Kosova në UNESKO, “luftë” e ashpër me Serbinë për anëtarësimin

78
Nga 58 shtete anëtare të Këshillit Ekzekutiv të UNESCO-s, nevojitet që shumica e thjeshtë e tyre ta votoj propozimin e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, ka treguar për “Zërin”, se rreth orës 15:00 pritet që si pikë e rendit të ditës nga Këshilli Ekzekutiv i UNESCO-s të jetë edhe Kosova.
Selimi ka treguar, se në këtë mbledhje, Serbia do të paraqes një kërkesë që Kosova të mos diskutohet fare dhe se kjo kërkesë më pas do të votohet nga shtetet e tjera nëse e përkrahin apo jo një kërkesë të tillë.
“Së pari do të jetë një kërkesë e Serbisë që të mos diskutohet fare dhe të shtyhet ky vendim dhe kjo kërkesë do të mbahet me votim. Dhe nëse nuk kalon kjo kërkesë, nëse nuk shtyhet, atëherë fillon debati për “substancë”, ashtu quhet “debati për substancë”. Edhe më pas shtet paraqesin qëndrimet e tyre pro dhe kundër dhe në fund votohet për rezolutën dhe rezoluta është shumë e thjeshtë ku thotë “Këshilli Ekzekutiv i UNESCO-s e rekomandon Republikën e Kosovës si anëtaren më të re të UNESCO-s”. Nëse aprovohet kjo rezolutë, atëherë ne e kemi fituar një betejë të madhe në rrugën tonë përpara”, ka treguar për “Zërin”, Petrit Selimi.
Ai po ashtu ka shtuar se edhe gjatë ditës së sotme, zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi është duke u takuar me ambasadorë të shteteve të ndryshme, në mënyrë që siç tregoi Selimi, të mos lejohet kjo shtyrje të cilën po e kërkon Serbia.
Selimi nuk beson se Serbia do të gjej mbështetje për kërkesën e saj, pasi që sipas tij Kosova ka mjaftë shtete të cilat e përkrahin dhe se kjo fushatë e Serbisë, të cilën ai e cilësoi si të egër, nuk do të jep rezultatet e duhura.
“Serbia e ka filluar një fushatë shumë të egër, ne kemi shpresa që egërsia e tillë do të jetë kontraproduktive dhe se do të rrit simpatitë e shteteve tjera për Kosovën. Me të vërtetë nuk e dimë se sa do ta votojnë, por e dimë sa na kanë thënë por nuk e dimë në fund si do të dalë vota, për shkak se kjo është zgjedhje e fshehur dhe nuk dihen rezultatet tash. Shumica e shteteve anëtare të UNESCO-s, na kanë premtuar se do ta përkrahin Kosovën”, ka deklaruar Selimi për “Zërin”./Zeri.