Zëvendësoi katër anëtarë të bordit, gjashtë dekanë letër kundër Karabinës

359
Ministrja teknike e arsimit “kryqëzohet” nga gjashtë dekanët. Janë deklaratat e tyre dhe reagimi i fundit i Karabinës përmes një letre
Ministrja e Arsimit, Mirela Karabina është bërë “moll sherri” për Universitetet. Në ditët e fundit të qëndrimit të saj në këtë post, Karabina ka urdhëruar shkarkimin e katër anëtarëve të Bordit të Administrimit në Universitetin e Tiranës. Por reagimet kanë qenë të shumta dhe të menjëhershme. Gjashtë dekanët kanë shprehur përmes një letre shqetësimin ndaj këtij vendimi. Në letrën e dekanëve drejtuar kryetarit të Bordit të UT, Ervin Demos, thuhet se urdhri i ministres Karabina është jotransparent, ndaj duhet t’i kthehet mbrapsht pasi prek autonominë dhe reputacionin e UT. Ndërkohë që vendimi për zëvendësim është marrë gjatë kohës kur bordi i Universitetit është me pushime. Pas kësaj, ka reaguar edhe kreu i bordit, Ervin Demo përmes një letre dërguar Ministres Karabina, teksa kërkon vlerësimin me objektivitet të vendimit të marrë për ndryshimin e anëtarëve të bordit të administrimit. “Shkresa juaj mbetet pa vlerë ligjore dhe anëtarët e Bordit të Administrimit mbeten të pandryshuar” – shkruan Demo. Kreu i Bordit Administrues të Universiteti të Tiranës, Ervin Demo, ka theksuar se vendimi i zëvendësimit të anëtarë të bordit të Universitetit të Tiranës është në kundërshtim me ligjin e arsimit të lartë. Demo thotë se këto ndryshime kanë ndodhur në një periudhë kur të gjithë anëtarët e bordit dhe pedagogët e universitetit janë me pushime. “Për sa i përket aktit të nxjerrë nga ministria, ai është në kundërshtim me ligjin e arsimit. Ka një praktikë të qartë se si anëtarët e bordit të administrimit vendosen dhe ka disa kritere që duhet të plotësojë. Ne akoma nuk kemi kuptuar se kush ka qenë motivacioni”, ka thënë Ervin Demo, i cili ka shtuar se vendimet e ministres janë nul. Gjithashtu Demo ka shtuar se situata e krijuar duhet parë edhe nga ana politike, në një kohë ku ministres teknike të Arsimit i kanë mbetur më pak se 3 javë në detyrë, kushdo që të jetë ministri i ri në shtator, do ta anulojë këtë vendim. “Sot që ne flasim janë miratuar të gjithë anëtarët që përfaqësojnë interesin publik, dhe ndërrimi i tyre në të njëjtën kohë, nuk besoj se është një veprim ligjor. Jemi para një situate e cila sjell konsekuenca juridike dhe dëme ekonomike, ne gjykojmë që ndryshimet janë të paligjshme, ndërkohë që në mënyrë vullnetare , të emëruarit nga ministrja mund të mblidhen dhe të marrin vendime, por institucionet nuk do t’i pranojnë”, ka përfunduar kreu i Bordit Administrativ të Universiteti të Tiranës.
Dekani i Ekonomikut, Dhori Kule: Bordi i ri është inegzistent
Dekani i Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, gjithashtu ka reaguar në lidhje me zëvendësimin e anëtarëve të bordit të Universitetit të Tiranës.
Kule është shprehur se shkresa e ministres për sa i përket zëvendësimit të anëtarëve të Bordit Administrues të Universitetit të Tiranës, nuk njihet nga ky institucion.
“Universitetet kanë autonomi kushtetuese. Ka një mosrespekt të ministres për veten e saj dhe për ata që e kanë vënë . Shkresa që ka dhënë nuk ka asnjë fuqi në UT, pavarësisht pikave të kontakteve që ajo ka pasur në Universitetin e Tiranës”, tha Kule, i cili shtoi se Universiteti i Tiranës është një simbol dijeje për të gjithë shqiptarët.
“Shqiptarët kudo që janë, Universitetin e Tiranës e kanë simbol të dijes dhe tentativat për të cenuar këtë universitet është vullgare, e pistë për këdo që e merr këtë iniciativë. Bordi Universitetit të Tiranës ka katër anëtarë të zgjedhur nga senati dhe 3 të zgjedhur nga ministria. Ministrja Nikolla ka përcaktuar zv. Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, i cili është përfaqësues si e kërkon ligji, nga pushteti lokal. Dy të tjerët janë drejtorë në ministri. Ligji ka parashikuar shumë qartë që nuk zëvendësohen dot këta, pasi nëse zëvendësoheshin, Universiteti do të bëhej lodër e ministrave teknik që vine e ikin”, tha dekani i Fakultetit Ekonomik. Ndërkohë që sot në ora 11:00, dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, Prof. Dr Dhori Kule, do të zhvillojë një konferencë për shtyp pranë ambienteve të Fakultetit të Ekonomisë, UT, Salla e Këshillit, kati i dytë. Konferenca do të zhvillohet në lidhje me situatën e krijuar nga vendimi i fundit i Ministres së Arsimit për zëvëndësimin e anëtarëve të Bordit të Administrimit të Universitetit të Tiranës dhe në vazhdimësi të qëndrimit të kryetarit të Bordit UT Prof. Assoc Dr Ervin Demo dhe dekanëve të fakulteteve të UT.
Reagimi i ministres Karabina
Ministrja teknike e Arsimit, Mirela Karabina ka reaguar pas akuzave dhe letrës së 6 Dekanëve, që e cilësuan si një uzurpim të Bordit të Administrimit të Universitetit të Mjekësisë zëvendësimin e 4 anëtarëve. Karabina shprehet në reagimin e saj se ndryshimet janë bazuar në ligj, ndërsa janë bërë në përgjigje të shqetësimeve të autoriteteve drejtuese të institucioneve të arsimit të lartë publik. Gjithashtu, ministrja sqaron se sipas përcaktimeve ligjore, emrat e anëtarëve rinj të Bordeve të Administrimit emërohen nga ministri përgjegjës për arsimin. “Sipas përcaktimeve ligjore, emrat e anëtarëve rinj të Bordeve të Administrimit, “si përfaqësues të ministrisë përgjegjëse për arsimin janë ekspertë të njohur nga fushat akademike, menaxheriale, ekonomike dhe juridike” dhe siç përcaktohet në nenin 48, pika 1, të Ligjit Nr. 80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë” dhe emërohen nga ministri përgjegjës për arsimin” thotë ministrja. Të gjitha shkrimet dhe deklaratat, Karabina i cilëson si të papërgjegjshme duke keqinformuar opinionin dhe, për më tepër, janë në kundërshtim me misionet e institucioneve të arsimit të lartë dhe interesit publik. Zëvendësimi i 4 anëtareve të Bordit të Administrimit të Universitetit të Mjekësisë me urdhër të Ministres teknike të Arsimit, Mirela Karabina, nuk është pritur mirë nga disa anëtarë të Bordit. Pas urdhrit të ministres teknike të Arsimit, Mirela Karabina për zëvendësimin e 4 anëtarëve të Bordit të Administrimit në Universitetin e Tiranës, gjashtë dekanët kanë shprehur përmes një letre shqetësimin ndaj këtij vendimi.
Në letrën e dekanëve drejtuar kryetarit të Bordit të UT, Ervin Demos, thuhet se urdhri i ministres Karabina është jotransparent, ndaj duhet t’i kthehet mbrapsht pasi prek autonominë dhe reputacionin e UT.
Letra e fundit e Karabinës si ministre
Duke marrë shkas nga lajme të publikuara mbi disa ndryshime të anëtarëve në përbërje të Bordeve të Administrimit të disa institucioneve të arsimit të lartë publik, Ministria e Arsimit dhe Sportit sqaron se: Ministri i Arsimit dhe Sportit në përputhje me përcaktimet ligjore ka ndërmarrë të gjitha masat për kryerjen e veprimeve ligjore duke mundësuar ndryshimet në Bordet e Administrimit për të garantuar përmbushjen e misionit të institucionit të arsimit të lartë, si dhe mbarëvajtjen financiare e administrative të tyre.
Këto ndryshime janë bërë në përgjigje të shqetësimeve të autoriteteve drejtuese të institucioneve të arsimit të lartë publik për të siguruar mbarëvajtjen e institucioneve në përgatitjet e tyre për vitin akademik 2017-2018. Sipas përcaktimeve ligjore, emrat e anëtarëve rinj të Bordeve të Administrimit, “si përfaqësues të ministrisë përgjegjëse për arsimin janë ekspertë të njohur nga fushat akademike, menaxheriale, ekonomike dhe juridike” dhe siç përcaktohet në nenin 48, pika 1, të Ligjit Nr. 80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë” dhe emërohen nga ministri përgjegjës për arsimin. Ministri i Arsimit dhe Sportit në zbatim të detyrimeve ligjore ka përgjegjësi institucionale të ndërmarrë të gjitha masat që shërbejnë për të krijuar mekanizma të qëndrueshëm të sigurimit të cilësisë dhe menaxhimit financiar, në institucionet e arsimit të lartë, të cilat gëzojnë liri akademike, autonomi financiare e organizative, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet Europiane. Të gjitha shkrimet dhe deklaratat e papërgjegjshme kanë keqinformuar opinionin dhe, për më tepër, janë në kundërshtim me misionet e institucioneve të arsimit të lartë dhe interesit publik. Ministri i Arsimit dhe Sportit, distancohet nga burimet disinformuese të përdorura nga segmente të caktuara të lidhura me interesa personale korruptive dhe garanton bashkëpunim me të gjithë institucionet e arsimit të lartë, si dhe transparencë të plotë të të gjitha veprimeve në shërbim të monitorimit të standardeve të cilësisë së arsimit të lartë në vend.