Dossier/ Rrëfimi i ish-shoqëruesit të gjeneralit italian që iku si pushtues dhe u kthye për të mbledhur eshtrat e ushtarëve italianë. Nga partizan i LANÇ tek drejtoria e biografive

1009
Sigal

Rrëfimi i Bari Muratit, ish-partizani 14 -vjeçar që u bë oficeri i lartë i Ministrisë së Brendshme, dhënë për Gazetën Telegraf më 29 mars 2008

FAMILJA

Rabian Murati, gruaja e fortë që hapi dyert për Lëvizjen

Bari Murati thotë se shtëpia e tij ishte një bazë e rëndësishme e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, në zonën e Kolonjës dhe në krye të kësaj shtëpia ishte gjyshja e tij, Rabian Murati. “Kam pasur një dashuri dhe respekt të veçantë për gjyshen time Rabianin. Ajo ishte një grua trime dhe dera e shtëpisë tonë ishte e hapur për të gjithë ata që ishim marrë armën për çlirimin e vendit. Fillimisht Rabian Murati u zgjodh kryetare e gruas së fshatit Kaltanj, ku dhe ishte vendbanimi i familjes tonë. Por njëkohësisht ajo u zgjodh anëtare e Këshillit të Krahinës së Frashërit. Në shtëpinë tonë do të strehohej rregullisht Petrit Dume si dhe Dhori e Samsuri, por dhe Shefqet Peçi e drejtues të tjerë të luftës. Babai im kishte qenë oficer në mbretërinë e Ahmet Zogut dhe kishte mbaruar akademinë në Itali. Ai ishte ndër ushtarakët e paktë që kishte Shqipëria e asaj kohe me akademi perëndimore. Babai doli partizan dhe u inkuadrua me Brigadën e 18 Sulmuese. Por shtëpia jonë, e cila ishte një shtëpi dykatëshe shumë e mirë, pasi babai merrte goxha rrogë si oficer si mbretërisë u dogj nga trupat gjermane që sulmuan fshatin”,- thotë Bari Murati dukë rrëfyer historinë e familjes së tij në vitet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Si e mora pushkën 14 vjeç dhe u bashkova me Petrit Dumen

Tanimë është 80 vjeç. I gjatë dhe i drejtë, por me një paralize e cila ka lënë fare pak dëmtime në krahun e tij të djathtë. Dikur ai ka qenë një nga oficerët madhor të Ministrisë së Brendshme dhe në vitin 1966 kohë kur ka përkuar me heqjen e gradave në ushtri ai ka qenë major. Në duart e tij kanë kaluar dosje pa fund që kishin lidhje me pastërtinë e figurave. Nëse ishte kandidat për parti, kandidat për një funksion të rëndësishëm shtetëror, kandidat për anëtar i Komitetit Qendror apo më tej akoma, kandidat për në Byronë Politike, “ustanovka” siç e cilëson ai në rusisht drejtorinë e “verifikimit të figurave” e kishte filluar punën e saj, për ta kaluar në një sitë tepër të imtë të gjithë biografinë e njeriut “kandidat”

Ai u edukua me frymë patriotike dhe këtë më së shumti ia dedikon gjyshes së vet, Rabian Murati, për të cilën thotë se ishte një grua trime, kryelartë e që dinte të lëvizte dhe gishtin e pushkës. Por asgjë në familjen e tij nuk thoshte në të kundërt të kësaj, pasi edhe babai, një oficer me akademi i mbretit Zog, ishte ndër të parët që u bashkua me lëvizjen për çlirimin e Atdheut nga pushtuesit fashistë. Ndërsa vetë Bari Murati, nuk do të priste të rritej shumë, por do të rreshtohej në batalionin “Hakmarrja” i cili po përballej më luftime të vështira në të gjithë krahinën e Kolonjës e më gjerë. Të gjitha këto, Bari Murati i thotë në një intervistë ekskluzive për gazetën “Telegraf”

Në çfarë moshe do të dilnit partizan?

Ishte fundi i vitit 1943 dhe unë. Isha 14 vjeç kur u bashkova me batalionin “Hakmarrja që vepronte në zonën e Kolonjës ku komandant ishte Petrit Dume e komisar Hasan Selenica.

Ishit shumë i ri për të ndërmarrë një hap i tillë, çfarë ju shtyu?

E gjithë familja ime ishte e lidhur me Lëvizjen. Në vitet 1943-1944 kishte shumë 14-vjeçarë që morën pushkën për çlirimin e Shqipërisë, por unë kam njohur edhe 13- vjeçarë që kishin dalë partizanë. Ishte vetë situata e tillë. Pastaj unë prej kohësh unë isha angazhuar me rininë komuniste dhe për këtë më caktuan si delegat në Kongresin e Parë të saj që u mbajt në Helmës të Skraparit e ku erdhi Enver Hoxha dhe Ramiz Alia. Më kujtohet një detaj nga ky kongres. Gjatë rrugës për në Helmës, disa nga grupet e delegatëve të rinisë ranë në prita ku pati dhe të vrarë. Gjatë punimeve të Kongresit Ramiz Alia lexoi emrat e atyre që ishin vrarë duke i shpallur dëshmorë të Kombit. Aty ishte dhe emri i Dilaver Pines. Por ai u gjet i gjallë dy ditë më vonë. Natyrisht ishte i plagosur e pa ndjenja, por gjithsesi ishte gjallë.

Në çfarë kushtesh u mblodh ky kongres rinie?

Kongresi i Parë i Bashkimit të Rinisë Antifashiste (BRASH), u mblodh në gusht të vitit 1944, në Helmes të Skraparit dhe ishte një kuvend mbarëkombëtar i brezit të ri. Nga 285 pjesëmarrës gjithsej, 72 prej tyre ishin femra. Kjo shënonte edhe një reformë, pasi deri në atë periudhë ato ishin të përjashtuara. Të gjithë ishim nën moshën 20 vjeç dhe u mblodhëm në fushën e bukur të Lirëzës. Vinim nga radhët e brigadave partizane, ose nga terreni, ku punohej e luftohej kundër pushtuesve nazi-fashistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Marshimi ynë kaloi edhe nëpërmjet vendeve të pushtuara. Koha para fillimit të punimeve shërbeu për delegatët si një shkollë me vlera edukimi e kalitjeje të gjithanshme. Kishte shokë e shoqe të përgatitur, që referonin sipas një programi të përpiluar që më parë. Në Lirëz zhvilloheshin nga shokë të përgatitur ligjërata e biseda me karakter politik, ushtarak e kulturor, si dhe aktivitete argëtuese e sportive.

Edhe pse luftë, kishte aktivitete kulturore dhe sportive?

Natyrisht. Në Helmës kishte vetëm të rinj. Dhe ata duheshin argëtuar në njëfarë mënyre. Ndoshta në mënyrë diletante, por me kushtet që ishin ne merrnim një kënaqësi shumë të madhe. Ndërsa çdo mëngjes të gjitha aktivitetet, por dhe ajo që ndodhte në botë, pasqyrohej në“Gazetën e fushës”, e cila afishohej pikërisht në një vend të hapur, ku mund të frekuentohej nga të gjithë. Ndërkaq një nga shokët kishte organizuar një radio me altoparlantë, të cilën e pagëzuam me emrin “Radio Shkëmbi”.

Po masa mbrojtëse a ishin marrë?

Pa dyshim që ishin marrë. Në të njëjtin vend punonte dhe një pjesë e Shtabit të Përgjithshëm dhe Enver Hoxha. Edhe pse zonë e thellë dhe e çliruar, Helmësi ruhej nga kompania e Shtabit të Përgjithshëm me në krye Niko Dollakun.

Sa kohë zgjatën punimet?

Kongresi i zhvilloi punimet në një atmosferë festive nga data 8 deri më 17 gusht. Kjo kohë u krijua edhe për shkak të vonesës disaditore të delegatëve të Veriut, të cilët patën ndeshje të ashpra gjatë rrugës me armikun. Kështu, në fillim i përshëndeti kryetari i Komitetit Antifashist Nacionalçlirimtar dhe Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare, gjeneralkolonel Enver Hoxha. Po ashtu, fjalime të rëndësishme mbajtën edhe përfaqësuesit e misioneve sovjetike e anglo-amerikane pranë Shtabit të Përgjithshëm. Në këtë kongres erdhi majori Ivanov dhe një kapiten, të cilët ishin përfaqësues të misionit sovjetik. Ata u pritën në kufi me Jugosllavinë. Kur mbërritën në Helmës, janë pritur me brohori dhe zbrazje armësh, megjithëse një gjë e tillë ishte e ndaluar. Ndërsa misioni anglo-amerikan, në pamundësi, dërgoi përshëndetjen e vet në këtë kongres. Pastaj u mbajt një raport edhe nga Nako Spiru.

Për çfarë bëhej fjalë në këto raporte?

Nëpërmjet raportit dhe 65 diskutimeve bëhej bilanci i sukseseve të arritura gjatë luftës dhe detyrat që dilnin për çlirimin e plotë të vendit. Midis detyrave që shtroi kongresi, ishte kërkesa që rinia të merrte pjesë aktive në pushtetin e ri popullor dhe në rimëkëmbjen e ndërtimit të vendit. Për realizimin e këtij objektivi, menjëherë pas çlirimit u ngritën brigada vullnetare, të cilat me mjete thuajse primitive çanë shkëmbinj e tunele për ndërtimin e hekurudhave, hidrocentraleve, tharjen e kënetave dhe vepra të tjera social-ekonomike. Kongresi gjithashtu i bëri thirrje rinisë për zhvillimin e arsimit dhe kulturës. Të hapeshin vatra kulture, kopshte, muze e qendra shëndetësore. Të ngriheshin grupe artistike e të gjallërohej jeta sportive e brezit të ri.

Kongresi u mjaftua me kaq?

Jo. Një vëmendje të posaçme, kongresi i kushtoi emancipimit shoqëror në përgjithësi, e veçanërisht masës së grave. Një tjetër detyrë e rëndësishme ishte edhe angazhimi për forcimin organizativ të BRASH-it, si një organizatë masive, që bashkonte në radhët e saj të gjithë të rinjtë, pa dallim feje e bindjesh ideologjike. Madje, nëpërmjet një rezolute kongresi shprehu solidaritetin me rininë antifashiste të të gjitha vendeve të Aleancës së Madhe Antifashiste Botërore.

A u bënë zgjedhje në këtë Kongres?

Kongresi zgjodhi Këshillin e Përgjithshëm me president Nako Spirun. Këshilli i Përgjithshëm i BRASH-it përbëhej nga 61 veta. Ndërsa në sekretariat u zgjodhën Nako Spiru, Nexhmije Xhunglini, Ramiz Alia, Pirro Kondi, Alqi Kondi etj.. Më 19 gusht 1944, delegatët u nisën në drejtimet përkatëse për të vazhduar luftën për çlirimin e plotë të atdheut. Midis qindra e mijëra të rinjve që ranë heroikisht në këtë luftë legjendare që zhvilloi populli ynë, ishin edhe të rinjtë delegatë Surja Grabocka, Anife Kiçaj (Meta), Sotir Pojani, Urani Pano, Grigor Diamanti, Jani Sterjo etj.

Cilat do të ishin detyrat tuaja pas çlirimit të vendit?

Pasi u shkollova në disa etapa, nga viti 1957 e në vazhdim do të punojë si kuadër i Ministrisë së Brendshme.

DËSHMIA/ Ushtaraku pushtues rikthehet në Shqipëri nën petkun e një diplomati në mision

Unë, shoqëruesi i gjeneralit që mblodhi eshtrat e ushtarëve italianë

Gjenerali erdhi t’i mblidhte eshtrat e ushtarëve italianë të vrarë në Shqipëri gjatë luftës së Dytë Botërore. Nuk shoqërohej nga ndonjë prift dhe për më tepër nuk kishte spaleta me yje mbi supe. Por gjithsesi një pistoletë të vogël e mbante të fshehur duku në brez. Domeniko Bandini, i veshur me kostumin civil të një diplomati në mision, ishte ushtaraku i autorizuar nga shteti italian që të grumbullonte “ushtrinë e vdekur”. Shteti shqiptar e kishte nënshkruar marrëveshjen dhe kishte vënë në dispozicioni të gjeneralit, punëtorë me kazma e lopata që do të hapnin varret, një specialist të Komunales si dhe një shoqërues “diplomat” i akredituar nga Ministria e Jashtme. Ai ishte Bari Murati…

Duke iu rikthyer ngjarjeve të 52 viteve më parë, Bari Murati thotë për “Telegraf” se gjenerali italian Domeniko Bandili, ishte një njohës i mirë i gjuhës shqipe, dhe me të komunikohej vetëm në shqip. Kjo dhe për arsye se Bandini, ishte nga ata ushtarakë që kishte hyrë në Shqipëri si pushtues, bashkë me ushtrinë fashiste të Benito Musolinit. Fillimisht Bandini ka preferuar të ndërmarrë një ekspeditë në Këlcyrë të Përmetit, pasi atje nga lufta italo-greke kishin mbetur shumë ushtarë të vrarë. Gjenerali kishte harta shumë të përpikta dhe varret diheshin një për një. Në kutitë e vogla futeshin eshtrat dhe ato magazinoheshin në një magazinë që ishte ndërtuar tek “Varri i Bamit” në Tiranë. Prej atje udhëtimi i pazakontë i “ushtrisë së vdekur” do të vazhdonte në Durrës për të mbërritur në brigjet përtej Adriatikut. Bari Murati thotë se për llogari të Ministrisë së Brendshme ai ishte i detyruar të shkruante raporte ditore mbi ecurinë e punës së Gjeneralit italian. Ai e shoqëronte Bandinin kudo madje dhe në brendësi të Hotel “Dajtit”. Porse nga çasti kur gjenerali futej në hotelin luksoz për të shkuar në dhomën e tij të gjumit me shifrën “13” përgjegjësinë e merrte personeli i këtij hoteli, pjesa dërmuese e të cilit, gjithashtu ishte në funksion të Ministrisë së Brendshme. Kjo marrëdhënie do të vazhdonte deri ditën kur gjenerali italian do të zbulonte se shoqëruesi i tij shqiptar i Ministrisë së Jashtme mbante një pistoletë me vete. Atëherë 68- vjeçari shtatlartë e pyet me dyshimin e mjaftueshëm Bari Muratin: “Diplomatët shqiptarë të ministrisë së Jashtme mbajnë armë me vete”. Por ndeshet me përgjigjen e shpejtë reaguese: “Ashti siç mbajnë dhe diplomatët italianë”. Atëherë gjenerali Bandini ishte ankuar dhe që të nesërmen Ministria e Jashtme dërgoi një shoqërues të ri, këtë herë oficerin Petrit Çakëri.

Romani

Kadare, asnjë konsultë me shoqëruesit

Duke iu referuar romanit të Kadaresë: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” Bari Murati thotë se natyrisht jo gjithçka e paraqitur në një vëllim letrar është i njëjtë me realitetin. Kështu Gjenerali italian nuk ka qenë i shoqëruar me prift. Por gjatë ekspeditave të tij nëpër terrene të ndryshme të Shqipërisë, ata nuk janë ndeshur asnjëherë me një gjeneral-lejtnant gjerman, për më tepër të shoqëruar nga një Kryetar Bashkie. Gjithashtu rezulton se gjenerali Bandini, nuk ishte njeri që pinte alkool. Por Bari Murati thotë se, padyshim që ushtaraku italian paguhej nga familjet e ushtarëve të vrarë, edhe pse misioni ishte shtetëror. Megjithatë, për të gjitha këto shkrimtari Ismail Kadare nuk i është referuar për sqarime të rastit as Bari Muratit dhe as shoqëruesit të dytë të gjeneralit, Petrit Çakërit. Në këtë rast, Bari Murati hedh hipotezën se ndoshta shkrimtari Kadare u është referuar raporteve të shkruara nga shoqëruesit e Ministrisë së Brendshme, që padyshim duhet t’ia kenë vënë në dispozicion titullarët e ministrisë. Dhënë për “Telegraf”, më 29.03 2005

(Vijon në numrin e ardhshëm)

“Ustanovka” drejtoria ku kontrolloheshin biografitë

Ju rrëfej të vërtetat e Hazbiut e Dumes, pse i pushkatuan padrejtësisht!

Si e mbani mend Mehmet Shehun e atyre viteve?

Çfarë ndryshonte në stilin e punës mes Kadri Hazbiut e Mehmet Shehut?

Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur ra në dashuri me kamerieren e Hotel “Dajtit”