KLSH në 150-vjetorin e krijimit të Gjykatës së Audituesve të Rumanisë

1158
Sigal

 Në datat 5-7 qershor 2014, në Bukuresht u zhvilluan aktivitetet e organizuara me rastin e 150-vjetorit të krijimit të Gjykatës se Audituesve të Rumanisë. Ceremonia kryesore e 150-vjetorit të krijimit të Gjykatës së Audituesve të Rumanisë, u zhvillua në datë 6 qershor 2014, në hollin plenar të Dhomës së Deputetëve në Pallatin e Parlamentit. Në këtë ceremoni merrnin pjesë Presidenti i Rumanisë, z.Traian Basescu, Kryeministri i Rumanisë, z. Viktor Ponta, Kryetari i Dhomës së Deputetëve, z. Valeriu Zgonea, Presidenti i Gjykatës së Audituesve, z.Nikolae Vacaroiu, Guvernatori i Bankës së Rumanisë, z.Mugur Isarescu, Patriarku i Kishës Ortodokse Rumune, Daniel, Kryetari i Bashkisë së Bukureshtit, z.Sorin Oprescu, si edhe ministra, senatorë dhe deputetë.

Gjithashtu, merrnin pjesë në ceremoni, delegacione të SAI-ve anëtare të EUROSAI-t dhe INTOSAI-t, Presidenti i Gjykatës Europiane të Llogarive, z.Vitor Caldeira, Sekretari i Përgjithshëm i INTOSAI-t, z.Josef Moser, Presidenti i OLACEF dhe njëkohësisht i SAI-t Brazilian, z. Augusto Nardes, Kryetarë të SAI-ve Europiane, etj..

Në këtë aktivitet, Kontrolli i Lartë i Shtetit i Shqipërisë, përfaqësohej nga Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj dhe z.Xhafer Xhoxhaj, Drejtor Departamenti në KLSH.

Aktivitetin e përshëndetën Presidenti i Rumanisë, z.Traian Basescu, Kryeministri i Rumanisë, z. Viktor Ponta, Kryetari i Dhomës së Deputetëve, z. Valeriu Zgonea, dhe Presidenti i Senatit z.Calin Popescu-Tariceanu, ku u vlerësua Gjykata e Audituesve e Rumanisë dhe veçanërisht roli i luajtur nga kjo Gjykatë, në përdorimin me efektivitet dhe transparencë të plotë të fondeve publike.

Në ceremoni, përshëndetën edhe z.Josef Moser, Sekretar i Përgjithshëm i INTOSAI-t dhe President i Gjykatës austriake të Llogarive, Presidenti i Gjykatës Europiane të Llogarive, z.Vitor Caldeira, z. Guilherme d’Oliveira Martins, President i Gjykatës portugeze të Llogarive dhe President i EUROSAI-t, si dhe z.Tomas Vesel, President i Gjykatës sllovene të Llogarive. U zhvilluan gjithashtu edhe takime të ndryshme bilaterale si edhe video-mesazhe përshëndetëse nga z.Gene Dodaro, Auditues i Përgjithshëm i SHBA dhe z. Josef Beckers, Anëtar i Gjykatës belge të Auditimit. Stafi i Gjykatës së Audituesve kishte përgatitur edhe botimet “Gjykata e Llogarive të Rumanisë, Marrëdhëniet Ndërkombëtare, 1864-2014” si dhe “150 vjet që prej krijimit1864-2014”, të cilat iu shpërndanë edhe pjesëmarrësve, si dhe u hap ekspozita me botimet e Gjykatës së Audituesve, një ekspozitë filatelike, etj.

Gjatë këtyre ditëve, Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj, zhvilloi takime pune me Presidentin e Gjykatës së Audituesve të Rumanisë, z.Vacaroiu, zv.Presidentin, z.Gheorghe Oana, si dhe Presidentë të SAI-ve të tjerë, të pranishëm si, Presidentin e TCA-së, z.Akyel, Presidentin e SAI-t kroat, z.Klesic, zv.Presidentin e NIK-t të Polonisë, z.Kutyla, etj..

Historik

Në 24 janar, 1864, Parlamenti i Rumanisë (Asambleja zgjedhëse), miratoi në Bukuresht krijimin e Gjykatës së Lartë të Llogarive të Rumanisë sipas modelit francez dhe atij belg, një institucion i përfshirë në reformën dhe procesin e modernizimit të shtetit rumun, i kryesuar në atë kohë nga Alexandru Ioan Cuza. Institucioni i Gjykatës Rumune të Llogarive ka pasur një impakt pozitiv në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit dhe ka kontribuar në modernizimin e shtetit, si dhe të qëndrueshmërisë së Rumanisë në kuadrin europian dhe botëror.

E riorganizuar disa herë, madje dhe e shfuqizuar në 1 dhjetor 1948, Gjykata e Llogarive u rikrijua me ligj në vitin 1992. Kushtetuta e Rumanisë e vitit 1991 citonte se: “Gjykata e Llogarive ushtron kontrollin e krijimit, menaxhimit dhe përdorimit të burimeve financiare shtetërore dhe të sektorit publik”.

Bazuar në Kushtetutën e vitit 1991, më 9 shtator 1992, u publikua Ligji nr. 94/1992 mbi organizimin dhe veprimtarinë e Gjykatës së Llogarive dhe institucioni e filloi aktivitetin e tij në 1 mars, 1993. Kushtetuta e vitit 1993 thotë se anëtarët e Gjykatës së Llogarive janë të pavarur në kryerjen e mandatit të tyre dhe janë të pandryshueshëm përgjatë gjithë këtij mandati.

Presidenti aktual i Gjykatës së Audituesve, z.Nicolae Vacaroiu, u lind më 5 dhjetor 1943. Ai është një politikan dhe ekonomist rumun, anëtar i partisë social-demokrate.

Është zgjedhur më parë Kryeministër i Rumanisë prej vitit 1992-1996, President i Senatit të Rumanisë prej vitit 2000, i rizgjedhur në vitin 2004 deri në tetor 2008. Ka kryer funksionin e Presidentit të Republikës, interim, prill-maj 2007 dhe në 14 tetor 2008, është zgjedhur President i Gjykatës së Audituesve të Rumanisë, me një mandat 9-vjeçar.

Marrëdhëniet ndërkombëtare të Gjykatës së Audituesve të Rumanisë, shtrihen në tre linja kryesore aktiviteti, sipas të cilave zbatohen edhe marrëdhëniet me jashtë të institucionit me organizatat profesionale ndërkombëtare dhe ato të asociuara, respektivisht: a. Me Bashkimin Europian; b. marrëdhëniet bilaterale dhe c. Marrëdhëniet multilaterale.

Gjykata e Llogarive të Rumanisë, është anëtare aktive e EUROSAI-t, INTOSAI-t, AISÇUF dhe Komitetit të Kontaktit, si edhe e disa grupeve të punës, komiteteve e nën-komiteteve, në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët. Gjithashtu, përfaqësuesi i kësaj Gjykate, është bashkë-drejtues i Grupit të Punës të Përbashkët për Aktivitetet në Auditim (JËGAA).

 Gjykata e Audituesve të Rumanisë ka përmbyllur marrëveshje bashkëpunimi në kuadrin bilateral me shumë institucione homologe, ku theksojmë Marrëveshjen e Bashkëpunimit të nënshkruar në Tiranë, ndërmjet dy institucioneve, 26 qershor, 2003, ndërmjet Kryetarit të KLSH-së të asaj kohe, z.Mustafa Kërçuku dhe Presidentit të Gjykatës rumune të Audituesve, z.Dan Drosu Saguna.

Në ditët e qëndrimit në Bukuresht, z.Bujar Leskaj, Kryetar i KLSH-së, u takua dhe me ish-Presidentin e Gjykatës së Audituesve të Rumanisë, z.Dan Drosu Saguna, i cili ka nënshkruar Marrëveshjen e Bashkëpunimit në vitin 2003.