Dr. Arqile Veshi: Hartimi i Artit Ushtarak Popullor, grupi i punës dhe raportimet para Enverit,Mehmetit dhe Veli Llakajt

392

Si u caktova me shokun Mendu Backa për të verifikuar dokumentet me karakter “Tepër Sekret” dhe të raportonim se ç’detyrime kishte shteti ndaj Kinës

 

– Si përgatita një projekt urdhër për Bazën e furnizimit të ushtrisë në Tiranë me rreth 60 faqe të shtypur “Tepër Sekret”

-Në grupin e punës për hartimin e Aktit Ushtarak Popullor me Kryetar grupi Arjan Qirjakon, raportimi te Veli Llakaj, qëndrimi para Mehmet Shehut

-Ankthi i pritjes së mendimit të Enver Hoxhës mbi punën e hartimit të Aktit Ushtarak Popullor

-Prokop Murra vuri mbi baza të shëndosha ligjore planifikimin dhe administrimin e pasurisë në përdorim të ushtrisë

 

Dr. Arqile Veshi

 

Bazuar në formimin teorik si student, pedagog dhe Shef Katedre në Akademinë Ushtarake “Mehmet Shehu”, si dhe në përvojën e punës 10-15 vjeçare në njësite e repartet e ushtrisë nga Tropoja në Veri dhe Gjirokastra në Jug, u pa e arsyeshme nga Këshilli i Ministrave e Ministria e Mbrojtjes dhe në Maj 1974 më emëroi Zëvendësdrejtori dhe Shef i Shtabit i Drejtorisë së Përgjithshme të Prapavijës të Ushtrisë në Ministrinë e Mbrojtjes. Kjo drejtori në atë kohë kishte në përbërje: Shtabin e Drejtorisë, Sekretarinë Sekrete, Drejtorinë e Prapavijës, të Shëndetësisë, të Financës, të Kontrollo-Revizionit, të Planit dhe të Furnizimit. Në përshtatje me këtë strukturë ishin edhe sektorët analogë në të gjitha njësitë e repartet e ushtrisë. Në vartësi të drejtpërdrejtë, drejtoria kishte edhe bazat e furnizimit të ushtrisë me qendër në Tiranë, Durrës, Elbasan, Berat, Tepelenë, Rrëshen si dhe ndërmarrjet e prodhimit e shërbimit si: Ndërmarrja e Veshmbathjes së Ushtrisë, Ndërmarrja e Ndërtimeve Ushtarake, Ndërmarrja e Riparim-Shërbimeve Komunale, Ndërmarrja e Ushqimit Social dhe shtëpitë e ushtarakë në rrethe si dhe shtëpitë e pushimeve të ushtarakëve në Durrës, Pogradec dhe Jalë.

Duke qenë Zëvendësdrejtor e Shef Shtabi, në mënyrë të drejtpërdrejtë mbuloja problemet operative dhe të stërvitjes si dhe Sekretarinë Sekrete. Gjithashtu, bëja koordinimin e bashkërendimit e punëve midis drejtorive në vartësi dhe me drejtoritë e komandant e aparatit të Ministrisë. Detyra kishte gamë të gjerë veprimi e si e tillë kërkonte horizont të gjerë njohurish e nivel të lartë profesional dhe aftësi komunikuese me kuadro të nivelit relativisht të lartë. Kuptimi i drejtë për vlerësimin që më bënë me ngarkimin e kësaj detyre kaq të rëndësishme dhe shumë të vështirë, por jo e papërballueshme, më bënë që t’i përvishesha punës për aftësimin teoriko-profesion sidomos në fushën ekonomiko-financiare duke shfletuar e konspektuar aktet ligjore e nënligjore të fushave që mbulonte drejtoria si dhe literaturën specifike sipas shërbimeve bazë, e në të njëjtën kohë vazhdoja të likuidoja provimet në Fakultetin Ekonomik të Universitetit Shtetëror të Tiranës, pa shkëputje nga puna të cilin e përfundova në vitin 1977. Kjo bëri që të ndryshonte dhe imazhi nga persona skeptik për emërimin në atë detyrë.

Dokumentet me karakter “Tepër Sekret”

Gjatë periudhës që kryeja këtë detyrë, në përbërje të një grupi pune të cilin e kryesonte ish zëvendësministri i Mbrojtjes Mendu Backa na u kërkua që pasi të verifikonim dokumentet me karakter “Tepër Sekret” të evidentonim dhe të raportonim se ç’detyrime kishte shteti Kinës ndaj ushtrisë shqiptare. Mbasi filluam punën intensivisht evidentuam se nga qeveria Kineze, ushtrisë shqiptare i kishte dhenë armatime, municione e pajisje të shumta si dhe disa uzina për prodhimin e pajisjeve për ushtrinë të cilat ishte vështirë se mund ti ktheje në vlerë leku. Mirëpo nga ana jonë kërkohej që të nxirrnim se ç’na detyronte shteti kinez gjë e cila kërkonte të evidentohej se ç’vlerë kanë mallrat që ishin marrë dhe sasia e lekëve që i ishin paguar, gjë për të cilat nuk kishte asnjë dokument likuidimi. Por neve u detyruam të raportonim se Ministria e Mbrojtjes nuk vepron administrativisht me shtete të huaja e për pasojë nuk disponon dokumente. Ai si kuadër i përgatitur, i formuar politikisht e ideologjikisht mbasi na dëgjoi me vëmendje afërsisht na tha: “Mirë djema, mos u merrni më me këtë punë se do të bisedoj unë me kryeministrin dhe Ministrin e Mbrojtjes” që në atë kohë ishte Mehmet Shehu.

Baza e furnizimit të ushtrisë

Për sa i përket përgatitjes taktiko-operative, zotëroja njohuri më të plota pasi në këtë detyrë erdha nga Akademia Ushtarake ku kisha punuar si punonjës shkencor, detyrë e cila të jep njohuri të mira në fushën operative- strategjike e megjithatë unë herë pas here jepja mësim në shkollat ushtarake, sidomos për tema si: “organizimi i prapavijës për furnizimin materialo-teknik e shëndetësor veterinar të njësive taktiko-operative në veprimet mësymëse e kundërmësymëse”. Duke qenë se me detyrën e Shefit të Shtabit të Drejtorisë së Përgjithshme të Prapavijës, punoja dhe përgatisja në bashkëpunim me Drejtorinë Operative pjesën për prapavijën e planeve operative të Korpuseve e Brigadave dhe njësive autonome të ushtrisë. Kjo punë aq sa më lodhi aq edhe më ngriti profesionalisht e moralisht, pasi ishte një punë që la gjurmë dhe vlerësohej nga kuadrot drejtuese të asaj periudhe që drejtonin e Ministrinë e Mbrojtjes. Këtë mund t’ia ilustroj vetëm me një shembull: “të gjitha njësitë e repartet kishin urdhra dhe detyra luftarake, ndërsa bazat e furnizimit të ushtrisë nuk kishin detyra luftarake dhe dokument që t’ua konkretizonte atë sipas njësive që do furnizonin ashtu edhe rezervat që do të krijonin e skalionin sipas drejtimeve operativo-strategjike, prandaj mora iniciativën dhe përgatita një projekt urdhër për Bazën e furnizimit të ushtrisë në Tiranë me rreth 60 faqe të shtypur me shkallë sekreti: “Tepër Sekret”.”.

Këtë material, nëpërmjet Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Zotit Veli Llakaj, ia kaluam për mendim ish Kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes në atë periudhë, Zotit Mehmet Shehu, i cili pasi e kishte studiuar me shumë kujdes, ditën e nesërmen na thirri, na përgëzoi për punën e bërë dhe na vuri detyrë që të përgatitnim sa më shpejt urdhrat reale për çdo bazë furnizimi të cilat i firmosi. Në këtë mënyrë, Bazat e Furnizimit të Ushtrisë u pajisën me një dokument të rëndësishëm, mbi bazën e të cilit programuam punën për krijimin dhe skalionimin e të gjitha rezervave materiale si “shtylla” të qëndrueshmërisë të mbrojtjes së vendit.

Grupi i punës për hartimin e Aktit Ushtarak Popullor

Gjatë periudhës që kryeja detyrën e Shefit të Shtabit dhe zëvendës drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Prapavijës ushtrisë, u caktova me grupin e punës për hartimin e Aktit Ushtarak Popullor me Kryetar grupi Arjan Qirjako. Një detyrë shumë e rëndësishme dhe me përgjegjësi të lartë shtetërore por sidomos Arjani dhe unë që vinim nga bota akademike kishim përvojë për hartimin e materialeve të kësaj natyre. Për këtë organizuam punën për të studiuar sa më shumë materiale teorike dhe pas një pune të kujdesshme hartuam tezat dhe strukturën e materialit i cili pas u pa nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm Z. Veli Llakaj dhe Ministri i Mbrojtjes Z. Mehmet Shehu iu paraqit komandantit të Përgjithshëm Z. Enver Hoxha i cili e miratoi. Kjo për ne ishte eveniment i rëndësishëm por edhe vlerësim për punën e bërë. Duke na u miratuar struktura e materialit e kishim më të lehtë dhe punuam për përgatitjen e materialit teorik siç ishte Arti ushtarak Popullor. Gjatë përgatitjes dhe realizimit të kësaj detyre grupi i punës pati ndihmën e kualifikuar të Mehmet Shehut i cili kishte vizion strategjik, operativ dhe taktik për mbrojtjen e vendit.

Drejtori i Drejtorisë së Prapavijës së Ushtrisë dhe puna me Prokop Murrën

Në Tetor 1982, me vendim të Sekretariatit të KQ-së të Partisë, emërohem “Drejtori i Drejtorisë së Prapavijës së Ushtrisë” në një kohë që Ministër i Mbrojtjes ishte emëruar Z. Prokop Murra dhe aparati i ministrisë gati i gjithë ishte freskuar. Detyra e ngarkuar ishte sa e rëndësishme aq dhe e vështirë për ta kryer me sukses, por falë eksperiencës dhe ngritjes shkallë-shkallë në detyrë, vullnetit dhe vendosmërisë për të bërë punën dhe detyrën e ngarkuar, nivelit të kualifikimit arsimor e profesional si dhe aftësia komunikuese me eprorët, kolegët e sidomos me vartësit, pasi këta të fundit i kryenin ose jo detyrat, bënë që këtë detyrë ta kryeja për 10-12 vjet dhe me rezultate të qëndrueshme për kohën, pasi për atë periudhë nuk pati ndonjë ngjarje të jashtëzakonshme në ushtri për mungesë të punës së prapavijës. U administrua pasuria në përdorim me profesionalizëm dhe ajo që vlen të theksohet se kuadrot dhe punonjësit e këtij sektori nuk u implikuan në afera korruptive që të ndëshkoheshin nga ligjet e kohës. Në këtë drejtim pati ndikim pozitiv ardhja në krye të Ministrisë Mbrojtjes e Z. Prokop Murra i cili falë nivelit profesional, përvojës shumë vjeçare në drejtimin me efektivitet ekonomik të vendit vuri mbi baza të shëndosha ligjore planifikimin dhe administrimin e pasurisë në përdorim të ushtrisë. Kjo bëri që jo vetëm nevojat materiale të plotësoheshin normalisht por edhe të uleshin në mënyrë të ndjeshme shpenzimet për ushtrinë. Pra, në tërësi ishte drejtues i mirë politik e ekonomik por jo drejtues i mirëfilltë ushtarak. Gjithashtu si karakter ishte person që nuk merrte shumë përgjegjësi mbi vete edhe kur vetë pozicioni i detyrës e detyronte për të firmosur një gjë që gatishmëria ose nevoja e kërkonte. Këtë do të ilustroj me ndonjë shembull konkret pasi unë për shkak të funksionit që kisha kam shumë episode të marrëdhënieve me të. Si rezultati stërvitjeve e fluturimeve lindi nevoja që të nxirrnim nga rezerva e Paprekshme një motor avioni, për të cilin komandanti i Aviacionit dhe unë si drejtor që administroja rezervat e paprekshme të Ushtrisë përgatitëm urdhrin e cikluam atë sipas rregullit dhe ja paraqitëm Z. Prokop për firmë, i cili me shumë justifikime të pabazuara nuk e firmosi gjë e cila komandantin e Aviacionit Z. Bardhyl Taçi e dëshpëroi shumë dhe u shpreh afërsisht kështu: “Ai nuk e kupton se aviatorët sa herë fluturojnë puthen se nuk dihet kthimi jo nga motori por qoftë edhe për një gominë” kjo situatë më detyroi mua që problemin ta shtroja me Shtabin e Përgjithshëm e që problemi të merrte zgjidhje.

Gjithashtu një herë një grup ushtarësh në Cahan të Krumës dhe të disa reparteve Xheniere, më kërkuan t’u shtohej buka nga 800 në 1000 gr për të cilat unë kisha bindje se u takonte, por kompetencë për të firmosur ishte e Ministrit, prandaj sipas rregullave përgatita projekt urdhrin, relacionin përkatës dhe pasi e firmosa ku më takonte e paraqita për firmë tek ministri i cili jo vetëm nuk e firmosi por më thoshte që firmose vetë. Ndoshta jo shumë me etiket – i them se atje ku mua më takon e kam venë firmën, por nëse Partia do më kishte venë mua Ministër do ta firmosja.

Pra ai duke mos qenë në gjendje që të merrej me problem të mëdha të ushtrisë nga pikëpamja operative-strategjike merrej me shumë me problemet ekonomiko-financiare.

Anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë

Gjatë periudhës që kreva detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Prapavijës së ushtrisë për vetë rolin e detyrës që kisha u emërova edhe Anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, detyrë e lartë e me shumë përgjegjësi. Për hir e në funksion të kësaj detyre në fund të vitit 1983 doli vendimi i Këshillit të Mbrojtjes për krijimin e grupit të punës për kryerjen e studimit mbi riorganizimin e ushtrisë nga struktura organizative me korpuse në strukturë me Divizione. Në këtë grup pune përfshihesha edhe unë që do përfaqësoja të gjitha llojet e shërbimeve si armatim-municion, transport, shëndetësi, shërbimet e prapavijës për të cilat do të bëhej organika për të gjitha divizionet, do të përgatiteshin pjesët ekonomiko-financiare të urdhrave luftarake, do të përcaktoheshin se ku do të vendoseshin repartet dhe komandant për të marrë detyrën, do të emëroheshin kuadrot kryesorë për çdo njësi e repart, do të llogariteshin efektet ekonomiko-financiare të këtij studimi e plotë problem të tjera. Specifik në realizimin e kësaj detyre ishte se do të punohej me shumë fshehtësi duke mos u konsultuar me asnjë njeri përveç anëtarëve të grupit të punës, prandaj bëri të domosdoshme që të punohej vetëm natën dhe në zyra të posaçme. Për realizimin e kësaj detyre vetëm mua m’u deshën të shkruaja rreth 600-800 faqe materiale të daktilografuara. Dua të theksoj se për kryerjen e kësaj detyre kaq të vështirë e me kaq përgjegjësi në fushën ushtarake patëm ndihmën e fuqishme të Z. Kiço Mustaqi që kryente detyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe që udhëhiqte e drejtonte këtë studim si dhe orientimet dhe përgatitjet e akteve ligjore e nënligjore për plotësimin e nevojave ekonomiko-financiare të Z. Prokop Murra që kryente detyrën e Ministrit të Mbrojtjes.

Studimi u krye me të gjithë komponentët e nevojshme si nga pikëpamja ushtarake, dhe socialë ekonomiko-financiare dhe pasi komandat morën detyrat me shkrim u kalua në zbatimin konkret për një kohë relativisht të shkurtër fryt i seriozitetit të komandantëve, mbështetjes së fuqishme të aparatit të ministrisë dhe bashkëpunimit si me aparatin e Këshillit të Ministrave dhe organet e pushtetit vendor nëpër të gjithë rrethet e vendit.

Për periudhën që punova në aparatin e Ministrisë së Mbrojtjes, kam mendimin se atje vinin kryesisht kuadro që kishin punuar për shumë vjet në njësi e reparte të ushtrisë, kishin pasur rezultate në punë, sjellje të mirë shoqërore, nivel të lartë profesionale e pjekurie, gjykimi në zgjidhjen e problemeve sipas radhës, rëndësisë dhe nevojave të njësive e reparteve. Këtë e lehtësonte edhe bashkëpunimi midis drejtorive e sektorëve për zgjidhjen sa më racionale e me efektivitet problemet që dilnin për çdo armë e shërbim, duke zbatuar me rigorozitet kërkesat e akteve ligjore e nënligjore.