PD: Paratë e OSHEE-së nuk janë investuar, janë vjedhur

482
Opozita hedh poshtë shifrat e publikuara nga Qeveria në lidhje me investimet në sistemin energjitik. Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho deklaroi në një dalje për mediat, se paratë e mbledhura nga aksioni kundër debitorëve të energjisë nuk u janë kthyer mbrapsht qytetarëve në formën e investimeve në rrjet.
“Milionat që OSHE ka dhënë për deputetë të Edi Ramës, kandidatë për kryetarë bashkie apo donatorë të Partisë Socialiste apo LSI-së, kryesisht janë ndarë me negociim pa shpallje gare. Me porosi; hajde dhe merr nga thesi ca miliona. Kështu ka funksionuar për dy vite OSHE-ja, e cila shpërdoron milionat e gjakut të shqiptarëve, paratë qe i ka mbledhur me dhunë, me forcë, me burg. Majmen njerëzit e Edi Ramës me paratë që u morën jetën Qamil Zelës, Llazi Nasit, Gjovalin Lazrit, Arif Dodës. Bëjnë pasuri me këto miliona deputetë dhe klientela e Edi Ramës, teksa lihen në errësirë fëmijë të porsalindur, pleq të vetmuar dhe çohen në burg njerëzit e pamundur”, tha Spaho.
Për opozitën mjafton fakti i mosfunksionimit të hidrovoreve gjatë përmbytjeve të fundit në vend dhe ndërprerjet e energjisë për të dëshmuar se nuk është investuar në rrjet. “Për çfarë duheshin marrë me dhunë këto para kur nuk investohet ne përmirësimin e furnizimit me energji e evidentuar tek hidrovorët që nuk punonin gjatë përmbytjeve apo tek ndërprerja e vazhdueshme e dritave kudo në vend?”, deklaroi nënkryetari i PD-së.
Spaho denoncoi si korruptiv tenderin për godinën e re të OSHEE-së dhe dy të tjerë për shërbimin e ruajtjes dhe sigurisë fizike, ku sipas demokratëve në njërin ka përfituar kandidati i socialistëve në Kamëz, Safet Gjici dhe në tjetrin Pjerin Ndreu.
Por, sipas opozitës, në tortën e korrupsionit me paratë e OSHEE-së është përfshirë edhe Ilir Beqaj dhe Sadri Abazi.
“Një lukuni donatorësh, deputetësh, miqsh të Edi Ramës janë sulur e kanë mbushur xhepat me paratë e shqiptarëve, pa tender, pa garë, me negociim nëse ju mjaftojne për t’u ngopur ose jo. Si hienat merr, shqyej, mbush trastën e ik! Kjo është banda e OSHE, këto janë arritjet e mëdha të Edi Ramës. Një korrupsion i pamasë e i pështirë që tallet me skamjen dhe me jetën e qytetarëve të vendit”, tha Spaho.
Sigal