Sami Repishti – Një nga themeluesit e Letërsisë Shqiptare të Burgut

1016
Sigal

Thanas L. Gjika

Shkrimtarët dhe veprat e realizmit socialist. Pasqyrimi i jetës në Shqipëri të profesor Repishtit gjatë viteve 1945 -1959. Vëllimi “Pika loti” – rrëfim i ngjarjeve të komunizmit

(Portret-biografi kushtuar veprimtarit të shquar Profesor Sami Repishtit)

Vijon nga numri i kaluar

Ndërrimi i regjimit në Shqipëri, si kudo në Evropën Lindore nxori në dritë faktin e madh se pjesa dërmuese e veprave letrare dhe artistike, që ishin krijuar sipas rregullave të metodës së realizmit socialist, ishin vepra pa vlera ideore, sepse kishin propaganduar ideologjinë komuniste, e cila kapitulloi me turp si një ideologji kundër natyrës njerëzore. Shumica e shkrimtarëve dhe artistëve të indoktrinuar prej kësaj ideologjie e patën të vështirë, ose të pamundur që të evoluonin e të futeshin në hullinë e krijimtarisë realiste. Shumica e tyre nuk e kuptonin, ose nuk donin ta kuptonin, se me krijimtarinë e tyre letrare e artistike i kishin bërë dëm popullit të tyre, madje disa prej tyre vijuan t’i mburrnin veprat e tyre si vepra që i kishin shërbyer dhe i shërbenin edukimit të popullit. Në vitet 1992 – 1993, me largimin nga skena politike të Partisë së Punës së Shqipërisë, sponsorizueses së vetme të arteve dhe letërsisë, u krijua ideja sikur letërsia, artet dhe kinematografia në Shqipëri filluan të përjetonin një krizë prej së cilës nuk do ta merrnin dot veten. Mirëpo krahas rënies në fashë të krijimtarisë së indoktrinuar filloi të përjetonte një gjallërim, një bum, krijimtaria letrare dhe artistike realiste. Vepra realiste letrare e artistike (tregime, romane, poezi, piktura, skulptura, krijime muzikore e më pak vepra kinematografike), si dhe studime të çliruar prej politizimit, së pari filluan të krijonin ish-të dënuarit e ndërgjegjes, të dalë prej burgjeve dhe kampeve të internimit, si dhe ata që ishin lënë mënjanë për shkak të “biografisë së keqe”. Pas tyre nisën të krijojnë vepra realiste dhe disa shkrimtarë e artistë të cilët para vitit 1992 kishin krijuar vepra të realizmit socialist pa ndonjë dëshirë të madhe, si Frederik Rreshpja, Pëllumb Kulla, Naum Prifti, Zija Çela, Fatos Kongoli, etj, krijimtaria e të cilëve tani arriti kulme të shënueshme. Mbas 1992-it filluan suksesshëm rrugën e tyre krijuese si shkrimtarë realistë dhe prozatorët Faruk Myrtaj, Robert Martiko, Hasan Kostreci, Dashnor Kokonozi etj.

Gjatë sundimit të diktaturës së proletariatit, përndjekja e egër ndaj krijimtarisë letrare e artistike që nuk i përmbahej normave të realizmit socialist, kishte sjellë si pasojë që në Shqipëri të mos kishim asnjë krijues, shkrimtar ose artist, i cili të kishte hartuar e botuar ndonjë vepër të plotë disidente në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale. Mjaft krijues me prirje disidente nuk u lanë të arrinin tek botimi i librit të tyre të parë, por mbas hartimit të disa shkrimeve në poezi ose prozë, u arrestuan e vuajtën burgime të gjata si Kasem Trebeshina, Pjetër Arbnori, Jorgo Bllaci, Visar Zhiti, Makinsen Bungo, Maks Velo, Zydi Morava, Bashkim Shehu (ky u dënua jo thjesht pse ishte bir i kryeministrit që u shpall “armik e poliagjent”, por edhe për skenarin e filmit “Skëterrë 43” (1980), vepër me aludim kritik ndaj diktaturës) etj. Pati midis tyre dhe heronj tragjikë që u pushkatuan si Trifon Xhagjika, Genc Leka e Vilson Blloshmi, dhe më keq akoma, që u varën si poeti kuksiane, Havzi Nelaj.

E parë në tërësinë e saj, letërsia jonë që botohej brenda vendit gjatë kohës së diktaturës, si thamë më lart, nuk arriti të kishte asnjë shkrimtar disident në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Shkrimtarë të shquar kundër-komunistë, që vijuan krijimtarinë e tyre pasi u arratisën prej Shqipërisë, si Ernest Koliqi, Vasil Alarupi e Isuf Luzaj nuk mund të quhen shkrimtarë disidentë për faktin se kundërkomunizmi i tyre u zhvillua në botën e lirë larg sundimit të sistemit komunist. Po ashtu edhe ata shkrimtarë që lulëzuan si krijues kundërkomunistë pasi u arratisën prej Shqipërisë si Martin Camaj, Arshi Pipa, Sami Repishti, Bilal Xhaferi etj., janë shkrimtarë kundërkomunistë, por jo disidentë. Krijues disident quhet ai krijues që jeton nën një regjim shtypës dhe i kundërvihet hapur këtij me vepra letrare, publicistike, programe partish etj.

Sami Repishti ka shkruar disa qindra artikuj, mbi njëzet libra (disa me bashkautorësi) dhe dy vepra letrare PIKA LOTI (shkruar më 1959 – 1963 dhe botuar më 1997 dhe 2009) dhe NËN HIJEN E ROZAFËS (2004). Këto dy vepra bëjnë pjesë në letërsinë realiste shqiptare, dhe më konkretisht ato përbëjnë themelet e letërsisë sonë të quajtur: Letërsia e burgut, e cila lexohet sot me ëndje dhe përfitim të madh. Aty zbulohet jeta plot vuajtje, qëndresa dhe bëmat e njerëzve të dënuar prej diktaturës komuniste shqiptare, një aspekt i jetës sonë, të cilin diktatura e kishte shtrembëruar dhe mbajtur në fshehtësi.

Mbas vitit 1944 letërsinë realiste nuk e braktisën të gjithë krijuesit shqiptarë. Atë vijuan ta lëvronin disa shkrimtarë shqiptarë që ranë nëpër burgje e kampe pune dhe disa prej të arratisurve në botën e lirë. Për nder të letrave shqipe pati dhe shkrimtarë të guximshëm si Petro Marko, Mitrush Kuteli etj, të cilët me gjithë pasojat politike për jetën e tyre dhe të familjarëve të vet, nuk e përfillën metodën e realizmit socialist. Kurse Lasgush Poradeci, Ali Asllani etj e thyen penën mbas vitit 1944. Nuk duhet të lemë pa përmendur këtu dhe ndihmesën e vlefshme që dhanë shkrimtarët e rinj shqiptarë të Kosovës, që u formuan e krijuan në hullinë e realizmit në ish-Jugosllavi.

Letërsia jonë e viteve 1944-1991, përveç shkrimtarëve si Shefqet Musaraj, Aleks Çaçi, Fatmir Gjata, Llazar Siliqi etj, të cilët shkruan vetëm vepra të realizmit socialist, pati dhe disa shkrimtarë si Sterio Spasse, Sabri Godo, Teodor Laço etj, të cilët hartuan vepra që i përkisnin realizmit socialist kur trajtuan ngjarje nga koha e socializmit dhe vepra thjesht realiste kur trajtuan jetën shqiptare të një kohe të kaluar. Ky grup shkrimtarësh i solli letërsisë sonë edhe dëme edhe vlera, sipas rastit. Kurse vepra letrare e Ismail Kadaresë dhe ajo e Dritëro Agollit përbëjnë një dukuri letrare të komplikuar, që kërkon studime të thelluar për të zbuluar vlerat dhe dëmet e tyre.

Letërsia e pakët realiste që u zhvillua në Shqipëri në vitet e diktaturës komuniste dallohet prej letërsisë së realizmit socialist për nga metoda krijuese dhe për nga përmbajtja ideore. Ajo zbatoi rregullat e metodës botërore të realizmit dhe jo rregullat e ngurta të metodës së realizmit socialist, që u zbatuan vetëm në vendet e kampit socialist sipas udhëzimeve të V. I. Leninit dhe teoricienit Andrei Zhdanov. Kurse për nga përmbajtja, letërsia realiste nuk ishte vënë dhe nuk u vu në shërbim të së keqes, nuk ngriti në art politikën e partisë shtet, por humanizmin, moralin e shëndoshë, dashurinë njerëzore, gjithçka që i shërbente përparimit shoqëror. Ajo eci në atë rrugë që kishte ecur letërsia shqiptare dhe ajo botërore realiste, pavarësisht nga rrymat e drejtimet letrare ku mund të bëjë pjesë.

Krijimet poetike të Arshi Pipës Libri i Burgut (1959), përmbledhja me portrete e Sami Repishtit Pika Loti (1959 – 1963), dhe vepra memuaristike autobiografike Nën hijen e Rozafës (2004), poezitë e Visar Zhitit e të Lek Pervizit (ky si rapsod popullor), Uran Kostrecit, Lazër Radit etj, krijuar nëpër burgje e kampe internimi, përbëjnë themelet, nismat e letërsisë së burgut. Natyrisht në këto themele bëjnë pjesë edhe vepra të tjera që unë si emigrant nuk kam mundur t’i shtie në dorë, mbasi autorët ose familjarët e tyre i botojnë me sakrifica në pak kopje.

Vëllimi Pika Loti është një përmbledhje tregimesh të jetuar, të ndërtuar si portrete letrare, të cilat autori i shkroi mbas arratisjes nga atdheu në vitet 1960-1963, të cilat nuk i botoi në ato vite, por vetëm mbas ndërrimit të regjimit, sepse ndruhej mos u shkaktonte pasoja familjarëve të vet dhe familjarëve të personave që kishte përshkruar në to. Heronjtë e kësaj vepre janë bashkëvuajtës të autorit nëpër qelitë e hetuesisë, ose në burgun e Shkodrës dhe në kampet e ndryshme të punës së detyruar. Vëllimi hapet me shkrimin kushtuar nënës dhe mbyllet me shkrimin Elegji për vëllanë, i cili dallon prej shkrimeve të tjerë sepse nuk është tregim a portret letrar, por skicë lirike, një elegji në prozë. Këtë vepër autori e shkroi më 1970, mbasi Sigurimi shqiptar përhapi lajmin e rremë sikur vëllai i autorit, Vehbiu, kishte vdekur. Mbasi u hartua skica, autori mësoi të vërtetën se vëllai i tij ishte gjallë. Tronditja dhe dëshpërimi i thellë që i shkaktoi autorit lajmi keqdashës i Sigurimit, nxiti krijimin e kësaj vepre lirike plot dhimbje. Midis shumë bashkëvuajtësve që autori njohu gjatë viteve të kalvarit të vet në vitet 1945 – 1959, ai ka zgjedhur disa prototipa, të cilët i shërbyen për të përfaqësuar fatin e shtresave të ndryshme të shoqërisë shqiptare nën diktaturën komuniste. Rrëfimi me besnikëri e vërtetësi i jetës dhe vuajtjeve të këtyre heronjve përmes riprodhimit të ngjarjeve e bisedave të ndodhura konkretisht para syve të autorit, si dhe të shumë hollësirave të ndryshme, krijon një emocionalitet dhe besueshmëri shumë të lartë. Ky emocionalitet dhe kjo besueshmëri nuk mund të krijoheshin në një nivel të tillë, në rast se këto portrete do të ishin trajtuar si tregime letrare të mirëfillta. E themi këtë sepse në tregimet e mirëfillta letrare autorët për të tipizuar heronjtë e tyre përdorin material (ngjarje, biseda, mendime e hollësira përshkruese) të krijuara prej imagjinatës së tyre dhe jo material të marrë nga jeta tamam ashtu si ka ndodhur. Tipizimi si dukuri letrare e forcon aspektin artistik të veprës, por dobëson besueshmërinë e ngjarjeve dhe të heronjve. Duke qenë se besueshmëria për problemet dhe ngjarjet që trajtohen në këtë vepër ka rëndësi të veçantë, mbasi aty bëhet fjalë për ngjarje dhe të përvuajtur konkretë, themi se krijimi i këtyre lloj tregimeve gërshetuar me tiparet e portretit letrar, ka qenë rruga më e mirë që ka ndjekur autori për të arritur te suksesi.

Pasqyrimin e jetës shqiptare të viteve 1945 -1959 të përjetuar prej tij, autori e ka realizuar duke përzgjedhur ngjarje, biseda, mendime e hollësi të ndryshme thelbësore për të treguar deformimin e dhunshëm të moralit e të së drejtës, për shkatërrimet dhe plaçkitjet që po i bëheshin pasurisë private në dhjetëvjeçarët e parë mbas Luftës Antifashiste. Kjo ishte një rrugë e re që ndoqi prozatori Repishti gjatë hartimit të portreteve të tij në vitet 1960 – 1963. Riprodhimi i jetës së të përndjekurve nëpër burgje ose jashtë tyre ashtu si ishte në të vërtetë, pa u përpjekur për të bërë përgjithësime e tipizim tipash e karakteresh, e ka shkakun e vet te fakti se jeta e këtyre viktimave të diktaturës komuniste ishte aq e rëndë dhe çnjerëzore sa që nuk kishte nevojë që ajo të sillej në art duke përdorur fantazinë krijuese për të sajuar hollësi të ndryshme. Mjaftonte rrëfimi me realizëm i asaj që kishte ndodhur, sjellja në letërsi e personave realë historikë ashtu si kishin jetuar e vuajtur.

Këtë rrugë, ose rrugë të ngjashme me të, ndoqën mbas vitit 1992 edhe shumë të dënuar të tjerë, midis të cilëve u shquan françeskani Atë Zef Pëllumbi me vëllimin Rrno vetëm për me tregue dhe Visar Zhiti me një mori vëllimesh poetike e romanore, Hasan Kostreci me romanin Jetë në diktaturë, etj.

Ideja themelore e veprës Pika Loti është zbulimi i faktit se komunizmi si ideologji dhe praktikë vret elitën, keqtrajton mesatarët dhe ngre në qiell inferiorët. Këtë ide, që autori e ka mishëruar artistikisht në këtë vepër letrare, e formuloi dhe si sentencë në një fjalim politik mbajtur më 1965 gjatë tubimit “All-American Conference” në Washington D.C., sentencë, të cilën e citon në shënimin hyrës të veprës (f. 8).

Vrasja e elitës, pra vrasja e inteligjencës klerikale e laike dhe bijve të shquar të borgjezisë që përbënin ajkën e klasës politike dhe ekonomike shqiptare, të krijuar gjatë brezave e dhjetëvjeçarëve me mund e sakrifica, shpaloset përmes disa portretesh:

Qemali është portreti që ka në qendër intelektualin e shquar shkodran Qemal Draçini, liceisti më i dalluar i Shkodrës dhe më pas i gjithë studentëve shqiptarë të Universitetit të Firences ku ai studioi dy vjet për drejtësi. Këtë intelektual autori e adhuronte për prirjet e tij për hapje horizontesh të reja. Ky djalosh bjond e shumë simpatik, në rininë e tij të parë u lidh me lëvizjen komuniste, por kur pa se ideali për krijimin e një bote të re ishte i mbrujtur me urrejtje dhe dënime deri në anëtarët e familjes dhe të vetë prindërve, u largua me neveri. Ai nuk mund ta urrente e ta bënte fajtore nënën e vet si bijë e shoqërisë borgjeze.

Edhe më i gjallë bëhet përshkrimi i atmosferës së vitit 1945, kur Qemali vuri në skenë në teatrin e Shkodrës dramën “Përtej horizontit”, vepër e dramaturgut amerikan Eugjen O’ Neil. Kjo shfaqje me tingëllimin aktual për gjendjen mbytëse të rinisë intelektuale shqiptare të kërcënuar prej thatësirës së dogmatizmit marksist, e tronditi rininë shkodrane, po ashtu dhe vetë organet e pushtetit të ri dhe të Sigurimit. Qemalit i shkaktoi burgimin dhe tortura çnjerëzore të padurueshme, prej të cilave ai mundi të shpëtonte me anë të vetëvrasjes plot dhimbje duke gëlltitur sasi të madhe pluhuri DDT që roja e burgut hodhi në qelinë e tij për ngordhjen e miliona morrave.

Një shok e një mësues: Dy dëshmorë, i kushtohet dy luftëtarëve antifashistë vlonjatë Hamdi Gjoni dhe mësuesit Bego Gjonzeneli, të cilët u burgosën, u torturuan në hetuesi dhe u hodhën të kampet e punës për të vetmin “mëkat” se nuk u bashkuan me forcat partizane që u krijuan më vonë, por luftuan si nacionalistë kundër pushtuesve fashistë e nazistë. Inteligjenca e thellë e pedagogut të shkollës së mesme tregtare të Vlorës, Bego Gjonzeneli, shpaloset përmes riprodhimit të bisedave të tij me të dënuarit. Dënimi i disa krerëve komunistë prej vetë PKSH-së, mbas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë e J. B. Titos më 1948, ngjalli tek të burgosurit disa shpresa për zbutje të diktaturës e përmirësim të gjendjes… Mirëpo profesori ua preu hovin hamendjeve naive me arsyetimet e veta: Grindjet janë të një natyre inherente të sistemit komunist. Do të kemi dhe të tjera, të ngjashme me këtë. Komunistët vrasin njëri tjetrin, me qëllim që të përballojnë pa kundërshtime gjendjet e reja. Për diktaturat absolute, eliminimi i shokëve të luftës është një parim themelor. Por kjo nuk duhet kuptuar si një sinjal i fundit të tyre… Kemi hyrë në një suazë nga e cila është shumë e vështirë të dalim. Ata që thonë se e drejtojnë fatin e vendit tonë, nuk e kanë më këtë fat në duart e tyre. Një tjetër dhespot sundon sot mbi vendin tonë. Është ariu sovjetik.

I ngjashëm me fatin e profesorit vlonjat Gjonzeneli është dhe fati i profesorit shkodran të filozofisë, Preng Kaçinari, që përshkruhet në shkrimin Nji vorr i harruem. Ky pedagog i filozofisë në gjimnazin “At Gjergj Fishta” të Shkodrës, inteligjent i rrallë, diplomuar në Universitetin e qytetit Montpelier të Francës. Ky profesor, me sjelljen, zgjuarsinë dhe njohuritë e thella kishte fituar respektin e dashurinë e nxënësve dhe të qytetarëve shkodranë. Pas pushtimit fashist u bëri thirrje studentëve të vet dhe doli malit bashkë me ta, me të cilët luftoi dhe vetë autori kundër pushtuesit fashist. Mirëpo ai u përçmua, u la pa punë dhe u detyrua të vdiste nga uria, për të vetmin “faj” se nuk u bashkua me forcat komuniste dhe, sepse kishte njohur nga afër në kohën e studimeve diktatorin e ardhshëm të Shqipërisë, xhelozia dhe paranoja e të cilit nuk lejonte të mbijetonin më të aftët se ai.

Vijon