Trafiku i marijuanës mbetet i lartë në kufirin shqiptaro-grek

226
Policia greke tha se bllokoi gjatë qershorit rreth 2,5 tonë marijuanë, pjesa më e madhe e së cilës e ardhur nga kufiri shqiptar. Sipas të dhënave zyrtare policore greke mbi 1.300 persona janë bllokuar në Greqi për aktivitet të lidhur me narkotikët vetëm gjatë qershorit. Sipas ekspertëve shqiptarë të antidrogës sezoni turistik rrit përdoruesit e lëndëve narkotike, sidomos në ishujt grekë dhe rrjedhimisht edhe aktivitetin e rrjeteve të trafikantëve. Për policinë shqiptare Greqia mbetet një nga rrugët kryesore të trafikimit të marijuanës së kultivuar në Shqipëri. Kufiri tokësor është i pamundur të mbulohet me ruajtje nga forcat kufitare ndërkohë që trafikantët herë pas here ndryshojnë mënyrat e transportimit të drogës. Dukuria më e fundit e përhapur është përdorimi i makinave të marra me qera dhe “fshehja” e trafikantëve si turistë për të transportuar nga zonat kufitare në thellësi të Greqisë sasitë e narkotikëve.
Sasi të reja të sekuestruara në Shqipëri
Policia e Vlorës tha se në vijim të operacionit masiv antidrogë të zhvilluar territorin e Llakatundit ku u bllokuan ditëte fundit rreth 15 tonë drogë u finalizuar një tjetër operacion policor në fshatin Grabian të këtij rrethi. Sipas policisë në një pjesë toke ullishte u gjetën të fshehur dhe u sekuestruar 24 thasë të mbushur me lëndë narkotike marijaunë , me peshë totale 300 kilogramë. Policia tha se arrestoi një 52 vjeçar për veprën penale ” Prodhim dhe shitja e narkotikëve” Të dhënat zyrtare të policisë shqiptare flasin se gjatë kësaj periudhe në sistemin policor janë administruar gjithësej 1844 informacione policore vetëm në drejtim të kultivimit të kanabisit. Këtë vit në bashkëpunim me policinë italiane janë kryer 10 fluturime për monitorimin nga ajri dhe janë administruar 7 raporte monitorimi. Ndërkohë, në kuadër të luftës kundër kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve, janë goditur 14 grupe kriminale dhe janë finalizuar 23 operacione, të kryera në bashkëpunim me policitë e vendeve të tjera. Gjykata e Vlorës vendosi një ditë më parë arrest me burg për 7 banorë të fshatit Drithas Llakatund në shtëpitë e të cilëve u sekuestruan disa tonë me marijuanë. Policia ka hetuar dhe verifikuar gjithësej edhe 51 punonjës policie, ku ndër ta nuk kanë munguar të arrestuarit dhe të përjashtuar nga policia për përfshirje në aktivitete me narkotikët.