99-vjetori i vrasjes së Esad Pashë Toptanit – Ja si u organizua komploti dhe atentati në Paris, më 13 qershor 1920

1174
Sigal

Komploti i Turqisë në Vlorë, dorëheqja e detyruar e Ismail Bej Vlorës dhe urdhri i Esad pashë Toptanit për arrestimin e tij. Kush ishte Avni Rustemi dhe figura e tij në Vlorën e viteve ’20

Nga Ergys Alushi

 

Vijon nga numri i kaluar

 

Komploti i Turqisë në Vlorë dhe dorëheqja e detyruar e Ismail Bej Vlorës.
Cili ishte roli i Esad pashë Toptanit në këtë komplot?
Në numrin e parë të vitit 1914, gazeta “Përlindja e Shqipëniës” jepte lajmin e bujshëm e shumë të interesuar për lexuesit e kohës “Beqir Agaj Grebeneja u-zu”

“Beqiri, një nga krerët e komplotit, u-zu në çastin kur gazeta asht nën shtyp. Bashke me ‘te ish edhe Ali Koka, i cili ka qenë mytesarif i Beratit në kohën e Turqiës. U-mbyll edhe ky.
Beqiri, i cili të djelë mbrama ish nisur nga Vlona, kthehej cak në kohën kur Policia kish nevojën ma të madhe për ‘të. Kemi shpresë të madhe se oficerët hollandas, krerët e policiës ushtërore duke pasur në dorë Beqirin do t’i nxjerin në shesh të gjith fajtorët e me që kanë gisht në këtë punë edhe do të dinë t’i gjykojnë e t’u apin dënimin që duhet”

Çfarë shkruanin gazetat e kohës për ngjarjet e Vlorës dhe përse përmendej emri i Esad pashë Toptanit?

Gazeta “Tribuna” duke komentuar lajmet që vinin nga Vlora, shkruante se prej disa ditësh dihej për një lëvizje myslimane e ndërmarrë nga disa agjentë turq të drejtuar nga Izet Pasha, i cili kishte qenë Ministër i Luftës në Turqi dhe që ishte zëvendësuar nga Enver Pasha.

“Dijshim – shkruan gazeta – dhe që Izet Pasha ka pas qenë marrë vesh tinësisht me Esad Pashën dhe që një tugë ushtarësh turqë kërkonte të niset me një vapor t’austriës që të zërypin në Vlonë që të ngrijtin popullin musulman kundrra Qeverries së Pertashme e me ngrehur Izet Pashën jo si Mbret por si princ i shtetit të ri që të jenë nën suvranitet të Sulltanit…”.
 Gazeta e vazhdon shkrimin e saj duke treguar se skela e Brindizit ishte menduar që të ishte qendra e ushtarëve, por që në momentin e fundit ushtarët kanë zgjedhur për të hipur në një vapor austriak e të vinin drejt e në Vlorë, pa e ditur se i priste xhandarmëria vendase dhe ushtarakët holandezë që kishin marrë nën kontroll qytetin me qëllim sigurimin e rendit e të qetësisë.
Korrespodenti i gazetës “Frankfurter Zeitung” nga Stambolli vërteton se Izet Pasha asht qenë zgjedhur princ i Shqipëriës në një mbledhje të fshehtë që asht mbajtur nga krerët shqipëtarë në Durrës. Gazeta “Përlindja e Shqipëniës”, e cila i referohet gazetës së mësipërme shkruan:

“Izet Pasha në këtë javë do të niset për në Vlonë me dërgatën shqipëtare që ka ardhun me marr në Stamboll. Qyshket (konditat) që ka kërkua Izet Pasha që të pranoj titullin e princit Shqipëniës janë këto:

1) Shqipëria ka me qenë principatë e jo regjimë.

2) Shqipëria, për dhetë vjet ka me mbetur nën kontrolin të Austriës et’Italiës.”

Rikthimi në Vlorë i Ismail Bej Vlorës dhe urdhri për arrestimin e tij nga Esad pashë Toptani

Kryetari i “dorëhequr” i qeverisë, do të largohej nga Vlora në fundin e janarit 1914, për të shkuar me banim në Nicë të Francës, në një gjendje të rënë shpirtërore por edhe financiare. Fuqitë e Mëdha kishin vendosur të sillnin në Shqipëri një Princ të huaj për të drejtuar vendin. Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit nuk do të pranonte që Ismail bej Vlora të ishte në listën e njerëzve që do t’i uronin mirëseardhjen Princ Vidit. Në vend të tij do të zgjidhej Jusuf Abaz Kanina.
Ismail Bej Vlora nuk i kishte humbur lidhjet me Vlorën, parinë e saj, por edhe informimin për situatën në vend. Edhe pse kishte vetëm pak ditë që ishte larguar nga Vlora, shumë njerëz në Vlorë dhe jashtë saj, filluan të kërkonin kthimin e tij në Vlorë me qëllim vendosjen përsëri në krye të fateve të vendit. Në fund të marsit 1914, një delegacion nga Vlora, shkoi në Nicë dhe ia kërkoi seriozisht Ismail bej Vlorës, rikthimin në Vlorë.
Por kishte edhe njerëz që nuk e donin kthimin e tij në Shqipëri dhe, një nga këta, ishte armiku i tij kryesor, Esat pashë Toptani. Më detyrën e Ministrit të Brendshëm në qeverinë e Durrësit, të krijuar pas ardhjes së Princ Vidit, Esat pashë Toptani u deklarua kundër ardhjes në Vlorë të Ismail bej Vlorës, duke e urdhëruar prefektin e Vlorës, që të arrestonte Ismail bej Vlorën sapo ai të zbriste në skelë të Vlorës. Urdhri për arrestimin e njeriut që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë, shkaktoi pakënaqësi të madhe në Vlorë, duke shqetësuar edhe konsullatat, që në atë kohë vepronin në qytet. Një arrestim i mundshëm i Ismail bej Vlorës do të ishte shkak për deri një reagim të mundshëm me armë të vlonjatëve, të cilët kishin filluar të organizoheshin për të siguruar dhe mbrojtur ardhjen e tij në Vlorë.

Esat Pashë Toptani ishte përsëri njëriu më i padëshiruar për vlonjatet

Në fund të muajit maj të vitit 1914, Ismail bej Vlora erdhi në Vlorë me një anije që lundronte në linjën Brindisi Vlorë e anasjelltas. Në port kishin dalë për ta pritur shumë njerëz, ku dukej qartë mbështetja dhe shpresa që kishin tek rikthimi në Vlorë i njeriut që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Por ndoshta edhe sepse në Shqipëri gjendja ishte shumë kaotike, me kryengritjen e rebelëve të Shqipërisë së Mesme nga njëra anë dhe sulmet e ushtrisë greke në jug të Shqipërisë, duke shkaktuar shpërnguljen e qindra e qindra njerëzve nga shtëpitë e tyre e boshatisur fshatrat.

Por, ndërsa dështoi me arrestimin e Ismail bej Vlorës, pashai i Toptanëve ia arriti të arrestonte disa nga paria e Vlorës, që gëzonin një emër të mirë në Vlorë dhe kontrollonin jetën e qytetit bregdetar.

Kjo ishte marrëdhënia midis Esad pashë Toptanit nga njëra anë dhe Vlorës, e cila nuk ia falte tradhëtinë ndaj Ismail bej Vlorës, sjelljen ndaj tij, ndaj çështjes shqiptare, urdhërit për arrestimin dhe arrestimin e disa krerëve të Vlorës.
Në këtë ambient u rrit në Vlorë Avni Rustemi, por edhe shumë të rinj të tjerë vlonjatë, të cilët do të ishin të gatshëm që të vrisnin Esad pashë Toptanin, nëse do t’ju ngarkohej.

  • Po kush ishte Avni Rustemi?
  • Si u vendos për vrasjen e Esad Toptanit në Paris?
  • Si u prit Avni Rustemi në Vlorë pasi u la i lirë nga Gjykata franceze?

Figura e Avni Rustemit në Vlorë në vitet ’20-të, por edhe më tej del si një figurë mjaft aktive, shumë revolucionare për kohën, por edhe më pas jehona që ajo la, nuk u zbeh aspak. Avni Rustemi, ende pa mbushur 14 vjeç, u paraqit tek çeta e Çerçiz Topullit, por nuk u pranua nga ky i fundit për shkak të moshës së tij. Më vonë ai mbaroi disa klasë në Greqi, dhe filloi punë si mësues në Tepelenë, në moshën 17 vjeç, dhe më pas në Vlorë, pikërisht, në Tragjas dhe Rradhimë, e më pas në Vlorë.
Ai ka dhënë mësim që pas luftës së Vlorës, më 1920, në godinën e Konsullatës Italiane, (sot Bashkia e Vlorës). Po në vitin 1920, organizata që kishin krijuar djelmoshat e Vlorës, ku një ndër udhëheqësit kryesor ishte Avni Rustemi, vendosi që t’i bënte atentat Esat Pashë Toptanit në Paris.
Komploti për vrasjen e Esat pashë Toptanit, u organizua në Vlorë, në një shtëpi në lagjen “Muradie”, në të njëjtën lagje ku në vitin 1932 u zbulua një komplot kundër Ahmet Zogut, ku pjesëmarrës ishin 36 burra, nga të cilët u përjashtuan ata që kishin familje dhe shorti u zhvillua vetëm me 11 burra, ku siç dihet shorti i ra Avni Rustemit. Ndërkohë, një tjetër vlonjat nga Dukati i Vlorës, në kushtet që Avniu u vonua për kryerjen e atentatit, u caktua për të kryer atentatin, por kur ky i fundit arriti në Brindizi, mësoi nga gazetat për vrasjen e Esadit.

Komploti për vrasjen e Esat pashë Toptanit, u organizua në Vlorë, në një shtëpi në lagjen

“Muradie”

Të paktën kështu është transmetuar kjo nga dëshmitarë të kohës, pasi nuk ekziston asnjë dokument zyrtar (a mund të ketë dokument zyrtar kur bëhet fjalë për një vrasje!).
Në të njëjtën lagje ku në vitin 1932 u zbulua një komplot të madh kundër Ahmet Zogut, apo në vitin 1943 ishte dhe një bazë e fuqishme kundër Enver Hoxhës.
Pjesëmarrës ishin 36 burra, nga të cilët u përjashtuan ata që kishin familje dhe shorti u zhvillua vetëm me 11 burra, ku siç dihet shorti i ra Avni Rustemit.

Pas vrasjes së Esat Toptanit, Avni Rustemi, në Vlorë mbërriti, në 25 dhjetor 1920, në ora 7 të mëngjesit, ku nga bashkëkohësit, tregohet se në portin e Vlorës ishin të pranishën jo vetëm nga fshatrat e Labërisë, por edhe nga të gjitha krahinat e tjera të Shqipërisë. Nuk duhet të harrojmë pa përmendur, se popullsia e Vlorës në atë kohë ishte jo më shumë se 7 mijë banorë.

Një ngjarje tjetër që nuk mund të harrohet, është ajo e komisarit të bashkisë, mikut të Avni Rustemit, Tol Arapi, i cili hipi në anijen që solli Avni Rustemin, nxori nga brezi nagantin dhe qëlloi 5 herë në ajër duke brohoritur “Rroftë djalëria shqiptare, Rroftë Avni Rustemi!”.

Ngjarja e dytë ka qenë marrja në krahë e Avni Rustemit, ku një pjesë të rrugës për në Vlorë e mbajtën në krahë, dhe pjesën tjetër të rrugës e hipën në karrocë dhe i hoqën kuajt, dhe populli i Vlorës e shtyu karrocën deri në Bashki, në qendër të qytetit.

Po atë natë për nder të Avni Rustemit u shtrua një darkë e madhe ku përveç parisë së Vlorës, merrte pjesë edhe kryeministri i asaj kohe, Sulejman bej Delvina dhe njerëz të tjerë të shquar të kombit. Darka u shtrua në hotel “Ballkan”, që ndodhej pranë bashkisë sot.

Avni Rustemi, pasi vizitoi disa nga familjet e dëshmorëve në luftën e Vlorës 1920, ai bëri një vizitë të veçantë në Spitalin e Vlorës, ku vizitoi Heroin e Popullit, Kanan Mazen. Më pas, ai me një grup që e shoqëronin, si Ymer Rradhima, Sezai Çomo, Tare Libohova, Osmën Haxhiu, Ibrahim Avdullai, Arsitidh Ruçi etj., iu rezervua një darkë e madhe tek shtëpia e Refat Aliut. Ai shkoi në Armen tek motra e tij, Xhanja, e cila ishte martuar me Hysen Kroin nga Libohova, dhe më pas atij iu rezervua një darkë në çifligun e Myqerem Hamzarajt në Lubonjë.

Avni Rustemi u qëllua në një atentat në Tiranë, më 20 prill 1924 dhe vdiq dy ditë më pas më 22 prill. Ditën që u qëllua nuk shoqërohej nga truproja i tij, një djalë i ri nga fshati Vranisht i Vlorës, të cilin e kishte ngarkuar shoqata “Bashkimi” që të ruante Avniun.
Vrasja e tij shkaktoi zemërim të madh në Vlorë dhe shërbeu si shkak për fillimin e kryengritjes së armatosur kundër Ahmet Zogollit, të cilin vlonjatët e fajësuan për vrasjen e Avniut.

Kryengritja e filluar nga Vlora dhe që përfundoi me largimin për 6 muaj të Ahmet Zogollit nga pushteti, do të shënonte fillimin e një konflikti të ri midis Vlorës dhe Ahmet Zogollit, ashtu si konflikti midis Vlorës dhe Esad pashë Toptanit.