Vuloset dështimi i “Fundit të Marrëzisë”. Rritet në 2513 numri i lojërave të fatit

502
Sigal

Subjekte të licencuara nga Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, Seli dhe Kapital Themeltar 2014

Kemi 2513 pika të lojërave të fatit të licencuara në vend, madje më shumë se shkolla të cilat nuk e kalojnë numrin 2000, 9-vjeçare dhe të mesme, të marra së bashku. Shqipëria është vendi, ku vetëm lojërave të fatit nuk ia ndjen mungesën. Madje edhe kur Ministria e Brendshme ndërmori në muajt e fundit të vitit të kaluar operacionin, shumë të përfolur, “Fundi i Marrëzisë”, ajo rezultoi të ishte thjesht një shou mediatik. Gjatë aksionit që u shtri në të gjithë vendin në terren u angazhuan të paktën 6 mijë punonjës policie dhe në përfundim të këtij operacioni Ministria e Brendshme tha se u kontrolluan 1374 subjekte, u evidentuan 542 vepra penale zhvillim i palejuar i lojërave të fatit si dhe u proceduan penalisht 534 autorë. Ky aksion rezulton të jetë një flluskë sapuni, pasi mesa duket numri i pikave të lojërave të fatit, sipas studimit të Open Datës, rezulton të jetë një numër shumë më i madh të lojërave të fatit (2513 të tilla dhe për më tepër të licencuarat, pasi pjesë e studimit nuk janë bërë bizneset e palicencuara që rëndom gjallojnë në ekonominë tonë), sesa janë bërë subjekt kontrolli nga policia gjatë aksionit. “Fund Marrëzisë rezulton të jetë një luftë me mullinjtë e erës, pasi autorët e proceduar penalisht nga ky operacion, përfituan falë amnistisë. Gjithashtu dhe 6000 forcat e policisë, në vend që të kontribuonin për rendin dhe sigurinë, veçse sa performuan përpara kamerave të televizioneve në dyert e lojërave të fatit të mbyllura me kyç. Dhe për më tepër, pas gjithë këtij shou mediatik të gjitha pikat e kumarit vazhduan punën normalisht. Por siç edhe u përfol i gjithë ky operacion policor u krye për të ndryshuar tregun e lojërave të fatit dhe jo për t’i mbyllur ato siç edhe u trumbetua me bujë.

Studimi

Gjithë këtë dështim të qeverisë e tregon më së miri edhe studimi i bërë nga

Open Data Albania lidhur me subjektet financiare që janë licencuar nga Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit. Ky institucion përveçse licencon gjithashtu mbikëqyr dhe kontrollon veprimtarinë e subjekteve, që organizojnë lojëra fati, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin dhe aktet nënligjore në fuqi.

 Kategoritë e subjekteve që organizojnë lojëra fati

Këto subjekte ndahen në gjashtë kategori, përkatësisht në Lotari Kombëtare, Bingo Televizive, Kazino, Kazino Elektronike, Baste Sportive dhe Bingo Tradicionale.

-Kategoria me numrin më të madh të subjekteve është ajo e Kazinove Elektronike me përkatësisht 10 subjekte. Bastet Sportive nga ana tjetër shënojnë 6 subjekte, por që kanë një shtrirje më të gjerë në të gjithë vendin për shkak të numrit të madh të selive. Top Bast, një nga kompanitë e basteve sportive me vetëm njëzet e dy milion lekë kapital fillestar  ka 1,117 seli në gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Të licencuara në vend funksionojnë 2513 pika të lojërave të fatit.

 Kapitali fillestar i tyre

 Kompania me Kapitalin Fillestar më të madh është Lotaria Kombëtare me përkatësisht 1,201,950 000 lekë të investuara në fillim. Kjo kompani ka formën ligjore të shoqërisë me përgjegjësi të kufizuar, ndryshe nga kompanitë e tjera të licencuara nga NJMLF që janë shoqëri aksionere (anonime). Subjekti me kapital themeltar më të vogël është Nacional Bingo me përkatësisht 2 000 000 lekë të investuara në fillim. Ky subjekt ka vetëm një seli qendrore dhe katër aksione. Ndër aksionarët e kompanive të lojërave të fatit janë edhe dy femra. Në tërësi kapitali themeltar i shoqërive të licencuara për lojëra fati është 2,91 miliard lekë.