen e kombit.

Shumë vuajtje e sakrifica sublime iu deshën të bënte populli ynë për të siguruar fitoren, lirinë dhe pavarësinë e vërtetë më 29 Nëntor 1944. Në vendin e betejave ku ranë heronjtë e dëshmorët u ngritën përmendore, lapidarë e pllaka përkujtimore, të cilat së bashku me varrezat e dëshmorëve përbëjnë piramidat e krenarisë sonë kombëtare.

Shumë përpjekje janë bërë dhe po bëhen nga pinjollët e bashkëpunëtorëve të pushtuesve nazifashistë që ta deformojnë LANÇ, ta mohojnë dhe ta fshijnë nga historia e popullit tonë, duke shpresuar se kështu do të fshehin edhe tradhtinë e baballarëve të tyre. Fillimisht u lëshuan kundër simboleve të LANÇ, më pas reaguan kalemxhinjtë që të nxinin historinë, ta deformojnë dhe ta quajnë “luftë civile” dhe bashkëpunëtorët e fashizmit t’i quajnë nacionalistë, antikomunistë dhe atdhetarë. Ndryshuan tekstet shkollore të historisë. Na del detyrë ne veteranëve dhe pasardhësve të tyre që t’ua mësojmë nxënësve të shkollave të vërtetat e LANÇ. Rinia do të dijë se UNÇSH u krijua mbi baza vullnetare, prandaj në radhët e saja kishte dhe 12, 13, 14, 15 dhe 16-vjeçarë nga radhët e të cilëve u bënë dëshmorë e heronj, pesë vajza u varën në litar nga bisha naziste, ato janë shpallur Heroina. Të mësojnë se me urdhër të Komandantit të Përgjithshëm të UNÇSH Enver Hoxha dy brigada sulmuese partizane, pa u çliruar akoma Shqipëria u dërguan për të çliruar Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit. Më pas u dërguan dhe 9 brigada të tjera në dy divizione që luftuan kundër nazistëve deri në Sanxhak dhe dhanë jetën 680 dëshmorë në tokat e ish-Jugosllavisë. Këto e të tjera t’ua mësojmë të rinjve që të jenë krenarë për LANÇ dhe historinë e lavdishme të saj.

T’u tregojmë të rinjve të vërtetat reale të historisë së LANÇ, t’u tregojmë se PKSH me në krye Enver Hoxhën bënë të mundur mobilizimin e popullit rreth Frontit NÇ, krijimin e njësiteve, çetave, batalioneve, brigadave e korparmatave. T’u tregojmë besimin që kishte populli tek fitorja, t’u tregojmë aksionet, luftimet, betejat dhe operacionet.
Pa LANÇ nuk do të kishte Shqipëri të lirë e sovrane. Shqipëria u çlirua me forcat e veta pa ndërhyrje. Sigurisht forcat kryesore në luftë kundër nazifashizmit ishin forcat aleate, por ne vendin tonë e çliruam me forcat tona.

Nga viti në vit disa nga veteranët e LANÇ dhe pasardhësit e tyre janë ndanë nga jeta dhe nga Organizata e Veteranëve të LANÇ. Koha dhe mosha bëjnë të tyren. Si po shkon anëtarësia e organizatës në raportet me kohën?

Po është e vërtetë që koha bën të sajën dhe nga gjiri i Organizatës sonë ndahen veteranë të nderuar dhe pasardhës të përkushtuar, por edhe Organizata e Veteranëve po bën të sajën. Ajo shton dhe shumon radhët e saja me pasardhës veterani të gatshëm e të përkushtuar që i japin Organizatës gjallëri shtojnë veprimtaritë e saj në përkujtim të datave dhe ngjarjeve historike së LANÇ, forcojnë unitetin dhe zbatojnë detyrat e statutit të veteranit. Pra nga viti në vit radhët e organizatës sonë vinë vetëm duke u rritur.

Jemi në ditët e para të vitit 2019. Organizata e Veteranëve të LANÇ në të gjithë territorin e vendit, në dy javët e fundit të vitit 2018 zhvilluan analizat e punës për vitin 2018 dhe përcaktuan detyrat për këtë vit kalendarik. Cilat do të ishin disa nga detyrat kryesore ku do të përqendrohet Organizata e Veteranëve të LANÇ gjatë vitit 2019?

Viti 2019 është vit i evenimenteve të mëdha, 75-vjetori i çlirimit të Atdheut, i Kongresit Historik të Përmetit dhe i krijimit të shumë njësive të UNÇSH, i ngjarjeve e datave historike në të gjitha rrethet e vendit. Është viti i zgjedhjeve në Organizatat e Veteranëve të LANÇ në të gjitha nivelet në rrethe, si dhe vit i zgjedhjeve lokale në të gjithë vendin.
Organizata e Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar, duke mbajtur gjithmonë lart nderin dhe lavdinë e LANÇ e të historisë së saj të lavdishme, që e radhiti Luftën tonë çlirimtare në krahun e fitimtarëve e që i dha vendit tonë lirinë dhe pavarësinë e vërtetë, duke e shpëtuar nga synimet shoviniste për copëtimin e saj kryen misionin e saj historik e atdhetar.
Vitin 2019 do ta kthejmë në vit beteje të re për të mbrojtur idealet e LANÇ dhe të historisë së saj të lavdishme, për të ruajtur të paprekur Luftën e popullit tonë për çlirimin e vendit, sakrificat, gjakun e 28 mijë dëshmorëve që dhanë jetën për çlirimin e atdheut nga pushtuesit e huaj nazifashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre ballisto-zogistë, për t’u dhënë përgjigjen e merituar pinjollëve të bashkëpunëtorëve të pushtuesve që vjellin vrer kundër çlirimtarëve, partizanëve fitimtarë që do të shkëlqejnë në jetë të jetëve në kurorën e lavdisë të popullit tonë. Do të punojmë pa u lodhur për të mbajtur lart nderin dhe lavdinë, vetitë dhe virtytet e LANÇ, frymën patriotike e atdhetare, për të transmetuar në breza historinë tonë të LANÇ të popullit shqiptar.
Duke qenë gjithmonë në unitet, kompaktësi e solidaritet në të gjitha organizatat, strukturat dhe organet tona drejtuese, si dhe në bashkëpunim me organizatat e shoqatat simotra atdhetare e kulturore, me organizatat ndërkombëtare të Veteranëve të FIR, FMAC dhe ato në vendet ballkanike, si dhe organet e pushtetit qendror e vendor, do të ngrihen në një nivel më të lartë tërë veprimtarinë e Organizatës sonë të Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar.

Pas 6 muajve, në qershor të këtij viti zhvillohen zgjedhjet për kryetarët e bashkive dhe për këshillat bashkiake. Organizata e Veteranëve të LANÇ ka në radhët e saja mijëra anëtarë, veteran e pasardhës që së bashku me familjet e tyre shkojnë në qindra mijë votues, për cilët kryetarë bashkie dhe anëtarë të këshillave bashkiakë do të votojë anëtarësia e organizatës sonë?

Si gjithmonë anëtarësia e Organizatës së Veteranëve të LANÇ me gjithë simpatizantët dhe familjet e tyre do të marrin pjesë aktive në zgjedhjet vendore për organet e pushtetit në të gjitha bashkitë dhe do të votojnë për djemtë e vajzat e popullit që mbrojnë LANÇ, punojnë për rritjen e mirëqenies së popullit, mbajnë premtimet e dhëna, por edhe për përfaqësuesit e vet në këshillat bashkiake.
Në vitin 2019 do të zhvillohen edhe zgjedhjet në organizatat e veteranëve të LANÇ dhe konferencat e veteranëve në rrethe. Ato do të zhvillohen sipas udhëzimeve të veçanta që do të dërgohen nga Komiteti Kombëtar. Faleminderit!