Fatos Lubonja: “Është paradoksale që të mendosh që një prokurori e sunduar nga krimi, një kryeministër vegël e krimit, mundet njëkohësisht të luftojë krimin”

69

Analisti i njohur Fatos Lubonja thotë se në vendin tonë duhet të ketë ndryshim radikal, duke shtuar se thirrjet për dialog nuk do të kenë sukses, duke sqaruar ky regjim siç e cilëson ai nuk mund të rrëzohet me mjete demokratike.

I ftuar në “News 24”, Lubonja thotë se po tentohet të kapet edhe institucioni i Presidentit.

Fatos Lubonja: Duke u nisur nga përgjimet e Bild, neve arrijmë në një pikë ndërgjegjësimi kombëtar dhe ndërkombëtar, se këtu tek ne ka ndodhur diçka që i ka bërë të vjetruara, kategoritë shtet korrupsion, shtet krim. Sepse po të dëgjojmë përgjithësisht edhe ndërkombëtar, thonë se ka akoma korrupsion por duhet luftuar, ka krim të organizuar dhe duhet luftuar, që nënkupton se ka dy etnitete të ndryshme.

Kur arrin në një pikë të tillë që e quaj pikë vlimi, grumbullimi i aq shumë krimi në vendin tonë, bën që si të thuash të ketë një kalim cilësor në një regjim tjetër ku shteti dhe krimi nuk janë më dy entitete, por një i vetëm.

Është paradoksale që të mendosh që një prokurori e sunduar nga krimi, një kryeministër vegël e krimit, mundet njëkohësisht të luftojë krimin.

Në këtë kuptim, jemi në një regjim të krimit dhe regjimet është e vështirë të mund të ndryshohen me forma demokratike, me dialogun, me forcat që lëvizin sepse gjithçka është kapur në një dorë. Me ardhjen e Ramës këto 6 vjet, jo vetëm për shkak të Ramës, por sëmundja e tij e pushtetshmërisë dhe rritja e krimit, na kanë çuar tek ky regjim, që është një regjim që rrëzohet siç rrëzohen të gjitha regjimet. Pastaj, format janë të ndryshme.

Është nevoja për ndryshim radikal. Thirrjet për ulje në dialog mua më duket se nuk do të kenë sukses. Këtu duhet një ndryshim radikal që nuk e sjell dot dialogu Rama-opozitë. Vetë Rama ka shkuar aq larg në regjimin e tij sa është e vështirë të humbasë pushtetin tashmë.

Është një formulë e qartë që ne e kemi humbur dhe nuk e kemi pasur asnjëherë, që është ndarja e pushtetit. Nëse ne nuk kemi drejtësi të pavarur, Parlamentin. Kur të gjitha këto kapen nga një dorë e vetme dhe Presidenti së fundmi tentohet të kapet, nuk ka kuptim të diskutohet më për lojën demokratike.

Këtu është një lojë tjetër. Ky është regjimi. Regjimet rrëzohen, ndërsa krimi dhe korrupsioni luftohen. Në qoftë se vazhdojmë akoma të themi se kemi shtetin dhe krimi dhe korrupsioni duhen luftuar, siç na thonë ndërkombëtarët, jemi gabim. Nuk jemi në këtë situatë, jemi në një situatë më të rëndë.

Edhe kjo që bën Presidenti mund të na çojë në një situatë më ndryshme. Ndonjëherë janë të paparashikueshme. Mos harroni si ndodhi ’97-ta, e kemi një precedent. Edhe atëherë kishim një tendencë të Sali Berishës për të kontrolluar të gjitha pushtetet dhe nuk kishte ndërmend të largohej nga pushteti por ndodhi një kolaps ekonomik dhe ndodhi ajo që ndodhi.

Pikëpyetja e madhe është mirë se nuk do të bëhen zgjedhjet më 30 qershor por si do të zgjidhet kjo nyje gardiane. Konflikti mbetet aty dhe si do të zgjidhet ky konflikt midis narko-shtetit siç tha edhe Basha dhe demokracisë?!

Me mjete shtetërore, ku shteti është narkoshteti me gjithë institucionet që ka kapur. Kjo është një pikëpyetje e madhe. Një rol do të luajnë për fat të keq ndërkombëtarët të cilët kanë legjitimuar dhe deligjitimuar pushtet dhe janë ata faktor i tretë.

Edhe pse sot dëgjova që Boshart ka thënë se kjo është një çështje e shqiptarëve dhe nga ana tjetër, frika është kjo që ndoshta mendon se janë këto institucione që ka kapur Rama se do ta zgjidhin, si Parlamenti.

Mbetet edhe kjo një enigmë se sa do të dinë edhe ndërkombëtarët që këtu nuk kemi të bëjmë me një shtet që lufton krimin dhe korrupsionin, siç e thonë vazhdimisht por me një shtet që ka një anë tjetër të medaljes së vet krimin dhe korrupsionin që duhet luftuar me mënyra të tjera.