Taks- Forca, i vë çelësin merkatos në Berat

612
Sigal

Drejtori i AKU, Bujar Dhëmbo: “Mishi që tregtohej aty më parë e shijonin minjtë, pastaj njerëzit”

Drejtoria e Autoritetit Kombëtarë të Ushqimit, pas disa kontrollesh të ushtruara prej disa kohësh, në ambientet tregtare të merkatos në qytetin e Beratit, ka konstatuar se ajo nuk plotësonte kushtet higjieno- sanitare. Lajmin e bënë të ditur për gazetën “Telegraf”, drejtori AKU-së, Bujar Dhëmbo, i cili tha se arsyeja e bllokimit të merkatos është se ajo nuk plotëson kushtet minimale higjienike. “Madje ambientet, ku tregtohen produktet janë teje të amortizuara. Në këto ambiente mungojnë ujë i pijshëm, uji i ngrohtë dhe i ftohtë si dhe analizat e tij, nuk janë bërë asnjëherë. Në këto ambiente, ku tregtohet mishi, nënproduktet e qumështit si djathi, gjiza, gjalpi, prodhimet bujqësore etj., janë të pranishëm dhe brejtësve (minjtë) dhe insektet. Në këtë ambient tregtimi mungon dhe tualeti publik. Fajin që erdhëm në këtë gjendje e ka bashkia e qytetit, të cilës disa herë i është kërkuar që të marri masa për ndryshimin e gjendjes, por kaluan dy vjet dhe asnjë masë nuk u mor në këtë drejtim. Nëse merkatoja nuk mbyllej konsumatori do të prekje nga një mori infeksionesh, prandaj për të ruajtur jetën e njerëzve, i kërkuam prefektit të Beratit që me autoritetin e tij të krijojë një Taks-Force, ku në përbërje të saj janë inspektorët e ushqimit dhe inspektorë nga Drejtorja Rajonalë e Tatimeve si dhe anëtarë nga bashkia. Këto veprime u morën për arsye së bashkia po tregohej indiferente ndaj kësaj gjendje të rënduar në merkato. Drejtuesit e saj nuk morën asnjë masë konkrete, pra ne si drejtori jemi të detyruar që të ndërmarrin këtë veprim shumë të rëndësishëm”, tha Dhëmbo.

Aksioni

Aksioni për të mbyllur merkaton u ndërmor pas një sërë kontrollesh. Në kontrollin e fundit janë verifikuar të gjitha procesverbalet e bëra nga Drejtoria Kombëtare e Ushqimit, e cila i kishte propozuar prefektit të Beratit, z. Bujar Hoxha që të bllokonte tregtimin në merkato, pasi gjendja mund të shkaktonte epidemi, e cila do të kishte pasoja të rënda në jetën e gjithë konsumatorëve që frekuentonin këtë ambient teje të ndotur dhe jashtë të gjitha kushteve të tjera të nevojshme që i duhen një ambienti tregtimi. Ditën e djeshme Task-Forca e mbështetur edhe nga Policia e Rendit ka bërë bllokimin e tregtimit të merkatos brenda të gjitha rregullave ligjore.

Rezistenca e tregtarëve

Policia gjatë kryerjes së urdhrit për mbylljen e kësaj godine ka hasur në rezistencën e tregtarëve që punonin prej vitesh aty. Tregtarët kanë kërkuar ndihmën e Bashkisë së Beratit për të ndërhyrë dhe për të parandaluar mbylljen e merkatos, por çdo përpjekje e tyre ka qenë e kot, pasi ishte vetë bashkia që e çoj gjendjen deri në këtë pikë, ku kthimi pas kërkon shumë punë.